Buzë lumit Ibër jam ulur dhe kam qarë…

0
814
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Kimete Berisha Kimete Berisha

1. Një vurmak e ka Valdetja, që po tutët prej Adriana Hoxhiqit.
Se kur edhe ‘gruaja më e guximshme n’botë’ i tutët Adriana Hoxhiqit, do me thënë se Hoxhiqi është shumë e rrezikshme.
Aq e rrezikshme sa ka me nda Mitrovicën.

Askush s’e di pse kjo ‘shtrigë’ (me flokë ‘mushki’) ka pritur deri tash pa e nda Mitrovicën.

Kur më 2010, Ramush Haradinaj i ka tregu n’besë David Phillipsit se ‘SHIK bën tregti me serbët e veriut me miliona euro në vit’, ‘gruaja më e guximshme në botë’ jepte nasihat, nuk u tutke me ndërtu ‘ura dashnije’ (për pare) me serbë, e tash kishe po tutna.
Mos u tut shqipe se askush s’mundet me nda Mitrovicën, sepse është e ndarë.

2. E gjeta një letër të 2006-tës ku zyrtarisht i kisha pas thënë njërës të UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ‘ti s’je e denjë’.
M’u dhimbt vetja pse ia kisha pas harru vetes gjithë këtë ‘heroizëm’.
Isha idhnu shkaku se ajo i kish mohu Institucionet tona e m’u më kish pas ardh inat dhe i kisha pas thënë ‘gjithçka’.

Në këtë mesele e zbulova një gjë edhe më të dhimbshme se mohimi i një bitchi:
njeriu po e harrojke për së gjalli autobiografinë e vet, i harron për së gjalli kujtimet e veta, fëmijërinë e tij, rininë e tij, ftyrën qysh u duk kur u kanë i ri, fytyrat e të dashurve të vdekur, krejt i harron, s’mbetet gjë pa u harru për së gjalli.

Para se me na harru të tjerët, ne veç e kemi harru veten.
Nuk është edhe aq e dhimbshme qysh na duket pse do të jemi të harruar, sidomos për mu që deri sot nuk e kuptova nevojën e tmerrshme njerëzore për mos m’u sosë, mos m’u harru.

3. Ibër. Sa shumë dashuri u shku posht’. Sa shumë njerëz të gabuar kemi dasht, sa pak njerëz na kanë dashtë.
Askush për ty jetën s’e ka jap.
Sa kush na ka mashtru!
Sa e sa mendimi ‘i huaj’ na ka shkatërru jetën.
A thu çka mendon ky?
A thu çka mendon kjo?
Ku ku, mos po mendojnë keq… (keq, se çka kanë me mendu tjetër).
S’dilke dikush që na mëson n’vakt mos me na ndi kurrë për mendimet e askujt.
Por na mësojshin m’u bë të ‘mirë’, shembull për t’mirë (edhe për inati t’serbëve), pa na udhëzu kurrë se çka duhet me bë kur zatetesh në të këqij, që janë gati krejt.

U dasht me na e mësu përmendsh zbulimin e Churchillit:
‘Kur i ke 20-të vjet, ta ndin për krejt çka mendojnë për ty.
Kur i bën 40-të, nuk ta ndin më çka mendojnë për ty.
Kur i bën 60-të e kupton se askush kurrë nuk ka mendu për ty, si pika e parë…’.

4. Me mendu-mendon për seks edhe Gëzim Kelmendi. Ai e pranon seksin por nuk e pranon edukatën seksuale.
Duhet me të mësu përvoja sipas tij e jo teoria.
Sa herë flet Gëzimi ndjej një prirje ‘sundimtareje’ brenda vetes, pasha Zotit ia kisha ndalu me folë për kombin shqiptar dhe vlerat kulturore të tij.

Pse? Sepse, vet libri i shenjtë-K’urani e përmend nikahin (shprehje letrare për seksin), ia kushton suret kësaj ‘problematike’, e ky kishe po flas diçka, e refuzon edukimin.
Jo me t’eduku rruga, sipas teje dhe m’u eduku spontanisht dhe ‘tinëz’! (edhe për fetë ish dasht m’u mësu).
Mua kërkush s’ma ka ndalu me lexu libra teologjikë. Veç a je i interesum, se me
mësu as nuk mundet me t’ndalë kush.

5. Më së miri Kadri Veseli, nuk mendon hiç, veç mban shënime.
Edhe kur lypset m’u tutë, ky i shtin gratë m’u tutë për të.
I dul edhe një duq që ia vulos shpirtin ‘e zi’ që e ka.
I kish pas shfrytëzu fukaratë m’u ba shpiuna për 150 marka, kabullxhi, e kish pas pi djersën e shpiunëve. Dath’ desh’, edhe bukën me veti e kishin pas marr prej shpije kur janë shku me shpiunu.

Do shpijuna ja kanë rreh gjinja shuplaka faqeve, se u diktojshim lehtë. Mos m’shtini me folë.

Kadria e ka pas edhe ‘Divizionin e joshjes’, do-do e kanë lujtë rolin e ‘Kazanovës’ ma mirë s’po foli hiç çka kanë kovatë këta… Ka pas raste i ka angazhu dy bineq me punu me ndërrime m’i mashtru çikat e huja… bre Zoti ju vraftë.

Por ka dështu në shumë raste, se edhe Kazanovë, edhe shqiptar nuk shkon. Shqiptari s’mundet me qenë romantik, se pastaj të shtin me kesh’, thu’ çka u bë me të, a u tranu a? çka dreqi ka që po sillet si ‘gru’.

Se kur shqiptari sillet mirë, ose t’ka marrë m’qafë najsen, ose po don me nxjerr diçka prej teje, ose po don me t’mashtru, se përndryshe nuk është normale m’u sill ‘mirë’.
Vepra të mira bën e s’pranon m’u sjellë mirë me fjalë.

6. Në Kuvend u dasht m’u diskutu pse Kadri Veseli e ka pagu Glaukun aq pak, pse e ka eksploatu, e jo pse Glaku ka qenë ‘spiun’, se me qenë spiun është normale, anipse jo bash profesion lirik.

E edhe më keq se shpiun profesionist, është m’u bë shpiun i ish shokut, si Molliqaj, çfarë mashkulli, aq i lig sa nuk e kupton se pa marrë parasysh arsyet nuk tradhtohen muhabetet e tavolinës e të shoqnisë.

Kot e ka Molliqaj dhe gjithkush që provon me luftu Albin Kurtin me fore të SHIK-ut, sepse Albin Kurti nuk është i korruptuar as kombëtarisht as materialisht, as moralisht. Albin Kurtin e lufton veç duke e pranuar si vlerë, si të tillë çfare është, nuk mundesh me mohu me mesele.

7. E kur dikush i ka tradhtu shqiptarët si Basri Pllana (ish biri yt Mitrovicë) e gjen zgjidhjen, më tha njani i Nishit, që e kish ba emrin ‘Vidoje’.

8. Budallica, kujtojsha se bëhet mirë. Po vike puna që as andrra të mira ma s’po shifshe e lë ma m’u bë mirë përnime.

9. Sa herë i mbath këpucët e tipit mushkë me shtiklla paranormale, Ramushit i rritet mendja.
Dje tha: ‘mos u zhgënjeni shpejt’.
Kryeministri ka lyp prej shqiptarëve me vujt ngadale, m’u dergj ngadale, e jo me kry
vujtjen shpejt.

Mos e ngoni, zhgënim për zhgënjim, zhgënjehu para kohës, hiqe gajlen.
Dëgjojeni profetin Muhamed që tha diçka si kjo thënie brilante ‘vdis para se me vdek’.

10. E Bedri Hamza, mashtruesi. Thotë janë 30 për qind të papunë, nuk e tregon të vërtetën se është i poshtër dhe i pasur, nuk tregon se krejt punëtorët shqiptarë në sektorin privat marrin social dhe shfrytëzohen si skllevër nga skllavopronarët të lidhur me politikën, pa të drejta elementare njerëzore.

Plus nuk e përmend veriun që s’paguajnë tatime, as rrymë, as ujë, e kanë sallamadi gjithkah.
Marrin rroga prej qeverisë së Kosovës (mbi 400 serbë) pa shku kurrë në punë.

11. Këta jeni ju. E keni shkatërru Kosovën. Na e keni kërditë jetën. Ramushi si teatër pa perde, u dal ‘cullak’ para shqiptarëve, as që po ia ndin çka thotë kush për të.
Se ka ba pare. E ka tranu ‘malli’.

12. Sabah m’sabah Vala ma dërgon një sms ‘punësohu.eu‘.
Nuk e kam çel deri sot kur e kuptova se çfarë pune pritet prej meje.
Po mujsha me mjel lopë, me ua fshi baglat; m’e mbledh vezët e pulave; m’i rujtë pleqtë nga vdekja; me gatu; me punu pa fjalë e me ua pastru gjethet trëndafilave…

Askush askund nuk lyp ‘mendimtar’, ‘poet’ e kritik letrar.
S’di a mundem.
Më lehtë më vjen me vujt. Se vuajtja e ‘njofshme’, jena mësu me rë.
E shihni që ka edhe më keq: dikush s’mundet as me ikë.

13. Pasi dështoi me përpjekjen për m’i mohu largimet masive të shqiptarëve nga Kosova, dhe pasi u bë qesharak me idenë se Rusia e ka organizu propagandën e ikjes së shqiptarëve, Kryeministri përfitoi nga rasti dhe tha se vetë e ka organizu largimin e shqiptarëve nga Kosova.

A duhet tash dikush me akuzu për ‘spastrim ekonomik etnik shqiptar, se serbët s’po i largon, atyre po u jep pare pa punu’?
Ç’ka duhet me thënë tash Halil Matoshi, se çka thotë ai këshilltari i tij Eroldi s’e marr seriozisht prej s’e më treguan se edhe në takime zyrtare e qet një napolitankë para vetit, pa e nda me kënd dhe pa lu vendi e han.

14. Inat. Kroacia krijon vende pune për shqiptarë, e Shqipëria që 100 e kusur vjet shtet, hala e vjedhin shtetin e vet, s’kanë lënë pasuri pa vjedh. Për hajni vrasin dhe ia nxjerrin sytë njani-tjetrit.
E për neve mos vet. Shtet familjar dhe i korruptuar, yrrnek që s’ka parë bota deri sot.

15. Ndoshta ish kanë mirë me lyp mendimin e Lutfisë, se ai din, mos me ditë s’e kish shkollu çikën nëpër universitetet më të shtrenjta në botë.

Se kuptoj pse se mbyll ‘çorapën’ ky (dhe kushdo që i shkollon fëmijët nëpër Evropë), neve le t’na e qan hallin naj ‘fukara’, se veç fukaraja e din për çka e kem fjalën.
Edhe t’vjedhin, edhe t’lan pa punë, edhe t’qajnë. Këtë nuk e hamë.

Ma mirë, qani ju veten. Se që ka Zot (qysh ka pas gjithmonë) mundet me ardh dita me na ardh gjynah për juve.
Do të përfundoni si këta milionerat, që i ka vra Zoti mos me gëzu pasuninë e tyre.

16. Unë qaj rrallë, sepse qe do kohë jam n’krizë për lotë, që s’po them qysh do të thoshte ai poeti i prapmbetun shqiptar, ‘lotët pikin në lumë’, por po ju tregoj se matanë ujit Ibër po dëgjohet kjo këngë:

Ndalu ujë Ibri, ndalu, se mua më duhet të kthehem në shtëpi.
Atje çdo natë pranë Ibrit, më pret i dashuri im.
Aty ku e sheh një shtëpi të vetmuar, e të mbuluar nga terri, ajo është shtëpia që e mban të fshehur të dashurin tim…‘.

17. Në fund të ditës, dëgjova që kish vdekur gruaja e kriminelit Sllobodan Millosheviq, dhe dikush më tha ‘Paska mbet Sllobodani vejan‘ 🙄.

P.S. E mërzitur u ktheva në shpi. As çaj kamomilë, as kënga ‘Silent night, holy night‘, as kosi me hudër, as shafrani me biber të zi, sonte asnjë mehlem s’i bëka punë shpirtit tim.
Kah me ja mbajtë, o vlla, u çova në këmbë, e mora thesin e miellit, e vendosa mbi tavolinën e gatimit, i futa duart në miell dhe nisa me maru petulla.

Mielli e kish një magji, s’e kam ditë deri sot, (provojeni kur jeni nervoz), duke gatu, papritur e ndjeva qetësinë dhe fillova të ndjehem ‘prap’ e lumtur, pa asnjë asye.
Sa herë jam ndjerë e lumtur vërtet, s’kam pasur asnjë arsye.
Lumturia është arsyeja vet.

(Edhe lumturia e paska anën e vet të errët – të trashë, në bark e në kry, t’bon erolld, kështu, sherri lumturisë, e humba ndjenjën e masës, shkova deri në 500 petulla 😂).