BLLACA 1999

0
1166

Pyetja e një fëmije

Gjenocidi serb i vitit 1999 dhe masakrat tjera kanë mbetur në kujtesën dhe historinë e popullit shqiptar. Luftime, maltretime, vuajtje, mjerim, derdhje gjaku, vetëm e vetëm për të bërë shtet. Luftime të ashpra anekënd atdheut tim, vetëm e vetëm për ta mbrojtur këtë truall, në të cilin sot ne po jetojmë – në KOSOVËN TONË. Por kjo nuk u bë e as nuk po bëhet, ashtu siç e menduan bijat dhe bijtë më të denjë të këtij vendi, ngase një pjesë iu fal Malit të Zi, një pjesë mbet nën Serbi dhe një pjesë iu dhurua Maqedonisë.

Një përjetim imi në vitin 1999

Në fund të korrikut të vitit 1999, isha në një udhëtim në Bullgari, dhe me t’u kthyer, u ndal në Bllacë autobusi nga policia maqedone, prandaj dualëm përjashta, aty afër tendave të Blacës së Eksodit ’99, ku pash disa fëmijë kah po loznin me një top të shqyer dhe u afrova që të loja pakëz me ta për disa minuta, me ç’rast njëri prej fëmijëve, i cili ishte rreth 10 vjeç, më pyeti:

-Xhaxhi, prej nga jeni?
I thash se jam nga Prishtina.
Fëmija m’përgjigj: – Xhaxha, edhe unë jam nga Prishtina, nga Vranjevci.

Ai fëmijë, pastaj më pyeti:
– Xhaxha,
a do të kthehemi ndonjëherë edhe ne në shtëpi dhe kur?!…
U afrova afër tij dhe m’u mbushën sytë me lot, por edhe m’u ndërpre zëri. Pas pak, m’u lirua zëri, i fshiva lotët dhe i thashë fëmijës:
– Së shpejti do të kthehesh në shtëpi dhe do të shkosh në shkollë, mu aty ku e ke lënë!…

Fëmija më tha: – Falemiderit, xhaxha, por ku do të shkoj, se kam dëgjuar që shtëpia m’u ka djegur?!…
I thashë se edhe shtëpia do të ndërtohet. Me rëndësi është që ti ke shpëtuar me familje.
U qetësua pak dhe ia fshiva lotët dhe fytyrën. Ai me dëlirësi miturake më përqafoi dhe më tha:
– Mirë u pafshim në Kosovën e lirë!…

Ishte një tmerr i paparë, por edhe një shpresë e krenari pë një liri.
Të gjithë ata fëmijë u rikthyen në vendlindje e tani pas 20 vjetësh në liri, Kosova po zbrazet nga rinia, për shkak të politikës dështuese të këtij shteti, themelet e të cilit u ngritën me gjak.

Hajrush Redenica, më 10. 04. 2019

Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar