BUZHALA NË PROMOVIMIN E ROMANIT “ATENTATET”

0
623
Prend Buzhala - Fjala për Atentatet

PREND BUZHALA (meqë është e diell 🤣):

Kur merr fund leximi i romanit “Atentatet” të Ibrahim Kelmendit, tek iu bëhet homazh përjetësisë së tri personaliteteve historike, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, lexuesi e ndien se nuk është në gjendje të dalë nga gjeratoret e misterit të krimit politik; të dalë nga humnerat e enigmave dhe të intrigave të rretheve nga më të ndryshmet, qofshin ato politike, të organizatave e lëvizjeve atdhetare, familjare a të interesave nga më meskinet; nga skenarë të fshehtë shtetërorë a të shërbimeve sekrete ndërshtetërore e ndërkombëtare që thuren pafundësisht; nga ngritje, hapje e përmbysje çështjesh e faktesh të ditura e të paditura; nga të provuarit e një morie përjetimesh që të tronditin; nga zbulime të vrullshme, nga pak të rrëmbyeshme e dehëse.

I del parasysh panorama e gjerë epike e romanit, në të cilin parakalojnë personazhe të mërgatës shqiptare të të gjitha ngjyrave, me huqet e karaktereve që kanë, parakalojnë revolucionarë, politikanë kafenesh, pseudonacionalistë të shitur për një femër serbe, mashtrues e qelepirxhinj të ndryshëm, bixhozxhinj të shitur si politikanë e atdhetarë, janë njerëz të thjeshtë të emigracionit ekonomik, ende të shtypur nga mendësia e skllavit, vijnë ambasadorë, diplomatë, komunistë e pseudo-ideologji të të gjitha tarafeve, spiunë, intelektualë, gazetarë, nëpunës policie, parakalojnë ngjarje, qytete e shtete të Evropës perëndimore. Parakalojnë demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë nëpër qytetet gjermane e zvicerane, në Bruksel e SHBA, janë ecejeaket e pafund të atdhetarëve për drejtësi kombëtare nëpër zyra shtetesh, kancelarish ndërkombëtare a media botërore.

Demonstratë para selisë së OKB-së në Gjenevë (1983)

Kurse receptuesi i veprës, mandej, ka nevojë për një këndellje: e këtë mundësi ia krijon vetë autori me ndërthurjet e pleksjet e strukturës kompozicionale që e lë të hapur. Bartës i rrëfimit është Mirani, ndryshe një personazh ideografik i veprës (sikundër e ka përkufizuar këtë formalizim të ligjërimit që më 1879 logjicienti Gottlob Frege). Së këndejmi, autori ka arritur t`i bëjë një Artin e Jetës dhe Artin e Fjalës, t`i shquajë pistat, të përafërta e të përkundërta, të Idealistit dhe Revolucionarit, të Krijuesit dhe kronikanit letrar kundruall psedudove të shumtë, qofshin ata të stolisur me emra të bukur, si atdhetarë, revolucionarë, idealistë apo me emra të preferuar të kohës, si marksistë-leninistë, komunistë, etj., etj.

I quajtur tashmë roman-triler, vepra “Atentatet” e Ibrahim Kelmendit, megjithatë, ka shumë përbërës: veprimtaria e organizuar atdhetare dhe përpjekjet për bashkim të mërgatës politike shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, si dhe rrethanat, si shprehet autori, para e pas atentatit ndaj tre personaliteteve tashmë historike, Jusuf Gërtvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës; një rrëfim autobiografik i pikëzuar përgjatë gjithë veprës, ashtu sikundër e afishon këtë edhe autori “fragmente të jetës dhe veprimtarisë në ekzil gjatë viteve 1979 – 1982”, një relatë dashurie, takimesh, bashkëpunimi e debatesh me Renatën, studente gjermane. Sado që modeli diskurziv i kësaj vepre i përket autofikcionit a romanit autobiografik, tek lexohet si roman personal, a si publicistikë intime letrare, megjithatë, në kontekstin e përtashëm sociokulturor e historik, ai përpiqet ta mbajë distancën objektive me realitetin e viteve ’80. Vetë epizmi romanor e përcakton këtë distancë me kohët e me njerëzit, ashtu sikundër e përcakton edhe motivacioni i personazheve me karakterologjinë e tyre.

Zhvillimin fabular të ngjarjeve shkrimtari e “defabulizon” përmes shtatë kapitujve: në kapitullin e parë romani hapet me festën e krishtlindjes, me panoramën epike të lëvizjeve atdhetare jashtë me bartësit e tyre dhe me arratisjen e Jusufit nga Kosova e pushtuar; në të dytin jepen pjesë autobiografike të personazhit të Miranit, nëpërmes trajtës së esesë e të kronikës letrare, në të tretin çmaskimi e shpërbërja e grupit pseudoatdhetar të personazhit të Rezilit, një dorë e zgjatur e shërbimit sekret jugosllav; në të katërtin jepet gjendja politike e mërgatës dhe ajo në Kosovë në prag të shpërthimit të demonstratave, si dhe përplasjet dramatike të mërgatës politike për t’u bashkuar; në pestin ndodh arrestimi tragjik i njërit ndër personazhet kryesore të veprës, Vasilit, jehona e demonstratave shqiptare në Kosovë, organizimi i tyre në mërgim, hartimi i tezave për bashkim politik; në të gjashtin kulmi arrin me vrasjen e tre personaliteteve në çastin kur po arrihej ideali i atdhetarizmit shqiptar për bashkim të organizatave të tyre politike dhe në të shtatin gjendja pas këtyre atentateve.

Vepra është konceptuar sipas strukturës së romanit kriminalistik: meqenëse lexuesi di për vrasjen e tri figurave të shquara atdhetare, po ashtu ky receptues i letrave shqipe di se vrasja është e mbështjellë me një mister, kurse këtu, personazhi i veprës, Mirani, më shumë gjendet në rolin e zbërthimit të kësaj enigme, i cili bën punë të palodhur jo vetëm në çmaskimin e personave të infiltruar të armikut në radhët e mërgatës atdhetare, po edhe në çmaskimin e pseudove e të karaktereve të dyshimtë e joqëllimimirë, jorevolucionarë, që kishin ardhur aty jo për qëllime çlirimtare, po për qëllime të tjera. Autori përqendrohet në përshkrimin e aktorëve e të atyre rrethanave, të mbështjella ende me mjegulla të pleksura e me kundërthënie, me pohime hamendëse, për të ringjallë interesime për intriga të shoshitura e të bëra sipas një skenari politik. Shumë ndër këta aktantë që ende janë gjallë, autori i përmend e i pikëzon me emrat e mbiemrat e tyre të vërtetë. E, mbi të gjitha, aty përcillen mesazhe atdhetarie e humanizmi.

Në poetikën e ndërthurjes shumështresore, autori na detyron që në tryezën e leximit të na vijnë nocionet teorike-letrare post/moderne si eseja biokritike, hibridizimi i zhanreve, biografia letrare, autobiografia, memoari, biografia e romanizuar, trajta letrare e kronikës, bioletra, epistola, etj., etj., e që po i përkufizojmë me nocionin bioproza.

Sa do që “Atentatet” është dëshmi dokumentare për dramën shqiptare të këtyre anëve në shtegtimet e lirisë, që nga viti 1979 e deri më 1982, për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën; sa do që lënda e pasur dokumentare e librit është paraqitje dokumentare e fatit të njerëzve; sa do që autori është rrëfimtar i jetës së përditshme; sa do që ai gërsheton elemente të reportazhit e të romanit, të letrës e të kronikës publicistike me strukturën tekstore të udhëpërshkrimit dhe, më në fund, rrëfimin në veten e tretë me dialogun sokratik-platonian – kudo është i pranishëm Rrëfimtari Autorial që unifikohet me Unë-in e personazheve tjerë autentikë: si modalitet i veçantë i së vërtetës. Është jeta ajo që e ka përgatitur shkrimin e veprës, do të thoshim: krijimin e rrëfimit. Mandej lexohen linjat narrative art-jetë, fikcion-realitet.

“Atentatet”, në radhë të parë do lexuar si vepër letrare, si roman, meqë të tillë e ka përkufizuar edhe vetë autori. Kjo do të thotë se edhe ky roman kuintesencë estetike të veten e ka imagjinatën letrare, fikcionin autorial. Është thënë shpesh se s’ ka letërsi pa imagjinatë letrare, e cila thuret e endëzohet mbi të vërtetat e një kohe, mbi veçoritë thelbësore të jetës, mbi tiparet individuale të personave të veçantë, mbi universin e paanë të jetës, të kohës, të historisë e të ambienteve. Romani t’i jep ato mundësi që nuk t’i jep, bie fjala, një libër dokumentar, i mbështetur e i thurur mbi dëshminë, mbi faktin dhe mbi të vërtetën. Dhe sa e sa herë lexuesit e kanë shtruar pyetjen: a na e mëson të vërtetën imagjinata letrare?

Bioproza e Ibrahim Kelmendit përbën një thurje shumështresore dhe të ndjeshme, përbën një modalitet të veçantë të së vërtetës; sado që, në pamje të parë, të lë përshtypjen e një rrëfimi të thjeshtë. Aq sa të duket se po lexon një bioroman, po aq futesh në shtigjet e romanit kriminalistik. Ndryshe, shumështresimi romanor hap shtigje të shumta pajtimi a mospajtimi po edhe mundësi të shumta për lexim.

Prishtinë, 5 shkurt 2007
https://pashtriku.beepworld.de/ikelmendiperjusufin.htm

***

Romani ATENTATET (varianti elektronik PDF):
https://fjala.info/2020/ibrahim_kelmendi-atentatet.pdf