ÇESLLAV MILLOSH – 3 poezi

0
765
Çesllav Millosh

(Czeslaw Milosz)
1911 – 2004

Czesław Miłosz (Šeteniai, 30 qershor 1911 – Kracovia, 14 gusht 2004) ka qenë poet, eseist polak dhe fitues I Çmimit Nobel për Letërsi.

LËVIZJA E PARË

Lëvizja e parë është kënga,
zëri i lirë që mbush luginat dhe malet.
Lëvizja e parë është gëzim,
Por që pakësohet.

Dhe pasi gjaku ndryshohet në vite,
dhe mijëra sisteme planetare lindën e u asgjësuan në trup,
ulem, poet mashtrues e i xhindosur,
me sytë djallëzisht gjysmë të mbyllur,
dhe duke peshuar stilolapsin në dorën time
meditoj hakmarrjen.

Ngre penën dhe hedh gonxhe dhe gjethe, rimbulohet me lule,
e paturpshme është aroma e kësaj peme, sepse atje
në botën reale
pemë të tilla nuk rriten, dhe është një fyerje
që i bëhet njerëzve që vuajnë nga parfumi i saj.

Ka njerëz që gjejnë strehë në dëshpërimin e ëmbël
si në një duhan të fortë, në një gotë vodkë
e pirë në orën e humbjes.
Për të tjerët ekziston shpresa rozë e budallenjve
si një ëndërr erotike.

Të tjerë akoma gjejnë paqe duke adhuruar atdheun,
dhe kjo mund të zgjatë, por jo më shumë
se shekulli Nëntëmbëdhjetë.

Dhe mua më është dhënë një shpresë cinike,
sepse që kur kam hapur sytë kam parë vetëm
flakërima gjemëmëdha dhe kërdira
poshtërime, padrejtësi, dhe turpin
qesharak të kapadainjve
Dhënia më është një shpresë hakmarrjeje
mbi të tjerët dhe mbi vetë mua,
sepse unë isha ai që dinte
dhe nga kjo nuk nxori asnjë përfitim.

DHURATË

Një ditë kaq të lumtur.
Mjegulla u çua shpejt, unë punoja në kopsht.
Kolibrat preheshin mbi lulet e trifilit katërgjethësh.
Nuk kishte gjë tjetër mbi tokë që të dëshiroja ta kisha.
Nuk njihja asnjë që ia vlente ta kisha zili.
Të keqen që më ndodhi, e harrova.
Nuk turpërohesha nga mendimi për të qenë ai që jam.
Asnjë dhimbje në trupin tim.
Duke qëndruar drejt, unë shihja detin e kaltër dhe velat.

MBI ENGJËJT

Ju kanë hequr rroba e bardha,
krahët, deri dhe ekzistencën.
Megjithatë, unë ju besoj si mesagjerë,
Atje ku bota është vërtitur mbrapsht,
stof i rëndë i qëndisur me yje dhe kafshë.
Shëtitja duk kontrolluar
pikat e sakta të së qepurës.
Pushimi juaj këtu është i shkurtër,
mbase në orën e mëngjesit,
nëse qielli është i kulluar,

Në një melodi të përsëritur nga një përrua
Ose në aromën e mollëve buzë mbrëmjes
kur drita i bën magji pemëtoret.

Thonë se i ka shpikur dikush,
por s’jam i bindur për këtë.
Sepse njerëzit kanë shpikur
edhe vetëveten.

Zëri – pa dyshim, ky, është prova
Sepse i përket qenieve,
padyshim të kthjellta.
Me krahë të lehtë, ( pse jo? )
Të rrethuar nga vetëtima.
E kam dëgjuar dendur këtë zë në ëndërr
dhe gjëja ende më e çuditshme
e kuptoja pak a shumë zërin e arssyes
ose ftesën në gjuhën e botës së përtejme:
Është herët.
Ende dhe një ditë
Bëj atë që mundesh.

Përktheu Faslli Haliti