ÇAMËRIA: Rënia nën sundimin osman dhe islamizimi (III)

2
1401

DitaProf. Pëllumb Xhufi, 8 korrik 2016

(Vijon nga numri i kaluar)

Ndryshe nga paraardhësi i tij famëkeq, despoti Esau u përpoq të vendoste marrëdhënie të mira me shqiptarët e qytetit të Janinës dhe me shqiptarët e tjerë të rrethinave. Por konfliktet me despotin Shpata nuk u shuan, dhe këtyre iu shtuan edhe ato me sundimtarin tjetër shqiptar, Gjon Zenebishin, i cili po shtrinte sundimin e tij në Vageneti, duke i mbyllur despotit të Janinës daljen në det. Në vjeshtë 1386, Gjon Zenebishi mori Sajadhën, të njohur për kriporet e saj. Në fortesë ndodhej një garnizon me ushtarë venecianë, që u zunë rob dhe që Zenebishi ua shiti turqve. Ky fakt krijoi një konflikt të ashpër me Republikën e Venedikut, që pikërisht atë vit kishte shtënë në dorë Korfuzin dhe që pretendonte se edhe vija bregdetare e Vagenetisë ishte nën jurisdiksionin e Korfuzit. Fuqizimi i Zenebishit shqetësoi edhe Esau Buondelmontin e Janinës, i cili nuk pa rrugëdalje tjetër përveç asaj të bashkëpunimit me turqit. Më 1386 ai ishte tashmë vasal i Sulltanit dhe me ndihmë të Turqve, më 1387 mundi t’i rrëmbejë Gjon Zenebishit Sajadhën me kriporet e saj. Për të siguruar mbrojtjen e tyre, Esau fortifikoi fortesën e braktisur të Kastrisë. Por Zenebishi e mori përsëri Sajadhën, kur më 1389 despoti Esau u gjend përsëri i rrethuar në Janinë nga forcat e Gjin Bua Shpatës.

Ndihmat e ardhura nga qeveritari serb i Thesalisë, Joasaf, dhe sidomos nga turqit, e çliruan edhe një herë tjetër Janinën nga dara e rrethimit të Shpatës. Konflikti pafund mes dy rivalëve duket se u zbut më 1396, kur, pas vdekjes së gruas së parë, serbes Maria Angelina, despoti Esau vendosi të martohet me vajzën e Gjin Bua Shpatës, Irenën. Burimet historike lëvdojnë bukurinë dhe virtytet e gruas së re të zotit të Janinës. Por, nëse kjo martesë qetësoi marrëdhëniet e tij të trazuara me sundimtarin tashmë plak të Artës, mbetej i hapur konflikti tjetër i ashpër me sundimtarin tjetër të Epirit shqiptar, Gjon Zenebishin. Të dielën përpara Pashkëve, më 5 prill 1399, Esau vendosi t’i japë një goditje përfundimtare Zenebishit. Pasi mblodhi ushtarë nga të gjitha viset nën pushtetin e tij, ku bënin pjesë edhe shumë shqiptarë nga Malakasi, Mazareku, Papingji, Zagori i Madh e Dropulli, Esau mori drejtimin drejt veriut dhe u ndal në Dhivër, afër Mesopotamit. Por këtu ai u sulmua papritur nga forcat e Gjon Zenebishit. Ushtria e tij u shpartallua keqas, ndërsa vetë despot Esau u zu rob nga fitimtari shqiptar.

Disfata e Esaut dhe zënia rob e tij prej Gjon Zenebishit u bë një çështje e rendit të ditës në kanceleritë e dy anëve të Adriatikut. Një përfaqësi e Firences, ndërmori një udhëtim për në Venedik, dhe prej andej në Korfuz e më tej në Gjirokastër, për të realizuar lirimin e despotit të Janinës, pinjollit të një prej familjeve më fisnike të Firences. Në favor të lirimit të despotit Esau ndërhyri edhe Senati i Venedikut, i cili i bashkangjiti delegacionit nga Firencja edhe një ambasadorin e vet, bartës të një letre të atij Senati për Gjon Zenebishin. Për të njëjtën çështje, Komuna e Firences i dërgoi atë kohë një letër edhe sundimtarit tjetër shqiptar të Epirit, “princit të ndritur, zotit Shpata, despot i Romanisë” (illustri principi et domino domino Spatae, despoto Romaniae). Komuna e Firences, që e kishte Esaun qytetarin e vet, shpresonte shumë tek roli i Gjin Bua Shpatës në zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke qenë se ai ishte njëherësh vjehrr i Esaut dhe i Gjon Zenebishit (quum utriusque socer sitis, vestrum sit generos inter se componere). Më në fund, Esau Acciaiuoli u la i lirë të largohej nga burgu i Gjirokastrës, kundrejt pagesës së 10 mijë dukateve ari.

Viti 1399 solli zhdukjen nga skena të një protagonisti të historisë së Epirit në gjysmë-shekullin e fundit. Gjin Bua Shpata vdiq dhe vendin e tij e zuri i vëllai, Sguro Bua, që deri atë kohë kishte qeverisur territoret Shpatajve në Etolo-Akarnani, me qendër në Angelokastron. Por nuk kaluan vetëm pak muaj dhe një personazh, përndryshe i panjohur, që kronikat e kohës e quajnë Bokoi, sulmoi Artën dhe e pushtoi atë. Kronika e Janinës e identifikon Bokoin me një term hibrid, serboshqiptarobullgarovllahu, tregues ky i simbiozës etnike që ekzistonte në malësitë në lindje të Epirit nga ku vinte ky personazh enigmatik. Brenda vitit 1400, Bokoi mori Pargën dhe Fanarin. Paskëtaj, Sguro Bua u tërhoq në Naupakt, nga ku vazhdoi të qeveriste zotërimet e tij të Etolo-Akarnanisë. Megjithatë, vetëm pas një viti, nipi i tij, Muriq Shpata u hakmorr mbi Bokoin, duke ua kthyer Artën Shpatajve dhe duke vrarë uzurpatorin. Nga ana e vet, Venediku përfitoi për të ripushtuar Pargën e Fanarin, ku vendosi garnizonet e veta.

Ndërkohë, Gjon Zenebishi, vazhdonte të mbante pjesën më të madhe të Shqipërisë së Poshtme, me Gjirokastrën, Delvinën e Vagenetinë. Por, nga momenti që më 1386 Republika e Venedikut mori Korfuzin, deri atëherë zotërim napoletan, brigjet e Vagenetisë hynë në planet e saj të pushtimit. Atë vit, nipi i Zenebishit, Riccardo de Altavilla, baron Korfiot e kështjellar i Butrintit, ia dorëzoi kështjellën Venecianëve. Po më 1386 venecianët morën në dorëzim Sajadhën. Por vetëm pas ndonjë viti, Sajadha u mor në befasi nga despoti i Janinës, Esau Buondelmonti. Për një moment u duk se midis Zenebishit e Venedikut u krijua një aleancë kundër Esaut. Më 1394 Gjon Zenebishi bashkë me kontin Lanza, një tjetër sundimtar në Shqipërinë e Poshtme, i ndihmuan venecianët për të ndërtuar mure e forcoma në vendin e Ksamilit, duke dërguar aty mjeshtra muratorë e lëndë të parë. Fortifikimi i Ksamilit ishte një nyje e rëndësishme për të ndalur zbritjen e turqve drejt Butrintit. Por marrëdhëniet me Venedikun e me qeveritarët venecianë të Korfuzit ndryshuan pas vitit 1399, kur Zenebishi shpartalloi dhe zuri rob despotin italian të Janinës. Qeveritari venecian i Korfuzit e shfrytëzoi disfatën e despotit të Janinës dhe, pas ndonjë viti, zhdukjen nga skena e uzurpatorit Bokoi, për të shtënë në dorë qytetin e Pargës, kështjellën Vilichi dhe skelën e Fanarit, në derdhje të lumit Akeront (1401). Në përgjigje, Gjon Zenebishi sulmoi dhe pushtoi Sajadhën dhe kriporet e saj, duke zënë rob ushtarët venecianë që i ruanin, të cilët ua shiti turqve. Zoti shqiptar vuri menjëherë në punë kriporet e Sajadhës, ku, siç thonë burimet,“prodhohej kripë me shumicë e me pak shpenzime”.

Çështja e Sajadhës i rëndoi marrëdhëniet mes Venedikut dhe sundimtarit të Shqipërisë së Poshtme. Zenebishi pretendonte se Sajadhën e kishte trashëgim nga të parët e tij. Në 7 korrik 1401, Senati i Venedikut i drejtohej Gjonit, të cilin me atë rast e quan “sundimtar në Shqipëri” (Jonius Genebesi, dominus in Albania), duke pretenduar se Sajadha ishte veneciane, pasi ai vend i përkiste jurisdiksionit të Korfuzit, dhe nga momenti që Korfuzi u bë venecian, edhe Sajadha me kriporet e saj duhet t’i kalonte Republikës së Shën Markut. Nga këndvështrimi i Venedikut, kriporet e Sajadhës konkuronin fort kriporet e Korfuzit duke dëmtuar interesat veneciane. Për këtë arsye, qeveritari venecian i Korfuzit u urdhërua të shtinte në dorë, me të mirë apo me të keq, kullën e Sajadhës, të quajtur Bastia, sepse “ai që zotëronte kullën, zotëronte edhe kriporet” (quia habendo turrim, habebuntur saline). Në përgjigjen e vet, Zenebishi u bënte të qartë venecianëve se çështja e Sajadhës ishte për të çështje lufte a paqe. Prandaj u kërkonte venecianëve “ta linin të qetë të prodhonte kripë në ato kripore, pasi kripa ishte buka e tij” (quod ipse possit habere panem suum quetum scilicet dictas salinas, et facere salem). Në këto kushte, venecianët vendosën ta sulmojnë ushtarakisht Sajadhën, gjë që e bënë në fillim të vjeshtës së vitit 1401. Pushtimi i saj i kushtoi humbje të shumta Republikës, e cila paskëtaj e rrafshoi për tokë kullën (Bastian) dhe i rrënoi përfundimisht kriporet e Sajadhës.

Shpartallimi i turqve osmanë prej mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402, ndikoi si kudo që edhe në Shqipërinë e Poshtme për një farë kohe të ruhej statu quo-ja. Megjithse dinamik e i vendosur, pasardhësi i Gjin Bua Shpatës, nipi i tij Muriqi Shpata, nuk mundi të ruajë zotërimet e trashëguara nga gjyshi. Tani atij i duhej të luftonte në katër fronte, kundër despotit të Janinës, kundër Carlo Tocco-s së Qefalonisë, kundër Turqve e kundër Venecianëve, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me Shpatajt e tjerë, përfshirë edhe Sguro Buan, nuk ishin ndër më të mirat. Më 1403, Sguro Bua vdiq pasi kishte humbur shumë nga kështjellat e tij, që i kaluan zotit të Qefalonisë, Carlo Tocco-s. Djali i tij, Pal Shpata, humbi kështjellën e Angelokastrës që Carlo Tocco e mori me miratimin e Venedikut (1407). Po bëhej gati t’u dorëzonte turqve edhe Naupaktin, por Venediku, nxitoi t’ia blejë atë me të holla sundimtarit shqiptar.

Ndërkohë, në Janinë, despoti Esau i Janinës, pasi kishte ndarë më 1402 gruan e tij, Irena Shpatën, vajzë e Gjin Bua Shpatës, lidhi kurorë me një tjetër princeshë shqiptare, Eudokia Balshën, vajzë e Gjergj Balshës së Shkodrës. Kur despoti Esau vdiq, më 1411, banorët shqiptarë të fshatrave përreth dhe ata të qytetit, u ngritën të kërkonin ardhjen e një qeveritari shqiptar. Muriqi Shpata dhe Gjon Zenebishi mbërritën përpara mureve të Janinës në përpjekje të merrnin më në fund qytetin e shumëdëshiruar. Por paria serbo-bizantino-italiane e Janinës, nga frika se Eudokia mund t’ia dorëzonte Janinën sundimtarëve shqiptarë, ia ofruan qytetin kontit Carlo Tocco të Qefalonisë. Nën presionin e tyre Eudokia u largua dhe për pak kohë u strehua tek Gjon Zenebishi, përpara se të kthehej bashkë me fëmijët në veri të Shqipërisë. Carlo Tocco hyri në Janinë në 1 prill 1411 dhe menjëherë përgatiti luftën kundër zotërve shqiptarë të Artës e të Gjirokastrës. Ashtu si paraardhësit e tij, edhe Carlo Tocco u mbështet kryesisht në forcën ushtarake të krerëve shqiptarë të pakënaqur, që kishin braktisur Shpatajt e Zenebishin. Nga ana e tij, Gjon Zenebishi, që tashmë ishte autoriteti kryesor mes zotërve shqiptarë të Shqipërisë së Poshtme, u kërkoi ndihmë atyre. Shpatajt, Muzakajt dhe sundimtarë të tjerë, aleatë e kushërinj të Zenebishit i dërguan atij forca ushtarake. Kur në fillim të vitit 1411 Carlo Tocco u nis me ushtri kundër zotit të Gjirokastrës e Vagenetisë, ky e priti i në luginën e Kranesë. Ushtria e Carlo Tocco-s u shpartallua keqas nga ushtria e Gjon Zenebishit dhe pothuaj gjithë komandantët e saj ranë në duart e shqiptarëve.

Pas disfatës së Kranesë, Tocco-s nuk i mbeti veçse të lidhej me turqit dhe të shpresonte të përfitonte nga grindjet mes vetë krerëve shqiptarë. Duke konsideruar si hallkë të dobët Muriqi Shpatën, ai ushtroi presion mbi Artën, duke e sulmuar atë si nga veriu (Janina), ashtu edhe nga ishujt e Jonit dhe nga Vonica, zotërimi i tij në Gjirin e Artës. Gjatë viteve 1412-1414 Carlo Tocco pushtoi një sërë pozicionesh përreth Artës. Siç u theksua më sipër, më 1407 ai i mori Pal Shpatës kështjellën e Angelokastrës, qendrën historike të Shpatajve të jugut. Po atë vit, Venediku bleu prej Pal Shpatës kështjellën strategjike të Naupaktit. Shpatajve u mbetej vetëm Arta, qendra e dikurshme e despotit Gjin Bua Shpata. Më 1414 vdiq Muriqi Shpata, dhe vendin e tij në Artë e zuri i vëllai, Jakubi, që ndërkohë ishte konvertuar në islam. Ky u përpoq të zgjerojë territorin përreth Artës, duke ripushtuar fortesat e humbura nga i vëllai. Por, në një përpjekje për të rimarrë fortesën e Vomblianas, më 1 tetor 1414, Jakubi mbeti i vrarë. Carlo Tocco e pushtoi më në fund edhe Artën duke ribashkuar nën skeptrin e vet pothuaj gjithë territoret e despotatit të dikurshëm të Artës. Në këtë mënyrë mori fund zotërimi i Shpatajve në Epir e në Etolo-Akarnani. Pamundësia e Gjin Bua Shpatës dhe e pasardhësve të tij për të marrë Janinën rezultoi fatale për fatet e këtij zotërimi.

Ndërkohë ishte zgjidhur edhe konflikti i gjatë midis Republikës së Venedikut dhe zotit të Vagenetisë, Gjon Zenebishit, për çështjen e Sajadhës. Në 1413 Sajadha qeverisej nga një kapiten venecian, i emëruar nga bajliu i Korfuzit. Nga ana e tyre, osmanët rifilluan të ushtrojnë presion mbi zotërimet e Zenebishit në Vageneti, shpesh herë të mbështetur nga despoti Carlo Tocco i Janinës. Në korrik 1414 sebastokratori Gjon Zenebishi i kërkoi Senatit venecian të mund të rekrutonte 30 balistarë venecianë për të mbrojtur kështjellat e veta nga turqit. Po atë vit, Zenebishi kërkoi të blejë disa prona në Korfuz me qëllim që të vendosej aty me familjen, në rast se turqit do pushtonin zotërimet e tij. Në tetor 1418, pas një rrethimi që zgjati disa muaj, i biri i Gjonit, Simoni, ia dorëzoi Gjirokastrën komandantit osman, Hamza Beut, dhëndër i Carlo Tocco-s së Janinës. Një muaj më parë, Gjon Zenebishi, që ishte strehuar në pronën e tij në Korfuz, u pranua qytetar venecian nga Senati. Pas vdekjes së Carlo Tocco-s, më 1430 edhe Janina iu dorëzua pa luftë një ushtrie osmane, të komanduar nga Sinan Pasha.

Më 1431 osmanët krijuan “sanxhakun shqiptar” me qendër Gjirokastrën, që përfshinte territoret nga Kruja, në veri, deri në rrjedhën e lumit Kalamas, në jug. Regjistri përkatës i hartuar atë vit, shënonte feudet (timaret) si dhe shumën e të ardhurave që nxirrej nga çdonjeri prej tyre. Sanxhaku ndahej në vilajete dhe në njësi më të vogla administrative, nahije. Edhe pse ishte regjistruar vetëm një pjesë e vogël e saj, Vagenetia (Çamëria) emërtohet aty si vilajet, njëlloj si vilajeti i Gjirokastrës, Kaninës, Këlcyrës etj. Ky regjistrim i parë shënoi vendosjen e sundimit osman në Shqipëri dhe shfronësimin e klasës feudale vendase. Ai shkaktoi një valë kryengritjesh, më e madhja e të cilave ishte ajo e Gjergj Arianitit, më 1433. Vatra e saj ishte në malësinë e Kurveleshit, ku ushtria e sanxhakbeut Ali Bej Evrenozi u shpartallua keqas.

Pas dy vjetësh në viset e Gjirokastrës shpërtheu një tjetër kryengritje. Për ta drejtuar atë erdhi nga Korfuzi Depë Zenebishi, i biri i Gjon Zenebishit. Kryengritësit rrethuan kryeqendrën e sanxhakut, por një ushtri e drejtuar nga qeveritari i Thesalisë, Turhan Pasha, i zuri kryengritësit në befasi duke bërë kërdinë mbi ta. Vetë Depa u zu rob dhe u ekzekutua nga turqit. Mbeturinat e kryengritësve u tërhoqën drejt jugut, dhe nëpërmjet Çamërisë u hodhën me varka në Korfuz. Lidhur me ta, midis autoriteteve veneciane të Korfuzit dhe qeveritarit osman të Çamërisë, vojvodës Isak, lindi një konflikt, që zgjati disa vjet. Më 1436, qeveritari turk vazhdonte të kërkonte kthimin e të ikurve nga Çamëria (Vagenetia), të cilët ishin të nevojshëm “për ta populluar atë provincë të shkretuar dhe për të vënë në kulturë tokat e braktisura” (redirent in destructam provinciam ad habitandum et laborandum).

Në fakt, edhe pse pushtimi osman solli një depresion ekonomik e demografik, pas disa vjetësh Çamëria duket se e kishte marrë veten. Mbi të gjitha dëshmohet një rritje e madhe e prodhimit të grurit, i cili në ato kohë luftrash kërkohej shumë. Ishulli i Korfuzit i plotësonte nevojat e tij në drithra me importet që mbërrinin tërësisht nga stereja shqiptare (terra ferma dalla quale si riceve l’intiero alimento). Autoritetet veneciane të Korfuzit përpiqeshin të tërhiqnin të gjitha eksportet në ishull, nëpërmjet kontratave të shitjes që nënshkruanin çdo vit me qeveritarët osmanë të Çamërisë. Një pjesë e tyre përcillej për në Venedik. Por në vitin 1444 autoritetet veneciane ankoheshin se në skelat e Igumenicës, Pargës, Nistës, Vilikit, Fanarit ishin dukur anije të mëdha të huaja, të cilat transportonin ngarkesa me grurë drejt destinacioneve të tjera. Veçanërisht aktivë dhe konkurrues po tregoheshin në ato anë tregtarët e Raguzës, të cilët e blinin grurin nga prodhuesit shqiptarë me dy aspra më shumë se korfiotët. Për ta frenuar këtë trafik, Senati i Venedikut urdhëroi që çdo anije e huaj me kapacitet mbi 70 stare e ngarkuar me grurë në limanet e Çamërisë, duhej të kthehej domosdoshmërisht në Korfuz për t’u pajisur me licencë. Përndryshe, ngarkesa do konsiderohej kontrabandë dhe do të sekuestrohej.

Ndonëse larg vatrës së ngjarjeve, Çamëria nuk mbeti pa u ndikuar nga kryengritja e madhe shqiptare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe qëndresa e tij antiosmane. Në vitin 1454, një pinjoll i Zenebishëve, Simon Zenebishi u arratis nga oborri i Sulltanit dhe u vendos në fortesën e Strobilit, afër Sajadhës, prej nga ku vendosi lidhje me Mbretin e Napolit, Alfonsin V. Në 26 gusht 1455, mbreti Alfons V iu drejtua me një letër “burrit të shkëlqyer Simon Zenebishi, zot i Strobilit në Arbëri, besnikut tonë të dashur” (Magnifico viro Simoni Gimbixi, domino castri Villari in Albania, fideli nostro dilecto). Prej saj mësohet se pak kohë më parë, djali i Simonit kishte shkuar te mbreti, dhe në praninë e tij ishte pagëzuar në kishë me emrin Alfons (vostro figlio, messer Alfonso Gimbixi, lo quale mediante divina gracia havemo facto baptizare). Kuptohet, që Simon Zenebishi dhe i biri, Alfonsi, kishin kaluar në islam gjatë kohës që jetonin në oborrin e Sulltanit.

Një vit më vonë, në 26 qershor 1456, mbreti Alfons i Napolit i shkruante Skënderbeut, duke i rekomanduar atij Simon Zenebishin, i cili, bashkë me gjithë vasalët e tij, “ishte i gatshëm t’i shërbente Zotit dhe mbretit” (haber per recommandato lo magnifico Simoni Gimbisi e soy vassalli, ha servicio de dio e ad nuy multo caro). Letrën e përcolli tek Skënderbeu fra Johan Clevere, këshilltar i Alfonsit V, i cili u ndal edhe në Strobil, ku bisedoi me Simon Zenebishin. Po atë vit, Simon Zenebishi kërkoi ndihma nga Mbreti Alfons i Napolit, si dhe nga Papa Kalisti III. Ky i fundit, në përgjigjen e tij të 5 dhjetorit 1456, e inkurajonte zotin shqiptar në qëndresën e tij kundër turqve. Por në të njëjtën kohë e njoftonte atë, se e kishte të pamundur t’i dërgonte ndihma, për shkak të shpenzimeve të shumta që Kisha bënte për të mbajtur ushtritë në frontin hungarez dhe flotën në Mesdhe. Megjithatë, Papa siguronte se u kishte shkruar sovranëve të Evropës për ta ndihmuar Zenebishin.

d) Periudha osmane
Përpjekjet e Simon Zenebishit e të djalit të tij, Alfonsit, ishin të fundit që u bënë në funksion të ringritjes së zotërimit të dikurshëm të familjes. Vdekja e Skënderbeut dhe rënia e kështjellave të Krujës e të Shkodrës, përcaktoi përfundimisht edhe fatin e principatave jugore shqiptare. Me rënien e tyre, Republika e Venedikut u gjend nën goditjen direkte të osmanëve, të cilët kërkuan të pushtojnë edhe zotërimet e saj në bregdetin shqiptar të Jonit. Kështu, në 1454 e 1455 turqit sulmuan Pargën, Butrintin, Strovilin e Riniasën. Falë bashkëpunimit me popullsinë e këtyre vendeve, venecianët mundën t’i mbajnë këto zotërime, madje më 1463 u shtuan atyre edhe Himarën, Sopotin (Borshin), Arillën e Agian.

Ashtu si në gjithë trevat e tjera shqiptare, pushtimi osman shkaktoi edhe në Çamëri valë emigracioni drejt Greqisë, ishujve të Jonit e drejt Italisë, që prekën shtresat e larta të shoqërisë por edhe masat e thjeshta. Megjithatë, regjistrimet e para osmane të shek. XV-XVI dëshmojnë për mbijetesën e qyteteve dhe të vendbanimeve rurale në atë krahinë. Defteri i Delvinës dhe ai i Janinës i vitit 1583 provojnë karakterin shqiptar të Çamërisë e të zonave të tjera në lindje të saj, në sanxhakun e Janinës. Në fakt, pjesa dërrmuese e emrave të regjistruar aty i përket antroponimisë tipike shqiptare: Gjin, Mark, Martin, Dedë, Gjokë, Pal, Belush, Kurtes, Nikë, Gjon, Laskë, Kondo, Muzhak, Dimo, Kuka, Gegë, Buban, Lekë, etj. etj. Por, të dhënat provojnë se shqiptarët mbanin gjithashtu edhe emra të fondit të krishterë, më së shumti ortodoks, të ngjashëm me grekët e vllehët. Kështu, në një dokument të 10 qershorit 1562 të hartuar në Korfuz përmenden disa banorë të ikur nga fshatra të Çamërisë e të strehuar në atë ishull, të cilët cilësohen që të gjithë si “shqiptarë”. Kështu, nga fshati Vrohonà përmenden Georg Bufi, Reci Greveniti, Jessera Parlo, Llazar Grevenioti, Andalica. Nga Leftehori: Nik Gjokomuni, Jani Kurteshi. Nga Senica: Stelio Petribunxa, Dimo Kondi, Jan Tusha, Stamat Jani, Gumë Bosi, Jorgo Armuri, Mizzi. Nga Shëngjoni i Ri: Jani Kakoj, i biri i Serbishit. Nga Dobra: Peleshi, Paliari, Kurteshi Sanga. Nga Agià: Jan Dima, Jani Janaka. Nga Glloboçari: Pal Lupari. Nga Kuçi: Niko Dima, Stamati Qesari, Pal Serbisha.

Pas mposhtjes së qëndresës shqiptare, nga fundi i shek. XV, pushtuesit osmanë bënë një organizim të ri të territoreve të jugut. Në kuadër të tij, një rol kryesor fitonte sanxhaku i Vlorës, jurisdiksioni i të cilit përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme deri poshtë në Prevezë. Aty nga mesi i shek. XVI u bënë ndryshime të tjera, duke krijuar sanxhakun e ri të Delvinës, i cili, përveç rrethit të Delvinës e Kurveleshit, përfshiu pjesën më të madhe të Çamërisë, me Parakallamin, Mazarakun, Margëlliçin, Paramithinë, Pargën e Frarin. Sanxhaku tjetër i rëndësishëm, ai i Janinës, shtrihej drejt jugut, duke përfshirë Artën e Prevezën me rrethet e tyre. Megjithatë, sanxhakbeu i Vlorës e ruajti edhe paskëtaj pozicionin e tij si “primus inter pares” midis sanxhakbejlerëve të tjerë të jugut.

I tillë ishte Piri Pasha, i cili e mbuloi disa herë postin e sanxhakbeut të Vlorës. Më 1605, dy djemtë e tij, Ali Pasha dhe Osman Pasha ishin respektivisht sanxhakbe i Vlorës dhe sanxhakbe i Delvinës dhe i Paramithisë. Por, mes dy vëllezërve, edhe kanceleritë e huaja e njihnin supremacinë e Ali Pashës në raport me të vëllain, sanxhakbeun e Delvinës, dhe me sanxhakbejlerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut. Në fakt, e konsideronin atë “komandant të të gjitha atyre trevave” (generale di tutti questi contorni). Krahu i djathtë i sanxhakbeut ishte qehajai, që qëndronte gjithnjë pranë tij. Sanxhakbejlerët e Delvinës i qeverisnin qytetet e krahinat nën zotërimin e tyre me anë të mëkëmbësve të tyre, që quheshin vojvodë. Të tillë kishte në Mazarak, Margëlliç, Paramithi, Frar (Fanar). Një vend me rëndësi në jerarkinë osmane të Çamërisë kishte emini i Bastias (Sajadhës), i cili kontrollonte trafikun e madh të mallrave që lëviznin nga ajo skelë e rëndësishme.

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
– Procesi i islamizimit në Çamëri dhe reagimet e fuqive perëndimore
– Humbja e autoritetit të Sulltanit dhe forcimi i pushtetit të krerëve vendas
– Dy misionet e murgut Kozma nga Etolia midis viteve 1767-1779 në Shqipërinë e Poshtme

Komentet janë mbyllur.