Çfarë ndodhi në 3 aktet e gjyqit të këngëtarit lirik Lukë Kaçaj

0
751
Lukë e Ana Kaçaj

Historia dramatike – Lapsi.al, 04/04/2019

Këngëtarë si ai, edhe botës i vijnë pak në çdo brez, por në Shqipëri bënë çmos ta largonin nga skena, t’i ndalonin zërin në radio dhe ta çonin në burg. Ishte koha kur Bibla të bënte mëkatar dhe Fishta, fashist. Ishte koha kur njerëzit dënoheshin me akuza qesharake që, po të mos ishte për dhimbjen që shkaktonin, të shkrinin gazit. Kujto.al sjell dëshminë për tri seancat e gjyqit që i paraprinë burgosjes së këngëtarit lirik, mbështetur në librin “Legjendat nuk vdesin”, që ish-studenti dhe miku i tij, Loro Sata, i ka kushtuar Lukë Kaçajt.

Jemi në korrikun e vitit 1973. Nuk kishin kaluar as dy muaj që nga 28 maji, kur Lukë Kaçajt iu vunë prangat në shkallët e Institutit të Lartë të Arteve. Siç shkruan Loro Sata, në librin kushtuar basit të madh, “Legjendat nuk vdesin”, ajo ditë korriku nisi me një rrebesh vere, që do ia linte vendin një të nxehti përvëlues, për ta rënduar edhe më atmosferën në sallën e gjyqit, ku artisti do të shfaqej në rolin e të pandehurit, në dramën e jetës së tij. Kjo dramë kishte nisur më shumë sesa 10 vjet më parë, kur Lukës, së duartrokitur dhe të vlerësuar nga publiku dhe kritika botërore, i kishin ndaluar përgjithmonë skenën në vendin e lindjes. Paralajmërimi më i fuqishëm i ishte dhënë në prill të atij viti, kur në një mbledhje të Organizatës Bazë të Partisë, Lukë Kaçajt i ishin numëruar disa faje.

I ishte përmendur një letër dërguar një shoku bullgar të konservatorit; një deklaratë që sipas tij, artistët në Shqipëri trajtoheshin keq, jetonin të izoluar dhe në mjerim ekonomik si i gjithë vendi dhe një barcaletë që, kur në Tiranë kishte ardhur skuadra e Ajaksit, ai e kishte quajtur skuadra e Dajaksit. Në atë mbledhje, dikush arriti deri aty, sa të kërkonte, që Lukës t’i hiqej e drejta e mësimdhënies në Institutin e Lartë të Arteve. Tani po përgatiteshin për ta shkulur edhe nga familja, nga bashkëshortja Ana, nga muzika dhe poezia, nga librat e nga miqtë, edhe pse, siç do të vërtetohej në atë sallë, jo të gjithë miqtë ishin siç i kishte menduar.

Hapja tronditëse

Të pranishëm në gjyq, ishin studentë apo ish-studentë të Kaçajt dhe miq të vërtetë, që u treguan të guximshëm duke ardhur aty, siç ishte autori i librit, Loro Sata, apo katër balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit, D.S, E.T, R.B dhe F.K., Faruk Koka, i cili pak vite më vonë do ta pësonte njëlloj si Luka, duke u arrestuar dhe dënuar, kishte bashkëstudentë të tij në konservatorin “P. I. Çajkovski” dhe pedagogë të Institutit të Lartë të Arteve, si sopranoja lexhero H.S, tenorët Xh.A dhe I.T, por dhe të tjerë që ishin thirrur në gjyq nga organet e sigurimit si dëshmitarë, të cilët Loro Sata nuk i përmend, duke respektuar porosinë e Lukë Kaçajt, që nuk hoqi kurrë dorë prej deklaratës hyjnore, “Zot fali se nuk dinë çka bajnë!”.

I zbehtë, tejet i dobësuar, me shenjat e prangave në duar, këngëtari me trup vigani edhe pse i tjetërsuar nga vuajtjet në qeli, mundohej të mbante qëndrim krenar, siç shkruan Loro Sata. Flokët biond, që ai u mundua t’i rregullojë me duart që mezi i bindeshin, nuk ia kishin prerë, por shkëlqimin e syve të kaltër ia kishin shuar. Me ata sy pa, për herë të parë që kur e kishin arrestuar, familjen. Në radhën e parë, në krahun e tij të djathtë, siç përshkruhet në librin e Loro Satës, ishin ulur, e ëma, nëna Tone, bashkëshortja, Ana, vëllai i tij i madh, Gjoni dhe motra e Anës, Linda. Gjoni i kish porositur, jashtë sallës, të mbaheshin fort, por pamja aq e ligështuar e Lukës, ishte e papërballueshme. Ana, sapo iu kryqëzua shikimi me të Lukës, belbëzoi diçka të padeshifrueshme, ia dha një të qeshure, pastaj një të qare dhe u plandos në tokë. Ata që ishin ulur me të u çuan njëherësh, por polici në sallë thirri që mos të lëviznin.

Ujin do ua sillnin ata, i bërtiti Lindës që po kërkonte një gotë ujë për Anën. Në atë çast, siç vazhdon rrëfimin Sata, kur të gjithë sytë ishin kthyer nga Ana, u dëgjua një e thirrur “Ndal! Ku vete mo ti…”. Një polic trupmadh i ishte turrur të akuzuarit, ndërsa të tjerët kishin rrethuar të pranishmit. Luka, i tronditur nga ajo që po i ndodhte Tushes së tij, pa marrë parasysh ku ndodhej, ishte vërsulur drejt saj, por në atë kohë polici e kishte ndaluar. Dhe sapo familja ishte riulur në stol, pasi Ana ishte përmendur, Luka, që vazhdonte të përsëriste emrin e saj, ishte rrëzuar pa ndjenja. Gjyqi nuk mund të vazhdonte atë ditë. Seanca u shty. I mjaftoi ai akt i parë i dramës, për të parë shokët e dikurshëm, që e kishin sjellë aty. Duhet të ishte një goditje shumë e rëndë për një njeri me shpirt të madh si Lukë Kaçaj, që, siç tregon Loro Sata, që e njihte mirë, nuk i kish bërë kurrë keq njeriu dhe kishte treguar gjithmonë dashuri dhe besnikëri ndaj njerëzve dhe vendit të tij.

Lahuta e Malcisë, kjo armë pa lejë e diktaturës

Kujto.al vijon të sjellë ngjarjet e atij gjyqi siç tregohen në librin e Loro Satës. Seanca e dytë u zhvillua një javë pas së parës. Kryetari i seancës, i njëjti i javës së kaluar dhe i të gjitha seancave, nga i njëjti qytet verior me Lukën, iu drejtua të pandehurit të ngrihej për t’iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, duke i bërë thirrje edhe prokurorit Mahmut Taraba, për të gjykuar mbi problemet e rëndësishme që do të shfaqeshin.

Prokurori i ishte drejtuar Lukës, duke i thënë që ai mbronte një farë padër Gjergj Fishta, duke e quajtur poetin më të madh shqiptar të të gjithë kohërave, Homerin e Shqipërisë dhe gjithë Evropës. “Dëgjo këtu, o i pandehur, çfarë shkruan Ismail Kadare për Gjergj Fishtën”, kishte vazhduar ai, duke hapur librin “Autobiografia e popullit në vargje”, të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, të vitit 1972, të shkrimtarit Ismail Kadare dhe duke lexuar mbi faqen 44, ku shkruhej që për këtë poet dhe sidomos për “Lahutën e Malcisë”, propaganda klerikale dhe fashiste ka krijuar një mit dhe ky mit është fenomeni më regresiv në historinë e zhvillimit të letërsisë sonë. Pasi lexon edhe në disa faqe të tjera, prokurori pyet Lukën, se çfarë kishte për të thënë.

Lukë Kaçaj, sipas dëshmisë që gjendet në librin kushtuar atij, “Legjendat nuk vdesin”, kur kishte marrë fjalën, kishte shprehur vlerësimin për Kadarenë, duke shtuar që për sa i përket Gjergj Fishtës, Kadare ashtu e njeh dhe ashtu shkruan dhe nëse “do më pyesnit përse e bën këtë ai, them dhe besoj se ai e din më mirë nga unë”, por “Verum poeta, propheta est”, “poeti i vërtetë është profet”, kishte thënë ai në latinisht, duke kujtuar vuajtjet e Fishtës dhe shprehjen biblike “Nemo propheta in patria”, “Askush nuk është profet në atdheun e tij”. Këtu kishte nisur breshëria e kritikave nga prokurori dhe një anëtar i trupit gjykues kishte vazhduar sulmin për Lukën.

Ai i kishte përmendur shprehjen e njohur latinisht “Vox Populi Vox Dei”, të cilën, Luka ose frat Saverini, siç njihej ai mes fretërve, duhet ta njihte mirë si ish-nxënës i Kolegjit Françeskan dhe liceut “Illyricum”. Pjesën e parë të shprehjes e mbante gazeta “Zëri i Popullit”, por për këtë gazetë, Luka kishte thënë “aq sa ka çmimin, aq ka edhe vlerën”. Kërkesës së tij për shpjegime, Luka i ishte përgjigjur “Kam thënë, atë që kam thënë”. Nuk kishte mbetur shumë për të thënë. Një tjetër anëtar i trupit gjykues kishte përmendur një dëshmi të bërë në atë sallë, ku thuhej që Luka nuk e kishte qejf muzikën popullore shqiptare dhe që adhuronte Ba-c-h-in, duke gërmëzuar mbiemrin e kompozitorit Bach dhe duke e bërë sallën të shkrihej gazit etj. etj.

Pasi kishin mbaruar fjalët e trupit gjykues, dëshmitarëve dhe prokurorit, kryetari i seancës i kërkon të pandehurit çfarë ka për të thënë. Me një zë të mbytur nga gjendja shëndetësore e rënduar gjatë kohës që kaloi në qelinë e Degës së Punëve të Brendshme, Luka tha që trupi gjykues dhe dëshmitarët e dinin mirë përse folën ashtu siç folën kundër tij, por, forcoi zërin dhe shtoi “nuk i ka le Lukë Kaçajt në shpirt, zemër e mendje, tradhtia, jo kurrë për sa jetë të kem”. Sa për kolegët që folën kundër, mesa duket ata ishin mposhtur nga frika që madhështia e tij mund t’i errësonte, ndaj vendosën t’i shpallnin luftë, por jo në skenë, por në rrugë të tjera. Siç dëshmon Loro Sata në librin e tij, kaq foli Lukë Kaçaj dhe u mbyll në vete. U hodhi një vështrim mëshirues dëshmitarëve dhe më pas mbështolli me një shikim të butë, njerëzit e familjes dhe miqtë e vërtetë, që vuanin në atë sallë bashkë me të.

Finalja

Seanca e tretë dhe e fundit. Gusht 1973. Pretenca e prokurorit ishte dhënë. Sigurisht nuk ishte harruar, mes të tjera mëkatesh, as Bibla me firmën e Gjergj Fishtës, që i kishin gjetur gjatë kontrollit të banesës ditën e arrestimit. Kryetari i seancës lexoi vendimin. Lukë Kaçaj, “…mbi veprimtarinë e tij armiqësore, propagandën armiqësore kundër Partisë dhe popullit shqiptar, dënohet me 5 vjet heqje lirie.” Bashkë me Lukën, burgosën dhe zërin e tij. Në radio nuk transmetoheshin më ariet e kënduara nga Lukë Kaçaj. Vendit të tij iu mohua ai zë, që skenat e huaja e lakmonin.

Disa ditë më vonë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, familjarët mësuan ku do ta vuante dënimin Luka. E kishin çuar në burgun e Ballshit, atje ku shkonin zakonisht të burgosurit e sëmurë. Lukës i ishte kthyer një i ftohtë i vjetër dhe nervat i ishin dobësuar shumë gjatë kohës së izolimit, ndaj dhe e çuan në këtë burg. Punën e rëndë, sistemi, do ia rezervonte kur të dilte që andej, duke e caktuar hamall te Pazari i Ri. Çfarë vendi ky që Luka i dha zemrën dhe jetën! Hamejtë i kishte talente botërore! /Kujto.al