ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – RETROSPEKTIVA E NJË DËSHTIMI

0
107
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

ribotim

Platforma politike e hartuar nga BDI-ja, nga Rilindja me Besë (Lëvizja Besa) dhe nga Aleanca për Shqiptarët (LR-PDSH-ja) dëshmon se çështja shqiptare në Maqedoni, që nga viti 1991 deri më sot, nuk është zgjidhur.

Platforma politike e tre subjekteve të sipërthëna dëshmon se Partia për Prosperitet Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që nga viti 1991 deri më sot, ndonëse kanë qenë pjesë e qeverive dhe partnerë të bashkëqeverisjes, çështjen shqiptare në Maqedoni nuk e kanë zgjidhur.

Platforma politike e tre subjekteve të lartpërmendura tregon se çështja shqiptare në Maqedoni, nuk është zgjidhur, as në vitin 1991, e as në vitin 2001.

Platforma politike e tre subjekteve dëshmon se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është zgjidhur as pas luftës së 2001-shit.

Platforma politike e tri partive shqiptare tregon se BDI-ja, edhe pse 12 vjet ishte pjesë e ekzekutivit, nuk ia doli ta zgjidhë çështjen shqiptare. Platforma politike vë në dyshim edhe Marrëveshjen e Ohrit.

Platforma politike e partive shqiptare të shtyn të konstatosh se:

– Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar; ose
– Marrëveshja e Ohrit nuk paraqet zgjidhje përkatëse për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Platforma politike e faktorit politik shqiptar – të defaktorizuar – të shtyn të gjykosh edhe për luftën e 2001-shit. Lufta e 2001-shit nuk u bë për territore. As për çlirim territoresh dhe as për pushtim territoresh. Ajo u bë për barazinë e plotë të shqiptarëve.

Platforma politike e partive shqiptare dëshmon se shqiptarët në Maqedoni nuk qenkan të barabartë. Me fjalë të tjera, pas luftës së 2001-shit, shqiptarët nuk paskan fituar, as territor, e as barazi. Paskan mbetur pakicë kombëtare, sikurse pakicat e tjera – vllehtë, romët, turqit.

Me gjithë këtë dështim të faktorit politik shqiptar, askush nuk mban përgjegjësi. Protagonistët e politikës të dështuar, vazhdojnë të qëndrojnë në skenë, vazhdojnë të jenë mbartës të proceseve politike.

Përgjegjësia politike, në radhë të parë i takon pozitës politike – Bashkimit Demokratik për Integrim dhe opozitës politike – Partisë Demokratike Shqiptare. Përgjegjësia më e madhe politike bie mbi BDI-në, për arsye se ajo ka qenë pjesë e qeverisjes që nga viti 2002 deri më sot, me përjashtim të viteve 2006-2008.

Përkundër dështimit politik të BDI-së, shoqëria shqiptare e atrofizuar, nuk tregoi aftësi për të ndërtuar një faktor të ri politik, të denjë për t’u ballafaquar me sfidat e kohës. Me një fjalë, shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë pa një opozitë politike influente dhe respektabile.

Duke qenë se çështja shqiptare nuk është zgjidhur që nga viti 1991 deri më sot, atëherë s’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Në ç’mënyrë partitë politike shqiptare kanë hyrë në qeveri?! Në ç’mënyrë janë bërë pjesë e ekzekutivit?! Në ç’mënyrë janë bërë pjesë e bashkëqeverisjes?!

Nga sa më sipër rezulton se:

– PPD-ja në vitet 1991-94 dhe 1994-98 paska hyrë në qeveri pa kurrfarë platforme;
– PDSH-ja në vitet 1998-2001/2002 dhe 2006-2008, paska hyrë në bashkëqeverisje pa ndonjë platformë politike;
– BDI-ja në vitet 2008-2016 paska hyrë në bashkëqeverisje me VMRO-në pa asnjëfarë platforme politike.

Rrjedhimisht, dy partitë shqiptare – PPD-ja dhe PDSH-ja, dolën nga skena politike dhe shkuan në histori. Po të lindte një opozitë, politikisht e mirëfilltë, këtë fat do ta kishte përjetuar edhe BDI-ja.

Në asnjë vend me shoqëri dhe me demokraci të konsoliduar nuk ka ndodhur që në të njëjtën kohë t’i humbin zgjedhjet apo të rrënohen politikisht – edhe pozita politike edhe opozita politike, siç ndodhi me BDI-në dhe me PDSH-në në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016. Për më tepër, nuk lindi as edhe një opozitë e re.

Prej vitit 1991 deri më sot, kanë kaluar 25 vjet, d.m.th. çerek shekulli. Gjatë kësaj periudhe, në zgjedhjet parlamentare, në ato vendore si dhe presidenciale pamë shumë fushata zgjedhore, mitingje dhe tubime. Pamë bilborde, posterë, spote televizive dhe reklama programesh parapolitike. Mitingje dhe tubime të përcjella me këngë epike. Dëgjuam një det premtimesh dhe atdhetarizëm folklorik. Fjalë të mëdha dhe vepra të vogla. Kishte vjedhje votash, mbushje kutish, blerje votash, fyerje, kanosje, shantazhe, diferencime si në kohën e bolshevikëve, rrahje, lëndime, plagosje dhe vrasje. Pamë ushtarë partish por edhe militantë partiakë.

Më e ashpër ishte beteja politike midis dy partive shqiptare, sesa faktorit politik shqiptar dhe atij sllavo-maqedonas. Madje në shumë raste, partitë shqiptare, ndaj padronëve sllavo-maqedonas tregoheshin të matur, të përmbajtur, manifestonin besnikëri dhe luajalitet.

Çerek shekulli, pamë një numër të madh ministrash, deputetë, zëvendësministra, shefa kabineti, këshilltarë qeverie, drejtorë të përgjithshëm, anëtarë komisionesh, anëtarë bordesh apo këshillash drejtues. Patëm edhe zëvendëskryeministra, kandidatë për kryetar shteti, Sekretariat për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Liderët e partive shqiptare dhe eksponentët e tjerë politikë, 25 vjet me radhë, pothuajse çdo natë, i pamë – në televizor, në ekran, në mediume, në intervista. Pamë zëdhënës partish dhe konferenca shtypi.

Pamë prijës autokrat, autoritar, despot dhe tiran – të etshëm për pushtet. Pamë edhe narcisoidë. Pamë veprime bizantine, totalitare, staliniste dhe bolshevike. Pamë kuaj Troje dhe kolonë të pestë.

Çerek shekulli – dreka, darka, mëditje, të ardhura mujore mbi mesatare, udhëtime zyrtare, makina zyrtare luksoze, drejtues makinash zyrtarësh dhe funksionarësh. Të gjitha këto, në kurriz të këtij populli të stërmunduar.

Dëgjuam edhe për skandale flirti.

Pamë deputetë që gjatë mandatit katërvjeçar nuk e çelën gojën, as në kuvend dhe as në komisionet e kuvendit. Pamë se faktori politik shqiptar nuk është në gjendje të ndërrojë katër emra shkollash, në të cilat mësojnë kryesisht nxënës shqiptarë. Në qytetin me shtatë shkolla të mesme në të cilat rreth 80% e nxënësve dhe e kuadrit arsimor janë shqiptarë, vetëm njëra sosh quhet “7 Marsi“ ndërsa gjashtë të tjerat mbajnë emërtime sllavo-maqedonase.

Ç’barazi është kjo?!

Pamë qytet rrëzë Sharrit që 25  vjet është në pritje të ujit të pijshëm; individë që karrierën e filluan me dy dhoma pa mobilie, të cilët pastaj u pasuruan brenda natës; qytete që sot e gjithë ditën nuk e kanë të zgjidhur çështjen e depozitimit të hedhurinave; persona që vite me radhë rrotullohen nëpër institucionet e shtetit, thua ti se janë të pazëvendësueshëm. Pamë që 50 % e popullit të mos dalë në votim; që mijëra shqiptarë të votojnë për parti sllavo-maqedonase.

Pamë aleancë, miqësi dhe koalicion me djallin, me gligorovistët që vranë në Gostivar si dhe në Tetovë – kur themelohej universiteti. Aleancë, miqësi dhe koalicion me VMRO-të, që kërkonin dhoma gazi për shqiptarët, e që u shpallën partnerë strategjikë.

Çerek shekulli – tenderë, blerje banesash, nga dy, tre e më tepër; ndërtime, përvetësime dhe tjetërsime ndërtesash; çelje pikësh karburanti; blerje dhe falje diplomash; punësime partiake dhe nepotizëm.

Privilegje të personave të caktuar – i njëjti person është emëruar në 5-6 komisione, borde dhe këshilla drejtues. Persona të njëjtë, nga dy a tri herë deputetë, nga dy a tri herë ministra, pandërprerë në poste dhe në pozita, në organet ekzekutive dhe ligjvënëse, në pushtetin qendror dhe vendor. Të gjitha këto, në kurriz të këtij populli të varfëruar.

Çerek shekulli – politizim i skajshëm i shoqërisë.

Për punë partish, i prishën raportet – vëllai me vëllanë, shokët e vjetër, fqinjët, babë e bir, madje edhe burrë e grua. E pabesueshme! E tmerrshme! Përse?! Për kë?! Për çka?! Për ç’arsye?!

Për t’u pasuruar një kastë samurajësh dhe për t’u varfëruar qytetet shqiptare. Për t’u kthyer qytetet shqiptare në qyteza, në kasaba, në varosh. Për ta kthyer procesin pas. Për të filluar sërish nga e para, që të përkujton Sizifin e dënuar. Për të dëgjuar fyerje nga krerët më të lartë të shtetit dhe të VMRO-së. Për t’i dënuar shqiptarët me dënime drakonike.

Për të përjetuar tragjedinë e Sopotit, të Monstrës, të Brodecit, të Kumanovës. Për t’i politizuar dhe për t’i partizuar institucionet publike. Për të mos mundur të punësohesh as shërbëtor shkolle pa miratimin e degës së partisë! Për t’i sjellë në pushtet gjysmanalfabetët dhe për t’i mbajtur në pushtet injorantët. Për t’i avancuar poltronët, për ta lënë rininë pa perspektivë dhe për t’i detyruar të rinjtë e arsimuar të shpërngulen nga vendi. Për ta zhveshur kauzën shqiptare nga dimensioni i saj politik dhe për t’i dhënë asaj karakter infrastrukturor. Por as infrastruktura s’u bë dot!

Pjesë e këtij teatri absurd ishin edhe mediume të caktuara, shërbëtorë të devotshëm të një politike të dështuar. Pjesë e kësaj bote markeziane ishin edhe shumë analistë politikë – mercenarë, edhe këta, shërbëtorë të denjë të shtetit dhe të partive.

Pjesë e këtyre labirinteve kafkiane ishin edhe pseudointelektualët, demagogët, mashtruesit, tregtarët e flamujve, sahanlëpirësit, oportunistët, konfromistët, provincialët, meskinët, mediokrët, individët pa ideal dhe pa ideologji ose me ideologji antishqiptare dhe antihistorike.

*   *   *

Gjatë një çerek shekulli, pamë çmos, por nuk pamë asnjë dorëheqje të ndonjë ministri shqiptar, të ndonjë anëtari të strukturave të larta partiake – në shenjë akti politik, moral dhe kombëtar.

Që prej vitit 1991 deri më sot, asnjë parti shqiptare nuk e braktisi qeverinë për të shkaktuar krizë politike apo krizë qeveritare, përkundër faktit se nuk u sendërtuan kërkesat primordiale të shqiptarëve. Dalja nga qeveria është akt politik demokratik dhe jo veprim destruktiv apo destabilizues. Përkundrazi, gjatë periudhës së kaluar pamë një garë ndërpartiake brendashqiptare, që kush më parë të hyjë në qeveri, madje pa kurrfarë platforme politike dhe pa asnjëfarë kushti.

Gjatë këtyre 25 viteve, faktori politik shqiptar shpesh arsyetohej duke thënë: “Politika jonë konstruktive gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, mbështetjen e Tiranës dhe të Prishtinës. Miqtë tanë ndërkombëtarë dhe qendrat politike shqiptare të vendosjes na sugjerojnë të ndjekim politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese. Destabilizimi i Maqedonisë mund ta destabilizojë rajonin. Çështja shqiptare në Maqedoni duhet të presë zgjidhjen e çështjes së Kosovës…“

Arsyetimet e sipërthëna janë të diskutueshme. Uashingtoni dhe Brukseli kurrë s’kanë thënë se faktori politik shqiptar duhet t’i mbyllë sytë para investimeve që janë bërë në Maqedoninë lindore dhe zero investimeve në pjesën veriperëndimore. Miqtë ndërkombëtarë kurrë s’kanë thënë: “Shqiptarë, mbyllni sytë para projektit grotesk dhe bizar Shkupi 2014.“

Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët që t’i mbyllin sytë para fyerjeve degutante të kreut të VMRO-së, partnere e bashkëqeverisjes. Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët t’i mbyllin sytë para dënimeve drakonike në rastet e Sopotit, të Monstrës, të Brodecit, të Kumanovës.

Që nga viti 1991 e këndej, gligorovistët dhe VMRO-të, në mënyrë permanente kanë ndërmarrë ndaj shqiptarëve ekspedita ushtarako-policore.

Edhe pas çerek shekulli politike konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese të faktorit politik shqiptar, Maqedonia vazhdon të jetë shtet unitar, monoetnik dhe centralist. Vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në Evropë. Denacifikimi i saj s’u bë dot as pas 2001-shit!

Në vitet 2002-2006, shqiptarët arritën të jetësojnë një pjesë të Marrëveshjes së Ohrit, si p,sh, krijimin e komunave me shumicë shqiptare, që nga Struga deri në Kumanovë; zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës …Pas kësaj faze të qeverisjes, e sidomos në periudhën e viteve 2006-2016, çështja shqiptare mori tatëpjetën. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni nuk arrihen dot me zgjidhje paliative.

Edhe në zgjedhjet e radhës VMRO-ja do të insistojë për 61 deputetë. Por ajo duhet ta dijë se pa shqiptarët s’mund të ketë qeveri në këtë vend. Çfarëdo qeverie pa shqiptarët, mund të nxisë tendencat qendërikëse dhe secesioniste. Pa shqiptarët në qeverisje, Maqedonia mund të përballet me ndarjen.

Si është e mundur që një popull me identitet të diskutueshëm, siç janë sllavo-maqedonasit, të jetë trashëgues i vetëm i shtetësisë dhe mbartës i vetëm i shtetësisë?!

Faktori politik shqiptar, për çerek shekulli nuk ia doli t’ia bëjë me dije palës sllavo-maqedonase se shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton. Si të tillë, ata nuk do të pranojnë të jenë qiraxhinj në tokë të vet. Sllavo-maqedonasit ndërkaq, tentojnë të ndërtojnë shtet në tokë të huaj – në atë shqiptare.

A thua asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur? Estragoni vazhdon të presë Godonë. Deri kur vallë?!