Çenkuela Hasa: 5 sekrete si të humbasim peshë kur jemi me pushime

0
1409
Çenkuela Hasa
Çenkuela Hasa
Çenkuela Hasa – elegante

Gazeta Shqiptare, 29.07.19

Voltiza Duro – Edhe pse dëshirojmë të kemi linja perfekte gjatë stinës së verës, shtimi i peshës gjatë pushimeve vazhdon të mbetet një ndër shqetësimet që hasim më së shpeshti. Në ditët që pushojmë nuk kemi mundësi të shkojmë në palestër, kështu që frika e kilogramëve të tepërt rritet edhe më shumë. Por blogerja healthy-lifestyle, Çenkuela Hasa tregon për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare” 5 sekrete për të humbur peshë edhe gjatë pushimeve. Më poshtë po sjellim në mënyrë të detajuar hapat që duhet të ndiqni për të pasur trupin që gjithmonë e keni ëndërruar.

1. Niseni mëngjesin me ujë detoks
Një mëngjes I nisur në mënyrën e duhur do ju ndihmojë të ndjeheni më energjikë gjatë ditës dhe ta keni më të thjeshtë të kontrolloni urinë dhe të mbani peshën nën kontroll. Sapo zgjoheni esëll pini një gotë uji me gjysmë limoni të shtrydhur. Por edhe thjesht 2 gota uji në mëngjes do tu ndihmojnë të largoni mbetjet toksike nga trupi edhe në qoftë se e keni tepruar me alkoolin një natë më parë. Por të humbasësh peshë nuk do të thotë të mos konsumoni mëngjes. Mëngjesi duhet të jetë një vakt i shëndetshëm i pasur me fibra që të ndiheni të ngopur deri në vaktin e drekës. Sugjerimi im do të ishte 200 gram kos me disa fruta dhe 1 lugë gjelle me fara chia.

2. Të djegim kalori më shumë sesa marrim
Ky është rregulli magjik, i cili nëse zbatohet, organizmi fillon procesin e shkrirjes së masës dhjamore. Aktiviteti fizik në këtë rast na ndihmon të djegim kalori më shumë dhe të arrijmë të krijojmë një deficit kalorish për të rënë nga pesha. Por kur jemi me pushime, ne nuk mund të shkojmë në palestër. Nëse jeni në det, në mëngjes esëll pasi keni pirë ujin detoks dilni për një shëtitje të gjatë e cila minimalisht duhet të zgjasë 45 minuta. Litari është një tjetër alternativë që mund ta përdorni dhe ta merrni me vete në bagazhet e pushimeve. 10 minuta litar me pushim 10 sekonda midis midis intenerave 1-2 minutëshe arrin të djegë kalori dhe tonifikon gjithë trupin.

3. Të zgjedhim ushqime me pak kalori
Ky është një rregull që do t’u vijë në ndihmë të hani bollshëm pa parë sasinë e pjatave dhe pa u shqetësuar për numërimin e kalorive. Shalqiri, pjepri, pjeshkët, kivi, kastravecat, domatet, të gjithë sallatrat dhe lakrat, ushqimet proteinike si veza, produktet e detit, perimet të të gjitha llojeve, janë disa nga lista e ushqimeve që kanë përqindje të lartë uji dhe janë shumë të ulëta në kalori, prandaj përfshijini sa më shumë në regjimin tuaj ushqimor edhe për të përftuar nga vlerat e larta ushqimore që përmbajnë.

4. Minimizoni karbohidratet
Ky është një rregull që ju vlen jo vetëm për pushime por edhe në stilin tuaj të përditshëm të jetës. Nëse mbani karbohidratet në kontroll, shtimi i peshës nuk do të jetë një problem për ju, sidomos shtimi i dhjamit në pjesën e barkut, i cili krijohet nga konsumimi i tepërt i karbohidrateve të thjeshta që i përmbajnë ëmbëlsirat apo produktet e paketuara. Zgjidhni karbohidrate komplekse që kanë prejardhje kryesisht nga mielli integral si makarona integrale, oriz, bukë integrale, dhe tërshërë.

5. Kujdes me vaktin e darkës
Tregoni kujdes nga konsumimi I produkteve jo të nevojshme në orët e vona të mbrëmjes pasi ky është një ndër gabimet më të mëdha që bëjmë. Mbylleni darkën herët, të shëndetshme dhe të bazuar në proteina. Një fileto pule me perime zgare për në mbrëmje do të ishte një kombinim perfekt.

Dieta ushqimore

Mëngjesi
200 gram kos; 2 lugë gjelle tërshërë; 1 lugë gjelle fara chia; gjysmë banane

Paradreka
1 pjeshkë

Dreka
Quinoa me perime dhe fileto pule 150 gram

Paradarka
1 thelë shalqi

Darka
Sallate greke dhe ton peshku 100 gram