BUZËQESHJA E SË KEQES

0
2090
Kujtim Drishti - We are all being played

Kujtim Drishti

Hôtel Dieu de Paris ku une isha mjek roje ne reanimacionin e tij, ndodhet ne distance te njejte nga Notre Dame de Paris dhe Prefektura pariziane, e balle per balle me Palais de la Justice.

Sot mendoj akoma se jane pikerisht keto ndertesa te L’île de la Cité, qe krijuan rethanat qe une te njihja kete buzqeshje te çuditeshme, sa te qete e te lumtur aq dhe tallese dhe tragjike. Kete buzqeshje qe me ka mbetur ne mendje, si nje simbol i diçkaje qe shperthen deshiren time per kete tregim.

Kirurgu me lajmeron me urgjence se donte te nxirrte disa fisheke nga zorra e nje njeriu, fisheke te mbushur me kokaine.

– Po sa fisheke? Sa jane, ekzakt? Çfare doze kokaine kane brenda?
– Nuk e di ekzakt dozen qe kane brenda, por di qe ai ka gelltitur 95 cope dhe te tera i kane kaluar ne zorrë. Eshte nje kolumbian, qe policia ka arrestuar ne Charles de Gaulle, aeroport. Ti e kupton afersia e spitalit tone me policine na sjell keto probleme…

Zbrita me vrap, ne reanimacion. Lajmerova infermieret qe te bregatisnin nje dhome dhe u tregova se si do të proçedonim.

Ankthi i çarjes se nje ose disa fishekeve me kokaine gjate proçedures se nxjerrjes me jashteqitje, nen kontrollin e gishtave te kirurgut , me kishte pushtuar fort. Arsyea ishte se nje absorbim i shpejte i kokaines ne gjak, me doza gjigande, do te mund te provokonte vdekjen imediate te pacientit.

Atehere mbusha dhe une antifisheket e mi, kater shiringa te medha me medikamente ku seicili do realizonte detyren me mekanizmat e perveçme, nga ulësit e tensionit, ne parandaluesit e ndalimit te zemres, e deri tek antikonvulsivantet dhe gjume dhenesit. Ishte per mua nje situate e pa jetuar ndonjehere, nje situate ku vdekja qendronte mbi koken e pacientit, po aq sa ne ndergjegjen time.

Ndodheshim te gjithe perpara nje te panjohure, qe afrohej ne suspens e me kercenim.

Sistemi im adrenergjik ishte ne gjendje alarmi dhe kish mobilizuar te gjitha reflekset e reanimatorit, po aq sa dhe bllokonte mundesine e parazitimit te trurit nga mendime morale qortuese ose vetqortuese.

Ne po prisnim. Ne pritje, papritur me kaloi nga barrierat e mbrojtes psikologjike, nje mendim sa qesharak aq dhe kercenues e mobilizues:
Nje kolumbian i droges i vrare nga nje reanimator shqiptar ne mes te Parisit
koktejl fantastik per gazetaret.

Qesha me vete. Vetetallja eshte mjeti me efikas i analizes dhe ftohjes se shqetesimit.
Ne prisnim.
Me ne fund ra zilja e deres se reanimacionit. Nxitova i pari, pas meje ndoqen dy infermiere e pas tyre kirurgu.

Dera u hap. Perpra meje u shfaq nje fytyre qe buzëqeshte. Prapa saj tre ushtarake te policise. Te kater qendronin ne kembe.
Nuk kisha jetuar kurre hyrjen e nje pacienti ne kembe ne reanimacion, e akoma me pak te shoqeruar nga police.

Futem ne dhome pacientin dhe dy police. Polici i trete i armatosur me nje mitraloz te lehte qendroi jasht tek dera.

Iu afrova pacientit qe mbante ne fytyre buzeqeshjen e tij, e cila i shkonte ne te kundert gjendjes tone thellesisht te alarmuar. Fillova ta pyes me pyetjet e pyetesorit medical, qe eksploronin shendetin e tij nga e kaluara deri ne çastin qe jetonim bashkë. Ai pergjigjej i qete gjithnje i buzeqeshur. Hodhi shikimin mbi shiringat e mija e buzqeshia perseri nuk iu nda.

E ftova te shtrihej ne shtratin me kurrizore gjysem te ngitur, e ai u bind gjithnje i qete. I vendosem mjetet e nevojshme, perfuzionin dhe monitorazhin, e ai na ndiqte me pamje teper të familjarizuar me keto veprime.

I shpjegova, perseri ne anglisht proceduren. qe do ndiqnim e perfundova se kjo proçedure behej ketu ne perpjekjen tone, qe t’i shpetonim jeten te kercenuar nga vdekja e tij e mundeshme. Kete here ai e kaloi buzqeshjen ne qeshje, ne nje qeshje si me veten, por gjithnje te qete.

E ftuam te mirrte ate qe ne quanim pozicion gjinekologjik. Ai u bind.

Nderkohe shikimi i tij shetiste mbi trupin e infermiereve, e per here te parë shprehu nje admirim e zili. Ai filloi t’u fliste atyre ne spanjisht, gjithnje i buzqeshur, nderkohe qe kirurgu i kish futur gishtat ne rectum ne pritje te “pakove” te vogla.
Nderkohe une prisja informacionin e pare nga sensibiliteti i gishtrinjeve te tij: pakot ishin te forta apo te qullta?

Policet te hedhur kraheve perparëse te bardha kishin ngulur sytë aty ku gishtat e kirurgut prisnin.
Skena ishte e nje surealizmi te paparë.
Mu duk vetja spektator i nje proçesi lindjeje, ku në vend te gruas ishte nje burrë, ku ne vend te renkimit nga dhembja, burri buzeqeshte.

– Po, foli kirurgu, dil dil dil, sikur po ftonte femijen.
– Si ?
– Te forta, tha ai, shume te forta dhe nxorri te parin fishek.
Polici qe kish veshur dorezat nxitoi te merrte objektin, por une e ndalova.

Mora ne dore kete paketë me permasat e nje baterie elektrike normale dhe ndjeva te njejtin sensasion. Provoni te shtypni nje bateri elektrike me gishtat tuaja. Por kjo nuk me mjaftoi per te shpjeguar qetesine buzeshjes, qe po me shqetesonte.

Hodha shikimin mbi fytyren e kolumbianit. Ajo buzëqeshte lehte e mua mu duk se sa me e lehte ishte buzëqeshja, aq me e thelle ishte qetesia dhe siguria e tij.

– Interesant ! – i thashe policeve, une stresohem kurse ky jo vetem buzËqesh, por duket dhe thellesisht i qete dhe i lumutur.
– Sigurisht, – u pergjigj njeri prej tyre,

Se pari, ai ka siguruar jeten e familjes se tij ne shkembim. Se dyti, burgu francez nuk krahasohet me ate te Kolumbise.

Kjo arsye duhej te me bindete perfundimisht, per arsyet e buzqeshjes se tij.

Proçedura mbaroi per ne. Une u qetesova ashtu si dhe gjithe personeli. Pacienti iku me dy police te siguruar, njeri majtas tjetri djathas. Tek dera i priste i treti i armatosur.

E pashe ate fytyre per nje jave, çdo dite, ne mengjes kur arrija ne spital, te shoqeruar gjithmone nga dy police. Ata shkonin ne radiologji per te fotografuar zorret e per te numruar se sa fisheke kishin mbetur akoma.

Kolumbiani ecte ngadale, i buzëqeshur sikur po bente nje shetitje qe i jepte lumturine me te madhe.

Kujtova ne nje prej ketyre diteve, tregimin e Mopasanit “Le prisonier de Monaco“, ku per shkaqe thjeshtë burokratike e per shqetesim kursimi, te burgosurit i dhane nje shtepi ne periferi te qytetit dhe i paguan nje pension per gjithe jeten, i cili do te kushtonte shume me pak se harxhimet e shtetit, per ta mbajtur ne denimin e perjetshem.

Kisha kujtuar ato dite se kisha kuptuar arsyet e buzqeshjes obsesive te te denuarit. Fytyra e tij, me shoqeroi ne kujtime te hidhura, kur mendova nje te njohurin tim te kthyer ne Shqiperi per pushime. Ai kish marre kokainen, vetia i ish dukur aq i fuqishem sa kish menduar se mund te fluturonte dhe ish hedhur nga ballkoni per te fluturuar.

Nje dite po shikoja nga dritaret e Hotel Diës Pallatin e Drejtesise. Ai eshte i bukur me nje porte te florinjte me nje arkitekture te ngjashme me pallate te tjere te drejtesise ne Washington, ne Londer, ne Berlin e kudo e kudo dhe ne sfond mu shfaq buzëqeshja e kolumbianit.

Per here te pare, pashe me syte e mendjes fitoren e se keqes ne sfond te pallateve te drejtesise te njerëzimit, pashe me syte e mendjes buzëqeshien e se keqes.