Bretkosa dhe arti i qeverisjes

0
298
Lutfi Coka

Lutfi Coka

Tregohet se dikur, Presidenti i dërgoi të gjithë ministrat, tek një burrë i mençur, për të mësuar prej tij artin e qeverisjes dhe mbajtjes së pushtetit.

Me të mbërritur, burri i mençuri i mori dhe të gjithë dolën në pyll. Pasi u ulën në një lëndinë, pranë një përroi, ai i la mënjanë librat e tij dhe u tha:”Sot do u mësoj si t’i gatuani bretkosat të gjalla!”

Ministrat panë njëri-tjetrin në sy të çuditur nga ato që po u dëgjonin veshët. Mandej, shikimet e tyre u fokusuan tek burri i mençur, për të hetuar ndonjë rrjedhje apo çrregullim mendor.

“Ka njerëz të cilët nuk mund të mendojnë njëkohësisht në më shumë se një çështje të vetme, prandaj i angazhoni me një çështje!” u tha burri i mençur teksa po hetonte rreth e rrotull s’i të ishte duke kërkuar diçka. Mandej, i pyeti spontanisht:”A ia ka idenë ndonjëri prej jush si mund ta gatuajmë bretkosën”!?….

Të gjithë u zhytën në mendime, sa që njëri ia priti:”Ta gatuajmë në një enë me ujë që vlon.”

Gjithë ironi, burri i mençur ia ktheu:”E çfarë do e joshë bretkosën të qëndrojë në një enë të nxehtë?! Madje, në një enë me ujë që vlon! Vallë po ti ishe ti në vendin e bretkosës, a do të qëndroje në një enë të tillë?!”

Të gjithë ministrat heshtën, pa ditur ç’të thonë. Në fakt, ndiheshin edhe inferiorë para këtij burri të çuditshëm.

Sakaq, burri i moshuar u tha:”Jo bijtë e mi, jo. Nëse e futim brektosën në ujë të nxehtë, ajo do të kërcejë menjëherë që andej, sado joshëse të jetë ena. Është instinkti i mbijetesës ai që do e shtyjë të kërcejë sa më fort. Nëse e futim në një enë me ujë të ftohtë, do të qëndrojë për pak kohë dhe do të kërcejë sërish, në kërkim të ushqimit. Por nëse e futim në ujë të vakët, mbi një zjarr jo të madh dhe i vendosim në enë pakës ushqim të cilin e arrin paksa me zorr, bretkosa do të qëndrojë brenda enës derisa të ngrodhë nga uji që valon.”
Njëri nga ministrat pyeti gjithë habi:”Po përse nuk kërcen nga uji që sa vjen e nxehet derisa fillon e valon?!”

Burri i urtë u përgjigj:”Sepse instinkti i reagimit ndaj ujit të nxehtë, është manipuluar me ujë të vakët, i cili filloi ta rrisë nivelin e nxehtësisë në mënyrë të përshkallëzuar. Bretkosa mësohet me rritjen e temperaturës së ujit dhe nuk lëviz derisa të ngordhë.”

Pas një heshtje që pllakosi, burri i mençur shtoi me zë më të lartë: ”Kështu o mendjezbrazur qeverisen popujt!?… Kështu u vihen vargonjtë popujve në qafë… Pikërisht masave të cilave s’keni ç’tu bëni tjetër, atyre, zemëratën e të cilëve nuk e frenoni dot…

Prandaj, i angazhoni në kërkim të kafshatës së bukës me njërën dorë, kurse me dorën tjetër ruani temperaturën e zjarrit të jetë e qetë dhe në rritje të përshkallëzuar dhe të mirë llogaritur. Mos bëni ndonjë gafë ta rrisni temperaturën e zjarrin befasisht. Vetëm pasi t’i shihni gjymtyrët e “bretkosës” të shtrira në të katër dhe të pafuqishme për të marrë vendimin për të kërcyer mund ta rrisni temperaturën. Nuk duhet të harroni as sigurimin e ushqimit në sasi të domosdoshme, sa për të mbijetuar, pasi vetëm kështu i privoni nga të menduarit jashtë enës së ushqimit.”

Mandej, i urti, me duart pas shpine, filloi të hedhë disa hapa para ministrave duke u thënë:”Ka mendje të cilat nuk mendojnë dot njëkohësisht në më shumë se një çështje, prandaj i angazhoni të merren vetëm me një çështje!

Ka mendje të tjera të cilat janë kufizuara vetëm brenda kufijve të trupit, nuk u intereson gjë tjetër përveç përmbushjes së nevojave të tyre. Këtyre, ua bëni kënaqësitë një horizont që nuk përfundon asnjëherë!

Rrezikun e keni tek ato mendje që shohin larg, që kanë objektiva dhe ambicie, mendje që e studiojnë çdo hap që hedhin drejt të ardhmes, mendje që e refuzojnë që në themel idenë e enës, mendje që dinë çdo marifet dhe hile, mendje që refuzojnë të banojnë në çdo gjymtyrë tjetër përveç kokës.”

Pastaj, i urti heshti për një farë kohe dhe duke u hedhur nga një shikim në sy ministrave të cilët kishin mbetur të shtangur në vend, u tha:”Nëse ndonjë ditë përballeni me mendje të tilla, këshilla ime është: T’u jepni gjithçka që duan! Ata nuk do të kërkojnë më shumë se të drejtën e tyre. Në të kundërt, ata do lartësohen mbi ju dhe nuk do ua japin atë që do u kërkoni!”