ÇAMËRIA: Islamizimi dhe valët e emigracionit drejt Greqisë dhe Italisë (IV)

2
1430

Përgjithësisht, islamizimi i një pjese të popullsisë së Çamërisë, ashtu si kudo në Shqipëri, nuk prodhoi konflikte me prapavijë fetare. Si tek të krishterët, ashtu edhe tek myslimanët ekzistonte ndërgjegjja e përkatësisë së njëjtë kombëtare

DitaProf. Pëllumb Xhufi, 9 korrik 2016

(Vijon nga numri i kaluar)

d) Periudha osmane
Përpjekjet e Simon Zenebishit e të djalit të tij, Alfonsit, ishin të fundit që u bënë në funksion të ringritjes së zotërimit të dikurshëm të familjes. Vdekja e Skënderbeut dhe rënia e kështjellave të Krujës e të Shkodrës, përcaktoi përfundimisht edhe fatin e principatave jugore shqiptare. Me rënien e tyre, Republika e Venedikut u gjend nën goditjen direkte të osmanëve, të cilët kërkuan të pushtojnë edhe zotërimet e saj në bregdetin shqiptar të Jonit. Kështu, në 1454 e 1455 turqit sulmuan Pargën, Butrintin, Strovilin e Riniasën. Falë bashkëpunimit me popullsinë e këtyre vendeve, venecianët mundën t’i mbajnë këto zotërime, madje më 1463 u shtuan atyre edhe Himarën, Sopotin (Borshin), Arillën e Agian.

Ashtu si në gjithë trevat e tjera shqiptare, pushtimi osman shkaktoi edhe në Çamëri valë emigracioni drejt Greqisë, ishujve të Jonit e drejt Italisë, që prekën shtresat e larta të shoqërisë por edhe masat e thjeshta. Megjithatë, regjistrimet e para osmane të shek. XV-XVI dëshmojnë për mbijetesën e qyteteve dhe të vendbanimeve rurale në atë krahinë. Defteri i Delvinës dhe ai i Janinës i vitit 1583 provojnë karakterin shqiptar të Çamërisë e të zonave të tjera në lindje të saj, në sanxhakun e Janinës. Në fakt, pjesa dërrmuese e emrave të regjistruar aty i përket antroponimisë tipike shqiptare: Gjin, Mark, Martin, Dedë, Gjokë, Pal, Belush, Kurtes, Nikë, Gjon, Laskë, Kondo, Muzhak, Dimo, Kuka, Gegë, Buban, Lekë, etj. etj.

Por, të dhënat provojnë se shqiptarët mbanin gjithashtu edhe emra të fondit të krishterë, më së shumti ortodoks, të ngjashëm me grekët e vllehët. Kështu, në një dokument të 10 qershorit 1562 të hartuar në Korfuz përmenden disa banorë të ikur nga fshatra të Çamërisë e të strehuar në atë ishull, të cilët cilësohen që të gjithë si “shqiptarë”. Kështu, nga fshati Vrohonà përmenden Georg Bufi, Reci Greveniti, Jessera Parlo, Llazar Grevenioti, Andalica. Nga Leftehori: Nik Gjokomuni, Jani Kurteshi. Nga Senica: Stelio Petribunxa, Dimo Kondi, Jan Tusha, Stamat Jani, Gumë Bosi, Jorgo Armuri, Mizzi. Nga Shëngjoni i Ri: Jani Kakoj, i biri i Serbishit. Nga Dobra: Peleshi, Paliari, Kurteshi Sanga. Nga Agià: Jan Dima, Jani Janaka. Nga Glloboçari: Pal Lupari. Nga Kuçi: Niko Dima, Stamati Qesari, Pal Serbisha.

Pas mposhtjes së qëndresës shqiptare, nga fundi i shek. XV, pushtuesit osmanë bënë një organizim të ri të territoreve të jugut. Në kuadër të tij, një rol kryesor fitonte sanxhaku i Vlorës, jurisdiksioni i të cilit përfshinte gjithë Shqipërinë e Poshtme deri poshtë në Prevezë. Aty nga mesi i shek. XVI u bënë ndryshime të tjera, duke krijuar sanxhakun e ri të Delvinës, i cili, përveç rrethit të Delvinës e Kurveleshit, përfshiu pjesën më të madhe të Çamërisë, me Parakallamin, Mazarakun, Margëlliçin, Paramithinë, Pargën e Frarin. Sanxhaku tjetër i rëndësishëm, ai i Janinës, shtrihej drejt jugut, duke përfshirë Artën e Prevezën me rrethet e tyre. Megjithatë, sanxhakbeu i Vlorës e ruajti edhe paskëtaj pozicionin e tij si “primus inter pares” midis sanxhakbejlerëve të tjerë të jugut. I tillë ishte Piri Pasha, i cili e mbuloi disa herë postin e sanxhakbeut të Vlorës.

Më 1605, dy djemtë e tij, Ali Pasha dhe Osman Pasha ishin respektivisht sanxhakbe i Vlorës dhe sanxhakbe i Delvinës dhe i Paramithisë. Por, mes dy vëllezërve, edhe kanceleritë e huaja e njihnin supremacinë e Ali Pashës në raport me të vëllain, sanxhakbeun e Delvinës, dhe me sanxhakbejlerët e tjerë të Shqipërisë së Jugut. Në fakt, e konsideronin atë “komandant të të gjitha atyre trevave” (generale di tutti questi contorni). Krahu i djathtë i sanxhakbeut ishte qehajai, që qëndronte gjithnjë pranë tij. Sanxhakbejlerët e Delvinës i qeverisnin qytetet e krahinat nën zotërimin e tyre me anë të mëkëmbësve të tyre, që quheshin vojvodë. Të tillë kishte në Mazarak, Margëlliç, Paramithi, Frar (Fanar). Një vend me rëndësi në jerarkinë osmane të Çamërisë kishte emini i Bastias (Sajadhës), i cili kontrollonte trafikun e madh të mallrave që lëviznin nga ajo skelë e rëndësishme.

e) Islamizimi
Sipas raportit të Bajliut venecian në kryeqytetin osman, Pietro Bragadin, vezir i madh më 1526 ishte Ibrahim Pasha, një 29 vjeçar nga Parga. Ishte njeriu më i afërt i Sulltanit Sulejman i Madhërishëm, inteligjent, i kulturuar, me njohuri për filozofinë dhe njohës i ligjeve. Lexonte shumë, i pëlqenin sidomos librat historikë dhe biografitë e njerzve të mëdhenj, si të Aleksandrit të Madh e të Hanibalit. I jati i tij ishte pronar i krishterë, që u bë musliman bashkë me të shoqen me kërkesë të të birit. Nga një dokument i 29 korrikut 1533, mësojmë se babai i Ibrahim Pashës, Gjon Misoga, pasi kaloi në islam mori emrin Jonuz Aga. Babai i vezirit të gjithfuqishëm gëzonte një autoritet të madh në Pargë e në gjithë Çamërinë. Më 1529, autoritetet veneciane të Korfuzit i shkruan pikërisht Jonuz Agës, për të kërkuar ndihmën e tij në lirimin e disa marinarëve venecianë që ishin marrë rob nga disa banorë shqiptarë të Igumenicës. Bashkë me Ibrahim Pashën, person tjetër i rëndësishëm në oborrin e Sulltanit ishte Ajaz Pasha, një tjetër renegat shqiptar nga Himara.

Rasti i islamizimit të Jonuz Agës, babait të Ibrahim Pashës, ishte paraprirë nga shembuj të tjerë konvertimi të përfaqsuesve të klasës feudale shqiptare të Çamërisë. Plot një shekull më parë, kemi rastin e parë të kalimit në islam të djalit të Sguro Bua Shpatës, Jakupit. Më1467 mësojmë se i biri i Gjon Zenebishit, Hasan Beu, shërbente si subash i Fanarit, në Thesali. Më 1550 dokumentat flasin për proniarin shqiptar të fshatit Agià, mbi Pargë, me emrin Ahmet. Por, siç sqarojnë të njëjtat dokumenta, përpara se të bëhej musliman, ky proniar, që ishte nga Mazaraku, kishte qenë i krishterë me emrin Gjin Likë Kali (lo chiamavano Gini de Lica de Cali).

Nga fundi i shek. XVI, përveç parisë, procesi i islamizimit filloi të përfshijë edhe familjet fshatare. Këtë e provon rasti i fshatit të Çamërisë, Pandejlemon, i cili në regjistrimin e vitit 1583, mes shumicës së krishterë të kryefamiljarëve, kishte tashmë edhe disa syresh të kthyer në islam: Llazar Gjini, Stamo Polo, Gjin Doka, Dedë Skurra, Lekë Orta, Gjin Leka, Gjin Orta, Gjin Llamari, Nikë Dhimo, Dodë Qesari, Dhimo Nika, Gjin Nikolla, Kolë Dhima, Polo Leka, Dyrmish Hyseni, Ahmet Bosi, Gjin Dhimo, Nikë Gjoni, Gjin Ogora, Gjon Gjini, Nikë Gjero, Kukë Gjini, Gjin Nika, Myslim Dyrmishi, Zhupe Qesari, Muhamed Aliu, Sinan Hyseni, Gjin Leka, Mustafa Dhimo, etj. Në fillim të shek. XVII, burimet provojnë ekzistencën në kufijtë e Çamërisë të tre fshatrave tashmë të islamizuara plotësisht: Zaravusa, Turkogranica, Turkopaluko.

Përgjithësisht, islamizimi i një pjese të popullsisë së Çamërisë, ashtu si kudo në në Shqipëri, nuk prodhoi konflikte me prapavijë fetare. Si tek të krishterët, ashtu edhe tek myslimanët ekzistonte ndërgjegjja e përkatësisë së njëjtë kombëtare. Banorët e krishterë të Pargës apo të fshatit Agià, aty afër, vazhduan edhe mandej të ruajnë marrëdhëniet e ngushta tradicionale me banorët fqinjë të Mazarakut e të Margëlliçit. Në vitin 1625, një raport venecian sinjalizonte për lidhjet e ngushta, përfshirë edhe ato familjare, që ekzistonin midis muslimanëve të Margëlliçit dhe të krishterëve të Pargës (aparentati con Turchi). Një marrëdhënie e tillë mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme nuk shihej me sy të mirë nga të huajt. Autoritetet veneciane i konsideronin ato si diçka e turpshme (che certo è gran vergogna il sentirlo). Në fakt, paragjykimet me bazë fetare bënë që fuqitë perëndimore, si Venediku e sidomos Mbretëria e Napolit, ndërsa mbështesnin lëvizjet kryengritëse antiosmane të popullsive të krishtera në Çamëri e gjetkë, nuk e bënë këtë në asnjë rast kur në kryengritje përfshiheshin fshatra muslimane.

Akoma më keq, duke ndjekur interesat e tyre të ngushta, ndodhte që të ishin pikërisht këto fuqi, që inkurajonin ndarjet dhe përplasjet mes shqiptarëve muslimanë e atyre të krishterë. Kështu, kur në vjeshtën e vitit 1555, banorët e tetë fshatrave të krishtera përreth kështjellës së Sopotit (Borshit) ngritën krye kundër vendimit të Portës për të rekrutuar jeniçerë në atë zonë, sanxhakbeu i Delvinës mobilizoi kundër tyre spahinjtë myslimanë të sanxhakut, dhe jo vetëm, por edhe disa krerë himariotë, që ishin në armiqësi të hershme me fshatrat kryengritëse. Gati një shekull më vonë, më 1658, autoritetet veneciane të Korfuzit nxisnin banorët e fshatrave të krishtera të Delvinës, të Lëkursit, Nivicës, Shën Vasilit etj., që të sulmonin fshatrat fqinje muslimane “për t’u hakmarrë” (per vendetta) për disa dëme që u kishin shkaktuar më parë këto të fundit.

Venecianët ishin të interesuar ta mbanin ndezur këtë konflikt, i cili e detyronte sanxhakbeun e Delvinës të hiqte dorë nga fushata e tij e programuar kundër zotërimeve veneciane të Butrintit e të Pargës. Për këtë qëllim, Proveditori venecian i Korfuzit, Lorenzo Sagredo, i furnizonte atë kohë me armë e municione fshatrat e krishtera, duke shkelur edhe paktet e nënshkruara me autoritetet osmane. Në një raport të tij të 20 nëndorit 1658, Sagredo i përcillte plot ngazëllim Senatit lajmin se “shqiptarët e Lëkursit e të Nivicës vazhdonin të përgjakeshin me muslimanët përreth” (continuano gl’Albanesi di Licursei e Nivizza ad insanguinarsi con Turchi circonvicini) dhe se ai priste e shpresonte që në ditët e ardhshme, në ato vise “të ndizte një zjarr të atillë, që vështirë se do mund të shuhej” (e spero accendere à quella parte un fuoco, che con difficoltà potrà esser estinto). Duke nxitur konflikte të tilla në Shqipëri, Venecianët shpresonin të tërhiqnin aty forca të konsiderueshme turke nga fronti kryesor i luftës veneto-turke, që atë kohë ishte fronti i Kretës.

f) Kryengritje antiosmane, shek. XV-XVIII
Në vitin 1714, në prag të një ofensive të re të osmanëve, strategu prusian, marshalli von Schulemburg, i ngarkuar nga Republika e Venedikut të organizonte mbrojtjen e Korfuzit dhe të zotërimeve të tjera veneciane në sterenë shqiptare, raportonte se suksesi i operacioneve kundër osmanëve varej shumë nga masa e përfshirjes në to e shqiptarëve (poiche da loro dipenderà la più parte dell’opera). Këta, shkruante Schulemburg, një mijë herë kanë refuzuar të paguajnë taksat dhe një mijë herë turqit kanë dështuar në përpjekjet e tyre t’i nënshtrojnë. Arsyeja, sipas marshallit prusian, qëndronte në virtutet luftarake të shqiptarëve dhe në terrenin e thyer malor të vendit, që nuk lejonte angazhimin e ushtrive të mëdha. “Kjo rrethanë e favorshme”, përfundonte raportin e tij marshalli von Schulemburg, “i dha zemër dikur edhe Kastriotit të famshëm t’i bëjë ballë Mehmedit II” (Questo bene lo riconoscono dalla vantaggiosa loro situazione montuosa: quella che diede animo anco al famoso Castriotto di far fronte a Mohamet II).

Në fakt, historia nën sundimin osman e trevave të Çamërisë, së bashku me ato të Kurveleshit e të Himarës, përshkohet nga valë të parreshtura kryengritjesh popullore, nga njera anë, por edhe rebelimesh komandantësh e dinjitarësh vendas kundër Portës së Lartë, nga ana tjetër.

Një kryengritje e madhe në Çamëri dëshmohet që në vitin 1486. Atë kohë në krye të sanxhakut të Vlorës kishte ardhur Sinan Pasha, i cili ushtronte pushtetin epror deri poshtë në Artë. Ky i kishte zënë vendin sanxhakbeut Komnen Arianiti, i biri i Gjergj Arianitit emëruar aty nga Bajaziti II. Në nëndor 1486 Sinan Pasha ndërmorri një ekspeditë ndëshkuese në Çamëri, “ku plaçkiti gjithë vendet e shqiptarëve, që nuk njihnin as pushtetin e Sulltanit, as atë të Venedikut” (et scorsezò tuto el paese di Albanexi che non erano suditi ne a lui ne a nui).

Në 27 korrik 1532, Kapiteni i Përgjithshëm e flotës veneciane, Vincenzo Capello, raportonte se ditë më parë, rreth 100 kalorës turq ishin ngjitur mbi fshatrat shqiptare mbi Pargë (in alcune ville de Albanesi di sopra la Parga) për të mbledhur detyrimet. Por, banorët, pasi i lanë turqit të futeshin në fshatrat në fjalë, u bllokuan rrugën e tërheqjes duke shembur edhe urën. Paskëtaj, i rrethuan dhe vranë 50 prej tyre e zunë rob pjesën tjetër.

Në prill 1554, një revoltë e banorëve shqiptarë të Arillës (Albanesi della Rilla), përfundoi me vrasjen e vojvodës së Margëlliçit. Ngjarja shërbeu si fitil për t’i dhënë zjarr pakënaqësisë së përgjithshme. Në vitin 1556, në kryengritje ishin përfshirë të gjitha viset nga Margëlliçi në Delvinë dhe Sulltani u detyrua të dërgojë ushtri të madhe për shtypjes e saj. Në 21 maj 1570, një flamburar i dërguar nga Porta u duk me ushtri në anët e Igumenicës për të ndëshkuar shqiptarët e atyshëm (per mal trattar Albanesi), që refuzonin të dorëzonin detyrimet.

Në tetor 1555, banorët e fshatrave rreth kështjellës së Sopotit, me të dëgjuar që sanxhakbeu i Delvinës ishte nisur me ushtri për të mbledhur djemtë e tyre e për t’i dërguar jeniçerë, u bashkuan dhe vendosën të hidheshin në kryengritje. Kundër tyre, sanxhakbeu i Delvinës nisi një pararojë me 60 kalorës të udhëhequr nga vojvoda i Delvinës. Kryengritësit e lejuan kolonën të futet nëpër grykat e kontrolluara prej tyre, dhe pastaj e sulmuan duke vrarë shumë kalorës, përfshirë edhe vetë vojvodën. Lajmi i kësaj disfate e bindi sanxhakbeun “se ky popull nuk mund të shtrohej as me zjarr e as me hekur” (conoscendo il sanzacho che questa nation non è da dominar cum il ferro). Ai hoqi dorë nga çdo veprim i mëtejshëm dhe u mjaftua me premtimin e kryengritësve se do lironin robërit e zënë gjatë fushatës së fundit.

Në 21 maj 1570, një flamburar i dërguar nga Porta u duk me ushtri në anët e Igumenicës për të ndëshkuar shqiptarët e atyshëm (per mal trattar Albanesi), që refuzonin të dorëzonin detyrimet.

Në shkurt 1605, me të marrë vesh vrasjen e sanxhakbeut të tyre në luftën e Hungarisë, banorët muslimanë të Delvinës u ngritën për t’u hakmarrë ndaj keqtrajtimeve që kishin pësuar prej tij në të shkuarën (per vendetta di certi disgusti ricevuti prima dal Bassà predetto). Të revoltuarit sulmuan kullat e sanxhakbeut dhe të qehajait të tij. Ndërkohë, i vëllai i sanxhakbeut të vrarë, Osman Pasha, u thirr në Stamboll ku, pasi mori emërimin si sanxhekbe i ri i Delvinës, u dërgua me ushtri të shtypte kryengritjen që kishte përfshirë një pjesë të mirë të sanxhakut të Delvinës. Beteja midis trupave të pashait dhe kryengritësve u zhvillua në hyrje të qytetit. Falë epërsisë, sanxhakbeu i ri i shpartalloi forcat e paorganizuara të kryengritësve, duke vrarë më shumë se 500 prej tyre. Ekspedita ndëshkuese përfundoi me djegien e shtëpive dhe me therrjen e rrëmbimin gjithë bagëtisë së banorëve të vendit.

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
– Kryengritjet shqiptare në Çamëri dhe misioni i fshehtë i Jeronim Kombit
– Përplasja e ushtrisë e Selim Pashës me 1500 kryengritës të Paramithisë
– Dy misionet e Kozma Etolit (Shën Kozmait) në Shqipëri

Komentet janë mbyllur.