BISEDË ME IKJEN E VITEVE – cikël me poezi nga Mustafa Spahiu

0
293
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

BISEDË ME IKJEN E VITEVE

Pse ikni vite lëmsh rèsh në lugina?
Çfarë kobi iu thërret – pa rrëfime,
M’dukeni si përrallë saktë trillime
Flamur u grisur – çast me violina.

Lozin ballit tim zenitit mençurak,
Rruga psherëtin për një udhëtim;
Skaj-më-skaj-largova një terrim,
Kotësinë e djega në një handrak.

Zëri fëmijëror nga e shkuara jetë,
Pesh’e mendimi as sot s’ndërron;
E pandryshuar sall gjuha qëndron.

Nga motet rioshe veç malli mbetë,
Kjo bjeshkë heshile ku do më qetë?
Melankolik fyelli nga larg më thërret!

E enjte, 18 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

DURIMI IM – PAFUNDËSIA

Durimin e kam të ngarkuar në shpinë,
Lidhur e kam kripur me shtatë nyje, e
Qerres me tri rrotë ngjitet deri në yje,
Durimi s’ka pasaportë s’shkel kufinë.

Durimi im zemrës ka botë t’prushtë,
Një detëshi durimi e ka përfshirë, si
Hark n’urë druri nuk rrin i shtrirë, e
Gjenë mbyllur n’amforë të ngushtë!

Prej ëndrrës së pastërt vrujon durim,
Me durimin durimtar e zbardhi agun;
Pa durimin asnjeherë s’e kaloi pragun,
Prej platini e shprese e ja një frenim…

Durimi im e pafundësia më gërvishtin,
O miq, dua ta dëgjojë sall të vërtetën!
Pastaj mjeshtr’i hijeve t’ma merr jetën;
Durimit armiku fare s’ia ngreh gishtin.

Me rrëfanësh ia ndezu zjarret harrimit,
Thika sykeqe lëkurës m’therr aq egër!
Hymnoj durimin tim stivësh nën egjër,
Domosdo s’ia kam dronë as mallkimit!

Gënjeshtra qesharake s’do gjaku im…
Trungu atëror kështu më mbajti gjallë!
I murosur n’uranium kam për t’u kallë,
Me durim lidhur m’quani paqe-durim!

E mërkurë, 18 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

K U J T I M…

Pse kaq shumë m’torturojnë kujtimet?
Marrëzisë së bukur frer’i duhet; bliri
I shenjtë mallkimeve nuk u druhet, e
Fare mirë stinës i pret lulet, erëmimet.

Bliri pret, kujtimet zemrën ma çjerrin,
Me fatin ligjesh ndiej jam adaptuar; e
Sytë lotësh gjëkund janë zhgjetuar –
Oi, o nënë, korbat duan t’m’i nxjerrin!

Asnjë nga kujtimet nuk marrin fund,
Kot është t’kërkosh grimë drejtësi!
Përgjërohesh për dritë – fshehtësi.

Stepur pas hënës’ndriçon askund;
Kujtimet e fundit lermi t’i ëndërroj,
Qielli yjesh s’vjen s’e zhgjëndërroj!

E hënë, 16 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

L A V Ë R T A R Ë T

Lërojnë e lërojnë tërë lavërtarët,
Të vyeshëm me plorët diellorë –
Ugarojnë hullinjtë përpjellorë, sa
Të zellshëm janë, o punëmbarët!

Venë arash sa ikën e zeza natë,
E shikojnë lart – mirë qiellin gri –
Nisi lavërimin e shkriftë dhèflori
Urojnë arat bukanike, o për fatë!

Dita xhuxhe – ngrohtësi me diell
Toka do djersë dhe shumë mund;
Lavërtarët garojnë n’çdo katund –
Derisa shfaqet hëna nëpër qiell…

I shikoj lavërtarët me sy kërshëri,
Ugari është kostum i ri për arën,
Nga hejbet’mbushura do farën-
Stinës tjetër të dhuron begati…

Lavërtarët mu në kohën e mirë
Sa punëmbarë që janë, o zot!
Çdo dite-ata i thonë- sot e sot;
Në ëndërrime të rrin të shtrirë!

Plorin arës e fusin në thellësi,
Hullinjtë shkëlqejnë si pasqyrë,
Toka e nxjerr vlagën – yndyrë-
Yll i artë të duket secili kalli.’

E hënë, 16 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

LETËR NËNËS – PA ADRESË

Ti shfaq kënaqësi për mua ime më sa e mirë!
Paçka se bën vjeshtë askujt mos i qaj hallin,
Gënjeshtrave mos u beso! Yt bir zemërdlirë
Përgojimet e shpifura, mbase dhe të tallin…

S’jepem lehtë! Rritur me gjalpë mbi thela,
N’dhomë librash të thash për poet të vrarë:
Më t’shquarin me lirika siç ishte Havzi Nela,
N’Librazhd Genc Leka e Vilson Blloshmi pa varrë!!!

Rri pa merak! Gjezdis si Avni Rrustemi Tiranës…
Ilaçet e forta t’i kam blerë për azm’e reumatizëm…
Emërshuarëve do ua shkalafis tëmën e sëmës;
Që iu la vese t’liga qoftë largu i zi – komunizëm!!!

Letrën ta spostoi me një shishe shurup,
Postën nga fshati pse e kishin larguar?
Sa punova e krijova n’këtë “pusto” Shkup,
Këtë magazinë çifuti kurrë pa e kuptuar!?

Kakofoni gjuhësh në pazarin e morrave,
As shpresa beronjë s’e zgjidh këtë mister!
Injorantët bëhen president të qorrave, i
Marri t’hutuarit ia bën një mij’e një sherr.

E hënë, 24 shtator 2020, në
Shkup

LIQENIT TË AHRIDËS – PURPURI

“Pa fjalë se gjithë toka e botës është e bukur…
Po m’e ëmbël nga të gjitha është toka e anëdetit
Të Ilirisë…” n’ Ditën e të Shëlbuenit më morri
Për dore Shën Naumi m’udhëhiqte liqenit të lotit

Zëëmbël me syt’e tij të pëllumbit thërriste:
“E madhe është gjëma e mëkatit”- kur ta
rrëmbejnë
Manastirin e shpirtit – balta nga kjo tokë shndërrohet
Në hi pa shijuar uratën t’ëmbël, pagëzimin dhe

Engjujtë plot me hire t’i zgjidhin këmbët e nisjes
Bërshlemi ta pushton lisin e qumështit e psalmet
Mbetën t’pakënduara n’anën tjetër jetemot
I bekuar është ai nga durimi rubinesh e safire –

Mitrush Kutelit i shikonte syu i zemrës Shpellat e
Zaumit, pranë manastirit të shenjtë të Kryeëngjëllit,
Goja mbetet pa zë – sytë s’ngopen duke parë…
Oshënari kur dëgjonte lutjet në gjuhën e huaj, theu

Skeptrin për pendesë etshëm rretherrotull turret
Malit të Thatë përgjëruar me mall e brengë ndër altarë
U mbështet “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” – bëri
Kryq, ndezi qiri – tha – oh, na morren ajme
Shën Naumin!

Fund gushti, 2011, në
Shën Naum

MË SHTIRET PARA SYSH FSHATI

I desha, i dua malet gjezdis kodrave,
O miq, gjenezën e dini e kam n’fshat
Duart shtalbore me kallo i vrava n’shat;
Pesë guracakësh-nisja lojën e lodrave.

N’fshat kthej hashari bredh në shesh,
Pëllëmb’e bërçik vendet cok i di, dhe
Java javës sa ëmbëlosh rigonte shi;
Kroi valësh rritesh m’zhurmon’vesh!

Ç’qe dashuri krejt e shikova me sy,
Si carrok me mocanikët e rrita shtatin,
Kur më shtiret e përqafoi tërë fshatin
Im atë m’përhiret me plisin në kry’, si

Vivar i nisi një mijë lutje dhe një uratë,
Me rroshk malli vë n’pyrg këtë poezi…
Më shtiret fshati para sysh si një flori;
Bunarit dhe mua na brufllon një flakë!

E premte, 20/21 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

SONET PËR HAPËSIRËN

Hapësirë që s’ngjanë as me vetveten,
Zogu i largohet ajrit pa gabim të bërë,
Vetëm ndjesë kërkon një jetë të tërë, e
Mëkatet i shkund sikur kalliri t’vërtetën.

Bebëzat me sqepin i ngulit në hapësirë,
Shpejt shndërrohet si dielli në verë, dhe
Fatin e merr me vete s’është as fatprerë;
Është një mik që ikën me zërin e mirė,me

Zërin e ëmbël i përgjërohet n’gjunj dheut,
Sa ngushëllim’i bukur me rrezet në rrah…
E lakmoi zogun… poeti sikur të kish’ krah

Cep më cep do të kaptoja tërë atdheut…
Shtigjeve bëj beriha me zërin e shpirtit –
Çka sjellë ora nuk i besohet aspak vitit!

E shtunë, 21 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

SONET PËR ZOGUN

Piu ujë nga një gur larg i hudhur,
Qiellit u duk sikur një hije e gjatë…
O, ky fluturim është rrugë e thatë;
Me stinët e vitit vjen duke u rrudhur!

Vitet e jetës s’zogut shpejt ngarendin,
Ai kërkon diçka në strajcën e ditës, tjerr
Çerdhen për ferishtet mbase të rritës –
Zogu dhe kavaku e hijeshojnë vendin…

Zog murosu në trurin tim dhe n’mur;
Mesit të lumit me ballin tënd përpjetë,
Palcën e krahëve kujdes po e ngjetë…

Po të përplasë shtrëngata për ndoj’gur,
Kur shikimi i gurit shndërrohet n’fytyrë;
O, zog i sonetit mos merr tjetër ngjyrë!

E shtunë, 21 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

SONETE PËR VRESHTAT

Anamoravë – bukanike – tokë zonjojë;
U rrita shtrydhur me ty pas shtrëngate,
S’pash asnjë përpajnë rrush arash t’tate
Tokë dhèshkriftë – lëngu cirk të pikojë.

Asaj tokës lind e rritur drithma n’mejtim,
Ç’merr rrafshi deri ku zgjaten kreshtat…
S’më zuri syu ndonjë ngastër me vreshtat!
Anamoravasit si nuk nxorrën as mësim?

U dogjën etit me djersën arash të grurit;
Nis e sos mbill misër, muregë e thekër…
Gjysmë e fushës – vejushë e shterpër!

Vasha n’idhnim i theu shtëmbat gurit!
Pse etërit e etërve s’patën çikëz mend,
Që të marrin begatira nga ky i arti vend!

II.

Kjo tokë është lirikë me shi – shtátzanë,
Orësh të trishta dhèu asnjeherë s’kotet!
Ndjenjës’mendjes nuk i shkelen motet –
Them duke kundruar Anamoravën Nënë.

Mallëngjim’i madh gjithnjë rritet e rritet,
Më ndërmendin lejlekët me dallëndyshe!
O, t’uruar! Mendimet ktheni më ndryshe;
Toka s’është ligatinë prej yve pritet, paj

Ndofta vargjet e mia iu japin kthjelltësi,
Bekuar punës – jeni herak – t’urtër, me
Ëndrrash t’s’nesërmen aq dritëshkurtër!

Frymëmarrja e tokës ka një parandjesi,
Dielli hapekrah dashurisht gof iu thërret:
Stinësh iu dhuron nga dy herë bereqet!

III.

Dionizi m’qortoi rribës s’Anamoravës,
Perëndia bim’sinë e veres si rojtësi, për
Tëfillim vitikulturave të lashti mbrojtësi
Na mësoi si bëhet art’i lëngut i rradhës.

Dioniz na mëso neve kultin tënd të ri!
Me kulturë rrushi ta punojmë tokën, e
Dielli na jep ngrohtësi sa n’tërë botën
Dhe t’i tregoje një t’fuqishme trimëri!

Do organizojmë festa çdo pranverë,
Ta pijmë lëngun e rrushit pa u nxituar,
As mos t’dehemi valle duke vall’zuar!

Rrush pjekim vjeshtës n’tjetrën verë,
Dioniz perëndi t’veres të adhurojmë!
Ngastrat tona vreshtash t’i blerojmë…

E enjte, 19/20 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

S T Ë R L A SH T I
(oronim, majë mali)

Ferkut rètë puplore të veshin xhulinë e pranverës,
Parzma t’zgjerohet – mëkon me qumësht bukolik,
T’i shikoja sytë e skifterit në prilk nga një kolik,
Cikoleve kur vrapoja pas lugflladit të erës, e

Ti majë mali-fatkërkues-për fshatin me kurorë,
Ninzat e pikëpjekjes i je ngulitur n’Lybeten,
Stërlashti jetemot nurbleruar çdo stinë që kthen
Në ty gjenë orëperëndinë – sofër për malësorë…

Askujt s’ia ktheve shpinën, grishje me rrezet e para,
Qafës së Bungës hënën e bartë mbi kalë të llastuar,
Barinjve me tufar si tatlosh shpesh iu ke ndihmuar;

Duke ndjellur rètë e mbarsura për mote të mbara,
Trungjet rrënjëthella pash më pash pa i shalakatur –
Gjurmat e egërsurave rogëve rreptë i ke nuhatur…

E shtunë, 07 korrik 2012, në
Vendlindje

TAKIM I STËRVONUAR

“Tok dora dorën syt’u ngulën syve”
Rabindranath Tagore (1861-1941)

Salo ia behi fillimkorriku rrezesh në duar,
Së largu njoh miken syulli, e kisha mallë!
Dyzetëtetë mote ëndrrash i dashuruar, në
Rrugëkryq u ngjatjetuam ballëpërballë.

Hë! T’kujtohem e pyes me sy të lotosur,
“Jo!” – Më ngjau Gjilani në një humnerē!
Me bijën tok, më shikonte e brengosur-
Jam Mustafai,i bangës’tretë si çdo herē.

Buzagazi ronitur iku rrugës së pafund…
Qepallat e pulitura rrinin kojrrilla penduar!
Një çast i lumtur…unazat tona n’askund;
Si ta mëkojmë plagomën kur t’pashëruar?

Me lirën e Orfeut në valle të po kësaj jete,
Ty, Euridikë sytë t’nxirrnin cackë ngaz’llim.
Tepër vonë logjikova pak në vetvete,tëra
Mëkatet mbi mua rrafshin gof anatemim!

Takimet e vonuara pa mëshirë t’paguhen,
N’muzg kot ngjallet dashuria, moh’i besës!
Botës pendimet nëpër herbariume ruhen.
Për takim t’ri i thërras endrrës – shpresës.

E hënë, 02 korrik 2012, në
Qytetin e Gjilanit