BINOMI MUSTAFA DHE FUNDI TRAGJIK I LDK-së

1
1331
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Analizë:
Intelektuali duhet të jetë gjithmonë avangardë e proceseve. Ai nuk guxon të rrëshqas mbi mendjet e “ngrira” të ministrave nga koha e Ante Marković dhe e Rrahman Morinës, të cilët në emër të LDK-së, sot po shesin moral politik nga ulëset e Parlamentit dhe nga Qeveria e Kosovës.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Parantezë:
Nepotizmi si dukuri ka lëshuar rrënjë në institucionet e Kosovës. Si askush tjetër Isa dhe Muhamet Mustafa i kanë rehabilituar njerëzit e tyre. Por ata nuk e pranojnë këtë dukuri si nepotizëm, pasi siç u tha emrat e tyre nuk po ndikuaka në përzgjedhjen e stafit nëpër ministri. Ndërsa kur një analist preku drejtpërdrejt njërin nga nipërit e Muhamet Mustafës, ky i nxori sytë për ta mbrojtur nipçen, duke ua mbushur mendjen lexuesve se emri i tij nuk paska ushtruar aspak ndikim tek ministri Arban Abrashi për ta përzgjedhur atë si ekspert në ministrin ku ai drejton. Por z. Muhamet Mustafa nuk e tha nëse edhe zyrtarët e LDK-së hakmerren apo jo ndaj kundërshtarëve të tyre politik, as nuk shpjegoi nëse dikush mund të mbetet pa punë në saje të qëndrimeve ndryshe karshi Isa Mustafës, sikurse nuk u shpjegua nëse ndodh të hiqen nga skemat sociale familjarët e kundërshtarëve nëpër komuna ku sundon ideologjia komuniste e Isa Mustafës e deri tek ndikime të tjera të cilat në dukje rezultojnë si hakmarrje kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

Ndërsa Muhamet Mustafa nuk qe në gjendje të shpjegonte as për hakmarrjet politike brenda LDK-së, as për përjashtimin e familjarëve të heronjve dhe dëshmorëve nga Kuvendi i VIII-të i LDK-së, as për mungesën e dialogut brenda LDK-së dhe as për përbuzjen dhe injorimin që LDK-ja e bënë ndaj mërgimtarëve. Por ai me stilin e një teknokrati komunist vazhdoi debatin agresiv për të triumfuar bindja e tij, dhe në këtë kontekst ai qiti në pah të palara të cilat do t’i përfolëm radhazi në këtë shkrim analitik.

Ingranazhet e së kaluarës
Askush nuk mund ta mohojë se pikërisht e tashmja e Kosovës po vuan nga ingranazhet e së kaluarës në të cilën intelektualët e sistemit të Ante Marković sot janë shndërruar në demokrat, të cilët Kosovës dhe zhvillimeve ekonomike e politike në ato rrethana u kanë shkaktuar dëme kolosale. Tash nga retrospektiva kur flasim për ato ngjarje, te këta intelektual shohim një mburrje të pakuptimtë, madje kryeministri i Kosovës në debatin televiziv te “Komiteti” i gazetës Express tha se asaj periudhe nuk ia heq asnjë prese, ndonëse fort mirë dihet se ai ka qenë pjesë e strukturave dhe e dhunës së atij sistemi.

Tashmë po dëshmohet se kjo garniturë paska qen shumë e paaftë, sepse Kosova nuk do të kishte rënë kurrë në këtë gjendje ku është. Por janë ato kohëra të dyshimta të cilat këta tipa i kanë promovuar si ekspert, pikërisht këtë kastë politike të cilën e kanë pajisur edhe me grada akademike dhe i kanë pasuruar aq shumë sa sot e kanë pushtuar Kosovën me nepotizëm dhe njerëz të paaftë në të gjitha sferat.

Natyrisht për mua si publicist dhe njohës i mirë i këtyre rrethanave më ka bërë përshtypje qasja e gabuar e zhvillimeve politik në Parlamentin e Kosovës, por më shumë arroganca e Muhamet Mustafës për t’i disiplinuar kundërshtarët politik.

Nga ai debat publik kam kuptuar se Muhamet Mustafa dhe Isa Mustafa nuk janë ardhur krejt rastësisht në krye të LDK-së, dhe as nuk janë zgjedhur krejt kot së koti deputet në Parlamentin e Kosovës. Shihet se e kaluara e tyre si dhe bashkëpunimi i hershëm ata i ka bërë si vëllezër Siamez, qoftë me të kaluarën e tyre në LKJ, qoftë me rrjetin e shtrirë nga RIINVEST, qoftë me nepotizmin familjar i cili tashmë u shtri edhe në LDK, në qeveri dhe kudo nëpër institucionet e Kosovës, me sa duket e lënë shumë prapa edhe Grupin “PRONTO”.

Vëllai ideologjik në krye të LDK-së
Por përshtypja lidhet drejtpërdrejt me ardhjen e vëllait ideologjik në krye të LDK-së, ku papritmas u “probacivat” në këtë parti edhe Muhamet Mustafa i cili sikur u shndërrua në avokat i Isa Mustafës. Kjo formë e nëntokës më duket se është thelbi bazë i intelektualëve të sistemit komunist, i jetës dhe shpirtit të tyre, që ishin pjesë e sistemit të asaj kohe, por që nuk kanë arritur të vetëdijesohen për ta ndihmuar e zhvilluar të tashmën e Kosovës. Ata le më që nuk janë shkëputur nga ai mentalitet, por shihet se kohëve të fundit janë më agresiv, nënçmues dhe injorues, veçanërisht pasi janë pozicionuar kudo, në institucione, në qeveri, në parlament e që përmes nepotizmit familjar sot i kanë ngulfatur jo vetëm zhvillimet ekonomike por i kanë stagnuar edhe proceset politike në vend. Për fat të keq, kjo kastë politike i ka shfrytëzuar me sukses dobësitë e LDK-së, për t’u kapërthurur në majat e saj duke marrë edhe drejtimin e partisë, kurse tashmë janë duke vepruar e vrapuar me të gjitha mundësit të cilat nuk i kanë të pakta.

Tashmë nga pozitat e larta në LDK, në parlament dhe në qeveri nuk shohin dhe nuk njohin njeri, nga atje nisin fletrrufe, nuk njohin dialog, nuk njohin moral dhe nuk kanë pikën e turpit. Tashmë nga atje mund të quajnë edhe përçarës, shpifarak dhe rrënues i LDK-së, duke harruar se binomi “Mustafa” ka ardhur vonë dhe janë katapultuar në LDK vetëm pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës. Madje këta mund ta mohojnë tërë punën krijuese jetësore duke ta rrudhur tërë krijimtarinë në dy tre shkrime të cilat atyre nuk iu paskan pëlqyer, por e ditkan se qenkan fraksioniste dhe të dëmshme. Prandaj vazhdon Muhamet Mustafa, natyrisht me mënyrën e tij autoritare, duke mos lejuar askënd të merret me ideologjitë komuniste, dhe as nuk dashka t’ua përmendim simpatin e tyre për LKJ, pasi ato siç tha vet ai dihen publikisht. Në këtë kontekst është detyrë kombëtare e intelektualëve që nuk ishin dhe nuk janë as tashti pre e atyre ingranazheve, o sot o kurrë, të mobilizohen nëse e duan veten e tyre, LDK-në dhe Kosovën.

Raporti 1:7
Përvoja historike është e ilustruar me shembuj të shumtë që kategorizon intelektualët që në kohë tranzicioni dhe të ndryshimeve si sillen dhe si veprojnë. Kosova këtë proces po e kalon me mundim e vështirësi të theksuara sepse pjesa dërmuese e intelektualëve të asaj kohe, dëshirojnë për t’i shlyer njëmijë e njëqind çudirat e bëra, për tu paraqitur si viktimë e atyre rrethanave, kurse në anën tjetër kanë qëllim për ta fshehur pasurinë e krijuar në kohën e Ante Marković ose në kohën e Qeverisë së Kosovës në ekzil.

I pari udhëheqës i lartë në sistemin komunist të ish Jugosllavisë, flitet se ka bërë pasuri marramendëse, sidomos kur është bërë ekuivalenca e dinarit me markën gjermane në raport 1:7.

Flitet se Muhamet Mustafa, si udhëheqës në hierarkinë e pushtetit të Ante Marković nuk mendonte për asgjë, dhe asgjë nuk merrte parasysh, përveç pasurimit duke dal nga ai sistem i majmur dhe përgatitur për ofensiva të reja?! E nëse mund të thuhet se paskan menduar mirë për Kosovën, ata kanë marrë parasysh vetëm heqjen ose kamuflimin e fajit nga vetja e tyre, pjesërisht ose plotësisht. A nuk e vazhdoi këtë avaz edhe Isa Mustafa në Qeverinë e Kosovës në ekzil, nga e cila edhe ai doli mjaft i pasur, edhe pse vazhdimisht mendohej se ata gëzojnë pagat minimale për vete dhe për t’i ushqyer familjet e tyre.

Bashkortakët e RIINVEST-it e pushtuan edhe LDK-në
Puqja e mendimeve, po sidomos bashkortakëria e tyre në Kolegjin RIINVEST, si duket nuk paska qenë e rastësishme, por siç shihet nga aty paskan projektuar nisma të reja, fillimisht me disa anketa në lëmi e fusha të ndryshme sa për të matur opinionin dhe dalëngadalë “RIINVEST” dhe Muhamet Mustafa do t’ia përgatisin Isa Mustafës terrenin për rehabilitim dhe për pushtimin e LDK-së. Me të fituar Isa Mustafa postin e kryetarit të LDK-së, Muhamet Mustafa që zvarritej nga partia në parti, iu bashkëngjit grupit të deputetëve të LDK-së, gjoja në emër të ekspertëve për çështje ekonomike?!

Por nuk dihet se si ka mundur të bëhet aksionar në këtë kolegj edhe Isa Mustafa, kur ai ka dal nga lufta me duar në xhepa dhe praktikisht edhe pa para. A nuk i paska shkuar mendja Muhamet Mustafës se implikimi i Isa Mustafës në Kolegjin e tij jo që do ta zhvillon dhe përparon por do ta fundos përfundimisht imazhin pozitiv, pasi vet Muhamet Mustafa është dëshmuar si shumë i dobët, ndërsa Isa Mustafa është tre herë ma i dobët. Si duket ata e paskan përdorur kolegjin dhe njerëzit e punësuar aty për t’ua ujdisur analizat dhe projektet e tyre për tu treguar se ata dinë të bëjnë gjëra me vlerë. Këtë mendim ma mirë se sa unë mund ta plotësoj ministri Abdullah Hoti, për të cilin thuhet se ka punuar vazhdimisht në projektet hulumtuese e shkencore të Muhamet dhe Isa Mustafës, dhe kjo gjë është pëshpëritur fare mirë, madje vet Muhameti bashkë me Isa Mustafën është mirë të flasin edhe për këtë plan dhe të tregojnë fer se si ua kanë hartuar e përgatitur të tjerët dokumentet për të cilat sot ata mund të mburren.

Tashmë po shihet se kjo kategori e intelektualëve, ende qëndrojnë në bazën e shpirtit të tyre, të mbyllur e fanatik, dhe në përvijim të kohërave kanë ushqyer instinktin e karrierës, i cili ndërtohet duke shkatërruar konceptin e ri të demokracisë në ndërtim, duke bërë shkatërrimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që kanë pasur rreth vetvetes, më shumë për të mos ua zbuluar damkat e kaluara dhe për ta arritur qëllimin e caktuar sa ma shpejt, pavarësisht nga pasojat që mund të manifestohen.

Tashmë po duket se instinkti i ruajtjes me çdo kusht i pozitës së kryeministrit po debulohet si mister në shpirtin e tij egoist, i cili në proporcione të reja ka përmasa të mëdha shkatërruese dhe me pasoja afatgjate. Ndërsa Muhamet Mustafa nuk duhet të krenohet pse ia paska vlerësuar Isa Mustafës punimin e diplomës me notë të lartë dhe aq më pak t’iu thotë shkrimtarëve dhe analistëve se nuk mundeni ta vlerësoni atë punim, në kohën kur dihet se gjysmës së shkrimtarëve ua shkruajnë librat të tjerët dhe kësaj gjysmës së mbetur redaktorët ua rregullojnë për t’u dukur libra të mirë dhe për tu bërë shkrimtarët e lexueshëm. Përgatitja e temave të diplomave deri në shkallë doktorate është një dukuri e shëmtuar që ka lulëzuar si treg i zi në Universitetin e Prishtinës dhe kudo në Kosovë, duke mos përjashtuar as Fakultetin Ekonomik dhe as nxënësin e dobët për doktoratë të prof. Muhamet Mustafës.

Rrethanat e mjegullta dhe dalja nga rrethi vicioz
Këto rrethana që janë mjaftë të mjegullta bëjnë që asnjë intelektual nuk mund të dali nga kjo krizë e ankthshme pa një shkëputje totale nga e kaluara e mistershme e tyre. Pra as binomi Isa e Muhamet Mustafa, nuk do të shkëputen në qoftë se as sot e kësaj dite ata nuk e kanë hequr mendjen nga harlisjet e tyre në kohën e Ante Marković, dhe dalldisjet në kohën e Rrahman Morinës. E tashmja e tyre mjaft e dyshuar dhe tepër e dëmshme për proceset na bëjnë për të dyshuar se ata janë duke luajtur me fatin e kombit, përndryshe do të duhej të kishin një çikëz përgjegjësi morale.

Siç duket ky klan i kanë futur në proces mjetet e përvetësuara nëpër periudha të errëta dhe në mënyrë të sofistikuar kanë ngritur institucione siç duket të jetë Kolegji “RIINVEST”, i cili rezulton se paska përgatitur e rekrutuar një armatë ekspertësh në politika të dëmshme, po më shumë yryshi i tyre duket si përpjekje për tu rikthyer e për ta futur Kosovën e sotme edhe më tej nëpër këto ingranazhe.

Në këtë plan na ndihmon konstatimi i një auditori privat në fushën e ekonomisë i cili prej shumë vitesh kontrollon dikastere shtetërore në Kosovë, kur u shpreh se vetëm Hashim Thaçi mund ta ketë rrjetin e tij të shtrirë anë e kënd Kosovës ma mirë se sa Isa Mustafa. Tani nga ky prizëm mund ta shikojmë në retrospektivë punën e këtij kolegji, argatët e tyre dhe të shikojmë se si e ku janë sistemuar e shpërndarë nëpër pushtetin lokal e qendror të Kosovës, andaj heshtja e tepruar e njerëzve në LDK, fobinë e ka në shtrirjen e këtij rrjeti mafioz i cili është në gjendje ta kontrolloj tërë Kosovën, prandaj prokuror nga Gjykata Speciale do të ishte mirë ta bëjnë edhe një hetim profesional në RIINVEST nëse është ndërtuar sistemi i nëntokës pikërisht në këtë institucion, sepse për pjesën afirmative dhe për ndikimin e tij në përparimin dhe zhvillimin e Kosovës gjendja e tanishme është argumenti ma faktik dhe dëshmia më e mirë për secilin qytetar të Kosovës si dhe për prokuror dhe për të gjithë hulumtuesit.

Pra këtij soji intelektualësh siç janë binomi Isa e Muhamet Mustafa, LDK-ja dhe elektorati ua paskan falur besimin, andaj nëse këta janë të vetëdijshëm nuk do të duhej që përsëri ta keqpërdornin tolerancën që ua ka krijuar, sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës në ditët e reja.

Një dergjje me pasoja të mëdha
Tashmë shihet se LDK-në e ka kapur kjo dergjë dhe me të po tallen më shumë pseudo intelektualët të cilët po sillen si tyxharë politik. Dihet se ata nuk mund të ngjiten në nivelin e intelektualit, aq më pak disa të tjerë që kanë mbaruar diku shkollë nëpër kolegje të çifligarëve evropian, siç e kemi një garniturë e shndërruar në servil a papagaj që mbllaçitin kryesisht në mbrojtje të shefave të tyre të cilët bashkërisht janë përgjegjës për shkatërrimin e LDK-së dhe të Kosovës në përgjithësi.

Rënia e perandorisë komuniste
Ne të gjithë e dimë se në vitin 1990 ka nisur të shkatërrohej Jugosllavia, atëherë Kosovën po e gllabëronin shërbimet e nëntokës që i kishte prezent Serbia, qoftë përmes ministrave të Ante Marković dhe surrogateve të tyre të cilët kush më shumë e kush më pak kanë qenë të punësuar apo argat të sistemit kolonialist serb në Kosovë. Ndërsa një pjesë e tyre as në ëndërr nuk kanë guxuar për ta paramenduar Kosovën të shkëputur nga vasaliteti serb.

Por ishte ajo elita intelektuale e Kosovës e cila i doli në ballë këtij kombi duke kristalizuar kërkesat dhe duke e përgatitur Kosovën për sfida të mëdha. Në këtë plan u themelua edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila zgjodhi kryetar dr. Ibrahim Rugovën i cili bashkë me prof. Fehmi Aganin, akad. Gazmend Zajmin, shkrimtarin e historianin Jusuf Buxhovi do ta bëjnë platformën demokratike për shpëtimin e Kosovës e cila në gjirin e saj mblidhte personalitete të reja siç janë: prof. dr. Rexhep Gjergji, prof. dr. Zejnullah Rrahmani, mr. sci. Gani Mehmetajn dhe shumë të tjerë të cilët në atë kohë me autoritetin e tyre e ngritën moralisht dhe i dhanë forcë shpirtërore popullit të Kosovës, ndërsa tani pas 25 vitesh veprimtari na janë rikthyer në skenë pikërisht intelektualët e kohës së Ante Marković dhe nga foltoret e Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës po shesin moral në luftën e tyre për ta shkatërruar LDK-në.

E ku ka shkatërrim ma të madh se sa përfaqësues të LDK-së me qen njerëzit me damkë, tyxharë politikë, fshatar primitiv dhe kasnecë të kolegjeve evropiane të cilët e kanë lodhur shoqërinë me paraqitjet e tyre. Po ashtu dihet se nëpër shumicën e Degëve të LDK-së në Kosovë, procesi zgjedhor është lënduar shumë, pastaj këta delegat dhe kjo kryesi kanë pranuar që të përjashtohen dy Degët ma të mëdha të LDK-së në diasporë të cilat si asnjë degë tjetër kanë qen hambari i Kosovës për vite të tëra ku vet Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i LDK-së ua ka pas nxirë jetën me dallavere dhe keqpërdorime për të cilat flitet se ka prokuror që po i heton.

Madje kryetari dhe shokët e tij të idealit siç po mburret Muhamet Mustafa, do ta tolerojnë Isa Mustafën që ti ndëshkojë edhe familjaret e heronjve të Kosovës të cilët ishin delegat për Kuvendin e VIII zgjedhor të dal nga procese të rregullta zgjedhore, por që nuk e mbështetnin politikën antidemokratike të kryetarit të partisë i cili si rrufeja ra mbi ta pa u mërzitur fare as për lëndimin e procesit zgjedhor, as për familjarët e heronjve, as për diasporën për të cilën ka ambicie ta shuan krejtësisht, pasi si duket diaspora është rebeluese dhe mospajtuese me qëndrimet teknokrate të Isa Mustafës.

Përbuzja dhe linçimi i diasporës
Si asnjëherë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë verës së vitit 2015 u tregua përbuzëse për tërë diasporën, ku me përjashtimin e ndonjë klani servilësh me të cilët paskan bërë selfie, nuk kanë përfillur dhe nuk i kanë nderuar mërgimtarët. Kjo sjellje ndaj diasporës u manifestua në të gjitha instancat e udhëheqjes së shtetit dhe madje edhe nga familjarët e tyre kanë qenë përbuzës ma shumë se sa çdo herë tjetër. Kjo politik shfrenuese dhe antidemokratike e Isa Mustafës dhe klanit të tij brenda një afati rekord do t’i kthehet bumerang vet Isa Mustafës, miqve të tij dhe Kosovës në përgjithësi, prandaj është detyrë imediate e atyre njerëzve që nuk janë te involvuar në këto pështirosje ti thërrasin arsyes dhe t’ia tërheqin vërejtjen Isa Mustafës për dëmin kolosal që ia ka shkaktuar Kosovës.

Është obligim edhe i Muhamet Mustafës i cili është bashkë ortak i Isa Mustafës jo vetëm në Kolegjin RIINVEST por në shumë projekte të tjera, që urgjentisht ta ndalin avazin e shkatërrimit të LDK-së dhe të Kosovës. Ta instalojnë frymën e dialogut e jo të përjashtimit, ti përpilojnë listat e reformatorëve për jo të mbushen me servil dhe injorant të cilët duke i bërë temena Isa Mustafës e kanë varrosur karrierën e tij dhe e kanë katandisur edhe Kosovën. Vet Isa Mustafa duhet t’i thërras arsyes dhe t’i shmanget më të keqes të cilën ia kanë sjellë tyxharët politik për rreth tij, nepotizmi familjar dhe analfabetizmi, po sidomos paaftësia e strukturave drejtuese qoftë në nivelin lokal apo atë qendror.

Vetëdijesimet e domosdoshme
Anëtarësia e LDK-së duhet të vetëdijesohet dhe të organizohet nëse dëshirojnë të bëhen faktor dhe t’i marrin përgjegjësitë mbi supe, kurse në anën tjetër t’ua bëjnë me dije partnerëve strategjik se e duan demokracinë, e duan rendin dhe e respektojnë votën e lirë dhe shtetin ligjor. E kjo bëhet vetëm duke u organizuar e duke e faktorizuar grupin e tyre brenda LDK-së. Kjo gjë arrihet duke marrë guxim për t’ua përplasur në fytyrë atyre që duan ta shkatërrojnë shtetin, atyre që nënshkruajnë dokumente pa i lexuar fare dhe duke ua bërë me gisht atyre që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje ku jemi.

Është detyrë imediate që intelektualët e LDK-së të cilët nuk pajtohen me politikat diskriminuese të klanit Isa dhe Muhamet Mustafa, t’ia bëjnë me dije elektoratit dhe anëtarësisë, me fakte e shënime të përmbledhura, të gjitha degradimet që Isa Mustafa gjatë këtij mandati ia ka shkaktuar LDK-së dhe Kosovës. Vetëm me reagime të përditshme, me konferenca për shtyp dhe me takime në formë të simpoziumeve ata mund të pasqyrojnë realitetin e degradimeve të demokracisë dhe rrezikun në të cilin është Kosova po veçmas LDK-ja.

Fushëveprimi i pakontrolluar
Fatkeqësisht me këto gjëra, nuk merren ata që e kundërshtojnë Isa Mustafën, por më tepër iu ka dhënë hapësirë për të folur Ismet Beqiri, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova e deri tek Muhamet Mustafa dhe disa kasnec të cilët i përfolëm më lart, e që paskan siguruara diploma nëpër qendra të caktuara evropiane apo ma larg. Tashmë kjo kastë që përfaqëson mediokritete klasike po e quajnë veten intelektual, sepse ata i mbështesin projektet e binomit Mustafa edhe kur e dëmtojnë interesin kombëtar.

Ky tip intelektuali që sot po e menaxhon Kosovën, po qëndron në shpirtin e mbyllur e fanatik duke iu shmangur realiteteve, ata e kanë nxirë të sotmen të cilën po mendojnë se duke e mohuar e fshehin realitetin që po ndodh. Ky prototip i intelektualëve me instinktin e karrierës primitive kanë synim të vetëm për shkatërrimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që i kanë rreth vetvetes për t’i arritur qëllimet e tyre.

Nga kjo situatë nuk mund të del Kosova me këta tipa intelektualësh të cilët nuk po munden për të hequr dorë nga frika e ankthshme e cila i ka kapluar. Sigurisht tani kësaj frike iu ka shtuar edhe frika për krijimin e Gjykatës Speciale, prandaj Kosova është futur në këtë rreth vicioz pikërisht nga profiterët e luftës dhe nga ministrat e Ante Marković, të cilët nuk do ta shkëputin mendjen e tyre nga sistemi që iu ka sjell privilegje dhe pasuri. Janë këto veçori pse na shtynë të besojmë se ata vullnetarisht nuk do të lirohen nga ky ankth sepse i shoqëron edhe inferioriteti i paaftësisë profesionale dhe intelektuale.

Tashmë po shihet se gjuha rituale e reduktuar në formula stereotipie e këtyre intelektualëve i ka degraduar në eufemizëm. Ata duhet ta dinë se shoqëria vetë nuk ka mundësi parandaluese të ndëshkimit. E ndëshkimin si duhet, sigurisht do ta bëjë vetëm Gjykata Speciale e cila “me” apo pa dashje do të themelohet, kurse oligarkët e Kosovës të cilët kanë edhe grada akademike dhe kanë krijuar pasuri marramendëse, sigurisht mbi krime dhe keqpërdorime të dënueshme le të dënohen, por populli duhet të shpëtojë!

Intelektuali nuk duhet të rrijë duarkryq
Sado që Kosova nuk dëshiron që intelektualët potencial të cilët janë në mes të këtij populli të rrinë duarkryq, ata janë duke heshtur. Ata edhe pse janë të veshur me petkun politik, edhe pse në periudha të caktuar ia paskan shkruar tekstet akademike dhe iu paskan bërë studime shkencore deri në nivel për doktorata pikërisht oligarkëve në pushtet, duke mos përjashtuar as binomin Mustafa. Këta politikaj dhe intelektual do të ishte mirë që sa më parë të distancohen nga këto veprime, nëse e duan veten dhe Kosovën, sepse mëkatet e bëra dikur, sot po i vuan Kosova qoftë në udhëheqje e qoftë në arsim shkencë e kulturë, prandaj kjo shtresë intelektuale duhet të heqin dorë edhe nga përpjekjet dhe angazhimet e tyre të mëtutjeshme për tua mbuluar të palarat klanit Mustafa dhe Grupit “PRONTO”, jo që është njerëzore por është edhe akt patriotik.

Frika nga ndëshkimi
Kosova nuk dëshiron që intelektualët përherë të kujtojnë dhe të frikësohen për ndëshkimin, sepse frika para tij, ua frenon tani guximin për t’u distancuar nga klani “Mustafa” dhe Grupi “PRONTO”, ua frenon idenë e mirë, dhe aq më keq po detyrohen të heqin dorë nga përpjekja e tyre për Kosovën, për demokracinë dhe për shtetin ligjor.

Megjithatë, s’duhet hequr dorë as nuk duhet heshtur në kohën kur bëhen kaq abuzime dhe kur para syve tan po shkatërrohen vlera. Andaj për ta penguar këtë shkatërrim të mëtutjeshëm është vepër dhe sakrificë patriotike, sepse Kosovës kjo kastë politike i kanë shkaktuar dëme kolosale, mentalitete këto që vijnë nga e kaluara e tyre mjaftë e dyshimtë. Por duhet ta dinë se as shoqëria dhe as Gjykata Speciale, nuk do t’ua fali kurrë veprimet e mëtutjeshëm të këtyre intelektualëve që si duket janë të ingranazhuar nga e djeshmja e tyre, kurse kursin destruktiv nuk po e ndalin as sot.

Me këtë koncept dhe filozofi udhëheqëse, dhe me këtë sjellje oportune, garnitura politike që tashmë e ka LDK-ja, duhet ta dinë se nëse në pranverën e sivjetme do të shkon Kosova në zgjedhje të jashtëzakonshme, ma shumë se LDK-ja askush nuk do të dobësohet, dhe kjo parti do ta përjetoj fundin tragjik, prandaj njerëzit e Isa Mustafës dhe vet ai duke ia përfshirë edhe kushëririn e tij për kah mbiemri duhet ta ndërpresin këtë avaz shkatërrues.

Përfundim
Megjithatë kemi bindje se Kosova dhe veçmas LDK-ja ka nevojë të madhe, bile më shumë se kurrë, për intelektual të guximshëm dhe vizionar të cilët i ka brenda radhëve të saj?!… Kosova ka nevojë për intelektual të formuar që posedojnë veti të mira e njerëzore dhe që janë të frymëzuar me ndjenja patriotike dhe të atdhedashurisë. Por jemi të vetëdijshëm se për t’i udhëhequr proceset dhe për t’ia kthyer namin e dikurshëm Kosovës dhe vet LDK-së vërtetë duhet guxim!…

St. Gallen, 29.12.2015.
Publikuar në profilin e autorit në FB, më 05.01.2016.
Publikuar në Facebook

1 KOMENT

  1. I nderuari Shefqet (emer turk po ndoshta je Shqiptar),

    Ti veç rri ne Saint Gallen, dhe kur ne t’i rregullojme çështjet ashtu qysh ke deshire ti,… ne do te te lajmerojme… ti veç na e trego e-mail adresen… dhe ne te informojme per perfundimin e suksesshem te gjitheçkaje ne Kosove… ti veç rri atje …edhe ka pak shit mend …kur te kesh kohe.

    Hajt.

Komentet janë mbyllur.