Nga Frank Shkreli
Miku im i nderuar dhe i mbijetuari i gjenocidit grek në Çamërinë martire, Z. Sali Bollati pati mirësinë të më dërgonte një kopje elektronike të librit të tij: ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE. Autori e ka botuar veprën dhe kujtimet e tija, “Në Nderim dhe Përkushtim të Përjetshëm Njerëzve më të Dashur; masakruar nga shovinistët grekë më 1944 e lënë pa varre; Me Brengë në Zemër që nuk kemi ku të vendosim tufa me lule”.
Libri — që duhet vlerëruar si një kontribut me rëndësi për kauzën e Çamërisë martire, por edhe të çështjes kombëtare në përgjithësi – është një përmbledhje artikujsh, dokumentash, fjalimesh dhe intervista të autorit, të botuara gjatë viteve nepër gazeta e portale të ndryshme në diasporë dhe në trojet shqiptare, e që kanë të bëjnë ekskluzivisht me plagën e madhe kombëtare, të quajtur ÇAMËRI.
Unë kam mësuar shumë për Çamërinë dhe për historinë e saj nga shkrimet e Z. Sali Bollati, të cilat ai gjithmonë m’i ka dërguar në postën time e të cilat i kam lexuar me shumë kujdes dhe interesim – pasi janë kujtime të një shqiptari çam, si një simbol i cili i ka përjetuar tmeret e asaj krahine shqiptare — tragjedinë dhe masakrat greke ndaj popullësisë autoktone shqiptare të Çamërisë. I lindur në Çamëri, në shkrimet e tija Z. Bollati, me fakte dhe bazuar në përvojën e tij dhe të çamëve të tjerë, shpreh dashurinë dhe ndjenjat e thella për Çamërinë e tij dhe tonën – por njëkohësisht thekson edhe tradhëtinë që i është bërë Çamërisë dhe popullësisë së saj martire shqiptare, duke filluar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, por edhe nga klasa politike post-komuniste e këtyre 30-viteve të fundit, përfshir përfaqsuesit e sotëm të historiografisë komuniste shqiptare dhe qëndrimeve të tyre ndaj çështjes mbarë-kombëtare, por sidomos ndaj historisë së vërtetë të Çamërisë dhe të masakrave dhe tragjedive ndaj popullësisë civile çame nga autoritetet shoviniste kriminale greke të viteve të Luftës së dytë Botërore – përfshirë vrasjen dhe eliminimin madje edhe të disa anëtarëve të familjes së vet autorit, varret e të cilëve nuk dihen as sot, sipas tij.
Z. Bollati ia kushton librin historisë dhe kujtimeve të asaj Çamërie – atij vendi, “Aty kam thithur ajrin e pastër të malit dhe flladin e ngrohtë të detit. Aty kam pirë qumështin e nënës dhe kam marrë dashurinë prindërore … Të lumtur, shumë të lumtur, jetonim në shtëpinë tonë të madhe, mbi bregore të lulëzuar plotë me ullinj qindravjeçarë e dhjetëra pemë fiku, poshtë Kalasë së vjetër Ajdonate, duke soditur para vetes gjithë qytetin e bukur të Paramithisë (ose më shqip Parmëthi, siç e thotë bashkëvendësi N. Stilo), deri larg në fushat e begata. Midis ullinjve e fiqve të panumërt, mbi barin e gjelbër e livadhet e pranë Kullës mesjetare të Bollatatëve – (monument i kulturës historike të qytetit), pranë kopshtijeve të lulëzuara, luanim me vëllezërit e motrat si edhe me kushërinjtë e fqinjët. Në lodra nuk dalloheshim në ishim myslimanë apo të krishterë, por kush ishte më i shkathti e më i zoti, Ferhati apo Koçoja, Mihali apo Rexhepi.
Autori Sali Bollati me veshje kombëtare
Por erdhi një ditë e zezë për ne, barbarët shovinistë grekë, mbasi na vranë prindërit-njerëzit më të dashur e të shtrenjtë, si bisha iu vërsulën banesave, rrëmbyen gjithçka, i dogjën ato, dhe si i masakruan e vranë njerëzit, neve, mbi 200 veta, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, na mbajtën në burg 6 muaj dhe na përzunë me dhunë. Shtëpitë e pronat fillimisht i grabitën, dhe i përvetësuan pronat tona stërgjyshore… Mrekullisht unë shpëtova; fati më solli po në Shqipërinë Nënë, me statusin e jetimit u rrita fillimisht me familjen e Daj Muhametit me Tezet dhe pastaj në jetimore, e konvikte etj. Zoti më dha forcë të mbijetoj, më dha vullnetin të mësoj, më dha drejtimin drejt edukimit më dha dashurinë për njerëzit; por mbi të gjitha më ruajti në memorie dhe thellë në zemrën time përjetimet e ditëve të tmerrshme të atij vendi, ku qesha dhe qava, por që për mua mbetet thesari im, që do t’jua lë amanet nipërve e mbesave, kushërinjve dhe miqve të vërtetë Shqiptarë”, shkruan Sali Bollati.
Ndërsa, disa ditë më parë u përkujtua në Prishtinë përvjetori i një masakre tjetër kundër shqiptarëve – për nga përmasat po aq e tmershme sa edhe tragjedia çame — po afrohet muaji i qershorit që Çamët dhe të gjithë Shqiptarët kujtojnë viktimat e pafajshme të masakrave të viti 1944 kundër shqiptarëve çamë nga forcat gjakatare të gjeneralit grek Zervës, kryesisht, fëmij, pleq e gra. Të dy këto krime ndaj shqiptarëve, janë krime kundër njerëzimit dhe padrejtësi të mëdha ndaj Kombit shqiptar dhe duhet të konsiderohen si të tilla.
Përgënjeshtrimi i këtyre masakrave dhe mos ballafaqimi me të kaluarën — qoftë nga Evropa ose Athina, qoftë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare — sado e tmerrshme që të jetë ajo, jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe njëkohësisht kërcënon zhvillimin normal të marrëdhënieve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit. Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë me të përditshmen greke “Kathimerini”, në fillim të mandatit të tij të parë, duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur se, “ ‘Acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke…Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe popujt tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e cila gjithashtu ecën shumë shpejt”. Fjalët e Sali Bollatit në këtë libër na kujtojnë se “acari” në marrëdhëniet greko-shqiptare, të pakën përsa i përket çështjes çame, fatkeqsisht, nuk ka marrë fund.
Libri i autorit Sali Bollati, “ÇAMËRIA, KRAHINA MË JUGORE E TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE”, është një kontribut me rëndësi kujtese, por edhe një përpjekje drejt zbulimit të së vërtetës, nga një dëshmitar i atyre ngjarjeve të tmershme. Është gjithashtu një thirrje që Athina zyrtare të pranojë, më në fund, të vërtetën e masakrës ashtu siç ka ndodhur dhe të shpërnguljeve me forcë të popullsisë çame nga trojet e veta — si një përpjekje ndaj pajtimit midis dy popujve, bazuar në respektimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të çamëve. Ashtu si edhe në rastin e Masakrës së Tivarit dhe masakrave të tjera kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta – edhe Çamëria thrret, nepërmjet librit të Z. Bollati, për vendosjen e drejtësisë historike dhe të zbulimit të së vërtetës. E vërteta dhe drejtësia për krimet në Çamëri do të kontribojnë për ndërtimin e urave të pajtimit midis dy vendeve dhe njëkohësisht, do të kontribojnë edhe ndaj paqës dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.
Sali Bollati, si njëri prej viktimave që mbijetuan tragjedinë e Çamërisë, vazhdon të jetë zëri i atyre të cilët ndoshta nuk dëgjohen më, ndërkohë që bën thirrje njëkohësisht, që krime të tilla të tmerrshme, si tragjedia e Çamërisë dhe e Tivarit – krime këto që lirisht mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit — të mos përsëriten më në trojet shqiptare, as nga dora e të huajit e as nga dora shqiptare kundër shqiptarit, por të kujtohen gjithmonë e të mos harrohen kurrë! Heshtja ndaj krimeve të tilla, qoftë mbrenda Shqipërisë, qoftë jashtë, do të thotë miratim të krimeve të tilla. I jemi mirënjohës Z. Sali Bollatit që nuk hesht për ato që din e që ka përjetuar vet dhe njëherazi falënderojmë Zotin që i ruajti atij memorien, shëndetin dhe jetën e gjatë që i ka falur atij, me qëllim që edhe ai ashtu si At Zef Pllumi, të jetojë vetëm për me tregue.