ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – FILLIMET E NJË VEPRIMI POLITIK

0
236
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

ribotim

Në kundërshti me parim etnik dhe historik, në Mbledhjen e Dytë ë AVNOJ-it (KAÇKJ) në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, të mbajtur më 29.XI.1943 nga komunistët jugosllavë të Titos u krijua Maqedonia. Me fjalë të tjera, ajo është kreaturë johistorike kominterniste dhe serbokomuniste, në funksion të neutralizimit dhe të amortizimit të aspiratave historike homogjeniste dhe ekspansioniste të Bullgarsië, të Serbisë dhe të Greqisë ndaj saj. Maqedonia pra është zonë-tempon, në shërbim të ekuilibrit ndërballkanik. Mund të supozohet se prishja e këtij ekuilibri është inkompatibilme interesat gjeopolitikë dhe strategjikë të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes.

Në vitin 1991, Maqedonia u shkëput nga Jugosllavia dhe filloi ndërtimin e sistemit pluralist. Pluralizmi politik dhe ideologjik në Maqedoni u quajt ndryshe edhe si periudhë e tranzicionit. Tranzicioni në Maqedoni ka hyrë në dhjetëvjeçarin e tretë. Ai filloi në vitin 1991 dhe zgjat deri në ditët tona.

Me t’u shkëputur Maqedonia nga Jugosllavia, populli sllavo-maqedonas u bë:

– trashëgues i vetëm i shtetësisë; dhe
– mbartës i vetëm i shtetësisë.

Shqiptarët ndërkaq, në vitin 1991, u privuan nga të gjitha mundësitë për të qenë edhe ata trashëgues të shtetësisëdhe mbartës të shtetësisë. Për të drejtat e veta, ata duhej të luftonin çdo ditë.

*   *   *

Në zhvillimin e proceseve në Maqedoni, që nga shkëputja e saj nga amalgama jugosllave, kanë ushtruar ndikim:

– faktori sllavo-maqedonas;
– faktori shqiptar;
– qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina;
– boshti sllavo-bizantin ballkanik: Beogradi, Sofja dhe Athina;
– qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli.

Në zhvillimet rreth Maqedonisë, SHBA-ja ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të veçantë:

– e mbron tërësinë tokësore të Maqedonisë;
– e mbron sovranitetin e Maqedonisë;
– parandalon aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste të Bullgarisë, të Serbisë dhe të Greqëisë ndaj saj;
– i sugjeron Shqipërisë dhe Kosovës që ndaj Maqedonisë të ndjekin politikë konstruktive.

Faktorit politik shqiptar në Maqedoni, SHBA-ja i ka sugjeruar dhe vazhdon t’i sugjerojë:

– të mos shtrojë kërkesa politike radikale;
– të ndjekë politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilzuese;
– të veprojë politikisht, në kuadër të institucioneve të sistemit;
– të ndjekë politikë të moderuar.

Njëherazi, SHBA-ja nuk e ka parapëlqyer dhe nuk e mbështet as sot, homogjenizimin mbi baza etnike në Maqedoni. Me fjalë të tjera, si në hapësirën politike sllavo-maqedonase, ashtu edhe në hapësirën politike shqiptare, Uashingtoni sugjeron që dy bashkësitë etnike të veprojnë në kuadër të pluralizmit politik, pluralizmit ideologjik dhe pluralizmit të interesave.

Sipas faktorit ndërkombëtar, homogjenizimi mbi baza etnike do ta destabilizonte Maqedoninë, do t’i thellonte ndasitë midis dy etnikumeve dhe do të shpinte në federalizmin joformal të saj.

Sipas faktorit ndërkombëtar, destabilizimi i Maqdonisë mund të hapë kutinë e Pandorës dhe të destabilizojë tërë rajonin. Prania e perëndimorëve në Maqedoni i neutralizon synimet bullgare, serbe dhe greke ndaj saj, duke amortizuar njëherazi edhe pikëpamjet potenciale radikale të faktorit shqiptar në rajon. Sipas faktorit të huaj, destabilizimi i Maqedonisë të përkujton kohën e luftërave ballkanike (1912-1913) bellum omnium in omnes, kur rajoni ishte shndërruar në fuçi baruti.

E mbrojtur nga ndërkombëtarët, Maqedonia u bë e përkëdhelura e tyre.

Në kontestin me Athinën rreth emrit, Maqedoninë nuk e mbështet asnjë vend i Europës, përpos Turqisë.

Shqipëria dhe Kosova kurrë nuk i kanë mbështetur pikëpamjet dhe veprimet politike radikale të faktorit shqiptar në Maqedoni. Qëndrimi i Tiranës dhe i Prishtinës rreth Maqedonisë është kompatibil me atë të faktorit ndërkombëtar influent. Me fjalë të tjera, autoritet e Tiranës dhe të Prishtinës kanë kërkuar prore nga faktori shqiptar në Maqedoni:

– të mos ndjekë politikë radikale;
– të veprojë në kuadër të institucioneve të sistemit;

Tirana dhe Prishtina nuk e kanë mbështetur dhe nuk e mbështesin as sot homogjenizimin në Maqedoni mbi baza etnike, gjë që është në përputhje me qëndrimet e faktorit ndërkombëtar.

Interesimi i Tiranës dhe i Prishtinës për zhvillimin e rrjedhave politike në hapësirat etnike shqiptare jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, nuk është kurrfarë paternalizmi. Po qe se faktori ndërkombëtar, interesimin e qendrave politike shqiptare të vendosjes e cilëson si paternalizëm politik, atëherë atyre duhet bërë një pyetje: A s’është vallë paternalizëm ndërhyrja e Beogradit në “mbrojtje” të interesave të serbëve të Kosovës, që përbëjnë jo më shumë se 2% të popullsisë së saj?!

*   *   *

Në kohën e shkëputjes së Maqedonisë nga Jugosllavia, shqiptarët nuk kishin:

– klasë politike të mirëfilltë;
– klasë intelektuale akademike;
– klasë shoqërore relevante.

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, shqiptarët nuk kishin klasë politike të mirëfilltë ngase gjatë periudhës së viteve 1945-1991 nuk konsideroheshin subjekt apo faktor politik shtetformues. Të lënë në margjinat e proceseve politike, shqiptarët nuk kishin si të krijonin klasë politike. Në pozita politike dhe shoqërore të caktuara emëroheshin vetëm ata shqiptarë që ishin të përshtatshëm për politikën sllavo-maqedonase. Në vitin 1986 e më pas, shtypi i Beogradit, shqiptarët e këtillë do t’i quajë shqiptarë të ndershëm.

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, shqiptarët nuk kishin klasë intelektuale të fuqishme ngase nuk posedonin asnjë institucion kulturor dhe shkencor kombëtar. Në institucionet kulturore dhe shkencore shtetërore, d.m.th. sllavo-maqedonase, nuk ishin të përfshirë fare. Në vitin 1991 e më pas, shqiptarët nuk kishin klasë shoqërore relevante për arsye se në periudhën e pasluftës, d.m.th. në vitet 1945-1991, ishin në margjinat e proceseve ekonomike dhe financiare.

Rrjedhimisht, edhe organizimi politik i shqiptarëve në Maqedoni, në fillim të viteve të pluralizmit, nuk ishte në lartësi të duhur. Kështu që faktori politik shqiptar:

– asnjëherë nuk arriti të veprojë si një faktor i bashkuar dhe unik;
– nuk ndërtoi një platformë politike të përbashkët;
– nuk e përkufizoi drejt dhe saktë kauzën shqiptare në Maqedoni
– nuk e artikuloi saktë interesin kombëtar;
– nuk e përcaktoi drejt dhe saktë mënyrën e veprimit politik.

Me kapacitet politik dhe intelektual të pamjaftueshëm, faktori politik shqiptar në Maqedoni, pa arritur një marrëveshje historike dyetnike me faktorin sllavo-maqedonas, hyri në sistem, si në organin ligjvënës, ashtu edhe në atë ekzekutiv, madje në të tri nivelet e pushtetit: qendror, vendor dhe gjyqësor.

Duke u përfshirë në sistem pa një marrëveshje historike dyetnike, faktori politik shqiptar:

– shndërrohej në dekor të demokracisë në Maqedoni;
– bëhej vegël dhe instrument i pushtetit sllavo-maqedonas;
– bëhej pjesë e ndërtimit të një shteti, që ua siguronte sllavo-maqedonasve statusin e kombit.

Hyrja e faktorit politik shqiptar në sistem, pa një marrëveshje historike ndëretnike, i sanksionoi shqiptarët si një pakicë kombëtare. Si pasojë e një veprimi të tillë, faktori politik shqiptar nuk arriti ta zgjidhë kauzën kombëtare. Asnjë popull në histori nuk ka arritur ta zgjidhë çështjen e vet kombëtare duke u bërë pjesë e sistemit të popullit sundues dhe dominues, pa arritur paraprakisht një marrëveshje historike me të.

Të integrohesh në sistem, pa arritur paraprakisht një marrëveshje historike me popullin që e konsideron veten shtetformues, do të thotë:

– interesin kombëtar ta zëvendësosh me një interes të pjesshëm;            – interesin e përgjithshëm ta zëvendësosh me interesin personal, me interesin e një grupi apo të një koniunkture;
– ta nëpërkëmbësh kauzën kombëtare.

Në vitet e para të pluralizmit politik, faktori politik shqiptar synim parësor kishte, jo të zgjidhë statusin politik të shqiptarëve, por të hyjë sa më shpejt në sistem – në qeveri, në kuvend, në gjyqësi dhe në pushtetin vendor. Ky veprim apolitik dhe kuazipolitik i faktorit shqiptar bëri të mundur ardhjen në pozitë të një nomenklature, për interesa të individëve dhe të grupeve. Privilegjet dhe favoret e individëve, të grupeve, të klaneve apo të një nomenklature, nuk paraqesin interes të përgjithshëm, por koniunktural. Interesi koniunktural nuk paraqet interes kombëtar.

Hyrja në sistem e një partie politike shqiptare pa marrëveshje historike ndërmjet dy popujve,  e bën atë parti pjesë të institucioneve të shtetit, pa kurrfarë roli vendimmarrës.

*   *   *

Në rrethanat ballkanike, partitë politike lindin kryesisht:

– në momentet historike, që paraqesin kthesa të mëdha; dhe
– në kohë krizash të thella politike, ekonomike dhe shoqërore.

Për të shpëtuar nga terrori sllav dhe nga terri bizantin dhe për të parë dritën e lirisë dhe të demokracisë, populli shqiptar gjatë tërë periudhës së pluralizmit nuk kurseu asgjë, madje as gjakun e bijve të vet.

Në çastin historik të shkëputjes së Maqedonisë nga Jugosllavia në vitin 1991, lindi Partia për Prosperitet Demokratik, me fizionomi të një lëvizjeje popullore. Lufta e 2001-shit ndërkaq, paraqet çastin historik në të cilën lindi Bashkimin Demokratik për Integrim. Nga dështimi politik i PPD-së, lindi nga gjiri i saj fraksioni i quajtur PPDSH, i cili më vonë u shndërrua në subjekt politik të mëvetësishëm, i identifikuar me emërtimin Partia Demokratike Shqiptare. Pas ngjarjeve tragjike të Gostivarit, këtij subjekti politik iu bashkëngjit edhe Partia Demokratike Popullore. Tendencat e individëve apo të grupeve të caktuara për të krijuar parti politike shqiptare jashtë këtyre dy momenteve historike të sipërthëna, me njëfarë përjashtimi të RDK-së – dështuan.

Në hapësirën politike shqiptare, që nga viti 1991 deri më sot, u formuan shumë parti politike. Disa prej tyre u shuan, sapo u formuan. Themeluesit e partive politike tanimë të shuara, nuk kanë pasur ndonjë qëllimi apo synimi kombëtar. Themeluesit e këtyre pseudopartive kanë pasur vetëm një  qëllim: të bëhen deputetë të kuvendit maqedonas.

Partia për Prosperitet Demokratik i kishte elementet e një lëvizjeje popullore. Në radhët e saj kishte njerëz të cilët preokupim parësor e kishin fatin e shqiptarëve. Por, karakteristika të saj ishin edhe:

– potenciali politik i kufizuar;
– fryma nacionaliste e pamjaftueshme;
– ndikimi nga faktori sllavo-maqedonas;
– infiltrimi në radhët e saj, të individëve të caktuar, me të kaluar të dyshimtë.

Partia për Prosperitet Demokratik doli nga skena dhe e pezulloi veprimtarinë, pa lënë ndonjë gjurme të theksuar në historinë e popullit shqiptar të këtyre anëve. Megjithëkëtë, vetë fakti i themelimit të saj, paraqet akt historik. Duhet theksuar se në raste të caktuara ky subjekt politik manifestoi përgjegjësi politike, si:

– nuk mori pjesë në referendumin e Kiro Gligorovit, të mbajtur më 19991, për shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, me të drejtën për t’iu bashkëngjitur ndonjë shteti tjetër të eks-Jugosllavisë;

– bojkotoi regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, të zbatuar në vitin 1991;

– nuk e votoi Kushtetutën, të miratuar në Kuvendin e RM-së më 17 nëntor 1991, sipas së cilës Maqedonia përkufizohej si shtet unitar, monoetnik dhe centralist;

– organizoi Referendumin për autonomi politiko-territoriale të pjesës veri-perëndimore të Maqedonisë, të zbatuar më 11 dhe 12 janar 1992;

– në vitin 1994, në selinë e kësaj partie, Prof. Dr. Fadil Sulejmani e lexoi Vendimin e themelimit të Universitetit të Tetovës, të cilin, me nënshkrimet e veta e mbështetën edhe disa ministra të këtij subjekti politik si dhe tri komunat  e udhëhequra prej përfaqësuesve të tij.

Projekti madhor i themelimit të Universitetit të Tetovës u mbështet nga inteligjencia shqiptare, nga faktorë politikë, nga organizma të shoqërisë civile, nga shoqëria shqiptare në mbarë trojet etnike, nga diaspora shqiptare etj.

Pas tetë vjet qeverisjeje të pasuksesshme të PPD-së, pjesë e qeverisë së Maqedonisë u bë PDSH-ja. Ndryshime të caktuara pozitive që u bënë në favor të shqiptarëve gjatë qeverisjes së këtij subjekti politik, nuk e preknin statusin politik dhe juridik të tyre.

*   *   *

Politika e faktorit shqiptar në Maqedoni ka elemente të caktuara të politikës populiste. Faktori politik shqiptar, më tepër i ngjan një lëvizjeje popullore, sesa një subjekti politik bashkëkohor, që funksionon në mënyrë profesionale, me program politik të përcaktuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen.

Ndarja e faktorit politik shqiptar në djathtistë dhe në majtistë, nuk është veçse përcaktim fiktiv. Shqiptarët nuk Maqedoni nuk posedojnë:

– shtresë shoqërore relevante dhe klasë punëtore;
– bujqësi intensive bashkëkohore dhe blegtori të menaxhuar sipas standardeve evropiane;
– ndërmarrje prodhuese të mirëfillta, makroekonomi dhe treg kombëtar;
– sistem bankar kombëtar dhe kapital financiar që vihet në qarkullim për proceset makroekonomike;
– eksport mallrash dhe tregje të jashtme.

Shqiptarët në Maqedoni funksionojnë kryesisht me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Preokupim i elektoratit shqiptar është punësimi dhe ekistenca lakuriqe. Për çfarë djathtizmi e majtizmi mund të flitet në këtë mes?! Po të hapen rrugët për në Perëndim, brenda një kohe të shkurtër shumë të rinj shqiptarë perspektivën e vet do ta kërkonin në qendrat evropiane.

Karakteristikë e proceseve në hapësirën politike shqiptare në Maqedoni, në periudhën e viteve 1991 e këndej është:

–  potenciali jo aq i madh i faktorit politik shqiptar;
– shkalla e ulët e organizimit të faktorit politik shqiptar;
–  niveli jo aq i lartë i inteligjencies shqiptare;
–  oportunizmi dhe konformizmi në radhët e inteligjencies;
–  mungesa e institucioneve kulturore dhe shkencore kombëtare.

Në rrethana të tilla, çështja shqiptare në Maqedoni do të sillet midis skilës dhe haribdësKauza shqiptare do të shndërrohet në kërkesa jo mjaft të definuara, të cilat, faktori sllavo-maqedonas do t’i shtrijë në shtratin e Prokrustit. Asnjëherë në histori, një popull nuk i ka realizuar interesat kombëtarë, derisa ato janë matur në shtratin e Prokrustit. Shqiptarët ishin ata që shtronin kërkesa. Ia shtronin ato palës sllavo-maqedonase. Këta të fundit ndërkaq, ishin ata që vendosnin nëse do ta pranonin ose jo, kërkesën e caktuar. Për sasinë e të drejtave të shqiptarëve, të matura në shtratin e sipërthënë, vendoste pala tjetër. Çdo e drejtë apo kërkesë, e matur në shtratin e Prokrustit zgjidhet në mënyrë paliative dhe gjysmake. Pikërisht për këtë arsye, çështja  të caktuara që kishin të bënin me interesin shqiptar, nuk u zgjidhën në mënyrë të drejtë.

Për të drejtat e veta legjitime dhe historikisht të bazuara, shqiptarët duhej të vendosnin vetë dhe jo t’i paraqitnin kërkesë palës sllavo-maqedonase. Ky s’do të kishte qenë kurrfarë koncepti radikal, por realizëm politik.

Edhe sot, në dhjetëvjeçarin e tretë të pluralizmit politik, çështja shqiptare në Maqedoni përplaset midis skilës dhe haribdës dhe ndodhet e shtrirë në shtratin e Prokrustit.

Faktori politik shqiptar duhet të bëjë dallimin ndërmjet zgjidhjes së statusit politik dhe juridik, në një anë dhe zgjidhjes së kërkesave, në anën tjetër. Një populli që s’e zgjidh drejt statusin e vet politik dhe juridik, s’i mbetet tjetër pos me vite dhe dekada të merret me zgjidhje kërkesash.

Si është e mundur që sllavo-maqedonasit, ndonëse një popull i vogël dhe me identitet të diskutueshëm, t’i nëpërkëmbin të drejtat primordiale të shqiptarëve autoktonë, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së Maqedonisë?! Nga e marrin forcën për t’i nënshtruar shqiptarët?! Duhet thënë se:

– politika antishqiptare e Shkupit mbështetet nga boshti bizantin i rajonit – Beograd, Sofje dhe Athinë, përfshi dhe Moskën;
– për shkak të fragjilitetit dhe rëndësisë gjeopolitike, Maqedonia gëzon mbrojtjen e faktorit ndërkombëtar influent;
– organizimi politik i faktorit shqiptar nuk është në shkallë të duhur.

*   *   *

Për ta parandaluar faktorizimin e shqiptarëve, pala sllavo-maqedonase, që nga viti 1991 e këndej, zbatoi ndaj tyre një strategji të veçantë:

– ndërtoi sistem unitar, krijoi shtet monoetnik dhe ushtroi pushtet centralist;
– ndoqi politikë restriktive dhe diskriminuese;
– ndërmori  veprime opresive, duke ndërhyrë në viset shqiptare edhe me ekspedita ushtarako-policore.

*   *   *

Të drejtat politike të shqiptarëve janë injoruar, si nga Kiro Gligorovi apo LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, ashtu edhe nga  VMRO-të e Lubço Georgievskit, përkatësisht të Nikolla Gruevskit. Që të gjithë, kanë bërë çmos që shqiptarët t’i trajtojnë si pakicë kombëtare. Madje, dy partitë sllavo-maqedonase vazhdimisht e kanë fajësuar njëra-tjetrën për sasinë gjoja të madhe të të drejtave që ua japin shqiptarëve.

Politika diskriminuese, restriktive, unitariste, centraliste dhe monoetnike e sllavo-maqedonasve i vendosi shqiptarët në grupin e pakicave ku bëjnë pjesë: vllehtë, romët, serbët, turqit. Shqiptarët ndërkaq, brenda dy dekadave të pluralizmit politik, asnjëherë nuk e refuzuan takimin me të dërguarin e OSBE-së për pakica, duke filluar që nga ambasadori Gert Arens (Geert-Hinrich Arhens, 1934-) deri te diplomati norvegjez Knut Volebek (Knut Vollebaek, 1946-). Nuk mund të pretendosh për status populli shtetformues, e në anën tjetër të takohesh me emisarin për pakica.

Që nga viti 1991 deri më sot, faktori sllavo-maqedonas i përjashtoi shqiptarët nga të gjitha proceset ekonomike dhe financiare. Në proceset ekonomike dhe financiare, shqiptarët në Maqedoni janë të përfshirë vetëm 1%. Në fillim të viteve të tranzicionit, të gjitha ndërmarrjet, fabrikat dhe repartet prodhuese të hapësirave etnike shqiptare u privatizuan nga pala sllavo-maqedonase. Duke i margjinalizuar shqiptarët nga proceset ekonomike dhe financiare, i shndërroi ata në popull social. E popujt social, preokupim parësor s’e kanë dot çështjen kombëtare, gjuhën, flamurin dhe Skënderbeun, por ekzistencën lakuriqe. Një popull, i sjellë në zgrip të mbijetesës lakuriqe, më lehtë nënshtrohet dhe sundohet.

Për ta relativizuar peshën e faktorit shqiptar, pala sllavo-maqedonase i shtyri shqiptarët:

– të merren me vetveten dhe të kacafyten ndër vete;
– të njëjtat kërkesa t’i përsërisin dhe t’i përsërisin vite me radhë;
– me dekada të merren me çështjen e gjuhës dhe të flamurit;
– të qëndrojnë sa më larg kërkesave ekonomike.

Pjesë e strategjisë antishqiptare ishin edhe abuzimet dhe pasurimi brenda natës që ua mundësoi faktori sllavo-maqedonas individëve të caktuar nga radhët e politikanëve shqiptarë, duke krijuar kështu një kastë të korruptuar samurajësh. Kjo kastë e të privilegjuarve, duke u bërë instrument i politikës unitariste, centraliste dhe monoetnike sllavo-maqedonase, u shndërrua në grup politik irrelevant, të papërfillshëm dhe joinfluent. Duhet ditur se janë do punë që nuk shkojnë bashkë, si p.sh.:

– edhe atdhetar, edhe pjesë e qeverisë së një shteti diskriminues; ose
–  dje i varfër, sot pasanik brenda nate dhe në të njëjtën kohë edhe patriot.