Ilir Muharremi
Hëna ishte fshehur mbrapa kulmit të një ndërtese matanë rrugës dhe kishte formën e rrotës së djathit. Me natën flinte edhe Prishtina, përveç ulërimës së qenve asgjë nuk mund të dëgjosh. Zgjuar ishte dora e padukshme e erës që shkaktonte një fëshfëritje, murmutirje dhe këtë kërcitje të lehtë të degëve të mbuluara me behar pranvere. Ishte era që kalonte nëpërmjet pemëve. Mantil bardhët janë zgjuar me ta edhe unë.
Sonte nuk po merrem me numërimin e yjeve, por me numërimin e pelqimeve të përkrahësve në rrjetet sociale që ja bëjnë “ të famshëve” dhe “bukurosheve me buzë të fryra”. Në këtë vend me dy milion banorë në mesin e të cilëve ka shumë juristë, pak intelektual, e shumë “artistë” dhe “këngëtar”, vërtetë janë rekorde maramendëse sa ndoshta edhe Evropa na xhelozon. Edhe politikanët i pagujanë ndjekësit e tyre në Facebook. Brenda tetë minutash ata ftojnë dy ose tre mijë ndjekës.
Nëse i shikojmë profilet e tyre në instagram dhe Facebook ata kanë ndjekës më shumë se një milion, shifrat i kalojnë edhe dy milion. Dikush do më thoshte se budalla është ai që nuk ndjek këto bukuroshe me sutjena me pellush tigri, ose me tangat e disave të tjera. Aq të bukura duken sa kot shtrinë dorën nëse në tjetrën nuk ofron lekun. Leshtrat i kanë të gjata, buzë të fryra dhe surrati duket si i peshkaqenit.
Të rimelosura dhe ta llangosura me gjinj si dy balona të pompuar e që nuk gjejnë qetësi brenda fustanit, ngjajnë me një fileto të mishit të fryrë me medikamente. Femrën e bukur nuk e bën as mosha e as silikoni, as i dashuri që i ofron lekë, atë e bën shëndeti, natyraliteti dhe sharmi i saj. Femra duhet të jetë shumë e shëndetshme sepse e gëzon familjen, shoqërinë dhe kombin. Andaj, çmenduri e shifrave të ndjekësve, nga të cilët hallakatet instagrami dhe Facebooku.
Në kohën e digjitalizmit dhe plastikës, femrat vazhdojnë të mashtrojnë veçanërisht këngëtaret e njohura tona. Ndodh edhe e kundërta pagujanë Facebookun për të blerë ndjekësa. Sa kam lexuar në botë, Facebooku dhe Instagrami paguan për famën e tyre, vetëm te ne e paguajmë Facebookun e instagramin për tu bërë të famshëm.
Unë sonte më mirë t’i numëroj yjet.