Dita.al, 13 shkurt 2020
Një nga brandet e para dhe më të fuqishme në Shqipëri ka ndryshuar pronar.
Blushi, fuqishëm në biznes: Pas koncesionit të inceneratorëve, kompania në emër të gruas blen Lori Kafenë e pronares së TCH
Tashmë “Lori Kafe” nuk do jetë më në pronësi të Vjollca Hoxhës dhe trashëgimtarëve të të ndjerit Dritan Hoxha, por 51% të aksioneve të kompanisë i zotërojnë pronarët e konçesionit të inceneratorëve dhe Ben Blushi drejtori i Top Channel nëpërmjet bashkëshortes së tij.
Në një material të publikuar dje nga CNA.al, shihej se në Bullgari ekzistonte një kompani EM Capital Group AD, e cila ka tre ortakë Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Eva Blushin.
Dy të parët pronarët e famshëm të kompanisë që ka konçesionin e incerneratorëve dhe e treta bashkëshortja e Ben Blushit drejtorit të Top Medias, ish-gazetarit që pak kohë më parë dështoi në politikë por që po gjen rrugën e suksesit si menaxher në media.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania bullgare EM Capital Group AD, me pronarë “Klodin e inceneratorëve” dhe bashkëshorten e Ben Blushit ka blerë 51% të aksioneve të kompanisë VALTELINA shpk, themeluar nga Dritan Hoxha në tetor te vitit 1993.
Kjo kompani është edhe mbajtësja dhe prodhuesja e brandit Lori Kafe dhe disa kafeve të tjera në treg.
Kontrata e shitjes të aksioneve nga trashëgimtarët e Dritan Hoxhës tek pronarët e inceneratorëve dhe tek gruaja e Ben Blushit, mban datën 25 nëntor 2019, dhe është firmosur përpara noteres Majlinda Demollari.
Më poshtë kontrata e plotë me të gjitha detajet dhe firmën e drejtorit të kompanisë EM Capital Group AD dhe Vjollca Hoxhës, HoxhH, që ka hedhur firmën për të gjithë aksionerët e tjerë.
Sipas nenit 3 të kontratës ku flitet për çmimin e shitjes dhe mënyrën e likujdimit, shkruhet se 51% e kuotave kushtojnë 153 milionë lekë të reja dhe 600 mijë euro. Në një vlerë totale prej 225 milionë leke të reja ose 2 milionë dollarë.
Kontrata noteriale është dorëzuar më pas në QKB dhe në 31 dhjetor 2019 janë depozituar të gjitha veprimet dhe ndryshimi i aksioneve është publikuar sipas ekstraktit historik që ndodhet në fotot e mëposhtme.
Dokumentet janë botuar nga portali CNA.
o.j/dita