Nga Ferit Hoxha
Gjithmonë shkruaj me kënaqësi për vendlindjen time, por pa dashur të merrem me historinë e Krahinës së Bendës apo më gjerë (pasi ajo ju takon historianëve), jam i detyruar që për shkak të rrethanave të prononcohem për mosvënien në vend të vlerave historike të kësaj zone. E pikërisht për rolin që ka luajtur Krahina e Bendës në krijimin e Brigadës XXIII-të Sulmuese gjatë LNÇ- it.
Për të vënë në pah këto fakte, më përpara po bëj një rezyme të shkurtër të ndikimit dhe qëndrimit që ka mbajtur kjo krahinë gjatë LANÇ-it.
Bazuar në shkrime të historianëve të ndryshëm, si dhe të fakteve që janë pasqyruar në librin “Benda në rrjedhën e historisë” të autorëve Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa, krahina e Bendës është rreshtuar dhe ka përkrahur çdo grupim që kishte si qëllim luftën e hapur ndaj pushtuesve.
Për hir të së vërtetës, për shkak të ndikimit që kishte Abaz Kupi në këtë zonë, një pjesë e mirë e burrave të kësaj zone u rreshtuan me Frontin Nacionalist të drejtuar nga vetë Abaz Kupi. Një pjesë e tyre ishin edhe në kupolën drejtuese, siç mund të përmendim rastin e Bajram Tares në pozicionin e zv. Abazit.
Vlen të përmendet fakti, se në zonën e Bendës u krijuan 5 çeta me nga 30-50 veta secila, të cilat dhanë një kontribut të madh jo vetëm brenda zonës, por edhe në aksione të tjera jashtë zonës së Bendës e qëllimi i tyre nuk ishte të dilnin kundër krahut tjetër, pra të forcave partizane (ku për fat të keq regjimi komunist e interpretoi si të tillë), por qëllimi i vetëm ishte lufta kundër armikut të përbashkët dhe si argument për këtë, shërben fakti i vërtetë se këto forca, kurrë nuk i drejtuan armët kundër njëri-tjetrit.
Ndërkohë shumë të tjerë nga zona, u rreshtuan me forcat partizane dhe kryesish në përbërje të Brigadës I, V dhe XXIII Sulmuese. Gjatë kësaj periudhe ato dhanë një kontribut të çmuar si në frontin e drejtpërdrejtë, ashtu dhe si mbështetje me strehime, transport, ushqime etj.
Gjatë kësaj lufte, përveç shumë të plagosurve pati edhe katër të vrarë si Sulejman Elezi, Xhemal Dervishi e Mahmud dhe Anife Sula.
Një kontribut të veçantë kjo krahinë ka dhënë në krijimin e Brigadës së XXIII Sulmuese e cila u krijua më 21 shtator 1944 tek Rrapi në Brahimaj, në fshatin Zall-Mëner. Për krijimin e kësaj brigade, u desh një përgatitje paraprake prej dy-tre muajsh, u desh angazhimi i drejtpërdrejtë i pleqësisë së fshatit Zall-Mëner dhe i shumë familjeve të këtij fshati e i tërë fshatarave përreth si nga Bulçeshi, Mëneri i Sipërm, Bastari, Bruzi etj.
Gjithashtu vlen të përmendet edhe ngritja e spitalit partizan në lagjen “Brahimaj” (afër rrapit). Pra në një farë mënyre shumë shtëpi u kthyen në shërbim dhe dispozicion të forcave partizane. Një rast i tillë është edhe ngritja e spitalit partizan në fshatin Bastar-Murrizë.
Pa dashur të zgjatem më shumë në rolin dhe ndikimin e Krahinës së Bendës gjatë LNÇ-it, pasi nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, theksoj faktin se për të nderuar krijimin e Brigadës XXIII Sulmuese dhe të rënët në luftë të kasaj brigade, u ngrit një lapidar pranë shkollës 8-vjeçare “Sulejman Elezi” në fshatin Zall-Mëner, ku në lapidar ishin vendosur emrat e 21 dëshmorve të kësaj brigade.
Vlen të theksohet fakti, se një herë në vit dhe pikërisht më 21 shtator, në formën e një feste, në Zall-Mëner përkujtohej krijimi i kësaj brigade dhe të rënët në luftë.
Me keqardhje për këtë, me ndërtimin e Liqenit të Bovillës ashtu si i gjithë fshati edhe lapidari u përmbyt nga uji. Vitet kalonin dhe asnjë nuk po kujtohej për ringritjen e këtij lapidari në një vend tjetër edhe pse ishte premtuar nga qeveria e atëhershme që për lapidarin do të gjendej një zgjidhje.
Në këto rrethana kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, pasi mori në shqyrtim kërkesat e herëpashershme të banorëve të zonës së Bendës (ku përfshihen Njësia Administrative Zall-Bastar,Tiranë, Njësia Administrative Cudhi, Krujë dhe veçanërisht të fshatit Zall-Mëner), për ringritjen e lapidarit kushtuar themelimit të Brigadës XXIII Sulmuese më 21 Shtator 1944 në fshatin Zall-Mëner, Tiranë, të përbërë nga tre batalione partizane: “Dajti”, “Krujë-Ishëm” dhe “Mati”, vendosi që me shkresën Nr. 17/11 Prot. Datë 20.04.2017 t’i propozojë Bashkisë Tiranë:
– Ringritjen e lapidarit kushtuar themelimit të Brigadës XXIII Sulmuese në Qendër të Njësisë Administrative Zall-Bastar si qendra më e afërt dhe më e përshtatshme me ish-fshatin Zall-Mëner ku ndodhej më përpara ky lapidar, e përkatësisht në oborrin e ish-shkollës 8-të vjeçare “Sulejman Elezi”.
– Lapidari të ketë të njëjtën përmasë dhe përmbajtje që kishte lapidari i parë, për të cilat disponohen fotot dhe dokumentet përkatëse.
– Në lapidar krahas emrave të 21 dëshmorëve të kësaj Brigade të rënë në LNÇ, të vendosen edhe emrat e katër dëshmorëve të Zonës Bendës.
Kjo kërkesë u mbështet edhe nga “Organizata e Familjeve të Dëshmorëve” dega Tiranë me Kryetar z. Ilir Shkëmbi dhe “Organizata e Familjeve të Dëshmorëve” për krahinën e Bendës të përfaqësuar nga z.Sulejman Elezi (nipi i Dëshmorit të Atdheut Sulejman Elezi, pra që mban të njëjtin emër). Gjithashtu kjo pati edhe përkrahjen e administratorit z. Genc Sita, të deputetit të zonës z. Xhemal Qefalia, si dhe të vetë Kryetarit të Bashkisë z. Erion Velia. Kjo kërkesë eshtë botuar edhe në Gazetën “Benda”, në një numër të saj.
Pas shumë takimesh dhe kosultimesh, këshilli bashkiak i Tiranës mori vendimin për ngritjen e Lapidarit në qendër të Zall-Bastarit, i cili do të inagurohej njëherësh me ristrukturimin dhe rehabilitimin e kësaj qendre ku mund të themi se është bërë një kryevepër e mendojmë se prezenca e lapidarit do t’ia shtojë akoma më shumë bukurinë.
Ky vendim i KBT-së që mban Nr. 101 datë 28.09.2017, është konfirmuar edhe nga Prefektura Tiranë më datë 10.10.2017, por çuditërisht, kanë kaluar katër vjet nga kërkesa jonë dhe nga miratimi në këshillin bashkiak të Tiranës, u bë dhe inagurimi i Qendrës Zall-Bastar dhe akoma nuk është ndërtuar lapidari. Nga infomacionet që kemi, është miratuar modeli, përmasat e tij, është bërë dhe tenderi si për projektin ashtu edhe për ndëtimin dhe akoma nuk vendoset lapidari, pra nuk ekzekutohet VKB-ja Tiranë.
Për këtë, herë pas here janë bërë kërkesa nga Organizata e Familjeve të Dëshmorve për Krahinën e Bendës, si dhe takime me personat përgjegjës dhe sensibilizime deri në Kryeministri dhe akoma heshtje!
Nisur nga kjo “moskokëçarje” e personave përgjegjës në Bashkinë Tiranë, na lind e drejta të dyshojmë për mosveprime të qëllimshme, ndaj me anë të këtij shkrimi, dua të shpreh indinjatën e thellë të banorëve të Bendës për personat përgjegjës. Ata që pengojnë ngritjen e këtij lapidari në kujtim të Dëshmorëve të Brigadës XXIII Sulmuese dhe të rënëve në luftë për çlirimin e vendit, duhet të vihen para përgjegjësisë dhe të merren masa urgjente për ekzekutimin e Këshillit Bashkiak Tiranë.
Askush nuk e ka të drejtën të pengojë apo të tjetërsojë vlerat e LANÇ-it dhe aq më tepër të dëshmorëve të tij. Ajo që kemi parë dhe na shqetëson akoma më shumë, është tendenca për ta kujtuar këtë datë historike (21 shtatorin e 1944) në vende dhe qytete të tjera.
Ne nuk jemi kundër kujtimit të çdo dëshmori në vendlindjen e tij, por as për tjetërsimin e historisë e krijimit të kësaj brigade dhe gjithashtu rolin e patjetërsueshëm që dha Krahina e Bendës në formimin e saj dhe në LANÇ. Ajo hapi dyert, i mbështeti me çdo mundësi që kishte me gjithë vështirësitë e veta, si edhe iu bashkua kësaj brigade edhe me dhjetra e dhjetra forca që luftuan deri në çlirimin e vendit.
Pra, krijimi i Brigadës XXIII Sulmuese, lufta për çlirimin e vendit dhe roli i Krahinës së Bendës në këto momente historike, dhe në shumë të tjera, është e pandashme dhe pikërisht për këtë jemi krenarë!
LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
Nga Ferit Hoxha – Kryetar i Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda”.
Tiranë më 21.09.2021