Ç’DEKRETIM PRESIDENCIAL!

0
577
Salva di elezzioni

AV. XHABIR ZEJNUNI

E drejta kushtetuese u “pasurua” (10 qershor) edhe me një institut të ri, i cili u “pagëzua” me termin “Ç’DEKRETIM PRESIDENCIAL”!
Me Dekretin Nr. 11199, Presidenti Meta ç’dekretoi Dekretin e tij Nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anulluar kështu datën 30 qershor 2019 si datë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti, ç’dekretin e tij e arsyetoi në mënyrë shumë shteruese (dhe thelluese!). Por, në fakt, ai foli shumë dhe tha shumë pak.
Ai deklaroi se në mbështetje të nenit 1, germa gj) e Kushtetutës, Presidenti “Cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Shumë e saktë. Por, problemi lind kur Presidenti me nismën e tij personale dhe pa u marrë vesh më parë me aktorët politikë të interesuar, ç’dekreton dekretin e tij të mëparshëm dhe nuk cakton një datë të re të zgjedhjeve! Pra, është vetë Presidenti i pari ai, që shkeli Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, kur nuk caktoi datën e re të zgjedhjeve.

Presidenti e mbështet arsyetimin e tij në disa pika.

1. I.M.Qytetarëve shqiptarë praktikisht u hiqet mundësia e zgjedhjes mes alternativave më të mira”.
XH.Z. Në fakt, Presidenti harron se është opozita, e cila me djegien e mandateve parlamentare të marra me votat e popullit dhe me mos marrjen pjesë në zgjedhjet lokale, po ia heq simpatizantëve dhe përkrahësve të saj “Mundësinë e zgjedhjes së alternativës më të mirë”.

2. I.M.Është fakt publik, që në mënyrë të vazhduar, partitë politike të opozitës nuk kanë shprehur vullnetin për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngrenë shqetësimin se bazuar në faktet dhe të dhëna, se ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”.
XH.Z. Cilat janë këto fakte dhe të dhëna? Duhet sqaruar se opozita e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje me kushtin që Rama të mos jetë Kryeministër. Që do të thotë se votuesve socialistë t’ju zhvlerësohet vota e tyre me anën e së cilës PS-ja fitoi zgjedhjet, duke zgjedhur si rrjedhojë Ramën Kryeministër.

3. I.M.Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme, janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu edhe shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve”.
XH.Z. Si mund të garantohet atëherë rendi kushtetues, nëse Presidenti nuk cakton datën e re të zgjedhjeve?

I.M.Rreziku i përballjes civile duhet të parandalohet me mjete kushtetuese, ku padyshim përfshihet dhe anullimi i datës së zgjedhjeve nga organi, që ka kompetencë dhe detyrë kushtetuese, nga njëra anë të mbrojë unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), dhe nga ana tjetër të caktojë datën e zgjedhjeve (neni 92/gj i Kushtetutës)”.
XH.Z. Anullimi i datës së zgjedhjeve, duhet të pasohet patjetër me caktimin e një date të re të zgjedhjeve, gjë të cilën Presidenti nuk e ka bërë akoma, duke shkelur kështu nenin 92, germa gj. të Kushtetutës.

I.M.Në çdo rast, shfuqizimi i dekretit Nr.10928, datë 05.11.2018, nënkupton shtyrjen e tyre për një datë tjetër, duke garantuar në çdo rast zhvillimin e tyre brenda një afati të arsyeshëm dhe që garanton arritjen e qëllimit, për të cilin anulohet data fillestare e zhvillimit të tyre”.
XH.Z. Cili do jetë atëherë ky afat i nënkuptueshëm dhe i arsyeshëm dhe me çfarë mënyre do llogaritet ai në mënyrë që të garantohet arritja e qëllimit?

I.M.Në kushtet aktuale, anullimi i zgjedhjeve, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj dhe shtyrja e tyre për në një datë tjetër të dakordësuar mes palëve politike, do të shërbejë si nxitje për dialog për zgjidhjen e krizës që po kërcënon stabilitetin demokratik të vendit”.
XH.Z. E nëse kjo datë nuk do dakordësohet mes palëve politike, si do veprojë më tej Presidenti?

4. I.M.Anullimi dhe shtyrja e zgjedhjeve lokale nuk paraqet pengesa nga pikëpamja kushtetuese” pasi “Ndërsa në nenin 65 të Kushtetutës, janë përcaktuar në detaje nga Kushtetuta rregullat mbi fillimin dhe mbarimin e mandatit të Kuvendit dhe afatet për realizimin e zgjedhjeve pasuese, një rregull i tillë mungon në nenin 109 të Kushtetutës, ku parashikohet mandati i organeve të njësive të qeverisjes vendore”.
XH.Z. Në fakt, neni 65 disponon se “Kuvendi zgjidhet çdo katër vite”, kurse neni 109 disponon se “Organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen çdo katër vjet”. Në të dyja rastet, afati kushtetues është katër vite, pavarësisht fillimit të afatit kohor në dy rastet në fjalë. Saktësimi i fillimit dhe i mbarimit të punimeve të Parlamentit dhe mungesa e një saktësimi të tillë në rastin e zgjedhjeve lokale, nuk është një harresë e kushtetut-bërësit, por një rrjedhojë logjike e tij, pasi nëse në rastin e parë kemi vetëm një Parlament, në rastin e dytë kemi 61 “Parlamente”, ku seicili prej tyre mund të ndodhet në situate të tilla, të cilat mund të mos mundësojnë aplikimin e nenit 65 për funksionimin e rregullt të tyre. Për këtë arsye që kushtetut-bërësi ka qenë më “dorëlëshuar” me qeverisjen lokale! Edhe pse Presidenti sjell ndonjë shembull ilustrues, duke kundërshtuar thëniet e tija më lart dhe duke pohuar si padashje korrektësinë e nenit 109, një gjë dihet me shumë siguri: afati 4 vjeçar, është kushtetues dhe si i tillë ai duhet respektuar dhe zbatuar.

5. I.M. Në këtë pikë, Presidenti sjell disa raste kur zgjedhjet janë shtyrë.
XH.Z. Në të gjitha rastet që Presidenti përmend, bien në sy dy elementë:
a. Zgjedhjet janë shtyrë me marrëveshje mes palëvë politike;
b. Më pas, është caktuar data e re e zgjedhjeve.
Kurse në rastin konkret, mungojnë të dy elementët, pasi Presidenti me nismën e tij personale ka anulluar zgjedhjet dhe nuk i ka shtyrë ato duke caktuar një datë të re. Në rastet e mëparshme, Presidenti ka ndërhyrë duke thirrur palët në tavolinë. Kurse në rastin konkret, kjo tavolinë nuk u mblodh, pasi nuk u thirr! Shtrohet pyetja: “E nëse situata politike vazhdon të mbetet konfliktuale edhe në vazhdim, mos vallë Presidenti për hir të unitetit dhe interesave të larta të atdheut nuk do caktojë një datë të re zgjedhjesh gjatë mandatit të tij presidencial”?!

I.M.Autoriteti i vetëm kushtetues është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri për shtyrjen e datës së zgjedhjeve”.
XH.Z. Dakord. Presidenti këtu bën shumë mirë që i referohet presidentëve paraardhës, të cilët i kanë shtyrë zgjedhjet. Ndërsa ai e “pasuroi” më shumë përvojën presidenciale me anullimin e zgjedhjeve, duke i shtyrë ato në një datë të pacaktuar!

6. I.M.Qytetarëve shqiptarë iu sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve nga njësitë e qeverisjes vendore” edhe nëse shtyhen zgjedhjet, duke marrë parasysh Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, pasi neni 60, par. 4 thekson se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”. Të njëjtin vullnet ka parashikuar ligjvënësi edhe për funksionimin e Këshillave Bashkiakë në këto momente tranzitore. Konkretisht neni 53, par. 1, disponon se “Këshilli Bashkiak ushtron funksionet e tij nga data e konstituimit, sipas nenit 48, të këtij ligji, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës”. “Pra, referuar këtyre dy dispozitave rezulton e parashikuar me ligj se nuk krijohet vakum funksional në organet e qeverisjes vendore aktuale, deri në zgjedhjen dhe fillimin nga funksionimi i të zgjedhurve nga zgjedhjet vendore, që priten të zhvillohen në një datë të mëvonshme”.
XH.Z. Këtu mund të lindin disa probleme.
a) Mund të ndodhë që Presidenti të dekretojë më vonë datën e zgjedhjeve, por PS-ja që është në pushtet nuk aktivizohet për zgjedhjet me arsyetimin se duke qenë se kriza politike po vazhdon akoma, nuk shikohet e arsyeshme që të shkohet në zgjedhje. Në këtë rast, PS-ja i bën një kërkesë Presidentit me arsyetime shteruese (dhe thelluese!) për të shtyrë zgjedhjet. Si do veprojë Presidenti në këtë rast? Do i shtyjë përsëri ai zgjedhjet me çdekretimin e tij? Nëse jo, atëherë kush do i organizojë zgjedhjet? Mos vallë opozita? Apo opozita do dalë në sheshe për të protestuar duke kërkuar që PS-ja të organizojë zgjedhjet?
b) Pavarësisht nëse i shtyn zgjedhjet apo jo, PS-ja pranon të organizojë proçesin zgjedhor, por nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhje. Mos vallë opozita do dalë në shesh për të protestuar, duke kërkuar që në zgjedhje të marrë pjesë patjetër edhe pozita? Apo opozita do marrë pjesë në zgjedhje pa pozitën?
Në rastin konkret, dekreti i presidentit mund t’i vlejë më shumë PS-së se sa opozitës. Problemet më lart, nuk sjellin ndonjë vakum në funksionimin e organeve lokale, duke qenë se Ligji Nr. 139, datë 17.12.2015 e ka parashikuar edhe një rast të tillë!

7. I.M. Në këtë pikë, Presidenti shpreh shqetësimin e tij të thellë për situatën aktuale të vendit të shkaktuar nga kriza e thellë politike, fakt që solli edhe reagimin e tij në (mos)respektim të Kushtetutës.

8. I.M.Zhvillimi i zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, do të shënonte ngrirjen e progresit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”.
XH.Z. Prandaj që Presidenti nuk mundi të rrinte indiferent ndaj këtij fakti dhe si rrjedhojë edhe veproi!

Nëse Presidentit nga njëra anë i mungoi arsyetimi juridik i ç’dekretit të tij, duke qenë se ai më shumë përdori norma kushtetuese dhe ligjore të tërthorta në mbështetje të ç’dekretit të tij, nga ana tjetër arsyetimi “patriotik” atij nuk i mungoi fare.

Në fund, Presidenti firmosi ç’dekretin e tij dhe jua tregoi kamerave dhe si patriot i madh, që ai është, bëri edhe shqiponjën me dy duar, duke mallëngjyer të pranishmit në sallë!