Materiali që po botojmë është një studim i sintetizuar dhe thuajse shterues mbi historinë e Çamërisë nga origjina deri në ditët e sotme nga historiani i mirënjohur Profesor Pëllumb Xhufi.
Ky material botohet për herë të parë dhe i plotë me vijim në disa numra në gazetën ‘DITA’ për të sqaruar një nga çështjet që ka ngjallur më shumë polemika në marrëdhëniet shqiptaro-greke
“Pas shek. XIV, përveçse me emrin “kontinent” (terra ferma) apo me emrin gjithëpërfshirës “Albania”, Çamëria përfshihej ndonjëherë nga të huajt edhe nën emrin arkaizant “Epir”. Por ky emër, të shumtën e herës nënkuptonte krejt Shqipërinë, dhe jo vetëm Epirin historik”
Prof. Pëllumb Xhufi, 6 korrik 2016
Vendi dhe populli
Në kohët antike, Çamëria quhej Thesproti dhe banorët e saj thesprotë. Thesprotët ishin një nga 14 fiset epirote të përmendura në shek. IV p. e. r. nga Theopompi. Bashkë me kaonët e mollosët, ata përfaqësonin fiset më të mëdha e më të fuqishme të Epirit. Historianë të antikitetit, si Tuqididi, Straboni, Polibi e të tjerë, i dallojnë thesprotët bashkë me fiset e tjera epirote si fise “barbare”, d.m.th. jo-greke. Tuqididi konsideron si zonë tranzitore që ndante botën helene nga ajo “barbare” gjirin e Ambrakisë. Vendi i amfilokëve, në skajin jugor të Gjirit të Ambrakisë, përfaqësonte në kohën e tij një zonë kalimtare nga bota “barbare” në botën greke. Në fakt, Tuqididi flet si për amfilokë “barbarë”, ashtu edhe për amfilokë të tjerë të helenizuar. Të tillë ai konsideronte banorët e Argosit, të cilët tashmë flisnin gjuhën greke, që e kishin mësuar nga kolonët helenë të qytetit fqinj të Ambrakisë. Gërmimet arkeologjike provojnë se kultura materiale e zbuluar në Epir në periudhën parahistorike dhe historike, lidhet qartësisht me një popullsi jo-greke (N. G. L. Hammond).
Gjetjet arkeologjike të kryera në rrethet e Sarandës e të Gjirokastrës, në tumat (kodërvarret) e Dropullit të Sipërm, në Vodhinë, Bodrishtë, Kakavi, në Mashkullorë, në kalanë e Ripësit e sidomos në qytetin e vjetër të Jermës flasin për një unitet kulturor të kësaj treve me trevat në veri të saj. Enët e baltës dhe në përgjithësi inventari arkeologjik i atyshëm ka ngjashmëri të madhe dhe i përket të njëjtës kulturë ilire si ajo e gjetur në Vajzë të Vlorës e në Mat (S. Islami, Dh. Budina). Nga ana e tyre, të dhënat gjuhësore, edhe pse të kufizuara, provojnë se fiset e Epirit të quajtura nga autorët antikë si “barbare”, i përkisnin etnosit ilir (J. E. Thunmann, F. Bopp, P. Kretschmer, E. Çabej). Kjo vlen me siguri për thesprotët, që banonin territoret e Çamërisë moderne (G. Ë. Leibniz, Th. Mommsen, G. Von Hahn).
Siç u theksua më sipër, Gjiri i Ambrakisë shënonte fundin e habitatit ilir dhe fillimin e “Greqisë”. Në shek. IV p. e. s., Pseudo-Skylaksi do të pohonte se “pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen…Këndej fillon Hellada që vazhdon pa ndërprerje gjer tek lumi Peneus”. Po në shek. IV p. e. r., Efori i Cymos pohonte se “Akarnania shënon fillimin e Greqisë, pasi nga krahu i perëndimit është ajo që takon e para me fiset epirote”. Epirotët nuk morën pjesë në luftrat e grekëve me persianët në shek. V p.e.r. dhe asnjë prej fiseve të tyre nuk u ftua në takimin panhelenik të organizuar nga Perikliu, përveç qytetit të Ambrakisë, që ishte koloni greke. Megjithatë, nga Greqia e mirëfilltë (Graecia proprie dicta) dhe sidomos nga kolonitë helene, si Ambrakia, vihet re një ndikim i madh i kulturës helene, sidomos në elitat e shoqërisë epirote. Një burim i vonë i shek. I, Plutarku, flet për interesimin e madh të Tarypës, kreut të fisit të Molosëve në shek. IV p.e.r, për shkrimin, kulturën dhe ligjet greke.
Shekujt e fundit të epokës klasike, ata të antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme u karakterizuan edhe në Epir nga ngjarje dramatike, siç ishin pushtimi romak dhe dyndjet barbare. Megjithatë, bilanci etno-gjeografik që bënin autorët e shek. XII-XV nuk ndryshonte nga ai i autorëve antikë. Gjiri i Ambrakisë, në jug, dhe malësitë e Pindit në lindje ndanin, sipas tyre, botën greke nga bota ilire apo, siç quhet gjithnjë e më shpesh tani, bota shqiptare. Kështu, sipas historianit bizantin, Georgios Akropolites, “malet Pirine ndajnë Epirin e Vjetër e të Riun nga toka greke”. Me “malet Pirine” Akropoliti kupton pikërisht malet e Pindit. Rreth një shekull më vonë, historiani tjetër bizantin, Joan Kantakuzeni, flet për fiset e Malakasëve, Buave dhe Mazarakëve, që ai i quan qartazi si “shqiptare” (Albanoì). Këto fise ai i vendos në malësitë jugore të Epirit dhe i karakterizon me fjalën “abasileutoi” (që nuk njohin autoritetin mbretëror).
Interesant është, që historiani grek i antikitetit, Tuqididi, i kishte karakterizuar me të njëjtën fjalë “barbarët Kaonë e Thesprotë” (barbaroi dè Kaones abasileutoi…kai Thesprotoi abaseutoi). Një lidhje shumë interesante të historisë etnike të këtyre trevave në periudhën antike dhe në atë mesjetare e bën edhe një dokument bizantin i fillimit të shek. XV, i ashtuquajturi “Panegjirik i Manuel Paleologut”. Ky, pasi numuron emrat e fiseve ilire që e banonin Epirin në kohët antike (etolët, akarnanët, amfilokët, kasiopët, dolopët, ambrakiotët, atamanët, thesprotët, molosët e kaonët), shton se “edhe tani, i gjithë ai vend banohet nga shqiptarët, që janë farë ilire” (Albanoi illyrikon genos).
Në kohë të mesme, emri Thesproti u la në harresë, si shumë emra të tjerë të periudhës antike. Por edhe emri Çamëri do të shfaqet relativisht vonë, në periudhën e sundimit osman (shek. XVIII). Deri atëherë, kjo trevë jugore e Epirit antik, u thirr me emra ndryshëm. Ne njohim vetëm emra të përdorimit zyrtar, ndërkohë që emrat e përdorimit popullor nuk arrijnë të shfaqen në dokumentacionin e kohës. Duke filluar nga shek. VIII e deri në shek. XII, Thesprotia antike (Çamëria moderne) ishte pjesë e provincës bizantine, të quajtur Thema Nikopolis. Pas shek. XII e deri në shek. XV ajo u përfshi në kufijtë e Despotatit të Artës. Megjithatë, brenda themës së Nikopolit e Despotatit të Epirit, midis shek. VIII-XV, territoret e Çamërisë së sotme përmenden me një emër të vetin, Vagenetia.
Në kuadrin e themës së Nikopolit, Vagnetia përbënte një nënndarje administrative të rangut të katepanikut ose kartularatit (catepanikium, chartularato de Vagenetia). Në kohën e Despotatit të Artës, pas vitit 1204, Vagnetia u ngrit në rangun e një theme, dhe drejtohej nga një dukë. Emri Vageneti mbijetoi deri në shek. XV. Por qysh nga fundi shek. XIV, nga Venecianët, zotër të Korfuzit, territoret e Vagenetisë përballë quheshin shpesh me emrin e papërcaktuar terra ferma (kontinent). Në ndonjë rast të rrallë, autoritetet veneciane të Korfuzit e quajnë Vagenetinë me emrin që përdornin banorët grekë të Korfuzit, “stere” (viti 1414: super ipsam stariam per oppositum dicte nostre insule Corphoy).
Më 1395, udhëtari venecian Nicolao Martoni e përdor fjalën terra ferma për viset në fjalë, por duke sqaruar se ato përfshiheshin në kufijtë e Shqipërisë (terra firma, que est Albania). Edhe më vonë, më 1436, një dokument venecian e quan Vagenetinë “provincë e Shqipërisë përballë Korfuzit” (provinciam Albanie oppositam Corfoy). Një portulane greke e shek. XVI e quan Shqipëri (Arbania) edhe pjesën e kontinentit etolo-akarnan, në jug të Gjirit të Artës, deri në derdhjen e lumit Akeloos, pranë Gjirit të Patrasit. Por, edhe duke pranuar se Etolo-Akarnania ishte një territor ku nuk mungonin ngulime shqiptare të mbishtresuara në kohë të ndryshme, shtrirja e termit “Albania” deri në dalje të Gjirit të Patrasit, nuk duket të jetë aq shumë rezultat i një “shtrirjeje etnike”, se sa i një shtrirjeje politike përtej Epirit historik nga ana e sundimtarëve shqiptarë Shpata, në shek. XIV-XV.
Pas shek. XIV, përveçse me emrin “kontinent” (terra ferma) apo me emrin gjithpërfshirës “Albania”, Çamëria përfshihej ndonjëherë nga të huajt edhe nën emrin arkaizant “Epir”. Por ky emër, të shumtën e herës nënkuptonte krejt Shqipërinë, dhe jo vetëm Epirin historik. Në 1579, Carlier de Pinon shkruante se “Arbëria në kohët e vjetra thirrej Epir” (Albanie, qu’anciennement l’on nommoit Epyrus). Pak më vonë, kartografi hollandez, J. Laurenberg, do të sqaronte: Epirus hodie in vulgo Albania (Epiri, sot në gjuhën popullore thirret Arbëri). Po ashtu, në 1578 Zuan Contarini, Proveditor e Kapiten i Korfuzit, shkruante se Korfuzi nga e djathta kufizonte me krahinën e Otrantos, kurse nga e majta me Shqipërinë (e dalla sinistra con l’Albania).
Nga shek. XVII e deri në shek. XIX, tek të huajt Çamëria shfaqet edhe me emrin specifik “Shqipëri e Poshtme” (Loëer Albania, Basse Albanie, Bassa Albania, Kato Allvania). “Shqipëri e Poshtme” e quan Çamërinë edhe autori shqiptar i shek. XVII, Pjetër Bogdani, nga Shqipëria e Veriut, dhe po ashtu arbëreshi i Italisë, Gavril Dara (shek. XIX). Në mënyrë sporadike ky emër vazhdon të përdoret deri në vitet e para të shek. XX. Por, qysh prej shek. XVIII, në gjuhën popullore dhe dora-dorës edhe në atë të kultivuar, për këtë trevë jugore të Epirit historik kishte filluar të mbizotëronte përdorimi i emrit Çamëri (Ciamurià, Chamouri, Tschamuria).
Deri në shek. XIII, burimet e pakta historike nuk japin përcaktimin etnik të banorëve të Shqipërisë e Poshtme. Dijmë që metropoliti i Naupaktit në fillim të shek. XIII, Joan Apokauku, quhej “ilir” në një letër që i dërgonte Georg Bardhani (Bardanes), prelat epirot e mik i tij. Në vitin 1210, në marrëveshjen e despotit të Artës, Mihal I Engjëll me dogjin e Venedikut, Pietro Zian, bëhet fjalë për një bashkëpunim të tyre kundër korfiotëve dhe shqiptarëve (Albanenses). Paskëtaj, shqiptarët përmenden gjithnjë e më shpesh si banorë të Vagenetisë e të gjithë Epirit. Këtë e bëjnë në mënyrë konstante dokumentat veneciane të shek. XIV-XVIII dhe po ashtu burimet spanjolle, napoletane, franceze e papale.
Shqiptarët janë protagonistë të historisë së kësaj treve edhe në veprën historike të Joan Kantakuzenit (shek. XIV) dhe në kronikat e vona bizantine, “Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tocco-ve”, që të dyja të fillimit të shek. XV. “Kronika e Tocco-ve”, kur përshkruan udhëtimin e Carlo Tocco-s më 1411 nga brigjet e Pargës deri në Janinë nëpërmjet Mazarakut e Paramithisë, thotë se në të gjithë këtë itinerar atij iu desh të përshkojë “vendet shqiptare” (ta Allvana). Gjithashtu, sipas së njëjtës kronikë, për të shkuar me ushtri nga Janina kundër Jakup Shpatës, në Artë, Carlo Tocco “çau mes përmes vendeve shqiptare” (eskise ta Allvana na kateve eis ten Artan).
Në 28 gusht 1553, bajliu e proveditor i përgjithshëm Donato Malipiero e quan gjithë brezin bregdetar përballë Korfuzit, nga Porto Palermo në Fanar (Akeront) me fjalët “riviera d’Albanesi” (riviera d’Albanesi…, che è da Palormo fin al Fanaro).
Historia
Antikiteti
Në kohën e Tarypës (shek. IVp.e.r), Molosët fituan një rol mbizotërues midis fiseve epirote. Më përpara këtë rol e kishin patur Kaonët. Tarypa futi në zotërim të tij edhe Dodonën, e cila deri atëherë i përkiste Thesprotëve. Në kohën e Alketës, djalit të Tarypës e sidomos të pasardhësit të tij, Aleksandrit, Thesprotët dhe gjithashtu Kaonët ranë përfundimisht nën pushtetin e Molosëve, duke i shtrirë zotërimet e tyre deri në bregdet. Në forcimin e dinastisë molose luajti rol edhe aleanca me Filipin II të Maqedonisë, aleancë e forcuar nga martesa e këtij të fundit me vajzën e Aleksandrit, Olympian. Por, kjo aleancë u kthye në një sovranitet të vërtetë të mbretërve të Maqedonisë mbi Epirin, sidomos pas ardhjes në fronin e Maqedonisë të mbretit Aleksandër i Madh, bir i Filipit II dhe i Olimpias. Megjithatë, shtypja në vitin 317 p.e.r., e një lëvizjeje antimaqedone e krerëve epirotë, e detyroi Aiakidin e Molosisë, bashkë me djalin e tij të mitur Pirron, të strehohej tek Glauku, prijësi i fisit të madh ilir të Taulantëve.
U desh të kalonin disa vjet, deri sa më 296 p.e.r., Pirrua hypi në fronin nga i cili ishte privuar i jati i tij. Pasi e forcoi pushtetin e vet mbi fiset epirote, në vitin 280 p.e.r., Pirrua u hodh me ushtri në Itali, duke shfrytëzuar kërkesën për ndihmë që i drejtoi atij qyteti i Tarantos, atë kohë në konflikt me Romën. I përforcuar nga ndihma ushtarake dhe 20 elefantë dërguar nga Ptolemeu II Filadelfi, mbret i Egjyptit, Pirrua i theu romakët në betejën e Erakleas (280 p.e.r.). Me epirotët u bashkuan edhe popullsitë italike të Lukanëve, Brutëve, Mesapëve dhe disa qytete koloni greke të Italisë së Jugut (Magna Graecia), si Krotona e Lokri. Vitin tjetër Pirrua invadoi Apulinë dhe u ndesh për herë të dytë me ushtrinë romake në Asculum.
Kësaj Pyrrhus_Kingdom_of_Epirusradhe fitorja ishte e rëndë edhe për vetë fitimtarin, Pirron e Epirit, i cili humbi aty pjesën më të mirë të ushtrisë. Sipas Plutarkut, pas fitores së Asculit, Pirro deklaroi se “edhe një tjetër fitore si kjo dhe jemi të mbaruar”. Nga ky episod mori jetë edhe shprehja “fitore e Pirros”. Në vitin 278 p.e.r. Pirros iu drejtuan për ndihmë kolonitë greke të Sicilisë, të cilat atëherë kërkonin të çliroheshin nga sundimi i Kartagjenasve. Në të njëjtën kohë edhe Maqedonasit, të cilët kishin humbur mbretin e tyre Ptoleme Keraunos, i ofruan Pirros fronin e tyre. Por Pirrua preferoi të vazhdonte aventurën e tij në Itali dhe pasi kaloi ngushticën e Mesinës, u hodh në Sicili.
Fillimisht ushtria e tij shënoi suksese kundër forcave të Kartagjenës, duke i zbrapsur ato drejt bregdetit. Por përpjekjet për pushtimin e kështjellës kartagjenase Lilybaeum nuk patën sukses për mungesë të një flote, të cilën Pirrua vendosi ta ndërtojë, duke ngarkuar me taksa e angari popullsinë vendase. Një gjë e tillë e armiqësoi atë me vendasit, gjë që u shfrytëzua nga Kartagjenasit për të filluar një ofensivë të tyre kundër ushtrive epirote. Ndërkohë, në Italinë e Jugut, me përjashtim të Tarantos, romakët kishin ripushtuar të gjitha vendet e mara nga Pirua në fillimet e fushatës së tij. Në këto kushte, Pirrua vendosi të kthehej në kontinentin italian. Gjithmonë sipas Plutarkut, në çastin e largimit nga Sicilia, Pirrua iu drejtua komandantëve të tij me fjalët: “Tani, miqtë e mij, këtu tani e kanë radhën të ndeshen Kartagjenasit dhe Romakët”, duke paralajmëruar kështu shpërthimin e luftrave punike mes Romës e Kartagjenës.
Ndërkohë, pozitat e romakëve në Italinë e Jugut ishin forcuar, dhe beteja e fundit e ushtrive të Pirros me ta, në Benevento (275 p.e.r) nuk përfundoi me fitoren e asnjerit prej ndërluftuesve. Në këto kushte, Pirrua vendosi të lerë Italinë e të kthehej në atdhe. Megjithë humbjet e mëdha në njerëz dhe shpenzimet e jashtzakonshme të fushatës italike, Pirrua theu në brigjet e Vjosës ushtrinë e mbretit maqedon Antigon II Gonata dhe mori njëherësh edhe fronin e Maqedonisë. Paskëtaj, në 272 p.e.r. ai tentoi pa sukses të pushtojë Peloponezin, por ndeshi në një rezistencë të ashpër në Spartë. Gjatë tërheqjes drejt veriut ai humbi edhe djalin e tij, Ptolemeun, dhe, siç rrëfen Plutarku, në luftimet e zhvilluara në rrugët e qytetit Argos, ai vetë u godit rastësisht nga një gur i hedhur nga një grua plakë dhe humbi ndjenjat. Një ushtar armik ia behu atë çast dhe i preu kokën mbretit të famshëm të Epirit.
Pas vdekjes së Pirros, pasardhësit e tij nuk qenë në gjendje të mbajnë lart lavdinë molose. Sistemi mbretëror u eliminua dhe i fundmi i dinastisë së Ajakidëve, Deidameia, përfundoi i vrarë nga një kryengritje popullore. Tashmë, u rrit roli i Kaonëve dhe i Thesprotëve dhe tre fiset më të shquara epirote u lidhën me styre me një sistem federativ. Qëndra e lidhjes epirote u zhvendos në Finiqin e Kaonëve. Në krye të lidhjes ishte një strateg, që kishte komandën supreme të forcave të lidhjes. Ai zgjidhej nga mbledhja e popullit (ekklesia ton Epeiroton), e cila vendoste gjithashtu për luftën dhe paqen dhe krijimin e aleancave të jashtme, përveçse vendoste për gjyqet politike. Megjithatë, lidhja epirote nuk mundi të fitojë fuqi të madhe, ajo madje as nuk mundi të përfshijë të gjitha trevat e banuara nga fiset epirote. Në konfliktin e ri mes Romës dhe mbretit Perseus të Maqedonisë, lidhja epirote u bashkua me këtë të fundit. Por në betejën e njohur të Pydna-s (22 qershor 168 p.e.r.) aleatët pësuan një disfatë të rëndë nga konsulli romak, Paulus Aemilius, i cili u hakmorr duke shkatërruar 70 qytete epirote dhe duke skllavëruar 150 mijë burra. Paskëtaj, lidhja epirote pushoi së ekzistuari.
(Vijon)
Nesër do të lexoni:
– Mesjeta: Nga thema e Nikopojës në despotatin e Artës
– Sundimtarë shqiptarë në Epir
– Çfarë thotë “Kronika e Janinës” për despotin serb të Janinës me nofkën “Thoma shqiptarovrasësi”
Komentet janë mbyllur.