Çdo vepër e nisur me frikë bart në vete embrionin e dështimit

0
79
Feiz Demiri

… Më ke thënë që ajo që ty të frikëson asnjëherë nuk është në ato përmasa e tmerrshme siç mendon ti. A nuk kanë thënë: “Sapo mbyllet një derë, tjetra është e hapur”. Krijo brenda vetes një imazh të lartë suksesi, edhe atëherë kur mendon se bota ka rënë mbi ty, mendo me vete si do të ndjeheshe po ta kishe arritur atë. Në mendjen tënde ky imazh do të shumëzohet dhjetra apo qindra herë e mandej do të bëhet aq i besueshëm, saqë do të shpie po aty ku ke synuar në majën piramidale të suksesit. Biri im i shtrenjtë, në momentet kur mendon që asgjë nuk ka kuptim për ty, ndieje ajrin e freskët që t’i hap sytë. Liroje frymëmarrjen thellë deri në brendi të qenies tënde. Hidhe pas krahëve frikën dhe ngurrimdështimin, ndjehu i çliruar.

1. Pamundësia është bllokadë e kornizave të mendjes sonë që nuk sheh më shumë se një rreth vicioz. Pamundësia në realitet është mundim e vështirësi por jo mosarritje. Në jetë është lehtë të ecësh rrugës së shkelur, hap rrugë edhe aty ku nuk ka shkelur asnjëherë këmba. Çdo vepër e nisur me frikë bart në vete embrionin e dështimit. Biri im, në vijën lineare ngarendin të gjithë, thesari është të gjesh rrugën e drejtë kur je në udhëkryq! Në jetë do ta kuptosh se çdo sukses i madh përpara ka patur mossukses. Nëse humbni gjë në njërën anë do të fitoni në anën tjetër. Asnjëherë mos t’ju mashtrojë errësira para agimit. Agimi i juaj i suksesit, lumturisë dhe i begatisë një ditë do të vie.

Më thoshe që mos ta helmoj veten me shqetësime. Sepse helmi vret shpresën dhe besimin duke shkaktuar senilitetin dhe melankolinë. Mos e kthe besimin në frikë, por frikën mposhte me besimplotë. Mendimet e frikshme tiranizojnë dhe tundojnë thellë qenien tonë. Bëhu i pamposhtur, forca e gjithë botës është në mendjen tënde, bir! E mira dhe e keqja janë personale dhe varen nga ne. Mos lejo mërzinë të të kufizojë apo robërojë. Forca dhe kapaciteti që ke kapërcejnë çdo barrierë dhe tejkalojnë çdo sfidë që të paraqitet. Forca dhe i tërë potenciali është në dorën tënde, bir! Shfrytëzoje!

Autor : Fejzë Demiri