CA FJALË PËR FORMIMIN E GJUHËS STANDARDE SHQIPE

0
2744
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Gjuha shqipe bën pjesë në grupin e gjuhëve që kanë marrë një zhvillim të hovshëm në fushë të shkrimit shumë vonë, prandaj edhe veprimtaria për formimin e gjuhës standard shqipe ka nisur mjaft vonë. Kjo vonesë ndodhë për shkak të pushtimit për një kohë të gjatë të viseve shqiptare nga të huajt, të cilët pengonin gjithsesi përparimin kulturor të shqiptarëve, si edhe zhvillimin e shkollës në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj.

Pa mohuar aspak përpjekjet e autorëve të vjetër të mesjetës së vonë, që bënë për zhvillimin e shkrimit shqip që pati një ndërprerje për një periudhë të gjatë, për të vazhduar pastaj me shkrimet me alfabetin arab dhe me shkrimet në arbërishten (nga shkrimtarë arbëreshë), të cilat nuk kishte si të luanin ndonjë rol të drejtpërdrejtë për shqipen, pavarësisht nga rëndësia e tyre, janë shkrimet e mëvonshme të Kristoforidhit e shkrimtarët e tjerë të gjysmës së dytë të shekullit XIX, që me shkrimet e tyre, me shkallën e njohjes dhe të pasurimit të shqipes, si dhe me përpunimin e saj, – krijuan parakushtet për themelimin e shqipes letrare.

Në këtë rrugë, nuk ka asnjë dyshim që, sidomos veprimtaria e shoqatave e klubeve shqiptare në atë periudhë (“Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” e Stambollit, shoqëritë “Agimi” e “Bashkimi” të Shkodrës, “Klubi i Manastirit” e ndonjë tjetër), në përpjekjet për themelimin e alfabetit të shqipes, do të shtronin edhe probleme të veçanta të shqipes letrare. Këto më pastaj do të vazhdonin me shkrimet për gjuhën shqipe nga intelektualë si Ndre Mjedja, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani e të tjerë.

Megjithëkëtë, prova e parë për të standardizuar në njëfarë shkalle gjuhën shqipe, do të bëhej në vitet 1916/17 nga Komisija Letrare Shqipe e Shkodrës, e cila, afro dhjetë vjet pas themelimit të alfabetit të shqipes në Manastir, do të arrinte të hartonte Ortografinë e parë të shqipes. Ajo komisi shtronte për të parën herë çështjen e zgjedhjes së dialektit që do të shërbente si bazë, mbi të cilën do të krijohej shqipja standarde, e cila asokohe shkruhej në dy a tri variante: toskërishtja letrare, gegërishtja e ashtuquajtur e mesme letrare (me fare pak shkrime) dhe shkodranishtja letrare.

Siç është e ditur, Ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës ishte ngritur mbi bazë të gegërishtes së mesme dhe, sado që kjo formë letrare nuk do të bëhej e vetmja, sepse do të vazhdonte përdorimi dhe lëvrimi i mëtejshëm i toskërishtes letrare, sidomos në fushë të letërsisë, dhe i shkodranishtes letrare (nga disa autorë), – do të vazhdonte të zhvillohej e të zbatohej në administratë, në tekste shkollore dhe nga disa shkrimtarë. Pas daljes nga Lufta e Dytë Botërore…, gjuha shqipe u ndodh në një situatë të re, shumë më të favorshme, qoftë falë zgjerimit të sistemit të arsimit dhe një hovi të ri që merrte letërsia dhe kultura përgjithësisht në Shqipëri, dhe qoftë falë njëfarë lirie për shkollën, arsimin e librin shqip në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, që asokohe ishin pjesë të ish-Jugosllavisë.

Në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë e në viset e tjera jashtë Shqipërisë, vazhdoi të përdorej varianti i gegërishtes së mesme letrare, kurse në Jugun e Shqipërisë dhe në institucionet qendrore politike, ushtarake, ekonomike, arsimore e të tjera – përdorej kryesisht toskërishtja letrare. Në këtë fazë të zhvillimit të kulturës kombëtare, të arsimit e të letërsisë, u shtrua kërkesa për themelimin e një forme të vetme, që do të thotë e krijimit të shqipes, që në diskutimet asokohe quhej gjuhë, herë e unjisuar, herë e unifikuar dhe më vonë e njësuar letrare.

Për këtë qëllim qenë organizuar dy sesione shkencore (1952 e 1953 në Tiranë) me rezultatin Ortografia e gjuhës shqipe e vitit 1956 dhe njësoj qe vepruar edhe në Prishtinë më 1957 e 1963, kur qenë hartuar edhe ortografi të gjuhës shqipe. Për shkallën e mbështetjes teorike e praktike të kodifikimit, dhe më pastaj të zbatimit për një periudhë, shquhej sidomos “Ortografia e gjuhës shqipe”, (Prishtinë 1964). Kjo ishte gjendja e përdorimit të variantit të gegërishtes letrare, kurse në Shqipëri përdorej kryesisht varianti i toskërishtes letrare, krahas gegërishtes -kryesisht në letërsi nga autorë të Veriut.

Në vitin 1967 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, në përpjekjet për njësimin e shqipes letrare, botoi një projekt të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes, ku për herë të parë nuk kishte forma të veçanta për toskërishten dhe të veçanta për gegërishten letrare (sikur veprohej më përpara) dhe ato rregulla u hodhën në diskutime të gjera publike – në institucione shkencore, arsimore e në qarqe letrare e të tjera, ku t’u bëheshin vërejtje ose të miratoheshin ashtu si ishin.

Edhe në Prishtinë, në një mbledhje të gjerë shkencore, e cila njihet si Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) objekt diskutimi u bënë ato rregulla me temën qendrore: të njësohej shqipja apo të vazhdonte përdorimi i variantit të gegërishtes letrare. Pas shumë diskutimesh të mbështetura, konsulta dilte me konkluzat se “populli shqiptar është një, dhe gjuha letrare shqipe duhej të ishte një, e përbashkët”.

Pasojë e gjithë këtyre veprimeve kulturore qe organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë në nëntor 1972, ku merrnin pjesë një numër i madh delegatësh – studiues, shkrimtarë, punonjës kulture e profesorë (gjithsej 87 – 11 prej të cilëve nga viset shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe dy-tre arbëreshë e të huaj). Pas një diskutimi të gjerë e të gjithanshëm të të gjitha çështjeve lidhur me shqipen letrare dhe sidomos me drejtshkrimin, aty nxirreshin konkluzat, mbi të cilat do të hartoheshin më vonë të gjitha botimet gjuhësore normative (fjalorë, gramatika e libra shkollorë) dhe kështu, merrte fund procesi i themelimit ose, më drejt, i njësimit të shqipes standarde.