Nga Zymer Mehani
Letërsisë sonë për fëmijë ia ka dhuruar edhe një libër të bukur shkrimtari ynë i njohur, Ymer Shkreli. Është ky libri me titull “Ditari i Lec Pazhecit”, njëri ndër vëllimet më të mira për fëmijë. Duke lexuar këtë përmbledhje, ju nxënës të dashur do të shihni se si erdhi në jetë Leci, personazhi i këtyre krijimeve në vargje, se ka lindur kështu siç është dhe për këtë më së paku ka faj. Pastaj do të shihni se si ka filluar të ecë Leci, personazhi i ditarit dhe kur i ka mbushur shtatë ditë, thotë ai:
“mësova të qaj mirë e shumë
si t’i kisha shtatë vjet!”
Po atë ditë ia kanë gjetur një emër
“në teshat e vjetra të babagjyshit”
Ai kur i ka mbushur katër vjet është dashuruar:
“Dashuria e parë
I ka faqet e kuqe,
Ka qenë rrumbullake,
Dukej si burbuqe.”
Në këto vargje do ta takoni Lecin në shkollë, i cili e pret plot shtatë vjet atë, por kot, më në fund, vetë ia mësyn asaj. Por atë do ta takoni edhe duke u lavdëruar, pastaj duke bërë fjalë rreth detyrave të shtëpisë, më tej kur dëshiron të bëhet burrë, kur ka dëshirë ta kishte lindur nëna mësues e jo nxënës, por atë do ta shihni edhe në hall se është i vogël.
Lec Pazhecin në këtë vëllim do ta gjeni edhe duke bërë çudi, duke ndenjur pasdite me ditët e javës, mandej ai vonohet për në mësime dhe duke ngrënë qershi ia ngreh veshin xhaxhi Vërri.
Janë të shumta vjershat që do të kenë tërhequr kurreshtjen tuaj, nxënës të dashur, e që do t’ju interesojnë edhe juve që do ta lexoni sërish këtë libër të bukur. Mirëpo, në mënyrë të veçantë dhe me dashuri do ta lexoni krijimin “Lufta e Tretë
Botërore”:
“Nuk është thënë kot:
prej kaosit u krijua kjo botë.
E kaosi?… Kaosi me gjasë prej miellit, vajit, sheqerit ose kripës.
Dhe nga gjithë ai kaos,
në këtë botën tonë ka kaq pak njerëz-
dhe kaq shumë-kaos?!”
Kështu fillon “Luftën e Tretë Botërore” autori i këtij libri dhe me këngën e pesëmbëdhjetë mbyll rrëfimin dhe kështu edhe përfundon libri.