Çartje

0
870
Faslli Haliti - viz. Kamberi

Faslli Haliti

Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»

. poemë.

Brenda vetes
Kam inat,
Tritol
Inati im
Ç’inat egërsire është kështu
ky, inati im?

Tritolininatin e çova në gurore për shpërthim.

***
Brenda vetes
Kam amebën e smirës,
Me gjemba që shpon shpirtra,
Smira ime
Uthulla,
Acidi
Që gërryen dhe ha enën e kuqe të zemrës.
U shpua zemra ime, kupa e bakërt.
***
Plasën venat, kapilarët periferikë.
Gjaku mori trupin.
Nuk qarkullon,
Derdhet
Nën lëkurë.
Nuk e ushqen më trurin,
Përmbyt…
Truri
I përmbytur
Prodhon figura çudane.
Lemeri figurash gaforre,
Konfiguracione shtrembëse.
***
Tru!
Eja në vete
Ç’bën kështu?
S’ta duroj deformimin prindërve.
Pse ma deformon, ma bën hardhucë nënën?
Pse ma bën dinozaur babanë?

Tru!
T’i hodha trutë në erë!
Ç’bën kështu?
***
Sy të shqyer,
Të zgurdulluar,
Sferikë.
Rrokullisen sytë,
Rrokullisen kokërdhokët.
Sy që rrotullohen si sy kameleonësh,
Që shohnin para
Mbrapa.
Hundë
Të zmadhuara,
Shtrëmbëse
Hundë të zvogëluara.

Pinoku
Me hundë fasule,
Sokrati me hundë Pinoku,
Pinoku filozofon shkurt,
Sokrati spiritoz në aeropag,
Ofelia
Me mjekër bionde.
Otello bën dashuri të deformuar me Ofelinë,
Hamleti puth me buzë të deformuara arapi
Desdemonën,
Shelgu i zi
Dridhet nën ujin e gjelbër të pellgut,
Si një Otello gjithë xhelozi.
***
Hamleti
Pusht filozof.
Hamleti, Don Zhuan,
Teatral, marrok…
Otello
Xheloz?
Xhelozi nuk vret, nuk mbyt…
Xhelozi pret rivalin të vdesë,
Otello
Faqeziu, xhelozi, i pabesë !

Puthu Desdemonë!
S’bën pabesi,
Nuk aventuron.
Ti bën dashuri,
Dashuron.

Puthu Desdemonën nën shelgun e zi kësaj mbrëmje!
Marrëzi e shtirur, fiktive, hamletiane!
***
Otello
Tragjik
Në xhelozi
Puthu Desdemonë!
Puthu, ti puthu, Ofeli!
***
Tru
Të derdhur,
Si vezë bretkosash plot larva të zeza,
Që pluskojnë në ujërat pranverore.
Vezë laraskash
Në tru.
I dëgjoni çukitjet?,
Apo s’i dëgjoni, ju ?

Zogu laraman i laraskës sqepon lëvozhgat në tru.

Tru!
Qenke pa tru!
Krisi korja e hemisferave,
Po të futet marrëzia nëpër krisat, të çarat kështu?

Qelqi i syrit plot arabeska.
***
Gjak!
Ti s’paske gjak!
Pushoje përmbytjen e trurit.
Ushqeje, të paktën, trurin pak…
Mençuria fishket.
Thahet
Pa ty zoti gjak…!
***
Po ti mençuri, ku e ke mençurinë?
S’ka mençuri
Pa tru,
Nga celulat e trurit vërshuan larva bretkosash.
Kuakje në trurin e bërë pellg, kënetë,.
Kor zarigogash në fluturim,
Përfytyrime çudane.
Shtrembëse,
Si kulla e Pizës
Imazhesh si gaforre,
Mençurira idiote, gallofe…
***
Kush e ka fajin?
Zemra e shpuar?
Kush të shpoi
Ty,
Zemër ?
Inati im i sertë?
E kuptova…
E shpove ti,
Smira ime uthull, acid?
Pa zemër paske qenë, moj smirë, e zezë, zi!
***
Unë
Strehoja urrejtje dhe smirë?
Vetja ime
Strehonte çaste urrejtjesh,
Bankete inatesh dhe smire?!
Qenke krijuese mizorish, moj. vetja ime?
Qenkam një zero atëherë dhe unë.
Zero
Me bisht!
Ku e ka bishtin zeroja?
Ç’u bë?
Ia prenë
Apo ia fshehën tinëzisht?

Kurse
Ti
Njësh,
Je biznesmen, je bos.
Duke qëndruar para zerove
Ti bën me to miliona, miliarda…, bën një kaos…
***
Çudira zerosh!
Zerot
Bëjnë çudira,
Zerot ndërtojnë vila,
Vila
Për 1,
Për 2, për 3 …

Njëshi-
Bosi
Çifçiu
Më i madh,
Dyshi, treshi, katra, pesa…
Bosët, çifçinjtë më të vegjël,
Vrapues që ia marrin cilitdo atleti në kthesa…
***
Për njëshin,
Për dyshin,
Për treshin…,
Parajsa – një shkretëtirë, një Saharë.
Diku. gjetkë, kullosin, harbojnë ata…
I bien Botës kryq e tërthor.
Udhëtojnë
Mbi kurrize zerosh,
Siç e kanë zakon të na cilësojnë,
Domethënë mbi kurrizet tona,
Mbi kurrizet e taksapaguesve, domethënë,
Në tavolina Zeuzësh ambrozion shijojnë…

Ne ”zerot” mbushim tavolinat e Zeusve
Me të gjitha të mirat e kësaj toke !
Për vete hamë thërrimet,
Lëpijmë kockat,
Hamë mbeturinat
E kësaj
Bote .. .
***
«Ju zerot, skelet!,
Ju zerot-
Kockë e lëkurë ?
Propagandë komuniste!
Sot, zerot më rrumbullake se kurrë…!»

Ekipi i 1, 2, 3,
Luan bilardo,
Bixhoz,
Luan me zare
Nëpër kazino vendi,
Kazino ballkanike,
Europiane
Zerot duartrokasin.
Njëshi ka shumë fansa,
Ka tifozëri të madhe.
Të tjerët pak tifozë dhe shumë klakerë.
Sa harxhon klani i 1, 2, 3…?
Më shumë se bunkerët,
Më shumë se tunelet?
Sa harxhojnë ”zerot” së bashku,
Sa kanë harxhuar bunkerët?
***

Brenda meje
Indinjata,
Urrejtja, protesta, përgjojnë në pritë,
Rrinë në pozicion ofensive, beteje…

Urre,
Urre,
Urre, urrejtja ime e urryer!
Protesto,
Protesto
Protesta ime pa pikë proteste!

S’po më ndahesh nga gjoksi moj urrejtje.
S’e kupton vërtet që unë s’të dua?
Unë plaku
Ti rinohu…
***
Më urrejnë dhe mua!

Zelli im po kalbet,
Vullneti im po bëhet skelet,
Shpatullat po dembelosen çdo ditë,
Duart e mia të thara,
Përtace,
S’po lajnë dot njëra-tjetrën,
Pa le pastaj të lajnë fytyrën.
Dembelia
Placentë urrejtjeje, smire, zilie, inati.
***
U prishe vullneti im…

Vullnet pa vullnet,
Vullnet pleh,
Me kë t’i kapërcej pengesat?
Ku t’i gjej përpjekjet volitive?
Karakter!
Unë
Mburrem me ty,
Pse tregohesh pa karakter
Vullneti im,
Unë mburresha me ty.
Më dole pa vullnet
Dhe ti.

Mençuri marroke,
Budallaqe mençuri.
Po të flak nga deriçka e trurit dhe ty.
***
Plasën sytë.
S’i shoh hardhucat,
Akrepat,
Gaforret e përfytyrimeve në sy.
Uji qelqor i syve u derdh.
Përmbyti mjedisin:
Sferat e syve u rrokullisën.
Drita e syve doli si rrufe sferike nga sytë.
Rrufeja sferike e syve zgjon.
Nuk vret,
Përkëdhel,
Nuk trondit.
***
Mbete
Vetëm,
Zonja inteligjencë.
Të humbi mençuria.
Erudicioni,
Kultura.
Nisi stina e vjeshtës.
Kultura, erudicioni, mençuria-
Gjethe të verdha vjeshte,
Shkundur nga stuhia.

E para u këput gjethja e mençurisë,
Ra në moçal si këmbë pate;
E dyta ra gjethja e kulturës,
Noton në pellg me rosat;
E treta u këput gjethja erudite.
Ra në llucë.
Mbeti
Trungu im
Me degë të zhveshura.
Era dredh degët me forcë.

Degët dredhin trungun gjer në tokë.
***
Trungu im plot miza.
Mizat hanë kalbësirën trungore.
Po përparon kalbësira…
Rrufetë frikësojnë frikën.
Vetëtimat i përcëllojnë vetullat trimërisë .
Trimëria me vetulla të përcëlluara ikën dhe ikën.
***
Trimëri
Futi krahun frikës.
Jepi dorën!
Vetëtimë bandite me shtiza flake.
Rrugë kriminale me krisma:
Rrufera pa humanizëm, kulturë.
Vetëtima injorante!
Përvëloni majat e lisave.
Kurseni shkurret dhe kaçubet me përkulje galante.

Bubulloni bubullima budallaqe,
Servile të vetëtimave!
Stuhira
Me flokët gaforre.
Dallgë
Në panik!
Sulmojnë
Apo ikin të thyera
Dallgët me vrap?
Në shekuj ato sulmojnë brigjet,
Dhe brenda brigjeve mbeten prapë?
***

Po ai shkëmb pse qan?

Është Niobea që qan?
Le të pëlcasë së qari mburravecja!
Sfidohet perëndesha Latonë?
Ç’iu desh Niobesë të sfidonte perëndeshën.
Humbi fëmijët sfidantja mitike për pak sfidë.
Edhe ti perëndesha Latonë,
Nerone paske qenë…
Vriten gjashtë vajza.
Vriten shtatë djem?

Edhe vajzën që i le gjallë qyqes Niobe
Dyllë të verdhë ia bëre, ia le,
Frika që i kalle
E zverdhi
Atë…
***
Brenda meje,
Dashuria.
Një Dashuri
E padashura ime,
Si s’më deshe, moj dashuri
Si s’më dashurove kurrë
Dhe kë mua,
Që marrëzisht desha
Dh ҫmendurisht të dua!
U shtire ti
Apo unë
U shtira me ty?

S’të desha unë?
Po
Më akuzon?
Më duaj më mirë
Më dashuro më mirë
Moj dashuria ime e dashur, dashuromë!
***
Ju veshët e mi pa timpan jeni kështu,
I dëgjoni apo s’i dëgjoni uturimat.
Gjëmimet,
Bubullimat?
***
Po ju sy
Pa bebëza jeni,
Ç’ bëhet rreth e rrotull
Shikoni apo nuk e shikoni
Ju dhëmbë pa nervë,
Ju pret nxirja!
Si,
S’ më besoni?!
***
Gjuha shkretëtirë, me kokrriza rëre.
Me fjalë të zhuritura,
Të thata
Si rërë Sahare!
Fjalë lakuriqe shtrirë mbi rërën e gjuhës,
Mendimet kërrusen në tru.
Ka mendime pa fjalë?
Pyet memecët!
M’u tha gjuha për një syth fjale,
M’u tha fjala për një lule mendimi,
M’u thanë mendimet për idera të reja.
Idetë
I mori uria
Për pak filozofi.
Mjerë memecët:
Kanë etje,
Kanë uri
Për një fjalë…
Ej, memecëria ime, memecëri!
***
Po filozofia
Pse më duhet?
Hahet si buka?
Pihet si uji?
I merret erë si lules,
Vishet si xhaketë,
Si pallto në stinën dimërore?
Mbathet si këpucët?
Vishet si shall
Në kohëra
Dëbore,
Mbjell, korr, shin, gatuan, ajo vallë?

Filozofia
Një
Xhungël.
Më trembin tigrat, luanët,
Më helmojnë kobrat,
Më tallin majmunët,
Më përqeshin papagajtë:
Më çjerrin macet e egra e xhunglës së saj.

***
Brenda vetes
Kam
Jetë
Dhe
Vdekje.
Pa jetë s’ka vdekje…
Vdekja
Është
Skifteri,
Ujku, luani.
Jeta është zogu, kaprollja, fazani, dreri…!
***
Ka
Zogj
Pa skifterë?
Ka skifterë pa zogj?
Ka drerë pa luanë?
Ka luanë pa drerë?

***
Flaka
I duhet drurit,
Apo druri, flakës?
Shuhet
Flaka
Apo digjet druri?

Po zjarrin kush na e solli, kush na e pruri?
***
Kur s’ka korrent,
Na rri varur xixëllonja si llambë vajguri,
Kur jeta bëhet e përjetshme.
Vdekja
Bëhet e vdekshme.
Lamtumirë moj vdekje e vdekshme!

Përshëndetje ty jetë e përjetshme…!

1991-2017