BOTA, KARAKTERI DHE PËRMASAT AKTORIALE TË NDREKË LUCËS NË NJË MONOGRAFI

0
1215
Ndrekë Luca

XHAHID BUSHATI

ese dhe shënime për monografinë ‘Ndrekë Luca’ botim Mirgeeralb, 2016; me autor Dr. Luigj Martini

1.
Ndoshta… si “pa dashje”, sigurisht “pa leje” koha dhe vitet ia kanë zbardhur flokët. Tërësisht. Po ta kesh pranë, siç e kam unë mik të vyer, ajo dëborë e flokëve ngjan si copëz mëndafshi. Bardhësi fatlume apo bardhësi indiferente?.. Mbase bardhësi që i ngjan motivit të një përralle në ëndrrat e një gjysheje. Mbase ngjan me at’ njeriun që po plaket dhe s’don të plaket. Me at’ njeriun që sfidon mplakjen e tij…

Në sytë e tij të përqëndruar e vështrimtarë, në të folurin e ngadaltë, pasionant; gjithnjë fshihet një rrëfim alkimie, ndoshta pjesë përbërëse, ndoshta vazhdimësi e paqtë nga idhujtaria e profesionit si kimist. Kushedi… Po, ky është Luigj Martini, që në bisedën e parë të ofron inteligjencien e syve kurreshtarë që të ndjekin pa ia da, që botën e tij plot motive ta zbulon gjeth pas gjethi, e ty të ngjan se je në një shëtitje pylli, ku realja dhe fantastikja jetojnë kahmot, në pleqërinë e tyre të paqtë, dhe presin që dikush t’i kthejë në imazhe e pse jo edhe në sekuenca filmi jete. E, Luigj Martini në rrugëtimin e tij ka vendosur të jetë një kërkues i heshtur, i pamërzitshëm dhe i palodhur… Edhe në një nanurisje uji që të lë pa mend, ai ka për detyrë “ta përziejë” me pak ngjyrë optimizmi dhe buzëqeshje agimi, me pak farfuritje të dritësueme të parreshtura ylberesh… Një botë alkimike që edhe në heshtje e dashuron… Një botë alkimie që vetë Bota ka nevojë për të…

Dr. Luigj Martini mbart në vetvete edhe një rrugëtim tjetër, pasionin drejt monografisë, si zhanër që i ka falur shumë jetë nga jeta e tij, e që vazhdon në këtë ritual… Siç duket alkimia e tij e mbështet këtë filozofi: të gdhend personazhe e të gdhend histori; të njoh jetë e të dritësojë kujtime me puhiza malli. Këtë nuk ta thotë kurrë, por e kupton se mes shumë fjalëve emërtesa ‘skedë’ lëviz herë pas here dhe kërkon shoqet e saj, me siguri… një premtim i ri…, sa historik, sa letrar, sa artistik.

Kështu ngjet me Doktorin e Shkencave Luigj Martinin, ku monografia sikur i është bërë “pronë hipotekore”. Ndaj, dhe këto ditë nxori në qarkullim monografinë e radhës, që i kushtohet Artistit të Popullit Ndrekë Luca. Autori i kësaj monografie vjen pas një përvoje disavjeçare, këmbëngulëse e të lavdrueshme në këtë lloj dokumentimi historik. Pasi emri i tij lidhet edhe me disa monografi të tjera të botuara kohë më parë, të cilat kanë natyra dhe qasje të ndryshme, dhe përmbajnë në tekstet e tyre realitete të caktuara: politike, shoqërore e sociale. Në këtë hulli shumëdegëzimesh lëvizin e fokusohen personazhe, zhvillohen ngjarje dhe rrëfehen histori, shfaqen drama dhe dritësohen gjurmë e skuta të padukshme, përpjekje dhe ideale, identitete dhe role shqiptarizmash të vërteta, rrezëllin lavdia dhe përmendoret e ngritura jetojnë në lavdinë e tyre.

2.
Monografia kushtuar Aktorit të skenës dhe të ekranit Ndrekë Luca, para se të jetë letrare e dokumentare, në zanafillën e vet ka një marrëdhënie të hershme e me rrezatim jetësor. Kjo marrëdhënie vit pas viti shfaqet me hapësirat e saj intime dhe shoqërore, në të cilat shëtit dhe lulëzon një miqësi e gjatë në mes autorit të veprës dhe Ndrekë Lucës. Ndaj, dhe kjo fjalë-kyç burimon që në nisjen e kësaj monografie. Këtë mendim ta përforcon vetë teksti gjatë leximit të tij; argumentimi dhe interpretimi, mënyra e vrojtimit dhe e paraqitjes, etj., etj.

Nisur nga ky prizëm këndvështrimesh, mendojmë që autori Luigj Martini nuk e ka pasur aq të lehtë për të pasqyruar dimensionin jetësor e artistik të Ndrekë Lucës. Ndonëse rrugët dhe sprovat e zgjedhura që, siç i thashë dhe më sipër nuk kanë qenë dhe aq të lehta, por autori, falë përvojës në fushën e monografisë, falë guximit krijues, talentit, i ka kaluar me sukses. Monografia në vlerat njerëzore dhe artistike që mbart: është realiste, zgjon interes, kurreshtje, falë emocion dhe kënaqësi estetike. Mbi të gjitha shkëlqen: E VËRTETA e NJERIUT të VËRTETË.

3.
*Dukuria e parë, si shenjë në jetën e Ndrekë Lucës është koha. Koha, si bashkëshoqëruese e tij, paraqitet me fytyrën e saj jo të njëtrajtshme, shpesh jofavofizuese në ecjen, rrugëtimin, betejat, sfidat, zhvillimin jetësor e më vonë artistik të protagonistit. Dhe për ta zgjidhur konceptualisht portretin-monografik, autori ka zgjedhur shumë rrafshe shikimi, të cilat i ka ndërtuar mbi disa vatra tematikore, të domosdoshme për të vijëzuar artistikisht potencialet jetësore dhe aktoriale të Ndrekë Lucës.

*Dukuria e dytë, si shenjë në jetën e Ndrekë Lucës është marrëdhënia krijues – protagonist. Janë ca vështirësi njerëzore e humane që shfaqen papritur e vetiu dhe, ulen këmbëkryq”, në sofrën letrare, e laboratorin krijues, aq më shumë kur flasim për proces krijues e dokumentues. Përse e themi këtë? Sepse po flasim… për një rrugë që nuk mund t’i largohesh dot. Të “detyron”. E ke mik, kur duhet ta vështrosh si personazh, e ke dashamir kur duhet ta vlerësosh për kontributin e vyer… Aq më shumë, kur ke para një njeri me dimension artistik, që skena e teatrit shqiptar dhe filmi në historikun e zhvillimit të tyre, nuk mund të kuptohen pa emrin e madhështinë e tij.

*Dukuria e tretë, si shenjë në jetën e Ndrekë Lucës është vendosja mirë e ngjarjeve dhe e cilësive të aktorit në kohë dhe në hapësirë, ku në plotësim të biografisë së tij e shoqërojnë rrëfenjat e dëshmitarëve kohorë (jetësorë) e të pranishëm. Realiteti shfaqet përmes reales, e i hijeshuar nga një sfond sa human aq dhe njerëzor.

*Dukuria e katërt, si shenjë në jetën e Ndrekë Lucës është besueshmëria e realiteteve, të cilat i cilëson autori Martini; realitete që pak nga pak, herë të dukshme e herë të padukshme ndikojnë në formimin e karakterit dhe të dinjitetit të Ndrekës. Për rrjedhojë, paraqitja e shumë sprovave të personazhit (herë monolog e herë dialog) me veten e me të tjerët; raportet e tij me artin dhe ëndrrën-artist, jo vetëm janë theksuar me të drejtë, por ruajnë një modul proverbial: “Jeta e tij (e Ndrekës, – shënimi im Xh.B.) – nuk ishte e tij” – pohon si konkluzion autori i monografisë.

*Dukuria e pestë, si shenjë në jetën e Ndrekë Lucës është që: shumë skena jetësore kanë përngjasim e qasje, shpesh të njëllojta e të përafërta me skenën teatrore a filmike, të cilat në këtë bashkëpunim të ngushtë evidentojnë shumë pika të vlerta të botës së aktorit, si për shembull: improvizimet e befta e plot kulturë, emocionet e përligjura, lirizmi shpirtëror, flladi romantik, potera, zhurmësia, vrazhdësia, vështrimvendosur, asnjë prirje për të evidentuar vetveten (modest), i thjeshtë, zemërgjerë, bashkëshort e prind shembullor, debatues i logjikshëm, i heshtur, dhe përsëri i heshtur në pafjalësinë e tij… (si një motiv dashunues i njeriut të vlefshëm, i Njeriut – Njeri.)

Me këto cilësi hyri Ndreka në botën e madhe të artit. Me mimikën, plastikën e tij, me fjalën e shpirtit a shpirtin e fjalës: gdhendi një galeri personazhesh për t’u mos u harruar kurrë, personazhe, disa prej të cilëve me karakterin e tyre, me batutat a shprehjet u bënë proverbiale, të cilat jetojnë edhe sot e kësaj dite.

Luigj Martini me mjeshtëri e finesë, me përkujdesje e fjalë të matura (racional ashtu siç ishte racional vetë Ndrekë Luca), i ka ruajtur këto pesë dukuri dhe shumë të tjera që s’i përmenda por që, për t’i njohur e kërkuar janë të gjetshme në monografi. Janë të kundrueshme! Këto dukuri kanë ruajtur disa raporte, ku në shpeshtinë e tyre ndërthuren bukur dhe harmonizohen estetikisht.

4.
Nga mënyra se si e ka parë figurën e Lucës, si e ka konceptuar, si e ka strukturuar, si na e ka rrëfyer; jo vetëm ia ka dalë mbanë, por i është larguar dhe ka kapërcyer një “debulesë”, “nostalgji” a “hatër” që është e natyrshme dhe jetike për të cilën folëm dhe argumentuam disa paragrafë më sipër. Ndonëse dëshiroj prapë ta theksoj (kjo në kuptimin pozitiv), pas çdo gërme e pas çdo fjale fryn, (kushdo e ndien sapo ta lexojë…) një fllad dashurie e miqësie që s’kanë të rreshtur për njërin-tjetrin. Kumti i autorit është i pranishëm faqe pas faqeje në këtë monografi. Është kërkues e shumëplanësh. Këmbëngulës, që kjo ‘Jetë’ njerëzore e artistike të jetë sa më e pranishme në tekstin e shkruar.

Kjo është arsyeja që Ndrekë Luca është ‘i jetueshëm’ në këtë dokumentim me kodet, shenjat, epizmin, lirizmin, magjinë zëmadhe, të papërsëritshme njerëzore e aktoriale. Luca me interpretimet e tij të papërsëritshme, me madhështinë e tij, bëri “të flasë” personazhet, i gdhendi deri në detajin më të vogël e më të hollë me fisnikërinë, talentin e zemërgjerësinë e shpirtit të tij të xhevahirtë. Personazhet që krijoi gjatë interpretimit i flasin vazhdimësisë së kohës, sepse bartin cilësi e virtyte njerëzore, të cilat më parë qenë të ngulitura në karakterin e Ndrekës.

Kjo është arsyeja që interpretimet e tij në personazhet që krijoi: nuk humbasin në kohë, nuk vjetërohen, nuk zhvlerësohen asnjëherë…, – jetojnë si modele ku përjetësisht rreh zemra e aktorit shpirtmadh e shpirtdrejtë Ndrekë Luca. U dha frymë, u dha gjithçka nga vetja dhe pasuria e tij. Ndaj, duke marrë shkas nga monografia, shpesh herë gjatë leximit, rileximit e pasleximit, kam pyetur veten: A është artisti Ndrekë Luca që u ka ngritur përmendore personazheve që ka interpretuar, apo personazhet i kanë ngritur përmendore artistit Ndrekë Luca? Besoj që gjatë leximit të monografisë nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë… Në këtë bashkëjetesë epika “bisedon” me lirikën… Bisedë malesh e vargmalesh…

5.
Monografia është konceptuar dhe strukturuar në disa bërthama tematike. Ato, së bashku, ruajnë mëvetësinë dhe përbashkësinë e tyre. Ato, së bashku na japin të gjallë figurën fisnike të Ndrekë Lucës, kohën që krijoi (kohë me mund e sakrifica gjer në dhembje), kohën aktoriale lavdiplote si rrallëkush të një aktori shqiptar: me fizionomi brilante, me diksion të qartë e spektër ngjyrash, me germat e brumin shqip, me soliditet e vizion. Gjurmëlënës e bashkëkohor. Kujtesë, Amanet dhe Testament. Ndaj dhe e tillë është Polifotoja e personazheve të krijuara prej tij, që po përmendim disa prej tyre, si: Shpend Gjeto Plaku, Jagoja, Lekë Gjoka, Gur Bardhi, Maximuro, Vuksan Gjoka, Deli Pjetra, Tomorri, Dom Pali, Jonuz Brunga, Rahmiu, Gjin Maneshi, Xhiri, Abdulla Pashë Dreni, Pjetër Mustakuqi, Ndrio, Baca i Gjetajve… etj., etj. Përfytyroni, sadopak, këta personazhe, sillni imazhin e tyre para syve tuaj dhe do të ndjeni madhështinë e Mjeshtrit që i gdhendi. Ç’them… e Kryemjeshtrit!…

Personazhet që krijoi u dha vend, kohë dhe hapësirë. “U vulosën” nga interpretimi i Ndrekë Lucës. U dha përjetësinë. Por, nga ana tjetër, vetë personazhet “flasin” e kumtojnë parreshtur për Ndrekë Lucës. Të vërtetën e këtij ‘dialogu të përjetshëm’ do ta gjeni në kapitujt, kur autori Martini merr dhe analizon shumë role, duke përfshirë: që nga ato më të voglat deri ato më të spikaturat. Vrojtimet, përceptimet, “skaneri” dhe deduksionet janë bërë me profesionalizëm e kompetencë shkencore nga ana e autorit Martini. I gjithë ky proces analizash flasin se autori i monografisë njeh mirë gjuhën e teatrit dhe të filmit. Mbase, shënimet për rolet janë janë kapitujt më të bukur, më emocionues, ku shfaqet talenti i jashtëzakonshëm i Ndrekë Lucës; por i shoqëruar me elementin kulturologjik e vështrimtar deri në detaje të Luigj Martinit, i cili maksimalisht ka shterruar edhe literaturën përkatëse e shkrimore që në vite e dekada i janë kushtuar këtij aktori.

Monografia si koncept dhe synim i autorit Martini është e prirur drejt një metodologjie ‘hap pas hapi’ të ndjekjes së jetës së personazhit që nis që nga zanafilla origjinare e deri sa u bë aktor me emër të rrallë me interpretimet e shkëlqyera (pjesë shqiptare e të huaja) në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Kjo është arsyeja që Luigji don të kujdeset jashtëzakonisht shumë për ta skalitur figurën e Ndrekë Lucës, duke pasur besimin e duarve të tij të sigurta. Dhe këtë “siguri” e ndiejmë faqe pas faqeje, në çdo ind, veprim, linjë, nënlinjë, subjekt e frazë të monografisë.

Nuk e di pse më pëlqen t’i rikthehem përsëri por në retrospektivë, asaj streheze të shpirtit, e cila ishte Shkodra, që “puthte” kujtimet e fëmijërisë së Ndrekës. E bëra këtë rikthim, për t’i marrë hua autorit Martini këtë shprehje filozofike e të lakmueshme: “Kishte frikë nga kujtimet. Kujtimet i mundojnë njerëzit e ndershëm.” (f.73) Dua të rikthej e të ritheksoj Kohën dhe marrëdhënien e personazhit – Ndrekë në raport me kohën e tij, me kohën ekzistuese shoqërore, ku me shpirtin e tij të dëlirë e të pasur, Vetes dhe Figurave që krijoi u dha “frymën e të jetuemit”. Kjo “Frymë…” e bashkëshoqëron në çdo moment e pandërprerje, pandërprerje e në çdo moment…

Gjatë leximit të monografisë më kanë mbetur në mendje edhe disa momente e pasazhe, si këto: përshkrimi i tablosë së Vendlindjes, tragjizmi dhe realitetet shpesh të trishta që e ndjekin pas, besimi dhe kujdesi i prindërve që i deshi sa zemra e shpirti; miqtë e dashamirët si personazhe–dëshmitarë e rrëfimtarë, virtytet që injektoheshin në karakterin e tij e, që formohej e konsolidohej dita-ditës, etj., etj. – të cilat paraqiten në mënyrë realiste, si vete koncepti i aktorit në marrëdhënie me personazhet, por me një poetikë të veçantë, poetikë ku jeton si bukuri e rrallë epika trimërore me lirizmin fatlum.

Monografia per Ndrekë Lucën është shkruar me dashuri dhe frymëzim. Qartësisht dhe me nje gjuhë sa filozofike aq dhe lakonike. Një monografi që autori Dr. Luigj Martini, në procesin e tij të krijimit, ka kuptuar më së miri filozofinë e Ndrekë Lucës si njeri, si aktor e si krijues. Ndreka besonte sa te arti, sa te rruga që po ecte, prej së cilës nuk kthehej kurrë. Ndoshta është pakëz e çuditshme, po Ndreka ishte besnik i rrugës që i kishte diktuar zemra. Por… Ndreka besonte kaq shumë te ëndrra, sa nuk dua të them, në të shumtën e herës kthehej në ëndërr! Ndaj, në marrëdhënie me figurën artistike – ata i besuan njëri-tjetrit shumëçka dhe shumë të fshehta: – realen dhe irealen, magjinë dhe shpirtin… Sepse Ndrekë Luca, në jetën e tij, çdo gjë shenjtëronte. E shihte si shenjtërim dhe patjetër… ajo duhej shenjtëruar…

Shkodër, korrik 2016.