Botë e sinqertë e shprehur në vargje poetikë

1
1773

Poeti Eduart Mata

Një Gurrë që po tregon se nuk shteron kurrë, e vetëm sa shtohet uji i burimit, e freskin e tij e ndiejm edhe ne… Urime poet Eduart Mata, dhe shtepis botuese Ada!..


Sapo doli nga shtypi Libri i III i autorit tash te konfirmuar me forcen e fjales ne zhanrin e poezisë!…

Titulli Ujëvarë shpirti
Autori Eduart Mata
Redaktoi Lulzim Hajdari
Korrektoi Berzat Hasa (Hasa Berzat)
Punoi në kompjutër Hata Onuzi
Kopertina Hazbi Dida
Nën Kujdesin e Lsha Kukës
Botimi i parë, 2016
ISBN: 978-9928-223-25-8
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 13.5x20cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit

Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, shtator 2016
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Mata, Eduart
Ujëvarë shpirti : poezi / Eduart Mata ; red.
Lulzim Hajdari. – Tiranë : Ada, 2016
108 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-25-8
1.Letërsia shqipe 2.Ese
821.18 -4


Botë e sinqertë e shprehur në vargje poetikë

Nga Veron Koni

Kur miku im Lulzim Hajdari, sekretar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve – dega, Kukës, më kërkoi të shkruaja parathënien e librit të poetit të ri Eduart Mata, në fillim hezitova sepse isha i mbingarkuar me punët e mia krijuese, por, pas disa ditësh gjeta një hapësirë të lirë dhe iu futa leximit të poezive të këtij vëllimi. Miku im kukësian, për të mos më mbingarkuar, më kishte dërguar vetëm 15 poezi të vëllimit, kështu që për hartimin e kësaj parathënie u mbështeta në leximin e tyre, nisur edhe nga fjala e urte se “Për të provuar shijen e verës, mjafton një gotë verë dhe nuk ka nevojë të pishë të gjithë fuçinë”.
Për të qenë sa më i çiltër me lexuesin, që në leximin poezisë së parë të vëllimit, e pikërisht në poezinë “Sa fatzi qenka poeti!”, ndjeva se nuk do ta kisha kaq të lehtë të shkruaja këtë parathënieje. Përmbajtja e poezisë, si dhe figuracioni i saj i gjallë, me metafora dhe krahasime të bukura, më stepën, më detyruan të “mbaj këmbët” dhe të përqendrojë më fort vëmendjen.

Po më krijohej bindja se kisha përpara një poet vërtet të ri, por të thellë në mendime, që shkruante me një stil të thjeshtë, me një mendim figurativ të ngjeshur dhe të pasur poetik, të kthjellët në ide dhe mesazhe, me aluzione dhe shigjetime të drejtpërdrejta. Mbase po zgjatem disi që në hyrje, por, siç thotë Berndard Shohu “Fjalët janë si qershitë, kap një dhe merr dy”, kështu që, ndjej se është përmbajtja poezive të Eduart Matës, që po më bënë të shkruaj dhe të shprehem sa më lirshëm e pa kufizime faqesh e hapësirash. Në poezinë që përmenda “Sa fatzi qenka poeti!, me një format interesant, në pak vargje, poeti ia arrin të shprehë një situatë të dhimbshme, duke më sjell ndërmend mesazhin poetik se, poeti nuk ka thjesht detyrën të përshkruaj atë që ndjen ai vetë, por ai ka në radhë të parë misionin që të jetë një luftëtar i së drejtës dhe së vërtetës, i udhëhequr gjithashtu edhe nga fjala e urtë se “Kapiteni i mirë njihet në furtunë” dhe se ai duhet të tregohet i pamposhtur përballë pengesave dhe vështirësive.

“Në faqen e eklipsit të Hënës/Me guximin e pamposhtur të marinarit/Mes ujërave të turbullta në kërkim të tokës/Si fletë e uritur për shkronjat,/Që nuk ndalon kurrë në kërkim të ëndrrës…Ndërkaq, gjatë leximit, vlerësova poezinë: “Si degë peme”, ku poeti përdor me shkathtësi të admirueshme figuracionin poetik, ashtu si mjeshtri i pianos përdor mjeshtërisht notat muzikore, duke krijuar variacione të bukura dhe tërheqëse për dëgjuesin: Hëna tretet në dëshpërim,/Sytë e lagur ia derdh qiellit,/Nëpër ishujt e braktisur/Dergjet nata me këngët e bregut.

Me poetët ndodhë që, jo rrallë, bëhen robër të mendimeve, emocioneve dhe ndjenjave të tyre personale. Të gjithëve mund të na ndodh në jetë të jemi të tronditur, të biem në pesimizëm, të humbasim drejtpeshimin apo vet orientimin; askush nuk mund të thotë se, në çdo çast ka pushtetin e plotë mbi vetveten. Nëse padashur shpojmë gishtin me një gjemb, atëherë do të lëshojmë një “of!”, doemos. E njëjta gjë ndodh edhe kur na thumbojnë me një fjalë fyese apo të papërshtatshme, pasi, si njerëz, jemi qenie të brishta, reaguese. Aq më i madh është ky reagim, kur fjala është një akuzë e padrejtë, një kërcënim, një e keqe apo një padrejtësi që mund të na bëj dikush. Ajo që e bënë ndryshe poetin, është se ai reagon fort jo vetëm ndaj një fjale, fyerje apo akuze personale, por ai reagon edhe kur fjalët shprehin padrejtësi, gënjeshtër, krim etj., dhe, këto, bien edhe mbi të tjerë njerëz, mbi individë apo grupe shoqërore e më gjerë.

Kjo ndodh sepse poeti është i ndjeshëm, është human, ai nuk mund të qëndroj indiferent e sehirxhi ndaj vuajtjeve të të tjerëve, ndaj realiteteve dhe gjendjeve të mjeruara, ndaj padrejtësive dhe shtypjeve të lirive dhe të drejtave të njerëzve qofshin ato afër apo larg tij. Këtë mesazh e marrim qartas edhe te poezia “Kjo valixhe e trishtë!”, ku, nëpërmjet krahasimit të jetës me një valixhe të mbyllur, poeti përshkruan jetën njerëzore, jetën “e pafat”, e të dhimbshme e ku figurativisht spikat krahasimi: Kjo valixhe që ka hapur gojën si çorap i grisur/Palos ditët si vargjet Migjeniane, Dhe, në vazhdim, ai e thellon dhe e mpreh shigjetën kritike poetike, veçanërisht kur shpresa dhe besimi humbasin perspektivën, kur në tunelin e jetës nuk shihet dritë askund, kur grushti bie mbi mjerimin dhe e dërmon krejt dhe, atëherë, jeta shndërrohet në një valixhe të mbyllur dhe: Merr gjithë grushtet e dhimbjes dhe i sh’ndrron në jehonë/ Për të shprehur forcën ndaj një qengji të butë,/Që fle i uritur s’kaj bordurës së heshtur të shpresës…Poezia ka tingull dëshpërues, por brenda saj ziejnë ndjenja të revoltës, gjaku gurgullon në arterie me forcë duke trimëruar zemrën dhe vetëdijen poetike për të reaguar fuqimisht dhe për të mos u pajtuar me të keqen apo me realitetet e dhimbshme dhe të ashpra që, jeta, jo rrallë u ofron njerëzve në rrugët e saj.

Në poezinë origjinale “Përtej lumit”, duke përdorur mjeshtërisht metaforën dhe krahasimin, poeti nëpërmjet përshkrimit të një tabloje poetike-ku gjallërojnë ngjyrat dhe spikatin figurat, zbulon një lidhje dhe harmoni mes ligjeve të “egra” të jetës, të shoqërisë njerëzore me ato të natyrës, të bënë të shohësh figurshëm përmes asaj çfarë ndodh në natyrë, vetë jetën dhe pasqyrimin e saj: Një gojë e uritur zbret shpatin dalëngadalë/Tërbohen ujërat duke bartë gurë e lisa të thyer,/ Rruga shfletohet mes çirrjes së njerëzve/Që nëpër shi fluturojnë si shpend të marrë. Ndërkaq, ai sheh brenda shpirtit dhe forcës së njeriut, ku ekzistojnë forca të atilla, që orientojnë mendimin dëshpërues e pesimist në krahun pozitiv të optimizmit, teksa në mendjen time si lexues, figurativisht kujtoja faktin se, në rrënjët e drurëve ka përrenj të vegjël e të shumtë që, të bërë bashkë, mund t`i japin drurit që po vyshket jetë dhe zhvillim të ri. Ndërkaq, Eduart Mata, në mënyrë poetike tregon se kanë ekzistuar çaste apo kohë kur: Më tregonte dikur dielli, Për këtë pyll ku piqej vera,/Ndër gishta rrëshqiste atëherë njerëzia, Të derdhur si ujë krojni me zemra të pastra…

Nuk është se këtu ka nostalgji për kohë që shkuan, por poeti shpreh besimin te fuqia dhe shpirti njerëzor, i cili kohën dhe jetën e bën dhe e “shkruan” vetë, veçanërisht atëherë kur është i mobilizuar fizikisht e shpirtërisht, atëherë ai arrin t`i largohet situatave pesimiste dhe gjendjeve dëshpëruese, duke e kthyer “timonin” e jetës te shpresa dhe besimi, te një e ardhme më e mirë, duke luftuar më shumë me vetveten, por edhe duke e ndryshuar jetën dhe të ardhmen me punë, veprime aktive, pa iu dorëzuar vështirësive dhe mureve të larta që ngrenë dallgët përpara njerëzve të thjeshtë e me zemra të pastra.

Është një poezi e dhimbshme, por realiste, poezia “Gurrat e shpirtit tim”, në të cilën, Eduart Mata, duke krahasuar shpirtin e tij me një ngrehinë, lartëson zërin poetik për të shprehur dhembjen që ndjen dhe për të demaskuar realitetin dëshpërues, ndoshta të parë e të përjetuar në tablonë e jetës, por që tek ai nuk mund të kaloj pa u ndjerë, pasi, poeti, nuk mund të bëj gjoja sikur nuk po ndodh asgjë rreth e qark tij. Prandaj dhe shigjeta kritike denoncon mjerimin e jetës, asaj jete që shkakton dhimbje jo vetëm tek të rriturit, por deri edhe te fëmijët që nuk dinë se çfarë ndodh në këtë botë, por qysh në lindje janë të detyruar t`u nënshtrohen “ligjeve” të ashpra dhe varfërisë ekstreme: Gurrat e shpirtit tim/Janë si çati të vjetra që pikojnë shi,/Shi që lagë gjithë qenien time,/Shpërlan dhe fëmijët që pinë gji.. Tërheq vëmendjen poezia “Fjolla Vrastare”, e cila shpreh zhgënjimin në jetë, duke hamendësuar fatin e njeriut me fatin e natyrës dhe të gjallesave të saj – le të themi në një ngricë dimërore.

Dihet se, edhe natyra ka huqet e saj ashtu si edhe njeriu, ajo vjen herë si tërmet që shkatërron, herë si cunam që përmbyt pa mëshirë, herë si stuhi dhe ciklon që pështjellon, vërtit e tërheq gjithçka në gropën e tij të zezë, herë si ortek dëbore… Dhe, poeti, me penën e tij të hollë, di se si ta përshkruaj me realizëm këtë situatë që e zë jetën “për gryke” krejt papritur: Mbi gjethe të blerta bora ka ra/Papritur i ngriu t’ gjitha lulet,/Na prishi qilimin e sapo qëndisur/Foletë e zogjve të mjerë i la braktisur…Natyrisht që dikush që do të lexoj këto vargje do të thotë mbase me indiferencë, e, po: C`est la vie! (fr. “Kështu e ka jeta!”), duam apo nuk duam “Kur vjen e keqja, hapi derën!”, “ajo do të bëj të sajën” kurse, ne, “duhet t`i bindemi forcës dhe zemërimit, t`i nënshtrohemi, të mos e ngremë zërin, të heshtim!”. Poeti nuk e ka fjalën aspak te fatalizmi, që të bëhemi kërcu dhe të lëkundemi andej-këndej nga na vërvit dallga apo orteku i dëborës, por, me një mendim artistik të fshehur, nën reshta, ai na thotë që të jemi të përgatitur, të gatshëm që të përballojmë dallgët dhe vështirësitë e jetës, të mos e vendosim veten në mëshirë të fatit dhe të së keqes, ndërkohë që, edhe të mendojmë se si t`i zbutim sa të mundim të këqijat, që shpesh na “vizitojnë” pa i ftuar e pa i dëshiruar…

Krijoj përshtypjen se poezia “Të dua të vish” përbën një kredo poetike të dëshirave të brendshme të Eduart Matës, i cili, pas disa poezive që shigjetojnë tablonë e realiteteve të dhimbshme, i drejtohet forcës së brendshme të njeriut, duke e “urdhëruar” me gjuhë poetike: Të dua të vish prej njeriu/ I lehtë e i thyer, si varg dashurie,/Të vish prej shkronjave të arta,/Të bëj togfjalësh apo prozë hirësie.

Është kjo një poezi përmbyllëse e këtij vëllimi, jo sepse i vë një kapak të artë dëshirave dhe mendimeve përgjithësisht kritike të thuajse shumicës së poezive, por sepse duket një mbyllje e denjë që shpreh zërin poetik të shpresës dhe besimit tek një e ardhme më e mirë, më dinjitoze për individin dhe shoqërinë, sepse, tek e fundit, jetën që kemi do ta jetojmë duke mposhtur doemos dallgët dhe vështirësitë, ashtu siç bëjmë me ujin vërshues të lumenjve kur, me punë të jashtëzakonshme, ngremë diga dhe e disiplinojmë e orientojmë ujin të rrjedhë atje ku duhet, e bëjmë të prodhojë atë që kemi më shumë nevojë: energjinë dhe dritën.

Urime poetit Eduart Mata për këtë vëllim poetik, të ndjerë dhe të sinqertë. Në poezitë e këtij vëllimi, lexuesi do të njohë poetin me shpirt të ndjeshëm, kritikë ndaj padrejtësive, optimistë në forcën dhe mundësitë njerëzore për të ndryshuar realitetet e përthyera, për të luftuar të keqen dhe për të afirmuar të renë progresive e përparimtare.

Viron Kona

Dergoi per publikim, Gjin Musa, gazetar

1 KOMENT

  1. Përshëndetje miku im i nderuar poeti Eduard Mata.

    KOHRAT

    Para luftës pata thënë
    Kur të vijë liria
    Do të jemi krenarë
    Ajo erdhi
    Por njerz të çuar peshë
    Humben dinjitetin

    VETEM PëR TY

    Sa vargje sa këngë
    Sa dëshira
    E sa sakrifica
    Vetëm për ty
    E alarmuam botën
    Të lirë të jemi
    E sa miq fituam
    Menquria guximi
    Vetëm për ty Atdhe.

    MESAZH

    LAKMIA JU VERBOI
    LAKMIA JU VERBOI

    Tokën ta e ruajm si sytë
    Botën ta e bëjm të lumtur

    Dahuria për Atdheun
    Të pamunduren
    E bëm të mundur.

    Ju lutem
    Mos e vrisni të ardhmën

    SHPIRT I TRAZUAR

    Me dashuri e zjarr
    Dolëm ngadhnjimtarë
    Sprovë për ne
    A do të dimë ta mbajm

    Ndonjëherë
    E mira të vret
    Të lëndon të zhgënjen
    Shpirtin e trazon

    Dhe kur i shoh të vuajturit
    Vuaj më shumë se ata.

    Nga Halil Preniqi.

Komentet janë mbyllur.