Shkruan: Prend Buzhala
Anton Nikë Berisha, Kush dëgjoftë e mos tregoftë… (Gruaja e Kacabashit). Roman për fëmijë. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2020.
Në kuadrin e veprimtarisë së gjithanshme letrare të Anton Nikë Berishës, hyn edhe letërsia e tij për fëmijë si dhe studimet e shkrimet kritiko-letrare kushtuar kësaj letërsie. Romani për fëmijë “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…(Gruaja e Kacabashit)”, i botuar këtë vit, vjen pas dy romaneve të përparshëm “Motra kërkon vëllezërit” – RILINDJA, Prishtinë 1984; botimi i dytë i përpunuar Faik Konica, Prishtinë 2011 dhe “E Bukura e Dheut” – RILINDJA, Prishtinë 1989; botimi i dytë i përpunuar FAIK KONICA, Prishtinë 2011 dhe ARGETA LMG, Tiranë 2015. Këtu hyjnë edhe veprat poetike për fëmijë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, RILINDJA, Prishtinë 1970 dhe “Pilivesa e flakëruar” (poemë-përrallë) – RILINDJA, Prishtinë 1980.
Këtyre interesimeve duhet shtuar dhe librin “E Bukura e Dheut bahet nuse” (zgjedhje përrallash shqiptare) – Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1992 apo bashkautorësinë e librit “Kështjella e dritës”, libër leximi kl. IV (bashkautorë: Mehmet Gjevori, Qamil Batalli) – Enti i teksteve, Prishtinë 1988, 1989 dhe 1990. Ky interesim zgjerohet e thellohet me studimet monografike kushtuar letërsisë për fëmijë, siç janë “Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit” (studimin monografik) – FAIK KONICA, Prishtinë 2002, pastaj “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”, ARBËRIA 07, Tiranë 2013 dhe sivjet botoi veprën “VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT”, Argeta LMG, Tiranë 2020.
Kohëve të fundit botoi edhe një vepër të rëndësishme me titullin “Poetika e letërsisë për fëmijë” (Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Gjakovë 2020 ).
- Strukturat tekstuale të rrëfimit
Përpos një vargu shkrimesh e kritikash letrare kushtuar autorëve e veprave të letërsisë sonë për fëmijë nga ky autor, interesimet e tij përthellohen me studimet e punimet kushtuar letërsisë gojore, sidomos të përqasjeve të saj me letërsinë e shkruar. Kësisoj, të gjithë romanet e tij për fëmijë, si dhe poema-përrallë “Pilivesa e flakëruar”, kanë për themel trajtimi motivet nga krijimtaria jonë gojore.
Lexuesit të vëmendshëm nuk do t’i ketë shpëtuar punimi i tij me titull “Loja e fjalëve në përrallën ‘Djali i begut dhe Shërbtori marrin gruen e Kacabashit’, e që merr në trajtim këtë përrallë të mbledhur më 1975 në Llap nga vetë Anton N. Berisha,.
Duke u mbështetur në këtë përrallë, Anton N. Berisha thur edhe lëndën e këtij romani, që është rikrijim i mirëfilltë artistike.
Do theksuar se autori e ka zënë motivin e kërkimit të gruas së Kacabashit, me bukuri të rrallë, përmes një vështrimi mjaft origjinal, sado që referencat hipertesktuale dihen. Ndryshe nga përralla që personazhet i ka me emra të kohëve të reja, autori ata emra (dhe ngjarjen) i shtyn në lashtësinë mitike, meqë përralla ngërthen lëndë të pasur mitologjike, siç e përmend P. L. Metelinski te “Poetika e mitit”.
Romani nis me rrëfimtarin autodiegjetik, apo më mirë, me zërin që rrëfen në roman: a është ky zë i autorit, i gjyshes, i protagonistëve të romanit apo i rrëfimtarëve të moçëm brez pas brezi? E pra, gjithë këta narratorë (qofshin ata heterodiegjetikë, homodiegjetikë apo autodiegjetikë), ashtu siç i përcakton Zherar Zhenet, autori arrin t’i shkrijë mrekullisht në strukturën e romanit, për t’ia përshtatur botës së fëmijës.
Së këndejmi, romani i shkrin natyrshëm në gjithë atë polifoni tekstuale, jo vetëm me zërat narrativë apo me zërat vegimtarë si te pjesa për Varkën e Noes; po edhe me përrallat, legjendat, mitet, kallëzimet popullore apo biblike, urtësitë, fjalët e urta, madje edhe me ëndrrat si procedim i zhdrivillimit romanor të ngjarjes. Prej kapitullit të dytë, këta zëra narrativë, sikur tërhiqen në prapaskenë dhe rolin e merr rrëfimtari i gjithëdijshëm.
Është Lulmiri, djali i një bujari, Dredhit, dhe i një nëne bujare dhe e zonja, me emrin Lydra (një emër antik ilir). Lulmiri është një djalë i prapët, i cili “bënte si donte vetë: shëtite dhe sikur t’i binte hunda në tokë, siç thuhet, nuk përkulej ta merrte”. Gjatë shëtitjeve në pyll ai i bën tri të mira, por te e mira e fundit ndaj një plake, ajo e uron: “Më ndihmove përtej masës. Zoti ta shpërbleftë dhe e marrsh për nuse Gruan e Kacabashit. E merituake atë”.
Në pyetjen se ku rri ajo, plaka i përgjigjet: “Kërkoje se e gjen”.
Arketipi i kërkimit përrallor, shtrihet përgjatë gjithë veprës; më shumë se sa një aventurë e thjeshtë që zgjon kureshtjen e lexuesve të vegjël, ky kërkim merr edhe një përmasë tjetër: atë të vetëmohimit, këmbënguljes, kërkimit të fatit dhe i dhurimit të përvojave të jetës. Kërkimi bëhet, si gjithnjë në territor të panjohur, në përballje e përplasje me të panjohurën, gjithnjë me një pikësynim të qartë.
Dhe prej këtu Lulmiri nuk resht së kërkuari për ta marrë atë grua të bukur, nuk heq dorë as kur nëna e sugjeron: “Bukuria e Gruas së Kacabashit është bukuri që të vret!”
Ja një tjetër arketip përrallor, siç është ai i bukurisë si kob! Kategoria e së bukurës në roman është shtresë më vete, mu ashtu siç janë edhe shtresimet e tjera estetike e kuptimore për malin, për gruan, për gjakimet në jetë, poetizimet mitike për dritën e për diellin, për bukurinë e ujëvarës apo për arketipin e urës, e cila ngërthen uratën e fshehtësisë. Të gjitha këto të mbarështruara me një dialog dinamik, të gjallë, jashtëzakonisht funksional, mu ashtu siç e ka vetë përralla.
Në vepër shfaqet Dardanesha, Nëna e Bjeshkës së Madhe, që di shumëçka, por e cila nuk bën ta thotë dot fshehtësinë mbi të cilin arketip përrallor ndërtohet edhe romani edhe titulli i romanit, sidomos te kapitulli i nëntë, me formulën “Kush dëgjoftë e tregoftë, gur mermeri u mbaroftë!” E vërteta zbulohet përmes dëgjimit në fshehtësi të rrëfimit të një gruaje tjetër, për t’i kapërcyer vështirësitë e peripecitë e ku ndërhyn elementi përrallor.
Delmeri i qëndron besnik zotërisë së tij, Lulmirit; është një ndihmës i jashtëzakonshëm që e nxjerr atë prej situatave të vështira e të pa rrugëdalje. Pas shumë peripecish, ata arrijnë ta marrin të bukurën grua të Kacabashit. Mirëpo, protagonistët, si Lulmiri, si Delmeri, e pësojnë nga fshehtësia e treguar. Fillimisht, e pëson Delmeri, mbasi detyrohet ta tregojë të vërtetën e fshehtë.
Intriga e romanit këtu merr rrjedhë tjetër: dyshimet se Delmeri është fajtori. Autori shfrytëzon realitetin artistik të përrallës për ta çuar më tutje veprimin. Lulmiri ndërmerr veprimin për ta shpëtuar Delmerin. Kur e shpëton, atëherë ai vetë shndërrohet në mermer, pasi mashtrohet nga loja e formulës kobzezë.
Këtu romani ndjek logjikën e gjykimit e të veprimit të drejtë të përrallës: se duhet të shpërblehet ai që bën më shumë, tregohet më i zgjuar. Kah fundi shfaqet formula tjetër e ndryshuar, si lojë e logjikës së gjykimit të përrallës dhe intrigës: “Kush dëgjoftë e mos tregoftë, gur mermeri u mbaroftë!” Delmeri ringjallet, por Lulmiri shndërrohet në gur mermeri. Përfundimi i romanit sugjeron logjikën e shumëfishtë të mesazhit tekstual: “Atëherë Gruaja e Kacabashit u martua me Delmerin. Mbreti i bëri ata si djalin dhe renë e vet. Thonë se bënë një dasmë të madhe me shumë të ftuar. Nuk i harruan as Plakën, Gjahtarin e vjetër, Nënën e Bjeshkës së Madhe dhe Fqinjën e saj”; personazhi i shërbëtorit, Delmerit, është ai që ka pësuar më shumë, që është më i drejtë, ai që ka prirje për t’i kuptuar e për t’i nuhatur situatat intriguese drejtpërdrejt e më me shkathtësi se i pari. Edhe mësim-pësimet që shfaqen në fillim e në fund të veprës, janë qenësore.
E përfolëm, kësisoj, fabulën e romanit, për t’i parë edhe shtresat artistike e estetike të saj.
- Arketipat tematikë të romanit dhe poetika e rikrijimit artistik të përrallës
Fraza e sigurt, teksti narrativ funksional, poetika e përqasjeve rikrijuese përrallë-roman, shtresimet e tjera poetike, filozofike dhe të tensionit narrativ, përbëjnë vlera të mëdha të kësaj vepre, do të thoshim, ndër më të realizuarat në zhanrin e romanit tonë për fëmijë.
Mitet dhe përrallat bazën e tyre burimore e kanë në metaforat e hershme, siç na sugjerojnë jo pak studiues, si Klod Levi Stros, Jung etj. Përrallat u referohen ngjarjeve që ndodhin në kohë të lashta, ku e pabesueshmja dhe e pamundura, fantastikja, si në këtë rast, formula e gurëzimit (“Kush dëgjoftë e tregoftë gur mermeri u mbaroftë!” apo “Kush dëgjoftë e mos tregoftë gur mermeri u mbaroftë” si lojë fjalësh që luan me fatin për jetë a vdekje); janë “mbijetesa narrative të zakoneve dhe besimeve nga kohë dhe vende të tjera, të lashta; ajo ka frymëzuar llojet e modeleve shpjeguese”, siç shprehej folkloristi britanik Andrew Lang, dhe ku imazhet përrallore, duke qenë të mbushura me magji dhe me një mungesë të përgjithshme të dallimi midis kafshëve dhe njerëzve, përbën “një epokë të fantazisë së egër”. Janë ato arketipat e fatit, ngjarjeve, bëmave dhe përjetimeve që përsëriten nga koha në kohë me fytyrë gjithnjë të re.
Ndryshe nga mbushullimat e elementeve të tillë, shkrimtari Berisha e çliron përrallën, e qytetëron, e fisnikëron, e rikrijon, ia jep shenjën kulturore të identitet tonë të origjinës së lashtë, tek rrënjët. Në vazhdën e përvojës së tillë krijuese, edhe ky roman e përfill poetikën e traditës së letërsisë sonë për fëmijë në rikrijimin artistik të përrallës, e ku fantastikja merr rolin udhëheqës, si një mjet për të arritur thellësinë më të madhe artistike e psikologjike.
Dihet që përralla ishte njëra nga llojet më të rëndësishme për fëmijë, në kohën kur ende nuk kishte letërsi të shkruar për fëmijë. Së këndejmi, pra, edhe mrekullia, e pabesueshmja, fantastikja, lidhen me përrallën, me atë , “çfarë nuk mund të jetë”. E mrekullueshmja a mrekullia, janë të pabesueshme, të pakapshme për njeriun, por jo të pamundura. Te e fundit, këtë e thotë Aristoteli që në antikë, se arti merret me të mundshmen. Ngjarjet janë të pabesueshme (siç është kryetema e gurëzimit), por personazhet janë të botës reale, siç janë Lulmiri me mikun e tij shërbëtor, Delmeri, prindërit, gjyshërit, Nëna e Bjeshkës, madje edhe banorët e shtëpisë së Kacabashit, fqinjëve, nuses së Kacabashit etj.
“Na ishte një herë… dhe Gjyshja nisi të më rrëfente përrallën për Gruan e Kacabashit që më pushtoi dhe më tronditi pa fund.” Janë të njohura formulat e tilla të nisjes së rrëfimit. Rozhe Kajoa nënvizon se “bota e përrallës dhe bota reale gërshetohen ndërsjellas pa kurrfarë vështirësish dhe konfliktesh”. Figura e gjyshes nis me metarrëfimin a me metodologjinë narrative romanore që në fillim të kësaj vepre (Kreu i parë, Përralla që më ngazëlleu dhe më tronditi pa fund). Madje, te ky kapitull lexojmë një diskurs të tërë për burimet e rrëfimit përrallor. Autori, duke e marrë rolin e rrënimtarit të parë, e përligj faktin se fëmijët i mbajnë në mend rrëfimet me ndodhi të pazakonta, për shkak se rrëfimi i tillë është gjithçka që ata dëshirojnë; është blata krijuese që ai e ka ndaj gjyshes:
“Nuk e di se, njëmend, do t’ju pëlqejë edhe juve ky rrëfim, po unë e kam mbajtur gjatë në shpirt dhe e kam për detyrë të përmbush amanetin e Gjyshes sime. Tek e fundit, ky është dhe një ngushëllim për mua: duke e ritreguar këtë rrëfim – përrallë, e kujtoj Gjyshen dhe dashurinë e saj të paskaj ndaj meje, po t’ju dhuroj dhe juve diçka që mua më ka ngazëllyer dhe njëherit më ka tronditur pa fund. Pastaj, secili do të vendosë: ta përfillë për t’ua treguar dhe të tjerëve ose ta mbajë për vete. Thonë se njeriu i mirë gjërat e vlefshme nuk i mban vetëm për vete.”
Kështu na e përligj edhe një parim tjetër: që mbi bazën e përrallës popullore, është ndërtuar e rikrijuar edhe ky rrëfim artistik, apo roman për fëmijë.
Autori e shfrytëzon mjeshtërisht gjuhën e thjeshtë e të kuptueshme, po dhe simbolike të përrallës, duke e karakterizuar me të bukurën dhe magjinë e rrëfimit të këndshëm. Të gjitha i gjejmë në këtë roman: konfliktin në mes të mirës dhe së keqes, shpërblimet dhe ndëshkimet, apo “vendosjen e kushteve dhe provave, shtyrjen e shpërblimeve, objektet magjike dhe transformimet e mrekullueshmem”(Zalar, Ivo; Pintarić, Ana. 2008. Umjetničke bajke – teorija, pregled i interpretacije. Matica Hrvatska. Osijek, f. 7). Ky roman e ngre këtë veçanti të artit në një shkallë të lartë, ku i gërsheton kohët dhe hapësirat, botën shpirtërore e atë materiale, pengesat e zgjidhjet, nga njëra anë, po edhe botën e lojërave të kuptimeve, të asociacioneve e të enigmave, të peizazhit, të florës e të faunës, të ndenjësimit social e të atij të drejtësisë, të udhëtimeve fantastike përplot pengesa.
- Shpirti i aventurës e vë në lëvizje imagjinatën e fëmijës
Edhe te ky roman autori i bën vend historisë dhe legjendës, mitologjisë e besëtytnive popullore dhe përditshmërisë, aksionit dhe aventurës, të pabesueshmes dhe të rëndomtës, kurse vendin e nderit ua lë imagjinatës dhe peripecive, ëndërrimit dhe veprimit. Kudo do të ndeshesh me të pandodhurën, të papriturën e të pabesueshmen. Shpirti i aventurës e vë në lëvizje imagjinatën e fëmijës. Rrëfimi përrallor e legjendar dramatizohen me ndihmën e poetikës së veçantë të dialogut dhe gërshetohen me bisedën krejt të rëndomtë të imagjinatës. Kund e kund, do të thoshim, ky dialog e ky rrëfim intelektualizohen dhe përshkohen nga thënie të urta.
Fantastika narrative, në gërshetim me përshkrimet lirike, lexohet si një përjetim i bukur artistik. Autori është i kujdesshëm që këtë pritje të përrallës ta shndërrojë në artin e pranueshëm për fëmijë; që me rrëfimin të jetë i vëmendshëm për të mos e tepruar me elementet e tilla: në vepër ka përshkrime të realitetit shoqëror a familjar me një realizëm të mirëfilltë. Të dashura në këtë aspekt, na vijnë figurat e të moshuarve, të prindërve, e sidomos e nënës së Lulmirit, që brengoset për gjithçka.
Ky roman, për nga ana e jashtme, i ngjet përrallës gojore (popullore), por për nga strukturimi letrar, ky është një roman i mirëfilltë, duke i ruajtur lidhjet me popullin e me rrëfimet e tij; duke na paraqitur një mënyrë të re rrëfimi krahasuar me përrallën që e përmendëm në fillim dhe këtë risi narrative e tematike e arrijnë vetëm shkrimtarët e mirë.
Dhjetor 2020