Bota po e lexon mendjen tonë !

0
492

shkruan Fahri Xharra

“Duket që përpjekjet e Kosovës për t’u identifikuar me Europën po shkojnë huq. Të gjithë politikanët kosovarë që prej shkatërrimit të Jugosllavisë, në secilën paraqitje e theksojnë se Kosova është vend europian dhe se vendi i saj është Bashkimin Europian dhe struktura tjera euroatlantike. Shkrimtarët, historianët dhe individë, që kanë peshë publike, madje shkojnë edhe më tej, duke theksuar se kësaj bote vendi i përket edhe kulturalisht.” –shkruan Gazetaexpress.

Por kjo vetem me gojë dhe shkrime boshe nga ne.

“Televizioni ARTE kur tregon, që popullata e Kosovës 90 për qind përbëhet nga shqiptarët, atëherë ilustrimi bëhet me një flamur të gjelbër me yll dhe hënë. Ndërkohë që për serbët ortodoksë në Veri ilustrimi bëhet me një kryq i mbështjellë më ngjyrë të kuqe.

A thua, pse ?

Ja një copëz nga shkrimi im, i vitit 2011 që “Lufta e UÇK-së nuk ishte luftë fetare

Serbia dëshironte që luftën tonë çlrimtare në Kosovë, ta kthejë në luftë fetare. Atëherë sikur lufta jonë të hidhej në përkufizimet fetare, ajo luftë nuk do të kishte përfunduar kurrë. Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës iu bashkëngjitën me mijëra djem e vasha nga Kosova, shqiptarë e shqiptare nga Amerika, Gjermania, Franca, Zvicra, Britania e Madhe, të mos i përmend të gjitha shtetet, kurse propaganda serbe dhe ajo anti-shqiptare thoshte për mijëra muxhahedinë nga Lindja e Mesme dhe pjesëve tjera të botës, që po iu bashkohëkan UÇK-së, në luftë kundër Serbisë.

Lajmi i keq nga Pakistani, në tetor 1998, ku mbahej Konferenca Islamike “se separatizmi shqiptar në Kosovë e Metohi karakterizohej si “xhihad“, (luftë e shenjtë). Me të vërtetë, lufta e UÇK-s ishte luftë e shenjtë kombëtare por jo, kurrën e kurrës, fetare. Derisa para dhe gjatë luftës “raportohej” për ardhjen e luftëtarëve islamikë për t’iu bashkuar UÇK-së, gazeta “The TIMES”( Londër, 26. 11.1998) shkruante: ”Derisa për shqiptarët muxhahidinët paraqesin një katastrofë publike, presidenti Millosheviq e forconte regjimin e tij, duke portretizuar luftën e Serbisë, si luftën e tyre të mbrojtës së Evropës nga Islami.”

Pse, ne paskemi qenë ata dhe tani jemi ata që po ia hapkemi dyert islamizmit në Evropë? E pranon UÇK-ja këtë? E pranojnë të gjallët e UÇK-së t’iu shtrembërohet qëllimi i luftës së tyre? Them unë, themi të gjithë se JO.

Edhe serbët e dinë, edhe bota myslimane e ajo e krishtere e di shumë mirë që në radhët e UÇK-së ka pasur shqiptarë të të gjitha besimeve, jo vetëm si ushtarë por edhe si komandantë dhe se kanë kontribuar me të holla e armatim shqiptarët e të gjitha konfesioneve fetare. E gjithë bota e di se shqiptarët e të gjitha feve e besimeve kanë qenë të masakruar, të çnjerëzuar, të djegur e të dëbuar e të depërtuar. Të gjithë që nga Lindja e Perëndimi, nga Veriu e Jugu e dinë që polici, ushtari, paraushtaraku serb nuk ka vrarë se pse ishim myslimanë, apo sepse ishim katolikë, por se pse ishim shqiptarë.

“The Scotsman”, më 30.11.98, nga gazetari Chris Stephen raportonte nga Prishtina: ”Përafërsisht një e katërta e UÇK-s janë shqiptarë jomyslimanë dhe se gjatë gjithë kohës lufta me serbët ortodoksë, lufta e shqiptarëve nuk është luftë fetare por kombëtare.
“The Scotsman” i cekte burimet e larta të UÇK-së: “Është qëndrim i qartë se ne nuk i duam ata (muxhahidinët) në mesin tonë, dhe asgjë nga ata. Edhe pse ishim të këshilluar nga miqtë tanë, ne kemi pasur parasysh këtë edhe më herët“.

Po sot pse kualifikohemi si shtet islamik?
Nuk është rastesi, vetë po e dëshirojmë.

Fahri Xharra, 23.04.19
Gjakovë