Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Ç
Gjithë ditën para shtëpisë së dajave unë dhe Tina bëmë përpjekje të bënim një kurth dhe ta vendosnim te lumi. E punuam një kurth të
thjeshtë, primitiv.
– Eh, – fola e lodhur. – Më në fund ia dolëm.
– Ç’është kjo? – qeshi Enesi.
– Është kurth për çafka, – tha Tina.
– Dëshironi të zini çafka te lumi?
– Po, – folëm me një zë unë dhe Tina.
– Këtë nuk duhet ta bëni, – tha Enesi.
– Pse, ato çafka nuk janë të askujt, – thash unë.
– Po, janë… Janë çafka të lumit. Ato nuk duhet prekur. Eja të shkojmë te lumi dhe t’i shikojmë se sa të bukura janë.
Zbritëm buzë lumit. Aty, çafkat, në ujin e
cekët – të qeta gjuanin peshk. Njëmend ishin të bukura; të bardha, shëtisnin buzë ujit, me qafë të gjatë e këmbë të gjata, me sqepa të hollë dhe secila me ca pupla të zeza në kokë.
Unë, nesër, do të kthehesha nga dajat në shtëpi; më ngacmonte një dëshirë ta merrja me vete një çafkë të tillë dhe t’ua tregoja shokëve të klasës, ngase të premten mësuam shkronjën Ç.
– Kam dëshirë ta prek njërën, – tha Tina.
– Prit pak, pra, – tha Enesi dhe nxori nga xhepi ca kokrra grurë. Iu afrua lumit. Zgjati dorën e mbushur me grurë aty-pa lëvizur, priste i qetë. Unë dhe Tina e shikonim me habi. Nuk vonoi e iu afrua një çafkë me dy pupla të verdha në xhufkë. Çafka e shikoi dhe pak me droje filloi të hajë grurë në shuplakat e Enesi. Unë dhe Tina iu afruam ngadalë.
Zgjatëm duart dhe me dashuri e preknim çafkën. Ajo me kohë ishte mësuar me Enesin dhe nuk trembej fare.
– Sa e mirë është, – thashë unë.
– Të gjitha janë të mira, – tha Enesi.
– Vetëm kjo ka pupla të verdha në xhufkë, – e shikoi Tina.
– Ndoshta është mbretëresha e tyre, – thash unë dhe e shikoja e lumtur lumin përplot me çafka.
– Çafkat e kanë vendin këtu, te ky shelg me degë të lëshuara në ujë. Unë dhe shokët e mi ka kohë që kujdesemi për to, – tha Enesi.
– A është e mundur që Dea ta marrë një çafkë, t’ua tregojë nesër shokëve të klasës, ngaqë të premten kanë mësuar për shkronjën Ç, – tha Tina.
– Do të frikësoheshin dhe do të iknin nga këtu përgjithmonë, – nxori ende grurë nga xhepi Enesi dhe i zgjati prapë shuplakat nga çafkat.
– Jo, – ia bëra unë, – jo! Nuk dua. Lumi do të mbetej shumë më i varfër pa praninë e tyre këtu.