Blerja e votave me “një petë lakrori” asfalt!

0
97
Rrugë elektorale

Shkruan: Florim Zeqa, 18.09.2021

Dukuria e blerjes së votave me “një petë lakrori” asfalt nuk është dukuri e re, por dukuri e re është shitja e asfaltit “në të zezë” në kundërshtim me rregullat e tenderimit! Pa dyshim, çdo investim në vendet rurale është i mirëpritur nga banorët lokal, por investimet duhet të bëhen në përputhje me nevojat e qytetarëve e jo me oreksevet e pushtetarëve.

Paradokset e një pushteti lokal!

Nga paslufta, po vazhdon dukuria e shtrimit të asfaltit në prag të fushatave zgjedhore dhe blerja e votave me asfalt. Kryerja e punëve shkel e shko, pa asnjë kontrollë nga organet kompetente komunale, i motivon punëkryerësit që të manipulojnë me cilësinë dhe trashësinë e asfaltit dhe jo vetëm.

Shtrimi i asfaltit nëpër rrugicat e lagjeve dhe familjeve në fshatin Bokshiq të Klinës, në shikim të parë duket një mrekulli e pushtetit lokal. Por, në realitet është e kundërta! Cilësia e dobët (troshitja e asfaltit sikur krelana e misrit) dhe trashësia në përmasat e një “pete lakrori”, kanë bërë që asfalti që çahet (plasaritet) akoma pa kaluar një muaj nga shtrimi i tij!

Siç duket, ankesat e banorëve të disa lagjeve për prishjen e asfaltit, i motivuan pushtetarët komunal dhe punëkryerësin që t’i zbukurojnë rrugicat me shënjëzimin e vijave të bardha në tërë gjatësinë e tyre, por megjithatë ngjyra nuk i mbulon dot të çarat e asfaltit milimetrik!

Logjika e mashtrimit apo “Nusja e mirë, me syrin qorr”

Sikur të kishte qenë e rregulluar dhe e shënjëzuar traseja e rrugës ndër-komunale dhe ndër-rajonale, rrugë kjo që i lidhë disa fshatra të komunës së Klinës me Lugun e Baranit, me Deçanin dhe Pejën në distancë më të largët, do të kishte kuptim edhe asfaltimi i rrugicave dhe vijëzimi i tyre me ngjyrë të bardhë!

Por, jo vetëm që rruga kryesore është e pashënjëzuar, ajo është dëmtuar aq shumë, saqë në disa anekse është bërë e pakalueshme dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Nuk e kuptojë logjikën e qeverisjes së pushtetarëve komunal, si ka mundësi të lihet në gjëndje të mjerueshme rruga kryesore, ndërsa në anën tjetër të asfaltohen dhe zbukurohen (pa asnjë arsye) me ngjyrë të bardhë të gjitha rrugicat lagjeve, fushave dhe maleve, nuk e di se si ta quaj ndryshe, përpos paradoks të llojit të vet, me prapavijë korruptive për qëllime elektorale partiake, apo t’i themi me shaka “Nusja e mirë, me syrin qorr”!

Nëse syri i pushtetarëve komunal nuk e ka vërejtur katandisjen e rrugës kryesore, tashmë të kthyer në greminë, janë banorët e fshatit Bokshiq dhe fshatrave përreth, janë kalimtarët e rastit, të cilët në disa raste, për t’i ikur dëmtimit të makinave luksoze nga germadhat e rrugës, për 5 e jo më shumë se 10 metra gjatësi për të hyrë në “territorin e komunës së Pejës” ku rruga është super moderne, kthehen mbrapa dhe i bëjnë 20 km rrugë shtesë në drejtimin tjetër përmes Qeskove për të arritur në të njëjtin destinacion.

Kyqjet në rrugica me pagesë

Pushtetarëve të nderuar të komunës sime po ua shtrojë disa pyetje logjike, se si është e mundur që për një shtëpi të vetme të shtrohen qindra metra asfalt dhe rrugica të shënjëzohet me gjyrë të bardhë, kurse për një shtëpi (në të njëjtën lagje) që lidhet me rrugën kryesore të mos i shtrohen as tri metra asfalt!? Si është e mundur që kyqjet e shkurta në rrugicat e asfaltuara të bëhen në mënyrë selektive dhe me pagesë!? Si kanë qenë të rregulluara kyqjet në tender, me ose pa pagesë!?

Për arsye se punëkryerësi i ka detyruar banorët e fshatit Bokshiq që t’i paguajnë kyqjet edhe për gjysëm metre e më pak, kurse varësisht prej gjërësisë së rrugës, metra e asfaltit është paguar nga 100-300 euro për një familje!

Ky shkrim le t’i shërbejë ndërgjegjës së pushtetarëve aktual të Klinës, por, për më shumë se kaq, le t’u shërbejë qytetarëve për vetëdijësim, se për kë të votojnë me 17 Tetor 2021.

P.S. Fotografitë e shkrepura nga telefoni im, i vërtetojnë ato që ceka më sipër dhe e dëshmojnë në mënyrën më besnike dëmtimin e rrugës kryesore dhe paradoksin e shënjëzimit të rrugicave me “një petë lakrori” asfalt, tashmë të çarë dhe të dëmtuar nga çarkullimi i makinave të lehta.