BISEDË, NË RADION “ZËRI I MITROVICËS”, ME MODERATOREN ELTONA LAKURIQI…

0
1125
Murat Gecaj, foto

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Ftesën për të bërë një bisedë në Radion “Zëri i Mitrovicës”, nga gazetarja e moderatorja Eltona Lakuriqi, e prita me kënaqësi të veçantë. Ndër të tjera, sepse ishte hera e parë që do të flisja në këtë mjet të rëndësishëm të komunikimit masiv. Gjithashtu, e dija që në valët e kësaj Radioje, me drejtor Nesip Dorocin-Koshtovalia dhe një staf të kualifikuar, biseda jonë do të ndiqej, jo vetëm në këtë pjesë të rëndësishme të Veriut të Kosovës, por dhe në të gjitha trojet amtare, në Ballkan dhe nga emigrantët tanë, në ngulimet e tyre nëpër shtete të Europës, Amerikës e Kandasë dhe më gjerë.

Ashtu siç ma kishte bërë të njohur Eltona, e cila është dhe një poete e talentuar, ky do të ishte emisioni i fundit, i transmetuar nga Shqipëria dhe me një rubrikë ishte interesante, “Kape çastin!…”. Unë e kuptova këtë një mundësi për t’u shprehur lirisht, jo vetëm në pyetjet e moderatores,por dhe të dëgjuesve të Radios “Zëri i Mitrovicës”. Dhe, vërtetë, ashtu ishte…

2.
Në hyrje të emsionit, Eltona më kërkoi ndonjë mendim për tubimin e parë ndërkombëtar të përfaqësuesve të emigrantëve tanë, që ndodhen kudo nëpër botë, i cili u organizua në muajin tetor 2016, në kryeqytetin tonë. Sigurisht, nuk ishte fjala për të bërë një vlerësim tërësor e të thelluar të tij, se sa për të nënvizuaar që ajo ishte një ngjarje e rëndësishme në jetën e tyre. Po kështu, aty u parashtruan çështje dhe u bënë kërkesa të vlefshme, për një vëmendje e mbështetje më të madhe të tyre, në shumë drejtime, sidomos, nga qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Gjatë emisionit, m’u dha munësia të tregoja për disa nga shoqatat atdhetare e kulturore, të cilat janë ngritur dhe funksionojë rregullisht, nëpër ngulimet shqiptare. Rasti e ka sjellë që, para katër vjetësh, bashkë me tre miq të mi, të bënim një vizitë disaditore në Suedi. Ne morëm pjesë në festimet e 5-vjetorit të krijimit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në qytetin Boras. Aty erdhën mjaft të ftuar, emigrantë nga tëra qytetet e këtij vendi mik skandinav. Së pari, u njohëm me kryetarin e kësaj Qendre, arsimtarin dhe krijuesin Sokol Demaku, me veprimtarin e dalluar Bahtir Latifi e tjerë.. Bashkë me kolegë të tij, ka bërë të funksionojnë rregullisht edhe radio e televizoni lokal, në gjuhën shqipe, si dhe revista me emrin e bukur, “Dituria”.

Po kështu, u njohëm me Ma. Sadulla Zendeli-Daja, i cili mbi 50 vjet më parë hapi shkollën e parë shqipe, në Suedi. Ai është autor i disa teksteve e librave tjerë letrarë, po ashtu i fjalorëve me qindra faqe, shqip-suedisht e suedisht-shqip. Kënaqësi e veçantë për ne shte se, në atë veprimtari, takuam edhe kryetarin e Bashkisë së Borasit, Per Olof Hëg; albanologun Ullmar Kvik (që ka shkruar librin domethënës, “Ju dua më shumë se vetën time”, i përkthyer shqip); drejtorin e shkollës së Borasit, Per Kettisen; drejtoreshën e bibliotekës së qytetit, Ana K.Robertson, e cila kishte ngritur një stendë të posaçme me libra shqip e tjerë.

Me kujdesin e Sokol Demakut, i ndihmuar dhe i mbështur nga mjaft kolegë e miq bashkatdhetarë, veprimtaritë e QKSH “Migjeni” dhe të shkollës së Borasit, janë organizuar edhe në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit. Gjithashtu, janë bërë vizita të ndërsjellta, në Tiranë, Lezhë etj.

Duke u ndalur në punën e përkushtuar të emigrantëve tanë në Mbretërinë e Bashkuar të Suedisë, më tej, në këtë emision i informova dëgjuesit e Radios “Zëri i Mitrovicës”, se atje është krijuar dhe zhvillon veprimtari të vazhdueshme Shoqata e Shkrimtarëve dhe Aristëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani”, të cilën e drejton me aftësi e dashuri, biri I Mitrovicës, Hysen Ibrahimi. Në Laç-Kurbin, ata kanë bërë veprimtari të përbashkëta dhe kanë shkëmbyer vizita, me Shoqatën Atdhetare e Kulturore Shqipëri-Itali, me kryetar Nikollë Lleshin.

Gjithashtu, grupe të asaj Shoqate kanë bërë vizita: në Tiranë e Durrës, në Kosovë e qytete shqiptare në Maqedoni etj. Me rëndësi është që kjo Shoqatë krijuesish e artistësh boton, periodikisht, librin me qindra faqe, “Thesar Kombëtar”. Kështu, deri tani, kanë shkuar në duart e lexuesve të interesuar, 6 vëllime. Botimi i tyre nuk do të ndërpritet edhe në të ardhmen.

3.
Në vazhdim të këtij emisioni, duke iu përgjigjur pyetjes së moderatores Eltona, përmenda, sigurisht shkurt, punën e palodhur, që bëjnë edhe mjaft shoqata të tjera të emigrantëve shqiptarë, për të cilat kam njohuri, si në Evropë, Ammerikë e Kanada dhe deri në Australi. Kështu, merita të veçanta kanë drejtuesit dhe veprimtarët e dalluar të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadellfia të Amerikës: Tajar Domi (kryetar), Llazar Vero, Vlashi Fili, Sadik Elshani, Hysë Hasa e të tjerë. Me kujdesin e tyre, ka vite që aty funksionon shkolla në gjuhën tonë amtare, me emrin kuptimplotë “Gjuha jonë”, ku arsimtarë të përkushtuar ua mësojnë alfabetin e shqipes vogëlushëve të emigrantëve.

Në vargun e këtyre shoqatave atdhetare e kulturore, me punën e tyre të pandrprerë e frytdhnëse, dallohen: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë, me kryetar Hasan Qyallën (Gjermani); Shoqata “Mërgimtari”, në Kiel të Gjermanisë, që e drejton me aftësi Jup Krasniqi; Shoqata e njohur “Ana e Malit, në Ulqin, me kryetare Luljeta Avdiun-Cura; Shoqata “Iliria”, në Treviso të Italisë, me Ermira Zhurin; Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Drita”, në Athinë, të cilin e drejton Nasi Jani dhe që boton revistën “Pelegrini”; Shoqata, që drejton Murat Koci, në Suedi, me disa botime të saj në shqip etj. etj.

Kështu, fjalë miradie shprehëm, gjatë këtij emsioni në Radion “Zëri i Mitrovicës” edhe për shoqatat tjera atdhetare e kulturore, të cilat janë ngritur nga emigrantët tanë dhe funksionojnë, në: Belgjikë, Austri, Rumani, Gjermani, Itali, Zvicër etj., si dhe për shkollat shqipe, me mësim plotësues, që janë çelur e funksionojnë atje.

Meqenëse ky emision, kryesisht, u drejtohej dëgjuesve të Mitrovicës, aty përshëndeta prof.Fazli Hajrizin, mësimdhënës i dalluar i shkollave shqipe dhe botues i disa librave me vlera. Po kështu, e përgëzova poeten e re Fjolla Spanca, e cila u nderua me çmim të parë, në konkursin vjetor, i cili ishte shpallur nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në Tiranë, me drejtor dr. Ramiz Zekën.

Duke biseduar për këtë temë, moderatorja u interesua edhe për Shoqatën e Arsimtarëve të Shqipërisë, e cila funksionon tash afër 20 vjet, ku është kryetare Yllka Beçi dhe unë sekretar i Përgjithshëm. Veprimtaritë e saj kanë qenë të pandërprera, duke organizuar përurime librash, ditëlindje e festime, në përvjetorrë të shënuar, si për 7 Marsin, Ditën e Arsimit Kombëtar Shqiptar, përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë e tjerë. Mirëpo, këto veprimtari janë në rënie vitet e fundit, pasi ndihma nga shteti ka munguar gjiithnjë, ndërsa bankat, biznesmenët etj. i kanë futur paratë “në grusht” dhe nuk bëjnë më sponsorizime?!

4.
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve të këtyre radhëve, se më poshtë po tregoj diçka, që lidhet me jetën dhe botimet e mia, sipas pyetjes së bërë nga gazetarja dhe moderatorja, Eltona Lakuriqi.

…Kam lindur në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në një fmilje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Shkollën fillore e kreva aty, ndërsa 7-vjeçaren e të mesmen, në Tiranë. Studimet e larta i përfundova më 1963, për gjuhë e letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës, pas një viti specializimi për dialektologji, në Universitetin “Zhdanov” të ish-Leningradit. Meqenëse kisha nisur të shkruaja në shtyp, që në moshën 14-vjeçare, ky do të ishte profesoni kryesor i jetës sime. Pra, shërbeva, pothuajse, gjithnjë në gazeta qendrore të vendit, së fundi 22 vjet në gazetën “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit e Shkencës, deri sa dola në pension. Duke patur një përvojë të gjatë në fushën e arsimit, aty mora gradën dhe titullin shkencor, në këtë drejtim.

Librin e parë, “Si e pashë unë Kosovën”, e botova në vitin 2000, pas një qëndrimi dyjavor në Deçan, pra kur ajo ishte çliruar përgjithnjë nga regjimi serb. Në të, janë mbresa e përshtypje nga ato troje të stërlashta shqiptare, por dhe tregohet me dëshmii, fakte e foto, për krimet çnjerëzore të atyre pushtuesve shumëvjeçarë! Në vazhdim, botova librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë,2001) e ribotuar me disa ndryshime, më 2008. Për diisa figura të shquara të arsimit kombëtar shqiptar, botova librat: “Pishtarë të Normales së Shkupit” (Kumanovë, 2002), “Filologë që num harrohen”(Tiranë, 2002), “Mësuesi veteran Salih Myftar Kolgeci”(Tiranë, 2005) e “Bedri Dedja: Në kujtesën tonë-Përmbledhje kujtimesh”(Tiranë, 2010). Gjithashtu, u kam kushtuar libra udhëtimeve të mia në trojat amtare të Ballkanit ose në shtete tjerë të Evropës. Të tillë janë: “Rrahin zemrat arbërore-Shënime nga Shkupi, Presheva, Prishtina e Ulqini”(Tiranë, 2011), “Me zemër në vendlindje-Shënime nga Suedia”(Tiranë, 2012) dhe “Me shpirt atdhedashurie”(Tiranë, 2015).

Por, gjatë këtj emisioni, përmenda edhe librin tim jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010) dhe librat, kushtuar mbesës sime, nga vajza, “Dorela-libër publicistik-letrar, për fëmijë”(Tiranë, 2012) e shoqëruar me “Qofsh e lumtur, mbesa Dorelë-recensione”(Tiranë, 2013).

I lashë për në fund, jo nga rëndësia, dy libra, që kam shkruar për një numër të konsiderueshëm, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare shqiptare, nga vendi ynë e trojet tjera amtare dhe ngulimet shqiptare nëpër botë. Ato janë: “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015) dhe “Kur flasin zemrat”(Tiranë, 2016).

Pa i përmendur të gjithë këtu, shënoj se jam bashkautor ose kam bërë hyrjet dhe i kam redaktuar, mjaft libra të autorëve tjerë, sin ë Shqipëri dhe në trojet shqiptare.

Sigurisht, botimet me autorësinë time, do të ishin edhe më të shumtë në numër, po të gjindeshin mundësi tjera financiare. Megjithatë, i falënderoj nga zemra, ata kolegë e miq dashamirë, që kanë bashkëpunuar dhe më ndihmuar në botimin e librave të deritanishëm!

5.
Sigurisht, lexuesit e këtyre radhëve dëshirojnë të dinë më shumë për Radion “Zëri I Mitrovicës”, ku unë isha I ftuar këto ditë.…Transmetimin e parë ajo e ka bërë në fillimin e muajit mars, në studion qendrore, në Trolatan të Suedisë, e drejtuar nga bashkatdhetari ynë, Nesip Doroci-Koshtovalia. Në stafin e kësaj radioje bëjnë pjesë: Avni Smakaj (dj., menaxher progamesh e moderator) dhe moderatorët: E.Lako, Adivije Hoxha, Xhevahir Gjonaj, Lili Bimi e Rudina Ismaili. Kjo Radio realizon një serë programesh të larmishme, të cilat ndiqen me interes nga bashkatdhetarë të shumtë, nëpër botë.Programe të tillë janë emërtuar: “E hëna me ju”(nga Adivije Hoxha), ”Kape çastin…”(nga Eltona Lakuriqi), “Fjala poetike” (nga Lili Bimi e Rudina Ismaili). Pranë dëgjuesve janë edhe programet me përshëndetje e urime. Gjithashtu, I pëlqyer është cikli dokumentar me titullin “Kosova, djepiiI shqiptarisë”, të cilin e drejton Avni Smakaj.

Në emisionet e Radios “Zëri i Mitrovicës” kanë marrë pjesë dhe kanë shprehur mendimet e tyre para dëgjuesve personalitete të politikës, arsimit, kulturës, letërsisë e artit, si: Albin Kurti, i “Vetëvendosjes”(Kosovë) dhe analisti i njohur, Hysni Ismaili. Po kshtu, kanë interpretuar këngët e tyre artiste, nga Kosova e Shqipëria, si: Gëzim Kodraliu, Armand Vonaj, Linda Morina e mjaft të tjerë. Sigurisht, me zërin e tyre të bukur, ata kanë bërë që të shtohet interesi për emisionet, që transmetohen nga kjo Radio, rregullisht.

…Ishte kënaqësi për ne se, në këtë emision të Radios “Zeri i Mitrovicës”, dërguan përshëndetjet e tyre dhe bënë pyetje interesante, disa dëgjues, si: Edmond Zeka e Endri Beqo, nga Tirana; Adnani,fotograf, nga Suedia; Xhevahir Gjonaj, nga Italia e të tjerë. Ndërsaa Adnani na dërgoi edhe disa pamje nga veprimtaritë e ShShASh ”Papa Klementi XI-Albani”. Po kështu, dërguan mesazhe përgëzimi, për këtë emision: Hysen Ibrahimi (Suedi), Jup Krasniqi (Kiel-Gjermani), Ermira Jusufi (Vushtrri-Kosovë) etj. Si këta, por dhe të gjithë dëgjuesit e kësaj Radioje emërmirë, i falënderojmë e i përshëndesim, përzemërsisht dhe ju urojmë gjitha të mirat, vetjake e familjare, me rastin e Vitit të Ri 2017!

Tiranë, 30 dhjetor 2016