BYTYÇI I BUZHALËS

0
1591
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi

Në pjesën lindore të Komànit shtrihej më parë fshati Mëtyq (Bytyç) i banuar prej një popullsie autoktone që ndër vite e braktisën këtë vend dhe emigruan në Malësinë e Gjakovës e të Hasit duke krijuar atje një emër me peshë në gjithë malësinë e veriut.

Në një relacion të vitit 1637 shkruar nga Imzot Frang Bardhi, ipeshkv i Sapës, thuhet:
“Asht Bytyçi me 9 shtëpi dhe 70 frymë, përmbi 5 milje larg Komànit i vendosur në gjirin e një mali shumë të mbrojtur prej murlanit”. (Frang Bardhi “Relacione” vol II, Tiranë, 1965, fq. 75).

Pra në këtë vit fshati Mëtyq (Bytyç) numëronte vetëm 9 shtëpi dhe fundi i shekullit XVII do ta gjente pa asnjë banor.
Në këtë kënd të mbrojtur nga erërat jetonin deri në vitin 1800 dy fshatra të njohura; Bytyçi i Buzhalës dhe Smaçi, që edhe smaçasit u larguan në një kohë me bytyçasit në drejtim të Kosovës e Hasit, ku gjenden sot disa fshatra dhe mbiemra me prejardhjen e ish origjinës.

Në këtë trevë ishte Buzhala më e përmendura e asaj kohë, që një pjesë iku në drejtim të Kosovës, por duke mbetur në fenë e të parëve dhe pjesa tjetër qëndroi në dheun mëmë.

Mendoj se një degë mjaft e madhe e Buzhalës shtegtoi në Itali në zonën e Gjenovës me emrin Busalla (Buzala). Literatura italiane nuk i jep shpjegim toponimit “Busalla” dhe prejardhjes së fjalës, kështu që mund të hamendësojmë se është një emër i huaj,(jo italian) që me sa duket, është derivat i fshatit Buzhala në grykën e Drinit mbi Koman. “Ky territor i paguante tributin (taksën) Detit Adriatik” – thuhet në historikun e këtij qyteti, që tashmë ka një popullsi me rreth 6.000 banorë.

Si shkak i shpërnguljeve te bytyçasve ka qenë prishja e ekuilibrit ekonomik dhe jetësor ne kete zone.
Ish fshatrat Mëtyq (Bytyç) dhe Smaç jetojnë edhe sot në kujtesën e toponimeve të shumta që mbulojnë këtë zonë si Arat e Mëtyqit, Mullini, Trojet, Kroni e deri te Gështenjat, të cilët mbajnë përkatësinë Mëtyqi (Bytyçi). Këto toponime kanë mbetur të pavdekshmë edhe për Smaçin siç janë Trojët e Smaçit, Kroni i Smaçit, manat e Smaçit (që jetojnë edhe sot).

Nëpër Mëtyq (Bytyç) kalonin dy rrygë të rëndësishme; e Lundrës që vazhdonte për Murgë te vau i Drinit dhe rruga e Bregut që lidhte Shkodrën me Gjakoven dhe të dyja ishin të gjëra si trasè për lëvizje qerresh. (Gjurme te cilava ndodhen edhe sot)

Në fund të ish fshatit Bytyç, në mes të dy përrenjve të vegjël, gjenden sot rrënojat e Kishës së Mjerë dhe varret, që i përkisnin fisit të bytyçasve. Ketu gjënden rrënojat e dy banesave në një distancë prej dhjetë metra njëra nga tjetra. Ndërtesa e parë gjendet më në lindje e në bazë të konstruksionit ishte për banim dhe ka përmasat 14 X 7m në drejtimin lindje-perëndim dhe në vazhdim duken qartë rrënojat e kishës me përmasat 8 X 5m, ku bie në sy dukshëm altari me diametër jo më shumë se 1.5m.
Në të dy ndërtesat është përdorur gëlqere si lëndë lidhëse dhe gurët janë shumë të zgjedhur, por të palatuar.

Quhet “Kisha e Mjerë” dhe jo e ” Mirë” nga vendasit dhe sipas një gojdhëne tashmë të konfirmuar i përkiste dikur Shën Katerinës, mbrojtëse e fshatit Bytyç. Kisha dhe banesa u braktisën dhe askush nuk u kujtua më dhe sot brenda trojeve të tyre kanë mbirë lisa shekullorë. Për këtë edhe populli e pagëzoi “e mjerë”.

Ipen thotë se rrënojat e kishave të vjetra rrespektohen shumë nga popullsia dhe shihen si vende të shenjta e të paprekshme dhe se “æ…askush nuk i pret pemët që janë rritur rreth e qark këtyre gërmadhave kështu që japin të kuptosh se aty janë rrënoja kishash të vjetra“. (T. Ippen “Shqipëria e vjetër” fq 90).

Bëj me dije se ne fund të ketij muaji “Shoqata Bytyçi” organizon ne Malin e Dajtit mbi Tiranë festen e perviteshme e quajtur “Festa e Plisit”, një festë që na kujton të gjitheve prejardhjen tonë ilire. Urime BYTYÇAS! Si gjithëmonë në krye te punëve të mëdha!

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar