Xhelal Zejneli
– ribotim –
Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Maqedonisë, për vrasjen e pesë maqedonasve i fajësoi “islamistët radikalë” – shqiptarë.
Me këtë konstatim, kryeministri maqedonas – Nikolla Gruevski dhe VMRO-ja e tij, duan t’i tregojnë botës se:
– çështja shqiptare në Maqedoni, nuk është çështje kombëtare, por fetare;
– shqiptarët janë përçues të interesit lindor – turk, iranian dhe arab;
– shqiptarët i sjellin në gadishull dhe në Evropën e krishterë vlerat islamike.
Ky është thelbi i deklaratës së sipërthënë të qeveritarëve të qeverisë maqedonase.
Se çështja shqiptare në Maqedoni dhe në rajon, nuk është kauzë kombëtare, por fetare, Gruevski dhe VMRO-ja “e argumentojnë” para botës, me si më poshtë:
– Shqiptarët kudo që janë, nuk kërkojnë gjuhë dhe flamur, por ndërtim xhamish nëpër sheshet e kryeqyteteve shqiptare;
– Shqiptarët kërkojnë që mësimi fetar të jetë lëndë nëpër shkollat fillore dhe të mesme të hapësirave shqiptare në rajon, përkundër faktit se, kudo në këto troje funksionojnë shkollat fetare dhe medresetë;
– Ka shqiptarë të cilët kërkojnë që vajzave shqiptare t’u lejohet që nëpër shkolla si dhe gjatë orëve të mësimit, të mbajnë në kokë shami dhe të vishen si në Arabi dhe në Persi;
– Ka shqiptarë që thonë se Skënderbeu nuk është hero kombëtar i shqiptarëve ngase ka luftuar kundër turqve dhe për Evropën Perëndimore;
– Ka shqiptarë që thonë se Skënderbeu, duke luftuar kundër turqve, është e vetëkuptueshme se ka luftuar edhe kundër fesë islame; Duke luftuar kundër islamit, është e vetëkuptueshme se ai ka luftuar për krishterimin;
– Ka klerikë islamikë që thonë se Nënë Tereza nuk mund të hyjë në parajsë, ngase s’ka qenë myslimane;
– Ka shqiptarë që nuk kanë dashur të lejojnë vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në sheshet e qyteteve të caktuara, siç janë Shkodra, Peja…
– Ka shqiptarë që për nga imazhi nuk dallohen fort prej fundamentalistëve islamikë; mbajnë mjekra të gjata, vishen si në Arabi, në Iran, në Pakistan, në Indonezi;
– Veshja e një numri të caktuar shqiptarësh dëshmon se shoqëria shqiptare funksionon me vlera aziatike, d.m.th. joevropiane dhe joperëndimore;
– Prej niveleve të larta të politikës shqiptare dalin deklarata se shqiptarët janë vëllezër me turqit aziatikë;
– Ka shqiptarë që organizojnë në Shkup protestë anti-izraelite;
– Ka shqiptarë që kanë vrarë ushtarë amerikanë;
– Ka shqiptarë që kanë qenë të përfshirë në rrjetin e terrorizmit global;
– Ka shqiptarë që në kuadër të radikalizmit islamik kanë qenë pjesë e planeve për të sulmuar kazerma dhe garnizone ushtarake në SHBA;
– Ka shqiptarë që nuk e kanë kundërshtuar në mënyrë të prerë kërkesën e Ankarasë për rishqyrtimin e periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar;
– Qendrat politike shqiptare – Tirana dhe Prishtina, nuk kanë qëndrim të prerë ndaj dukurive të sipërthëna. Përkundrazi, para veprimeve të lartpërmendura i mbyllin sytë;
– Inteligjencia shqiptare në Ballkan, akademikët, profesorët universitarë, ideologët e mendimit politik bashkëkohor shqiptar, para veprimeve të mësipërme rinë indiferentë;
– Ka shqiptarë, madje me përgatitje universitare, të cilët në mediume dhe në vende publike, deklarohen haptas si antiamerikanë dhe si antiperëndimorë;
Kështu thonë për shqiptarët kryeministri i qeverisë maqedonase Gruevski si dhe partia e tij – VMRO-ja. Kjo politikë e Gruevskit është pjesë e pandarë e politikës – historikisht antishqiptare – të Beogradit, të Athinës dhe të Moskës.
Diplomacitë serbe, greke dhe ruse, që nga koha e Kongresit të Berlinit (1878) e deri në ditët tona, janë përpjekur që në kancelaritë evropiane t’i paraqesin shqiptarët si pro-turq. Në mënyrë tendencioze, ata i kanë paraqitur shqiptarët edhe si pro-islamikë. Kështu kanë vepruar edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), edhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), edhe në Konferencën e Rambujesë (1999).
Duhet thënë se në shoqërinë shqiptare mbase mund të ketë individë dhe grupe pro-turke, pro-arabe dhe pro-iraniane, mirëpo këto grupe nuk janë veçse segmente të vogla të shoqërisë shqiptare. Ndaj, populli shqiptar nuk mund të identifikohet me ta, siç pretendojnë qendrat antishqiptare – Beogradi, Athina, Gruevski dhe Moska.
Thelbi i politikës djallëzore të boshtit antishqiptar sllavo-bizantin të sipërthënë është që popullin shqiptar në Ballkan, që ka orientin pro-amerikan, përkatësisht properëndimor, ta identifikojnë me grupet shqiptare pro-turke, pro-arabe, pro-iraniane dhe “pro-islamike”. Është interes jetik i Beogradit, i Athinës, i Gruevskit dhe i Moskës që grupet e sipërthëna shqiptare – me orientim pro-turk, pro-arab, pro-iranian, aziatik, antiamerikan (atniperëndimor) dhe anti-hebraik – të shtrihen sa më shumë dhe ta shtojnë ndikimin ndër shqiptarë, në mënyrë që çështja shqiptare në Ballkan të humbë dimensionin kombëtar dhe të marrë përmasë fetare.
Protestat e grupeve shqiptare, me flamuj joshqiptarë, Beogradi, Athina, Gruevski dhe Moska nuk do t’i ndalojnë kurrë. Përkundrazi, do t’i mbështesin dhe do t’i nxisin. Kërko xhami sa të duash, vetëm mos bëj politikë kombëtare. Mos kërko zhvillim ekonomik dhe universitete, se ato krijojnë popull shtet-formues dhe shtet kombëtar.
Në kohën e Mbretërisë Jugosllave, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e kombësisë shqiptare. Pushteti serb shqiptarët i emërtonte si mysliman. Po kështu edhe boshnjakët e fesë islame. Nga kjo del se serbëve nuk u ka penguar feja islame e shqiptarëve. Ajo që u ka penguar serbëve, grekëve dhe rusëve është kombësia e shqiptarëve dhe jo feja islame e tyre. Mund të quhesh mysliman sa herë të duash dhe kur të duash, por jo edhe shqiptar.
Në Mbretërinë Jugosllave shqiptarët nuk kishin të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Mirëpo, pushtetarët serbë nuk ua ndalonin shqiptarëve shkollimin në medresenë e Shkupit në gjuhën turke, arabe dhe serbe. Shkollohu në frymën fetare sa të duash por, jo edhe në frymën e rilindësve kombëtarë. Përse?! Kështu sepse feja islame e shqiptarëve kurrë s’u ka penguar serbëve, grekëve dhe rusëve. Sot – edhe sllavo-maqedonasve. Ajo që u pengon sllavo-bizantinëve është politika kombëtare e shqiptarëve me orientim perëndimor.
Rajone të caktuara shqiptare janë nën ndikimin e qendrave të huaja, mbase edhe për shkaqe ekonomike. Shqiptarët duhet të ndërtojnë strategji kombëtare që do të nënkuptonte:
– zhvillimin ekonomik të zonave jo mjaft të zhvilluara; dhe
– arsimimin e të rinjve të atyre zonave.
Ka edhe të tillë që e politizojnë fenë. Ata që fenë e shndërrojnë në ideologji dhe e politizojnë atë, nuk janë besimtarë të vërtetë. Besimi në Zot nuk është politikë dhe ideologji.
Beogradi, Athina, Shkupi dhe Moska ka kohë që nuk lodhen për t’i denigruar shqiptarët si pro-turq, pro-arabë, pro-iranianë, pro-aziatikë, antiamerikanë apo antiperëndimorë. Këtë tanimë e bëjnë me devotshmëri – vetë shqiptarët.
Nëse çështjen e Mitrovicës veriore nuk arrijnë ta zgjidhin Uashingtoni dhe Berlini, a thua vallë do të mundë ta zgjidhin individë dhe grupe shqiptare që e shajnë Amerikën?! Miqtë perëndimorë të shqiptarëve nuk befasohen aq me ato segmente të shoqërisë shqiptare që mbajnë flamuj jokombëtarë, aq sa habiten me qëndrimin oportunist, konformist dhe indiferent ndaj tyre – të faktorit politik dhe të inteligjencies shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Maqedoni.
Çështja shqiptare në Ballkan s’është as ideologjike, as fetare, por është kombëtare dhe politike. Kauza shqiptare në Ballkan është çështje territoriale. Është çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Dhe kjo çështje e dhimbshme nuk zgjidhet me ato segmente të shoqërisë shqiptare që për vëlla e konsiderojnë turkun, arabin, iranianin, pakistanezin dhe indonezianin. Çështja shqiptare nuk zgjidhet prej atyre që nuk janë të vetëdijshëm se gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët janë faktorët që e bashkojnë një popull. Shqiptarët i bashkon dhe tragjizmi i përbashkët. Shqiptarët kanë prejardhje evropiane dhe jo turke, arabe, iraniane apo aziatike.
Si çështje fetare, kauza shqiptare në gadishull do të privohej nga mbështetja e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Brukselit.
Shqiptarët do të humbnin rastin historik të papërsëritshëm të zgjidhjes reale të kauzës së tyre kombëtare. Si gjithmonë në të shkuarën, shqiptarët do të shënonin edhe një ngecje historike, tanimë me pasoja akoma më dramatike. Do të zhyteshin sërish nën robërinë shekullore sllavo-bizantine. Për tragjedinë që do të pësonin, do të fajësonin jo vetveten, por fuqitë e mëdha të kontinentit të vjetër, njashtu siç i fajësojnë për Londrën e 1912-ës. Shqiptarët s’duhet të lejojnë që t’i ndjekë mallkimi historik. Nuk duhet të jenë i vetmi popull i rruzullit që punon kundër vetvetes.
Shqiptarët dhe SHBA-ja – Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se:
– Presidenti amerikan Vudro Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924), në Parisin e 1919-ës i mbrojti prej synimeve grabitqare serbe, greke dhe ruse;
– Presidenti Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-), i bombardoi forcat kolonialiste serbe në Kosovë dhe bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e çliroi Kosovën;
– Presidenti Xhorxh H. Bush (George Herbert Walker Bush, 1946-) e paralajmëroi Beogradin se në Kosovë është një vijë e kuqe të cilën Serbia nuk do të duhet ta kalojë;
– Presidenti Xhorxh Uokër Bush (Geroge Walker Bush, 1946-), me rastin e vizitës në Shqipëri, e paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e pranoi Shqipërinë në NATO;
– Lufta e 2001-shit në Maqedoni, pa mbështetjen e Uashingtonit, s’do të mund të përfundonte me sukses;
– Ekspertët amerikanë dhanë ndihmesën e tyre në hartimin e projektit të Marrëveshjes së Ohrit;
– Pa amerikanët dhe gjermanët, Mitrovica Veriore vështirë mund të vihet nën sovranitetin e Prishtinës;
– Pa amerikanët, gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), si dhe e shqiptarëve në Mal të Zi mund të bëhet akoma më e vështirë;
– Uashingtoni mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e çështjes çame;
– Bashkimi kombëtar i shqiptarëve as që mund të paramendohet pa amerikanët.
Pa amerikanët, d.m.th. pa perëndimorët kauza shqiptare në Gadishullin Ilirik merr fund. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i Beogradit, i Athinës, i Gruevskit dhe i Moskës është që ndërmjet shqiptarëve, në një anë dhe SHBA-së, përkatësisht Perëndimit, në anën tjetër, të ftohen marrëdhëniet dhe të lindë mosbesimi.
Qëllim i boshtit sllavo-bizantin është edhe prishja e marrëdhënieve midis popullit shqiptar dhe popullit hebraik. Përse?! Për arsye se SHBA-ja dhe Izraeli kanë lidhje të ngushta. Sipas legjendës, bashkësia hebraike në Amerikë ushtron ndikim të theksuar në politikën amerikane. Thuhet po ashtu se hebrenjtë ushtrojnë kontroll edhe mbi institucionet monetare dhe financiare në botë. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që miqësia shqiptaro-izraelite të vihet në dyshim. Këtë mbase s’do ta dëshironin as hebrenjtë. Ata e dinë mirë se shqiptarët janë i vetmi popull i planetit i cili Gestapos gjermane nuk ia dorëzoi as edhe një çifut të vetëm. Shqiptari, në përputhje me kodin etik kombëtar – besën, më parë pranonte të vritej prej gjermanëve, sesa të tregonte vendin ku ishte fshehur një familje hebraike.
Shqiptarët duan që ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve të arrihet një marrëveshje historike, në mënyrë që dy shtete sovrane dhe demokratike të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit.
Ndërhyrja e falangës së Gruevskit – Askund në botë nuk është parë që, për zënien e tre të dyshuarve, të angazhohen 800 policë të armatosur deri në dhëmbë dhe të shoqëruar me qenë. Një potencial i tillë militar mund të mbajë një front lufte dhe jo të shkelë në orët e pasmesnatës shtëpitë e lagjeve periferike të Shkupit, që të përkujtojnë romanet e romancierit francez, teoricienit të natyralizmit Emil Zolës (Émile Zola,1840-1902).
Ky veprim barbar i qeverisë së Gruevskit paraqet terror shtetëror dhe është në kundërshti me konventat ndërkombëtare. Faktori ndërkombëtar duhet të pushojë së ledhatuari Maqedoninë. Ndërhyrja e kësaj falange në dhomat e gjumit të shqiptarëve e komprometon me të madhe edhe faktorin ndërkombëtar. Vetë fakti se kjo milici speciale nuk hasi në kurrfarë rezistence, dëshmon qartë se janë bastisur shtëpi qytetarësh të pafajshëm.
Një ditë para se të mbahen zgjedhjet në Serbi, ministri serb i Punëve të Brendshme – Ivica Daçiq, që t’i rritet rejtingu ditën e zgjedhjeve, urdhëroi burgosjen e pesë shqiptarëve të Preshevës. Dhe ia doli. Korri rezultat më të mirë se ç’priste.
Faktori ndërkombëtar duhet t’i parandalojë sllavo-bizantinët që të eksperimentojnë me jetën e shqiptarëve të pafajshëm.
Shqiptarët dhe mësimi i historisë – Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe historisë kombëtare. Historia e shkruar në frymën e ideologjisë komuniste, ku miqtë tanë historikë paraqiten si armiq, duhet të rishqyrtohet. Brezat e sotëm dhe ata që do të pasojnë, duhet ta dinë nga tekstet e historisë se kë patëm miq dhe kë armiq. Cilët ishin ata që na ndihmuan për ta krijuar një gjysmë Shqipërie dhe kush ishin ata që e shkaktuan copëtimin e saj.
Trojet shqiptare në gadishull, që nga Kriza a dytë lindore (1877) e këndej, u copëtuan në gjashtë pjesë: Shqipëria, Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedonia veri-perëndimore, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëria. Pjesë e kombit shqiptar është edhe diaspora shqiptare – në Evropë, në SHBA dhe gjetkë.
Shqiptarët e dinë se miq historikë të tyre kanë qenë dhe janë: SHBA-ja, Gjermania, Vjena, Roma, Londra, Kroacia. Shqiptarët i janë mirënjohës ish-presidentit francez – Nikolla Sarkozit (Nicolas Sarkozy, 1955-).
Armiq historikë të shqiptarëve kanë qenë dhe janë: Beogradi, Athina dhe Moska. Në vitet 1981-1990 u intensifikua veprimtaria antishqiptare e boshtit të së keqes Titograd-Boegrad-Shkup.
Zvarritja e zgjidhjes së problemeve në hapësirat shqiptare në rajon dhe riciklimi i tyre i vazhdueshëm dëshmon se perëndimorët janë të zhgënjyer me politikanët dhe me inteligjencien shqiptare.
Edhe një vonim në histori do të jetë i papërballueshëm për shqiptarët.