CEREMONI VARRIMI, APO MANIFESTIM POLITIK?!

0
1038

AV. XHABIR ZEJNUNI

Sot, u zhvillua në Bularat të Shqipërisë ceremonia e varrimit e ekstremistit grek Kostandinos Kaçifas, i cili mbeti i vrarë në përpjekje me armë me forcat e RENE-as me datën 28 tetor, pasi i armatosur, ai qëlloi duke terrorizuar popullsinë vendase, duke cënuar integritetin territorial dhe rendin kushtetues në fuqi. Të ndjerin e kishin veshur me uniformën ushtarake greke!

Meshën e drejtuan 9 priftërinj ortodoksë grekë! Merrnin pjesë në varrim shumë greqishtfolës me flamuj greke dhe me parulla, ku shkruhej “Maqedonia dhe Vorio Epiri janë grekë”! U këndua edhe himni grek. Merrte pjesë eurodeputetja qipriote-greke Eleni Theocharous, e cila dukej shumë e përmalluar! Ashtu siç merrnin pjese edhe deputetët (shumë të përmalluar!) të Parlamentit shqiptar Vangjelis Dulaqis dhe Vangjel Tavos, si edhe ish deputetë apo ish ministra minoritarë shqiptarë.

Vangjelis Dulaqis deklaroi në prani të deputetit grek të Demokracisë së Re Savas Anastadhias se “E vërteta për vrasjen e Kaçifas të shkojë deri në fund, ajo nuk do humbasë. Transparenca e kësaj çështjeje, zbardhja e saj është me rëndësi jetike. Ajo mund të vonojë por natyrisht që nuk do të humbasë”.

Është e drejta (dhe detyrimi!) e tij që të bëjë një deklaratë të tillë! Po për ata 170 shqiptarët e vrarë barbarisht në Greqi nga Policia greke, a do ndërmerren vallë ndonjëherë hetime, në mënyrë që të dalë në shesh e vërteta? Mos vallë nuk qenka me rëndësi jetike zbardhja e rrethanave të vrasjes barbare të 170 bashkatdhetarëve tanë në Greqi?!

Nuk merrej vesh pastaj nëse po zhvillohej një ceremoni varrimi, apo një manifestim politik. Por, fajin më të madh (dhe turpin!) e ka shteti shqiptar, i cili nuk mori paraprakisht masat që ceremonia e varrimit të bëhej brenda të gjitha rregullave civile (e fetare!) dhe në respekt të rendit kushtetues në fuqi. Dhe jo që ky varrim të merrte ngjyra politike. Të lejosh që të hidhen parulla të tilla, të cilat venë në diskutim dhe dyshim integritetin territorial dhe rendin kushtetues, tregon se ky shtet ka humbur seriozitetin e tij.

Me gjithë respektin për të ndjerin, duhet pohuar se ceremonia e varrimit të tij u instrumentalizua kaq shumë, duke sjellë që ajo të humbiste seriozitetin e saj, duke marrë si rrjedhojë ngjyra groteske.

Nuk dihet nëse Qeveria greke shtroi një drekë në përkujtim të të ndjerit!
Në këtë ceremoni varrimi, çdo gjë ishte greke.
Përveç vendit ku ajo u zhvillua: Bularat Shqipëri.

Deri kur do shfrytëzohen të vdekurit për interesat politike?!