Fejzë Demiri
( Në vend të parathënies )
Babë, në këtë errësirë të zymtë duke thithur deri në fund tymin e cigares, jam thellë i zhytur në mendime. Thuajse të gjitha gjërat janë duke ecur në drejtim të kundërt me mua. Shpesh, nga parehatia dhe shpirti i rënduar, marrë lapsin dhe shkruaj në ditarin tim, i cili ruan me fanatizëm çdo shkronjë të gishtërinjve të mi të dridhur nga emocioni dhe lotët e mallit.
Babë, si bir i yti, të kërkoj falje nëse ndonjëherë nuk ta kam përfillur mendimin dhe ato që m’i ke thënë, nuk i kam marrë aq me seriozitet. Babë, ti ke qenë personi që nuk ma ktheve asnjëherë shpinën. Edhe kur të tjerët më linin në errësirë, ti për mua ishe ajo llamba ndriçuese që bëre dritë. Edhe kur të kam zhgënjyer me mossukses e, prapë i ke përpirë të gjitha, më ke përkrahur në çdo çast pa rezervë.
Babë, na ke rritur me dromca shpirti mes vuajtjes dhe mjerimit. Babë, edhe pse ishe i lodhur nga puna e rëndë dhe e stërmundimshme që e bëje nga mëngjesi deri në arnat, asnjëherë nuk kurseve asgjë për mua, duke ma plotësuar çdo dëshirë dhe duke e lënë veten shpeshherë keq.
Babë, mënyra se si e fitoje kafshatën e gojës për të na rritur neve ka qenë mjaft e vështirë, por, tek ti e kam parë njeriun që edhe përkundër të gjitha peripecive e mundimeve nuk dorëzohet dhe nuk ankohet asnjëherë.
Babë, edhe pse asnjëherë nuk të jam shprehur, shpesh nuk ma ka zënë gjumi kur më binin ndërmend flokët e tua të thinjura dhe rrudhat e mëdha në ballë që tregonin sfidat e shumta që i ke pasur në jetë.
Babë, të them me sinqeritetin e përulësinë më të madhe, se ajo çfarë bëre ti për mua, i kalon kufijtë e gjithçkaje. Shpesh, kur t’i shikoja duart e qara e djersa të rridhte curril nga puna e rëndë, thosha me vete si nuk kam diçka në dorën time, jo për ta kthyer borxhin, se borxhin ndaj teje nuk mund ta kthej dot, edhe nëse do të kisha dhe një jetë pas kësaj, por, vetëm për të larguar nga ajo punë që katandisi e sfiliti trupin dhe shpirtin tënd.
Babë, unë ende nuk jam i martuar, dhe nuk e di ndoshta si duhet ndjesinë e të qenit prind, ama një gjë e di sigurt: ajo që t’i rrite e kultivove tek ne, unë nuk do të arrij ta bëj për pasardhësit e mi. Fjala është një vrull i brendshëm që ne e nxjerrim jashtë e të largojmë atë që na mundon. Mirëpo, ajo që unë kam për të ta thënë ty, është vështirë të shprehet me fjalë. Babë, unë mësova gjëra nga shumëkush në jetë, por ti u bëre mësuesi im i përjetshëm.
Babë, si bir i gjakut tënd, të falënderoj pafundësisht për të gjitha.
Ti je drita ime, je gjakimi im!
1.
Shpesh, kur qiellin tim e mbulonin retë, kur asgjë nuk shihej, i vetmi yll ndriçues u bëre ti. Babë, ti ishe ai që mi mësove t’i ndërroj hapat e jetës. Më thoshe: kudo që të jesh reflekto dashuri, respekt e humanizëm. Nga ti mësova që jeta është shumë e shkurtër të mbajmë inate, të kemi urrejtje dhe ta duam njeriun vetëm për interes. Edukata e mirësjellja nuk mbarojnë, ato duhet të jenë me ty përherë dhe deri në ditën e fundit të jetës.
Babë, nga ti mësova t’i ndihmoj të tjerët, dhe t’i përkrah në rrugën e suksesit të tyre. E mira shumëzohet kur ndahet me të tjerët, sepse njeriu egoist që mendon vetëm për veten asnjëherë nuk do të bëhet det, por do të jetë cektësi. Qëndro në natyrën tënde, bëhu i thjeshtë dhe unik. Njeriu i thjeshtë e ndërton jetën e vet dhe nuk krekoset aspak se çfarë të tjerët mendojnë për të.
Babë, më thoshe gjithnjë se kur je në të drejtën tënde asnjëherë mos u frikëso. Frikësohu atëherë kur e nënçmon dikë dhe e gjykon padrejtësisht. Më mësove të gëzohem me pak t’i fitoj gjërat në mënyrë të ndershme se djersa e punëtorit që lufton për kafshatën e gojës është e shenjtë. Mos lakmo atë që se meriton ta kesh, por puno nga çdo ditë ta fitosh vetë, se vetëm atëherë ia njeh peshën gjërave.
2.
Dashuria e rilind diellin, ajo është fuqia që e vë në lëvizje këtë botë. Ti je krijuar nga dashuria, dhuro tek të tjerët dashuri se vetëm atëherë krijohen gjërat e mira.
Babë, në mes shumë bisedash me ty, më tregoje se kur urrej e helmoj veten, se urrejtja buron nga ti, nga qenia jote. Urrejtja të bën dështak dhe të humb shumë gjëra të mira. Njeriu e shton lumturinë kur i bën të tjerët të ndjehen të lumtur, sepse gëzimi i tjetrit sjell gëzimsjelljen tënde, dhe buzëqeshja e tjetrit dyfishon buzëqeshjen tënde.
Babë, nga ti kuptova se gjërat e marrin përgjigjen prej zemrës kurse mendja gjithnjë racionalizon. Në jetë ne shohim gjërat në sipërfaqësi, në jashtësi dhe dukshmëri. Bëhu i matur dhe gjykoji gjërat në mënyrë të drejtë dhe shtruar, sepse gjithmonë pas diçkaje fshihet diçka më e thellë që ti nuk e sheh! Sot realiteti po shtrembërohet në mijëra mënyra. Jeta më së shumti i përbaltos të mirët, kjo botë baltake dhe e pashpirt do të mundohet të të hedhë nga binarët e mirësisë, por ti duhet të mos ndryshosh, ta njohësh mire veten tënde.
3.
Babë, më thoshe se në jetë secili vijmë për diçka, e, secili nga ne duhet ta ketë nga një qëllim. Kur them qëllim, jo qëllime të atyre njerëzve meskinë e synimeve të tyre mediokre, por vizion i qartë për të arrirë në piedestalin më të lartë të suksesit dhe arritshmërisë. Jeta, thoshe ti, nuk është vetëm diell e kaltërsi, shpesh hasim ditë me vranësira shi, borë, breshër e mjegullnajë. Kështu janë edhe njerëzit jo të gjithë të duan me parime të pastra, prapa dashuriçkave të tyre fshihen inati, smira e xhelozia. Por, asnjëherë gjykimet dhe opinionet e të tjerëve nuk duhet të bëhen realiteti yt.
Babë, nga ti fitova besimin të jem vetvetja, se ti gjithmonë thoshe: kij besim në hapat e tu, mos të të gjunjëzojë çdo gjë që ta pret rrugën. Të dish ta shfrytëzosh kohën dhe ta menaxhosh atë, është primati më i çmuar në jetë. Asnjëherë mos ia lër gjërat kohës apo rastësisë. Suksesin nuk e sjell dembelizmi, rehatllëku dhe rastësia, por atë e sjell puna e palodhshme, vullneti dhe përpjekjet e vazhdueshme.
4.
Babë, më thoshe se në jetë nuk do të arrish asgjë, nëse mendon t’i shkelësh të tjerët për ta ngritur veten tënde. Aty ku mungon altruizmi dhe skuqja nga e keqja, uroj që asnjëherë të mos hysh. Në jetë duhet ta dish çka është e drejtë dhe e sinqertë, sepse në ditët e sotme edhe padrejtësitë po i quajnë gjëra të drejta. Në jetë nuk mund të rritesh pa sfida, nuk mund të forcohesh pa u sfiduar dhe asnjë fortësi nuk bëhet pa rezistencë.
Biri im, më thoshe përtej të gjithëve, e përkundër të gjithave sfidën më të madhe do e kesh me veten tënde. Do i njohësh njerëzit, do i njohësh gjësendet me kohë edhe gjërave do t’ua mësosh kuptimin. Do ta mësosh të ndash të mirën nga e keqja, me kokën tënde do të gjykosh.
Do të mundohesh ta shikosh veten, por ajo është shumë larg, madje, përtej syve tu. Vetja është oqeani më i thellë e më i pafund, bir.
Aty ku shfaqen magjitë, aty ku edhe misteret e enigmat e kohës mund të gjejnë zgjidhje. Po nuk arrite këtë ta kapërcesh nuk mund të jetosh, bir.
5.
Biri im, ji këmbëngulës të dish jo deri ku shohin sytë e tu, por aty ku syri yt nuk sheh dot. Atë që duket e shohin të gjithë, mund ta prekin të gjithë. Mirëpo të rrallët mbërrijnë edhe atë që shumë thellë struket. Babë, nga ti kuptova se në detin më të thellë jo të gjithë mund të mbijetojnë. Thellësia u takon disave, vetëm atyre që zhyten në horizontin e tejkapërcimit. Dielli asnjëherë nuk e sheh veten por lëshon rreze ngrohtësie për të gjithë. Ti duhet të jesh dritë për të tjerët, biri im.
6.
Të duhet kohë e gjatë të rrugëtosh drejt së panjohurës. Edhe atëherë kur mendon se syri dhe mendja jote mund t’i shohë dhe njohë të gjitha, është një dritë ku nuk mund të shihet, por ajo rrezaton të gjithë dhe mbi gjithçka. Biri im, më thoshe, mbi të panjohurën është aftësia jote, është guximi yt, kokëfortësia, motivimi që ti të provosh dhe të përpiqesh derisa të gjesh mënyrën e duhur se si arrihet ajo që më të vërtetë e do. Aty nuk ekziston dyshimi, konfuzioni, jokompetenca. Do të duhet kohë e gjatë për ta kuptuar, por mbi të panjohurën është shkopi magjik, bir!
7.
Babë, më tregoje që jeta të hedhë deri në buzë të abisit po lejove. Duhet të jesh shumë i fortë të përballesh me jetën. Po rave në gjunjë ajo do të t’i përtypë të gjitha ëndrrat, shpresat, do të t’i vrasë edhe kohët më të çmuara. Kafshatën në fyt do ta zë, nuk do të të lërë as të buzëqeshësh. Do të t’i largojë edhe miqtë, shokët, të afërmit, zjarrin që me vite e ke ndezur do ta shuajë. Pasurinë që me vite e mund e ke krijuar, do ta bëjë terak të thatë. Do ta humbë entuziazmin, bir, ecjen nuk do ta kesh më si më parë e vullnetin për koke do të ta marrë.
8.
Babë, gjithnjë më thoshe se shumë më mirë është të të lëndojë e vërteta dhe e drejta sesa të vetëkënaqesh me mashtrime e gënjeshtra. Dhimbja do të jetë miku yt i përjetshëm. Ajo do të të shoqërojë në hapat që i bën ti për të arrirë më të mirën.
Dhimbja të bën të fortë t’u përballesh të gjitha vështirësive. Të ndihmon t’i çmosh më shumë gjërat, t’i duash njerëzit dhe vlerat e tyre. Jeta do të të përplasë e do të ndeshesh me gjithçka, bir.
Do të ketë çaste a momente që do të thuash: gjithçka mori fund për mua.
Do të qash e do të strukesh në një qoshe duke thënë se jeta qenka një humbellë e thellë që nuk mund të dilet dot nga ajo.
Edhe lotët do të shteren nga hidhërimi i tepërt.
Në momentet më të vështira, do të ngrihesh prapë, do të buzëqeshësh me dhimbjen tënde, duke thënë: unë jam më i fortë se kaq, kam lindur për të jetuar i lumtur dhe i shëndetshëm dhe dhimbjet nuk mund të më ndalin mua.
9.
Babë, më mësove se në jetë rëndësi kanë fjalët domethënëse e jo llomotitjet e kota. Kot mund ta ngresh zërin nëse nuk ke çfarë thua. Qetësia është ëmbëlsi, ajo i baraspeshon gjërat. Në jetë duhet të themi fjalë të përzemërta e jo fjalë pa zemër. Gjithçka i vjen në kohë atyre që duan dhe dinë të presin. Dashuria është vetë jeta dhe jeta nuk ka kuptim pa dashuri. Biri im, edhe në shkretëtirat e humbëtirat më të largëta ka një copë vend ku mund të lulon lulja.
E shikon mrekullinë, biri im, edhe në thellëtirat më të mëdha dashuria asnjëherë nuk shuhet, ajo lind e rilind vazhdueshmërisht… Dashuria pëlcet edhe shkëmbinjtë më të fortë dhe më të rrëpirët. Ajo është madhëri, flakëdritë që ndritshëm të gjithëve na dritëson.
10.
Biri im, më thoshe, e mira arrihet duke ngulmuar, sikurse bima për rrënjët, duhet të kapesh pas një qëllimi. Edhe kur të tjerët dyshimtas të shikojnë, më shumë se kurrë beso në veten dhe në kapacitetin tënd fuqiplotë. Ndriço edhe aty ku nuk ka rënë asnjëherë dritë. Bëhu luftëndezës me vështirësitë dhe pengesat. Ki durim se me durueshmëri do të arrish.
11.
Babë, më tregoje se jeta nuk na favorizon shumë që gjërat t’i marrim të ndërlikuara, me plot mendime dhe emocione. E di se shpesh, në vend që të ecim udhës së drejtë e të qartë, ndeshemi me kënde të errëta dhe shtigje qorre që nuk na dërgojnë askund përveçse në theqafje. Biri im, frika e dështimit shuan shpresën për të ecur drejtë një drejtimi të ri me plot sukses. E kur nuk e ke shpresën dhe guximin është si të mos jetosh fare. Jeta lëviz edhe kur ne ndalemi apo stepemi në vend. Ajo lëviz dhe nuk na pret asnjë moment. Kështu edhe ne duhet rendur drejt saj, domethënë duhet lëvizur.
12.
Babë, më ke thënë që ajo që ty të frikëson asnjëherë nuk është në ato përmasa e tmerrshme siç mendon ti. A nuk kanë thënë: “Sapo mbyllet një derë, tjetra është e hapur”. Krijo brenda vetes një imazh të lartë suksesi, edhe atëherë kur mendon se bota ka rënë mbi ty, mendo me vete si do të ndjeheshe po ta kishe arritur atë. Në mendjen tënde ky imazh do të shumëzohet dhjetëra apo qindra herë e mandej do të bëhet aq i besueshëm, saqë do të shpie po aty ku ke synuar në majën piramidale të suksesit. Biri im i shtrenjtë, në momentet kur mendon që asgjë nuk ka kuptim për ty, ndieje ajrin e freskët që t’i hap sytë. Liroje frymëmarrjen thellë deri në brendi të qenies tënde. Hidhe pas krahëve frikën dhe ngurrimdështimin, ndjehu i çliruar.
13.
Pamundësia është bllokadë e kornizave të mendjes sonë që nuk sheh më shumë se një rreth vicioz. Pamundësia në realitet është mundim e vështirësi por jo mosarritje. Në jetë është lehtë të ecësh rrugës së shkelur, hap rrugë edhe aty ku nuk ka shkelur asnjëherë këmba. Çdo vepër e nisur me frikë bart në vete embrionin e dështimit. Biri im, në vijën lineare ngarendin të gjithë, thesari është të gjesh rrugën e drejtë kur je në udhëkryq! Në jetë do ta kuptosh se çdo sukses i madh përpara ka pasur mossukses. Nëse humbni gjë në njërën anë do të fitoni në anën tjetër. Asnjëherë mos t’ju mashtrojë errësira para agimit. Agimi i juaj i suksesit, lumturisë dhe i begatisë një ditë do të vijë.
14.
Babë, më thoshe që mos ta helmoj veten me shqetësime. Sepse helmi vret shpresën dhe besimin duke shkaktuar senilitetin dhe melankolinë. Mos e kthe besimin në frikë, por frikën mposhte me besimplotë. Mendimet e frikshme tiranizojnë dhe tundojnë thellë qenien tonë.
Bëhu i pamposhtur, forca e gjithë botës është në mendjen tënde, bir! E mira dhe e keqja janë personale dhe varen nga ne. Mos lejo mërzinë të të kufizojë apo robërojë. Forca dhe kapaciteti që ke kapërcejnë çdo barrierë dhe tejkalojnë çdo sfidë që të paraqitet. Forca dhe i tërë potenciali është në dorën tënde, bir!
Shfrytëzoje!
15.
Ç’na gjeti gjithë kjo vetmi brenda shpirtrash që si demon i egër e i pështirë po na hakmerret. Pse koha e pashpirt na ka ndarë atje larg?!
Ku na mbeti gjithë ajo dashuri që patëm për njëri-tjetrin?!
Po gëzimi, lumturia ku mbetën apo ia kanë mbathur me të katrat! Kohë lakuriqësish, nervash e andrallash. Kohë judësh, nopranësh zemërgurësie. Biri im, një ditë çdo gjë do të ndryshojë, lolitë sheshit do të dalin…
16.
Shpesh në mendjen tonë lidhim nyjën e asgjësë duke mos pasur as thërrmimin më të vogël të shpresës. Jeta nuk është një hiç, ama është një hiç i plotë për ata që zvarriten drejt mjerimit dhe dëshpërueshmërisë. Biri im, thellë brenda qenies tënde është një dritë e brendshme e cila ndritshëm dritëson edhe errësirën më të zymtë. Njeriu, kur do të bëjë diçka me seriozitet, s’ka asgjë nga jeta njerëzore që nuk mund ta realizojë.
Suksesi dhe lumturia janë në dorën tënde, bir! Mos u bëj pengsjellës dhe mos krijo mure aty ku mund të kalohet. Magjia është ar, është forcë e pashpjegueshme që bën mrekullinë. A nuk ka qenë mrekulli dita kur erdhe në jetë, bir! Ti i ke dhënë kuptim jetës, e jeta të ka dhënë kuptim ty! Shijoje çdo moment jetëdhënës, jetëbardhë, jetëgjatë! JETA është për ty, dhe ti në shërbim të saj…
17.
Biri im, mendja është si fara, varet në çfarë toke do e mbjellësh dhe sa kujdesesh për të. Po e mbille në një tokë të ujitur, të pllenuar dhe të pëlleshme, fara shpejt sjell fryte të bollshme dhe të ëmbla. Në të kundërtën sjell produkt të keq. Edhe në mendjen e njeriut duhet “mbjellë” të mirën, pozitiven, motivueshmërinë. Po “mbolle” negativen, mandej do të përballesh me pasojat. Ndrysho mendimin, se nga ai varet edhe jeta. Në jetë mos u bëj zemërak dhe andrallëtar, lumturia sjell gëzimplotën dhe dobiprurjen. Biri im, jeta është në ty, për ty, dhe në duart e tua, vazhdo e mos u ndal drejt yllit tënd prijatar.
18.
Jeta është e frytshme dhe e gjatë për të gjithë ata që realizojnë vepra të mëdha dhe zellshëm e shfrytëzojnë çdo moment. Mirëpo, ca të tjerë bir, harxhojnë kohën kot me gjëra të pavlefshme dhe mospërfillje. Në jetë duhet ta shfrytëzojmë çdo çast dhe ta bëjmë të frytshme atë. Jeta nuk na pret, ajo ecë në parimet e saj, në rrjedhat e saj duke mos u ndalur asnjë moment. Jeta ndahet në tre kohë: e kaluar, e tashme e ardhme. Po të jetojmë në të kaluarën do ta humbim të sotmen, hapin që jemi duke e bërë, ngase e kaluara është diçka e ikur e cila vazhdimisht pengon rrugëtimin tonë.
Pengesë tjetër mjaft e madhe është pritja, e cila varet nga e nesërmja. Edhe kjo pengon rrjedhën e jetës sonë, bir. Ne nuk mund ta parashikojmë apo ta dimë diçka që ende nuk ka ardhur apo përjetuar. E ardhmja nuk ka destinacion, ngjarjet e saj janë të mbështjella nga pasiguria. E vetmja që mund ta kontrollojmë është hapi që bëjmë sot, e tashmja e cila gjithnjë është në ecje e rrokullisje. Biri im, jetoje jetën sot, të plotë e me ndershmëri duke e bërë frytdhënës çdo çastësi.
Koha po ikën aq turravrap
Dhe kujtimet janë pjesë e memorizuar që mbeten
Edhe kur bota mendon se ka rënë mbi ty
Çdo ditë e lind një agim tjetër
(Në vend të përfundimit)
Në këtë natë të mugët ku dhembja ka pushtuar tërë shpirtin dhe qenien time, të flas ty babë, të flas me lotin që më rrjedh si rrëke nga faqet e mia të rrufitura. I ulur afër prushnajës që gumëzhin flakë zjarrndezëse e unë i gjori i mbledhur kruspull nga acari që më ngrin përbrenda. Duke shkruar për ty, në mendjen time sorollaten dhjetëra e qindra mendime të cilat nuk më lënë të qetë në asnjë moment. Duart më dridhen babë, po gjithnjë ngushëllohem pranë fletës sime të bardhë. Si ka mundësi i them vetes, që gjithë kjo hapësirë zjarrndezëse e flakëpërvëluese e unë prapë ai acari që mërdhin edhe flakëndezëshit më të mëdhenj! Babë, ti je zjarri im, që më shkrin këtë acar.
Prend BUZHALA
TEKSTE FRYMËZUESE
PËR DY SHËMBËLLTYRA
(Fejzë Demiri: “Biseda të shpirtit me babën”, 2020)
Janë tetëmbëdhjetë pjesë, me dy tekste në fillim e në fund, që përbëjnë një tërësi tekstuale: të konceptuara si bashkëbisedim i të birit me babanë e tij:
Në fakt, janë monologët spiritualë, refleksivë e udhëzues, që i biri ia drejton babait të tij dhe i merr fjalët, këshillat e reflektimet tjeranga prindi.
Pra, janë tekste që alternohen njëri me tjetrin, teksti thuret në dy veta: ligjëron në veten e parë protagonisti tekstual (personazh ideografik autorial) që i drejtohet në veten e dytë prindit dhe herë-herë ligjëron edhe prindi që i drejtohet të birit.
1.
Janë si tekste udhëzuese unike, me të cilat depërton në thelbin e jetës, ecjes në jetë, përballjeve dhe sfidave: në ç ‘mënyrë ai i rizbulon vlerat e jetës, duke i gërshetuar dy përvoja, atë të prindit dhe atë të të birit. Në fund të fundit, të gjitha këto tekste monologësh, kanë të bëjnë me temën e madhe të realizimit të qenies njerëzore në jetë e për jetën, për vlerat e qenies e për formimin e realizuar të personalitetit njerëzor.
Dhe prindi, si një fanar udhëzimesh, e shtyn të birin t’i zbulojë ato prirje që i ka brenda vetvetes. Është një vëllim që lexohet lehtë, në frymën e një filozofie humaniste, edukuese, në këto vorbulla kohësh. Këto tekste gërshetohen me apologjinë ndaj babait, pra me tekstet e lavdërimeve për prindin.
Vëllimi në tërësi lexohet si model i shëmbëlltyrave të lartësuara të babait e të të birit, të tujgura në gërshet me thëniet e urta, me shprehësinë poetike, me alternime të tjera tekstuale, që natyrshëm ndahen në pjesë (me anë numrash). Ato mund të lexohen edhe si poza të pëlqyeshme poetike. Lirinë e leximit le ta përzgjedhë vetë lexuesi.
Secila pjesë përbën një njësi të mëvetësishme tekstuale-refleksive, dhe, të gjitha së bashku, thurin një tërësi, një vëllim unik tekstual. Mu si protagonistët e Koeljos, edhe këta dy personazhe ligjërojnë për sfidat në jetë: që ato të pranohen, që ta harmonizojmë jetën me ëndrrat dhe që t’i ndjekim rrugët e fatet tona të mëvetësishme.
2.
Fejzë Demiri tashmë e ka krijuar përvojën e tij në lëmin e letrave me poezi, ese e tekste psiko-refleksive e spirituale. Kësisoj, ky vëllim vjen si një ftesë e re për ta realizuar e përqafuar ëndërrimin tonë jetësor, me gjitha pasiguritë që i kemi përpara. Autori sikur e rizbulon te secili prej nesh një prind me të birin, i zbulon ato marrëdhënie që na drejtojnë të marrim rrugën tonë në jetë.
Në pamje të parë janë tekste miniaturash, janë pjesëza frymëzuese. Është dëshira e autorit që t’i ndajë me lexuesit udhëzimet, meditimet psiko-spirituale, dhe pse jo, edhe psiko-etnike: shqiptari është ai që prindin e hyjnizon në përmasa qiellore. Dhe prindi do një trashëgimtar të përmasave të tilla. Autori na fton që në shtegtimet e jetës, do ndjekur edhe një rrugë tjetër, atë të zhvillimit të brendshëm shpirtërore, të rritjes së brendshme të personalitetit tonë.
Shkurt 2020