E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Fillimisht Eqrem Çabej studioi për të pasur edhe si substancë për tezën e tij të doktoraturës kolonitë arbëreshe, dialektet dhe kulturën e tyre në Itali. Në këtë funksion është edhe ideja madhore për të konstruktuar Atlasin Gjuhësor të shqipes.
Një nga ata që i prin karvanit të aventurës studimore për De Radën është padyshim Eqrem Çabej. Një shkencëtar i klasit të parë, me një kapacitet të shkëlqyer mendor, Eqrem Çabej la gjurmë të pashlyeshme si askush tjetër në kulturën shqiptare.
Figura si Eqrem Çabej lindin shumë rrallë në histori. Profili i tij është ai i një gjiganti, ndërkohë që studiues të tjerë bashkëkohës nuk qenë asnjëherë të barabartë për nga formati kulturor dhe mendja kriticiste, e hapur dhe e paepur si e tij. Eqrem Çabej nuk u mor asnjëherë për një kohë të gjatë dhe posaçërisht për De Radën. Por atëherë, si është e mundur që unë të guxoj dhe ta quaj Eqrem Çabejin si një nga njohësit më të thukët dhe më të rëndësishëm për krijimtarinë e De Radës?
Nga pikëpamja e njohjes akribike, Çabej shfrytëzon studimet më të arrira dhe më shkencore për tërë subjektet e tij hulumtuese. Ai ka të qartë metodologjinë dhe studimin krahasimtar ku mendja e kërkimtarit dhe dijetarit krijon koordinata, për të zbuluar dhe nxjerrë nga mjegulla faktet dhe ngjarje. I pajisur kështu me instrumente moderne të kërkimit gjuhësor dhe kulturor, Eqrem Çabej në temat e tij bën zbulime, ai vëren dhe konstaton, bën ballafaqime, por kurdoherë në emër të zbulimit. Kjo e dallon atë tërë jetën. Eqrem Çabej ka një kontribut të posaçëm për folkloristikën dhe demonologjinë popullore, për mitologjinë ilire dhe shqiptare, në kontekstin e një vijimësie dhe të unitetit në diversitet.
Eqrem Çabej është i pari që ka bërë studimin e disa baladave të mëdha të arbëreshëve në raport me motivet infiltruese të eposit bizantin të njohur si Digenes Akritas. Studimet e tij për baladat arbëreshe janë një pikë e pashlyeshme referimi. Aty është çelësi i përshkrimit të veçanësive dhe të krijimit të origjinaliteteve vetjake në rastin e arketipave të baladave si në kulturën bizantine, ashtu edhe në kulturën europiane dhe shqiptare.
Pikërisht, duke u marrë me baladat, ai ka pikasur fondamentin dhe bazën e përngjasimeve dhe pllenimeve të letërsisë së kultivuar si askush tjetër. Universi i baladave përkon me lidhje të drejtpërdrejta dhe të tërthorta me krijimin e letërsisë romantike përgjithësisht.
Eqrem Çabej ka qenë i pari që ka parashtruar domosdoshmërinë e botimit të transkriptuar dhe të transliteruar të teksteve origjinale të De Radës dhe përgjithësisht të teksteve të krijuesve arbëreshë. Për fat të keq, një gjë e tillë nuk u mor parasysh për një kohë të gjatë dhe tekstet e De Radës, por edhe të Serembes, edhe të Gavril Darës etj., u dhanë në përshtatje që do t’i mbiquaja si të papërshtatura, pra u krijua një lloj “teorie” të gjoja “përkthimeve” nga arbërishtja në shqipen moderne të teksteve të botës krijuese arbëreshe.
Eqrem Çabej kishte të drejtë, ndërsa të tjerët që nuk i vunë veshin dhe nuk e morën parasysh metodën e tij shkencore krijuan shpesh një katrahurë dhe deformime të pandershme.
Megjithatë, Eqrem Çabej e ka një studim të posaçëm për De Radën, të shkruar në vitin 1964 me rastin e 150- vjetorit të lindjes së poetit. Studimi quhet “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”. Për Eqrem Çabejin, De Rada nuk është vetëm një nga njerëzit më të lartë të elementit arbëresh të Italisë, por njëkohësisht një nga ata burrat e rrallë në histori që kanë vënë një gur themeltar në tempullin e kulturës sonë. Sipas tij, De Rada e ka pasuruar literaturën tonë me një botë të re, me figura dhe motive origjinale për të synuar një ringjallje të epokës kastriotase të lirisë. Poema e Milosaos është një nga margaritarët më të ndritshëm të letërsisë sonë. Personaliteti i De Radës në temperamentin, formimin e tij mendor i kalon caqet e shkrimtarit, pra De Rada është më shumë se sa thjesht një shkrimtar.
De Rada është edhe folklorist, publicist, gjuhëtar, për të arritur në kuptimin më të lartë të fjalës dhe të simbolit të atdhetarit. Krijimtaria e De Radës ka diçka tërësore. De Rada është figura e një apostulli të idesë nacionale, por kuptimshmëria e këtij cilësimi është shumë herë më e hapur dhe më e thellë. Arbëreshët e Italisë të shkulur prej krahinave të ndryshme të Shqipërisë, a nga Morea e Poleponezit shtegtuan, patën një ekzil tragjik në sfondin e katastrofës kur pushimi osman kërcënonte lirinë e vendit të tyre.
Ata shkuan në dhe të huaj duke mbartur mbiemrat e familjeve, stemat e tyre heraldike, besimin, kostumet, vallet dhe këngët e lashta, gjithë tiparet etnografike që patën sjellë të parët e tyre më të hershëm dhe ata që jetuan si pasardhës. Ata mbartën gjuhën, e cila sipas Eqrem Çabejit është një toskërishte e një tipi më të vjetër. Gjatë disa shekujve të kërcënuar nga asimilimi ata kanë treguar një rezistencë të admirueshme për të paraqitur deri vonë një pjesë të botës shqiptare ballkanike mu në mes të jetës latine.
Pikërisht kjo është vatra e frymëzimit të shkrimtarëve arbëreshë, jeta patriarkale e katundeve arbëreshe, jeta e përditshme nëpër fusha e ara, në bregoret me ullinj e vreshta, me skenat idilike ndaj kroit. Imazhi i katundit arbëresh është një imazh emblematik dhe shkrimtarët arbëreshë e mbartën me vete atë edhe kur shkuan, studiuan dhe jetuan në qytetet e mëdha të Italisë. Në fillimet e exilit arbëresh është e kuptueshme që një numër autorë shkrimesh rindërtuan një përmbajtje fetare në prozë e në poezi, si Matrënga, Brankati, Jul Variboba. Kjo ishte si një paradhomë rituale për kultivimin e gjuhës për të përgatitur ndriçimin dhe rritjen e emrave të tillë, si De Rada, Anton Santori, Zef Serembe, Gavril Dara, Zef Sqiroi, të cilët krijuan një letërsi laike, pra institucionalizuan letërsinë në klimën ndriçuese dhe drithëruese të Romantizmit të shekullit XIX.
Për Eqrem Çabejin, idetë iluministe të Revolucionit Francez me kërkesë të lirisë, barazisë dhe të të drejtave të njeriut krijuan kushte për zbulimin e individualiteteve etnike dhe kulturore edhe të popujve të vegjël, sidomos te popujt e Europës Juglindore e te shqiptarët, ku tipi i poetit romantik nuk është si ai i poetëve të tjerë europianë të heroit të vetmuar, por tipi i këngëtarit luftëtar, i shkrimtarit të pafrikshëm dhe përhapës të idesë nacionale. De Rada në hullinë e Herderit besoi se mbledhja e folklorit arbëresh është një detyrë historike dhe afirmim. De Rada mblodhi nëpër katundet arbëreshe të krahinës së Kozencës dhe këngët dhe baladat e vjetra popullore. Kjo krijimtari orale ruante jehonën e një periudhe të Mesjetës shqiptare, e cila ka hyrë në histori me emrin “Manifestacioni Shqiptar”. Në poezitë popullore ruheshin format e jetës së Arbërit në epokën bizantine, por edhe forma më të reja, disi më të egërsuara të kohës së parë turke të vendit. Këto këngë janë një dokument i historisë shqiptare.
De Rada mendonte se këngët e mbledhura prej tij përbënin mbeturinat e një Eposi Shqiptar, madje që lidhej me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky mendim nuk ishte i drejtë, nënvizon Çabej, sikundër e vërtetoi që në atë kohë folkloristi arbëresh Dhimitër de Grazia. Por këngët popullore qenë shtrati i krijimtarisë deradiane. Kjo vihet re në trajtën e jashtme në metrikë dhe gjejmë të njëjtat vargje pa rimë, masa e të cilave nuk është numerike si në poezinë italiane, por në mënyrë thjesht shqiptare, ku ritmi bëhet i determinuar nga amshimi i aksentit dhe alternimi i gjatësive me shkurtësitë.
Si në poezinë popullore edhe në atë të de Radës hetohet kalimi i shpeshtë i pandërmjetëm nga tregimi në dialog, si të thuash nga poezia epike në dramatike. Emrat e heronjve janë marrë edhe prej këngës popullore, si Milo Shinit dhe Radovanit. Tek poema e Serafina Topisë ka motiva, skena dhe episode që përkojnë me ato të rapsodive popullore. Por Çabej me të drejtë mendon se këto ndikime nuk duhet të perceptohen thjesht si një imitim nga De Rada të poezisë burimore të popullit. Ai mori frymëzim për shumë elementë që ngjajnë të cituara, ose të huazuara, ai i ngriti në një sferë poetike më të lartë. Jo rastësisht De Rada përmend si personazhe princërit shqiptarë të Mesjetës nga qyteti i Kotorit në Veri gjeri në gjirin e Artës të Prevezës, si Zaharia, Dukagjinet, Topiat, Arianitet etj.
Eqrem Çabej ka vënë në spikamë faktin se De Rada është i pari poet i psikes femërore në literaturën shqiptare. Frymëzimi i De Radës ndërkohë ishte i drejtuar edhe në dy burime: në literaturën klasike, por edhe në atë moderne. Siç e vuri re fillimisht Gualtieri, De Rada është ndikuar nga letërsia romantike e kohës. Por, Eqrem Çabej nënvizon se “ndërkaq te De Rada shihet një horizont letrar edhe më i gjerë”. Te poemat e tij vihen re gjurmët e poemave italiane të Renesancës, sidomos të Ariostit dhe të Tassos. Personazhet turq Almazore dhe Almazire, që dalin te “Skënderbeu i pafan”, në emrat e tyre na shpien në botën arabe të Spanjës mesjetare, siç na del te Romancero i Sidit. Emri i Ajdesë që del si motra e Skënderbeut, na kujton poemat e Bajronit. Ndërkohë, Eqrem Çabej bën edhe një vërejtje tejet të mprehtë kur thotë se reminishencat e botës klasike, siç është pëllumbi i Anakreontit, por edhe motivi i Psikeas, janë të frymëzuara edhe nga “Gomari i artë” i poetit Apuleu. Ideja e Fatit (Moirat) që na shfaqet në dramën greke, sidomos te dramat e Sofokliut, është e pranishme edhe në veprat e poetit. Me të drejtë Eqrem Çabej thekson se Bibla ka lënë mbresa shumë të thella te De Rada.
Eqrem Çabej shkruan: “Ndërkaq do të vë në dukje edhe një tjetër ndikim, i pa vënë re gjer më sot. Për të mbushur skenat luftarake me skena burrash dhe grash të orientit, që duhet të dilnin aty në lagjen e osmanëve, poeti pati idenë të merrte disa motive dhe emra nga letërsia klasike e Indisë. Kështu motivi i këqyrjes së një pikture që paraqet Anmaria Kominiaten nga ana e së motrës Delia dhe të së bijës Adine te “Nata e Kërshëndellave” na kujton një skenë analoge të dramës “Sakuntala” të Kalidasës, ku mbreti Dushanta vëren një pikturë që paraqet Sakuntalën me dy shoqet e saj. Paraqitja e ngjarjeve nëpërmes tablosh të pikturuara na del edhe në të tjera vepra të De Radës. Emri i Vantisanës te libri V i poemës “Skënderbeu i pafan” shihet se është marrë nga Savantasena, heroina e dramës “Mrhakatika” të Dandinit, poeti indas i shekullit VII të erës së re.
Një tjetër emër indas është Davadasa, emri i një heroine që na del në këngën VI e VIII të “Serafina Topisë”. Te drama e Dandinit, Vasantasena hipën në stivën e druve për t’u djegur së toku me fëmijët e saj, por shpëton bashkë me të shoqin. Një skenë të tillë na paraqet De Rada te punimi i dytë i “Serafina Topisë”, ku Evoda pëson këtë vdekje të tmerrshme për hakmarrje politike të popullit. Kjo skenë mund të jetë frymëzuar së andejmi. Po ajo më anë tjetër na kujton një pamje të “Jerusalemit të liruar” të Tassos, në të cilën virgjëresha kristiane Sofronia duhet të digjet në turrë të druve së bashku me të dashurin e saj Olindo, por ndërmjetëson Klorinda për shpëtimin e tyre. Gjurmët e poezisë inde të De Radës kanë lidhje me faktin që në gjysmën e parë të shekullit XIX literatura inde kishte marrë një hov të madh në Europë, duke depërtuar kudo nëpërmes përkthimesh në gjuhë të ndryshme”.
Por kryet e vendit në krijimtarinë e De Radës e zë Milosao. Eqrem Çabej thotë se kjo poemë idilike “me frymëzim romantik, e përshkruar fund e krye me poezinë naive arkaike të rapsodive shqiptare të Italisë për karakterin e ngjeshur që ka, mbetet një nga ato fort të pakta të literaturës shqiptare që e bëjnë këtë të përfaqësohet në literaturën botërore. Nuk mungojnë ndërkaq episode madhështore për të derdhur nëpër veprat e mëpastajme të poetit. Gjithkund në këto poema ndritin vise-vise, shkëndijat e një poeti me frymëzim gjenial, arti i të cilit konsiston, në mënyrë të Rembrantit, në një qartë-errët (clair-obscur), në ndriçimin e disa pamjeve e figurave dhe lënien e disa të tjerave në errësirë”.
Komentet janë mbyllur.