Çfarë klime thua ti more? Në Glasgow po pin kafe Rama me Vuçiqin!

0
138
Rama - Vuçiq

Mentor Kikia

Në Glasgow, Britania e Madhe, po zhvillohet një takim shumë i rëndësishëm në nivel botëror për klimën. Alarmin për ngrohjen e klimës e ka përmbledhur në 2 rreshta Sekretari i Përgjithshëm i OKB: “Ose e ndalojmë, ose na ndalon. Dhe është koha për të thënë, mjaft. Mjaft të vrasim veten me karbon. Mjaft duke e trajtuar natyrën si një tualet. Mjaft duke djegur, shpuar dhe minuar rrugën tonë më thellë. Ne po gërmojmë varret tona”.

Por, për mediat shqiptare lajmi nga Glasgow ishte se Rama po pi një kafe me Vuçiçin. Kjo ishte ngjarja më e rëndësihme atje.
Sepse neve nuk na plas fare për klimën. Ne as ngrohemi e as ftohemi. Për 3 dekada klima ka ndryshuar sa për 3 mijë vjet, po tu referohesh epokave historike. Eshtë nëntor dhe në det sërish lahen njerëz. Akulli dhe bora vijnë vetëm kur fryn ndonjë stuhi nga Siberia. Shi ka një 6 muaj që nuk bie(kur të bjerë, do të bjerë për 24 orë shiu i 6 muajve dhe do na vërë përpara me lopë e me dele). Do të thoni, po ç’ti bëjmë ne shiut? Ai s’po pyet për Amerikën, do të pyesë për ne.

E drejtë, por ne duhet të përshtasim mënyrën e të jetuarit në kushtet e kësaj klime të re. Ne duhet të dimë si të sillemi na natyrën në këto kushte. Por neve sërish nuk na plas fare. Ne sërish vazhdojmë të djegim pyje e të mos mbjellim, të shkatërrojmë rezerva ujore e të mos ndërtojmë të reja, të shkatërrojmë bregdetin e të mos ndërtojmë insftrukturë mbrojtëse nga përparimi i detit. Lumenjtë bëhen më agresivë në dimër, por ne sërish i shkatërrojmë duke i shfrytëzuar. Duhet të mendojmë ç’të mbjellim në kushte gjithnjë e më të nxehta dhe më të thata.

Në aspektin global, Shqipëria as prish e as ndreq punë, por këtu brenda nesh po, këtu kemi kaq shumë për të ndrequr në raport me klimën, sa kur të na vijë zjarri në derë s’do kemi ku të fusim kokën pastaj.

Apo deri atëherë, ku i dihet. Rëndësi ka që Rama dhe Vuçiçi e pinë nga një kafe dhe kemi me ç’të merremi.