IDRIZ ZEQIRAJ
Gjithnjë e më zëshëm dëgjohet pyetja, në mënyrën habitore: Pse gjithë kjo katrahurë e çoroditje në partinë, dikur, zëmadhe të Presidentit Rugova – LDK-në krenare?! Si u mundën dhe u anashkaluan burrat dhe djemtë heroikë, bashkëpunëtorët besnikë të Ibrahim Rugovës, të cilët u përballën, trimërisht, me bandën e Millosheviçit?! Si u mashtruan, besuan dhe u nënshtruan prej titullarëve, të cilët pasuan Dr. Rugovën në LDK-e dhe LDD-e?!
Këta pasues, të cilët, në vend që të vazhdonin drejtimin e partisë në frymën klasike të themeluesit Rugovë, filluan seleksionimin e kuadrit të dëshmuar rugovistë dhe përzgjedhjen e servilëve, nepotikëve e hiçve, për ta klanizuar udhëheqjen e LDK-së.
E gjithë kjo ishte e panevojshme, sepse sekretari i partisë, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, ishte kuadër i përgaditur, bashkëpunëtor shumëvjeçarë i Presidentit Rugova, njeriu më i pranuar nga anëtarësia e LDK-së, për të marrë drejtimin e LDK-së.
PDK-ja me SHIK-un e saj, kishin përcjellur, me simpati, Akademik Nexhat Dacin, në qëndrimin moskokëçarës për vrasjet politike. Përkundër, Fatmir Sejdiu, duke qenë në cilësinë e Presidentit të vendit, kishte thënë publikisht se “vrasjet politike nuk i kanë bërë jashtëtokësorët!” Plus refuzimi i 6 pikëshit të Baki Munit, i kushtoi me shkarkim nga posti. Daci, në cilësinë e kreut të Parlamentit të Kosovës, nuk kishte bërë asgjë, për nderimin e deputetit të atentatuar, Smajl Hajdaraj. Ishte konformist, vlerësues paushall e ireal, për figura e famijlje, të dyshuar për përçarje e sabotues të luftës, për kidnapime, burgosje, maltretime e deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë.
Akademik Daci degradoi veten, deri në atë masë, sa u bashkua me armikun e LDK-së, Ramush Haradinaj! Rrjedhimisht, Nexhat Daci ishte lehtësisht i manipulueshëm dhe duke ndarë LDK-në, për t`u bërë faktor politik partiak, ai u bë argat i SHIK-ut. Dhe, shpërblim për këtë ishte emërimi i tij në krye të Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Njëjtë ndodhi edhe me Marjan Demaj, të cilin SHIK-u e vuri në krye të Partisë Demokristiane Shqiptare, për ta shkatërruar atë, dhe, më pas, e shpërbleu me emërimin Rektor të Universitetit të Kosovës. Për këtë kontribuoi edhe kryetari i dhunshëm i LDK-së, Isa Mustafa, sepse dy anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, miq të Isës, Hevzi Berisha e Roberta Troni, votuan për largimin e Rektorit parimor e dinjitoz, Ramadan Zejnullahu. Arsyeja e largimit ishte se Rektori donte verifikimin e kuadrit universitar, me diploma të blera në Shqipëri e gjetkë, kryesisht SHIK-as të rreshkur.
“Do ta bëjmë një LDK-e të re”, – deklaronte, serbez, Isa Mustafa, kur, aksikdentalisht, u vu në krye të partisë! Dhe, vërtet, e mbajti premtimin! Klanin e trashëguar, brenda LDK-së, e konsolidoi dhe vazhdoi ta përdorë vetëm për interesa personale të tij dhe të Hashimit me partinë e tij. SHIK-u depërtoi në strukturat vendimmarrëse të LDK-së. Këtë fakt e kemi denoncuar me kohë dhe, tashmë, kjo është vërtetuar katërcipërisht.
Për rrjedhojë, nuk është “elektorati që i ka caktuar vendin e opozitës LDK-së”, – siç manipulon klanisti i Isës, Bajram Gecaj, me kolegët e tij në klan, por, SHIK-u. Edhe në rastin VLAN, është SHIK-u, i cili dirigjoi Isa Mustafën, për prishjen e koalicionit të opozitës së bashkuar, për t`u bërë bisht i Hashimit, duke vazhduar opozitarizmin e padinjitetshëm e zvarranik.
Pushtetarët rrugaçë e kriminelë,
kapës e ngulfatës të shtetit
Shqipëria dhe Kosova janë në të njëjtën kuotë të degradimit të pushtetit. Dhe, këtë rrënim, deri në armiqësi me popullin, e kanë sjellur pushtetarët batakçinj, rrugaçë e kriminelë të dëshmuar, me kartelë. Kjo klasë pushtetare, njësoj, në të dy shtetet shqiptare, pacipshëm e kriminalisht, ndërhynë edhe në familjet simbole të kombit, për t`i përbaltur ato dhe për ta përtokur opozitën, si dhe për ta siguruar vazhdimësinë e pushtetit hajnor e kriminal.
Monstrat Teuta Rugova, PSD-ja, Rudina Hajdari, me “deputetët” e paliçensuar, janë kondomë të PAN-it të Hashimit dhe të PS-së të Ramës. Janë broçkulla aryetimet e njëfarë “çuarje përpara të proceseve zhvillimore e integruese!” Me shefa e parti kriminale, nuk ka përparim ekonomik dhe integrim evropian.
Proklamimi i LDK-së, se “opozitarizmin e bëjmë në Parlament dhe jo në rrugë”, “LDK-ja mendon se ka forma tjera”, “LDK-ja nuk proteston, se i ka mjetet institucionale”, “Protesta nuk është zgjidhje”, – janë sllogane disfatiste e broçkulliste, të butakëve klanorë të LDK-së. Ky “arsyetim” është një vetëmashtrim i vetëdijshëm, për të mos bërë asgjë, për ta ruajtur status quon. Çfarë opozite mund të bëjë në Parlamentin shqiptar, PDSh-ja e prirë nga Lulzim Basha, karshi një manipuluesi të ideologjisë sllavo-komuniste, Edvin Rama, cinik deri në rrugaçëri, i cili i ka pushtuar të gjitha institucionet e vendit, njësoj si banda e “komandantëve”, të bashkuar në PAN?!
Rama është i sigurtë se do t`i fitojë të gjitha zgjedhjet e radhës, sepse është i pakontrollueshëm, manipulon shpengueshëm, përsëritë vjedhjen galopante të votave, siç bëri në zgjedhjet e fundit. Andaj, dorëzimi i mandateve, nga deputetët demokratë dhe dalja masive në protesta, është e vetmja mundësi reale, për ta denoncuar dhe luftuar diktaturën moderne të social-komunistëve, gjegjësisht, të komunistëve të rinj shqiptarë. Është shansi i fundit, për ta shpëtuar demokracinë në Shqipëri. Sjellja e ndërkombëtarëve, në rastin konkret, është e papërgjegjshme, hipokrite, sepse e dinë gjendjen faktike.
Dëgjoni gjuhë-gjarpërit enveristë të Tiranës zyrtare, ngjasojnë, si dy pika uji, me stalinistët e Prishtinës. Kreu i social-komunistëve shqiptarë, me emërimin, krejt të panevojshëm, të dy ministrave nga Kosova, pretendon se shprehë sens kombëtar. Por, shqiptarët e Kosovës nuk mashtrohen nga akrobacirat dhe kalkulimet e tilla politike.
Shqiptarët e lexojnë urrejtjen e Edvin Ramës, fatalisht, kryeministër aktual i Shqipërisë mjerane, karshi Kosovës, popullit të saj, në trarin, laurën kufitare, të vënë, cinikisht e turpërisht, në Rrugën e Kombit. Kjo rrugë u realizua përmes kundërshtive të mëdha politike. Social-komunistët e kundërshtonin fort, sepse ishin drejtuar kah Greqia, ndërsa demokratët e Prof. Dr. Sali Berishës, ngulmonin në ndërtimin e saj, meqë ishin drejtuar kah Kosova. Kjo arterie lidhëse, simbolikë e afrimit të një populli të ndarë, prej një shekulli, demanton akrobacirat e Ramës, i cili vazhdon t`i përçajë shqiptarët, për të vetësunduar, si monarkët sheikë arabë, paradoksalë për kohën digjitale!
Refuzimi i protestave, tradhti
e radhës e klanorëve butakë
Ndërhyrja konspirative e SHIK-ut, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, shkaktoi ndarjen e saj. Paradoksalisht, kjo ndodhi në kulmin e suksesit të kësaj organizate, partie. Për rrjedhojë, pasoi heshtja e panatyrshme, për këtë forcë politike dhe shpresë e vetme e shqiptarëve, pas zhgënjimit të madh nga udhëheqja klanore e LDK-së, e bërë bishtore e PDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse, jo rrallë, ka qenë e dyzuar, pro dhe kundër krimit, sidomos në votimin e disa ligjeve apo raste të tjera. tashmë, është këndellur, me bindjen se rrëzimi i kësaj qeverie hajnore e kriminale PAN-iste, nuk ka alternativë. Ftesa, sa e dlirë e serioze, aq edhe atdhetare, e bërë për LDK-në, ka rënë në veshë të shurdhër të butakëve klanorë të LDK-së, të cilët kanë asfikësuar, ngulfatur partinë, anëtarësinë, elektoratin besnikë e fisnikë të LDK-së të Presidentit historik të Dr. Ibrahim Rugovës.
“Nëse qeveria degradon krejtësisht, edhe ne protestojmë”, – është përgjigja shokuese dhe alogjike e Bajram Gecaj, nëTV 7, në bisedë me Buzhalën dhe Kërçukun, pjesë e klanit Mustafa, cili, dikur, kërcënonte deputetët e LDK-së, me përjashtim nga partia, pse nuk donin të votonin Hashimin president dhe Demarkacionin, humbës të territorit shqiptar.
Edhe çfarë duhet të ndodhë tjetër, që kjo qeveri të degradon me fund?!
1) A nuk mjafton makro-fakti se kjo qeveri e shtet, udhëhiqen nga kryekriminelë, të cilët, si militantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), kanë përçarë popullin, para, gjatë dhe pas luftës;
2) Kanë zhvatur, vjedhur paratë e dy Fondeve të Mërgatës: 3 % -shit qeveritar dhe “Vendlindja thërret”;
3) Kanë sabotuar luftën, deri në dështimin e plotë të saj;
4) Kanë abuzuar e vjedhur pasuritë të brezave shqiptarë;
5) Kanë tjetërsuar territorin tokësor të Kosovës, në favor të Malit të Zi dhe kërkojnë ta bëjnë të njëjtën gjë edhe me Serbinë;
6) Kanë kidnapuar, burgosur, torturuar, deri në mbytje, shqiptarë të pafajshëm;
7) Kanë hartuar lista vrastare dhe kanë ekzekutuar shumë qindra shqiptarë, të paktën, 1.820 të evidentuar me emër, kryesisht, kundërshtarë politikë, veprimtarë e kuadro të LDK-së dhe ushtarakë të FARK-ut të Ibrahim Rugovës;
8) Kanë listuar, falsifikuar “dëshminë e veteranit”, për 33.600 “veteranë” të rrejshëm, me qëllim të përfitimit, nga shitja e dëshmive dhe për të siguruar klientelë elektorale afatgjate, duke i kushtuar buxhetit shtetëror, deri sot, miliona euro, ndërsa, nesër, kjo kuotë do të rritet në miliarda euro;
9) Kanë fryrë qeverinë dhe administratën shtetërore, si dhe institucionet tjera vitale, me shumë qindra zyrtarë militantë partiakë, profanë e injorantë, kriminelë të faktuar;
10) Kanë kapur shtetin, institucionet e tij, kanë rrënuar drejtësinë, sistemin zgjedhor, duke e goditur demokracinë, madje, pakthyeshëm nga ata.
11) Dhe, mbi të gjitha, kanë vrarë shpresën e shqiptarëve, për të ndërtuar një jetë normale, një të ardhme të sigurtë, në shenjtërinë e Atdheut të tyre, duke marrë rrugën e migrimit të përjetshëm. Ndërkohë, këshilltarët lakej e me ndjesi kriminale të ngeshme, të kryeministrit monstër e fatal, ikjet e përlotshme masive të rinisë shqiptare, i quajnë turizëm dhe lëvizje të lirë e relaksuese!?
I një mendjeje me vartësin e tij Gecaj, është edhe eprori i tij, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili refuzon pjesëmarrjen në protesta, përkrah simotrës në opozitë, Vetëvendosjes, me arsyetimin sa bajat, aq edhe fodull se “ne nuk bëhemi bisht i askujt!” Atëherë, shtrohet pyetja, kush e pengon LDK-në të bëhet kreu i protestës?! Përgjigja , absolutisht e saktë është: shantazhi, kërcënimi i SHIK-ut, me dosjet për klanin, brenda Kryesisë Qendrore. Dhe, kjo, tashmë, është një e fshehtë publike, të paktën, për shqiptarët në përgjithësi, për ata të Kosovës, në veçanti.
Protesta e shëndetshme për të gjithë!
Qytetarë, bëhuni pjesë masive e saj!
Demonstrata, prej shumë dhjetra-mijërave pjesëmarrësish, e 19 shtatorit 2018, e organizuar në Prishtinë, nga Lëvizja Vetëvendosje, është dëshmi faktike e pranisë të mijëra anëtarëve të LDK-së, përfshi edhe shumë të votuarit deputetë, Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli dhe kuadro e veprimtarë të tjerë. Pavarësisht refuzimit zyrtar të protestave, nga krerët e klanit të paligjshëm, madje, të dhunshëm, brenda Kryesisë të LDK-së, anëtarësia e zhgënjyer nga pjerdhacakët butakë klanorë, robër të SHIK-ut, sërishmi do të jenë pjesë aktive të protestave, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, si e vetmja parti e mirëfilltë opozitare aktuale.
Sepse, protesta është e shëndetshme për të gjithë, për ta larguar krimin dhe kriminelët aktual, nga drejtimi i shtetit dhe të pushtetit. Qytetarët e Kosovës, duhet të bëhen pjesë masive e protestave të vazhdueshme, deri në frymëmarrjen e lirë të popullit të Kosovës, deri në ardhjen në pushtet të një qeverie me duar të pastra, pa krime e kriminelë.
Protestat e radhës të Lëvizjes Vetëvendosje, me pjesëmarrjen masive edhe të anëtarësisë dhe të elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë rast ideal, për ta shporrur nga sundimi i mëtejmë, qeverinë kriminale të PANhajnisë, me teknokratët injorantë dhe kriminelë të saj. Njëherësh, protestimi në fjalë, që do të rezultonte me largimin e krimit, në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, duke i dhënë Kosovës një frymëmarrje të lirë.
Për rrjedhojë, do ta frymëzonte dhe trimëronte anëtarësinë e LDK-së, për skarcimin dhe largimin e butakëve, uzurpatorë të udhëheqjes të LDK-së, të cilët duan, madje, me çdo kusht, ruajtjen e status quos, pra, mosluftimin e krimit dhe të kriminelëve, rrjedhimisht, mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve.
Personalisht, konsideroj se: qoftë individi, antari i një partie, qoftë një subjekt politik, i cili nuk shfrytëzon, deri në shterrim, të gjitha mundësitë, për ta luftuar krimin dhe kriminelët, perkatësisht, partitë-banda, të tufëzuara në koalicionin kriminal PAN, pa hamendje, mbron krimin dhe kriminelët. Në cilindo shtet ligjor të botës demokratike, krerët e PAN-it, me bandat e tyre vrastare të shqiptarëve, sa të pafajshëm, aq edhe luftëtarë e veprimtarë cilësorë, si dhe krimin e korrupsionit, hajninë zyrtare, do të ndëshkoheshin maksimalisht, për krimet e tyre serike.
Zgjohuni, o robër, skllevër të kohës digjitale, sepse përgjumja e gjatë, turpëron fjetarakët e vonuar. Krekosja majmunllëke e pushtetarëve PAN-istë, dje, bythë-laskuriq e sot milionerë, nga zhvatjet e shumëfishta: duke filluar me Fondet e begatuara, fisnikërisht, nga Mërgata shqiptare; uzurpimet e objekteve dhe të pasurive shtetërore; makro-privatizimet e tokave dhe të objekteve industriale, të blera me vezë, për t`i shitur me lopë; tenderimet e ndryshme korruptive, që i mbulon dhe i fshehë, përjetësisht, asfalti i shtresuar; doganat e çdoganimet gjysmake e, deri ke haraçi i përgjakur, i cili vazhdon, sot e gjithë ditën, për të gjitha kategoritë e biznesore.