Fshati Binçë vitet e 70-ta
Me rastin e njëmijë vjetorit të saj jubilar (1019 – 2019)…
Historik i shkurtër i vendbanimit BINÇË!1
Topografia dhe etimologjia e fshatit Binçë!
Binça është ndër vendbanimet më të lashtë (hershme) në Kosovë e rrethinë. Fshati Binçë si vendbanim përmendët zyrtarisht qysh në vitin 1019 në hartën apo kartelën (“Hrisovulë” – dokument zyrtar historik) e Perandorit Basilit II (Perandor që sundoi nga viti 976 deri vitin 1025), përmendët si vend i rëndësishëm Bizantin.2
Kurse në “hrisovulën” kartelën e mbretit bullgar Konstantin Asen-it, Binça përmendët po ashtu vitin 1258, me emërin Bineç dhe ku cekën se kishte tre Kisha dhe rreth 500 banorë me një ekonomi mirë të zhvilluar.3
Binça, është një fshat i bukur piktoresk, i rrethuar me bjeshkët e larta të Maleve të Zeza “Montenegro” (zonë kufitare Kosovë-Maqedoni). Fshati ndodhet në pjerrësitë jugperëndimore të maleve të Karadakut, dhe është, një ndër fshatrat më të lashtë të Anës së Moravës.
Binça përshkohet nga lumi i madh, ose si quhet ndryshe lumi i Binçës, apo Morava e Binçës, e cila ka burimin diku rreth 18 km larg nga fshati. Këtë bukuri të rrallë, e pasuri të madhe natyrore rrafshinore-malore, e zbukurojnë lumi Morava dhe lumi tjetër, të cilin populli e quan edhe “lumi i vogël” si dhe “jazi” lumi i vogël, i cili kalon në anën tjetër të Binçës, nëpër pjesën e quajtur Razorë (jazorë, jazë apo edhe rrezorë). Gjithë ky peizazh, i jep bukurinë e saj magjepse, me prapavijën e kodrave dhe maleve, fushën pjellore, shtëpitë e bukura, rrugët e ndriçuara dhe të bukura, të cilat e lidhin Binçën, me pjesët e saj Razorën (e pasur me një “jazë” dhe fusha të ngritura, livadhe), pastaj lagjen Shushtë (me një grykë të mrekullueshme fushore përmes cilës kalon lumi Moravë) dhe fshatin Kabash. Këto të gjitha lidhen me qytetin komunal, pra Vitinë që është larg Binçës 1.5 km.
Ky fshat i bukur, është i banuar me popullatë me shekuj dhe ka një histori të lashtë Iliro-romake, mirëpo jo mjaftë të gjurmuar dhe ndriçuar. Popullata është shqiptare dhe katolike (me përjashtim të disa familje shqiptare të përkatësisë fetare muslimane që kohëve të fundit kanë ardhur, kanë ndërtuar shtëpi e janë vendosur në Binçë), pastaj Shushtëve, një lagje me shqiptarë myslimanë, me të cilët gjithnjë jetojmë vëllazërisht dhe bashkërisht. Në Binçë ka edhe disa familje serbe, me përkatësi fetare ortodokse, të integruara deri diku në bashkësinë tonë edhe pse sipas disa dëshmive, më herët edhe ata ishin të përkatësisë kombëtare shqiptare por të fesë ortodokse ose të besimit të krishterë por të ritit lindor, kurse tani e disa dekada janë tërësisht të asimiluan dhe e ndiejnë vetjen e tyre serb.
Rreth emërtimit të fshatit, ekzistojnë disa interpretime, apo zbërthime historike dhe etimologjike. Disa thonë se fjala Binçë rrjedh nga fjala BIS apo BINEKSIS (= Bineç), sipas dy lumenjve që bashkohen pikërisht në fshat dhe që e karakterizojnë këtë vendbanim (por me gjasë edhe të dy kalave që qëndrojnë njëra përballë tjetrës). Kurse disa interpretime tjera pohojnë se emërtimi Binçë rrjedhë prej qytetit të lashtë iliro – romak ARRIBANTIUM, që sipas tyre, është Binça e sotme, saktësisht vendi në rrafshin e kodrinës mbi rrënojat e kalasë së vjetër të fshatit.
Këtë vështrim dhe interpretim, i cili duket të jetë mjaftë i saktë dhe i besueshëm, e vërteton edhe kalaja e lashtë dhe e moçme, e cila gjendet në afërsi dhe është e ngjitur me fshat, në të cilën gjinden shumë gropa, zgafella, korridore nëntokësore për nxjerrjen e xeheve dhe mineraleve. Ndërkaq, përveç tjerash, në favor të këtij argumenti shkojnë dhe dëshmojnë edhe vet themelet e godinave me gurë deri vonë të pashëm. Këta gurë sot dihen edhe nga të dhënat gojore, të cilat thonë se i tërë fshati i sotëm (po edhe disa fshatëra të afërt) është ndërtua nga ata gurë të gdhendur, të cilët janë nxjerrë e bartë nga kalaja, apo “rrafshi i kalasë” që atëherë ishte dhe sot ende quhet “Çarshia”. Disa pjesë lartë, tregojnë se diku në kohërat e lashta ishte një vendbanim i bukur (sipas gojëdhënave e gjitha gjasave, një qytet i bukur), e që gjatë historisë ai qytet e lëshua (për shkaqe ende të panjohura) disa qindra metra më poshtë në rrafsh e buzë lumit nga u krijua vendbanimi i ri, pra fshati i sotëm Binça. Mirëpo, në traditën gojore ende ruhen emërtimet e rrugëve dhe rrugicave lart mbi kalajë apo “rrafshin e kalasë” siç janë: “Çarshia”, „Shën Prena“, “Rruga e Pjetrit” “Koshtane”, (koshtanzë), “Poslonishtë”- Punishte, “Bunari i Lazërit” „Zalli i Verdhë“ (rëra e kaltër) etj..).
Mbi “Rrafshinën e Kalasë” ku deri vonë ruheshin edhe shiheshin themele të shtëpive, ndërtimeve dhe kullave tjera, sot ende gjendet si gjurmë edhe një kishës (kapelë e vogël), të cilën në kohërat e reja, e meremetuan dhe uzurpuan, adaptuan së bashku me tokë e pyll, po edhe vet tumën Ilire (ku sot janë varrezat serbe) serbët lokal. Kjo sot është pronë e Kishës ortodokse. Mirëpo, që nga kohërat më të lashta dhe tradicionalisht banorët (besimtarët) e fshatit, ata të besimit katolikë shqiptarë, ende shtegtojnë atje ku paraqesin lutjet e tyre, sidomos është në traditë të shtegtohet atje për festën e Shën Prenës, “Sv. Petka” siç i thonë Serbët, apo si e njohin ne Shën Prena së cilës edhe i është e kushtuar kjo kapelë. Por, fatkeqësisht, me përkeqësimin e situatës politike, edhe kjo traditë e lashtë popullore u la pak anash nga banorët e fshatit. Kjo kapelë, sipas gjitha gjasave është e ndërtuar tradicionalisht mbi themele të një kishe të lashtë paleokristiane, shqiptaro-katolike. (Flitet se në këtë hapësirë ka pasur Kishë qysh nga shekulli i pestë).
Po ashtu edhe një pjesë e Binçës së sotme quhet “BARICË”, toponim ky që ka lidhëshmëri me emërtimin e vjetër. Mirëpo, edhe gjurëmët dhe gjetjet e para disa viteve të disa gypave të ujësjellësve në „Kozaricë“, pjesë e Baricës = Bari (që sipas gjitha gjasave datojnë nga kohërat iliro – romake), nga një fshatar (Shefk Matiq (Shefki i Markut), dëshmojnë dhe flasin mbi lashtësinë e kësaj pjese dhe të këtij fshati, vendbanimi. Sidoqoftë, është koha që historianët dhe arkeologët tanë të punojnë dhe të zbardhin më tepër historinë e vendbanimit (dikur qytet) fshatit më të lashtë në këto anë dhe me këtë të dëshmohet edhe shkencërisht lashtësia e këtij vendbanimi me rrethinë.
Binça si fshat përmendet shpeshherë në histori e në shkrime të ndryshme, të shumë udhëpërshkruesve të ndryshëm, të historianëve si dhe prelatëve Kishtar e këtë e bënë edhe Imzot Pjetër Mazrekut në relacionin mbi Martirët e Karadakut, ku ndër të tjera ai përmend edhe Binçën atëherë si filiale e Letnicës (Monte Negro). Por, gjatë këtyre shtatëdhjetë (70) viteve të fundit, famullia ka përjetuar një lulëzim dhe përparim të jashtëzakonshëm, në çdo kuptim dhe drejtim. Ky vendbanim, fshat, pra Binça përfshinë edhe Kabashin dhe Vitinë sa i përket juridiksionit fetarë, pra është famulli (qendër) me dy vendbanime tjera si filiala. Në Kabash përbërja etnike dhe fetare është kjo: shqiptarë katolikë dhe shqiptarë myslimanë, dikur kishte edhe disa familje serbe e bullgare, vllehe (të sjellur nga i ashtuquajturi Kral Petri i Malit të Zi), të cilat pas luftës së vitit 1999 janë shpërngulur gjetiu.
Këto tre njësi kanë këtë numër të besimtarëve katolik të pranishëm; Binça 150; Kabashi rreth 700 dhe Vitia 60/70, pra gjithsej rreth 1000 besimtarë shqiptarë katolik. Përkohësisht në botën e jashtme janë afër 1600/700 besimtarë. Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi dr. Smiljan Franjo Çekada (1940-1967), ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e flijimit të Martirëve të Karadakut (1846-1848), të njohur si martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terziajve.
– BINÇA – Burim dashurie dhe e hapur për të gjithë!
Ekonomia e saj gjatë historisë…
Vet gjaku i martirëve të këtij fshati, është vetëdijesim dhe ndërgjegje e këtij populli, se si duhet punuar, flijuar për të mira të përbashkëta, për paqe, mirësi e dashuri ndaj të tjerëve. Binça, më parë, një fshat i varfër me një familje të madhe SOPI, që nga kohërat e hershme shkaku i pozitës së saj gjeografike dhe tokës së pëlleshme (pjellëshme) merrej me bujqësi, blegtori dhe disa veprimtari tjera. Këtu vlen të përmendim se diku kah fundi i shekullit XVIII (ndoshta edhe më herët) kur në shumë pjesë, apo tërë Kosovën mungonte ushqimi, atëherë Binça shkaku i pozitës së mirë gjeografike, burimeve të shumta të ujit dhe urtisë së banorëve të saj, u hapën mullinj uji për bluarje të drithërave (mini fabrika për fitim mielli).
Ndërkaq, sipas të dhënave gojore, kah fillimi i shekullit XIX në Binçë ka lulëzuar kjo veprimtari e ekonomisë së vogël, ku buzë lumit Moravë ishin ndërtuar dhe punonin shumë mullinj, ku sillnin për të bluar, gjithë drithërat e fituara në fushat e anamoravës e më gjerë. Kjo veprimtari i sillte të mira materiale këtij fshati. Në këtë veprimtari, ishin të përfshirë thuajse të gjitha familjet e fshatit të cilët bashkëpunonin dhe jetonin në një harmoni vërtetë vëllazërore – familjare, meqë edhe ashtu ishin një familje e gjerë apo siç themi të një oxhaku. Punët, cilat i bënin në mullinj, familjet i kishin ndarë në mënyrë transparente mes veti. Sipas kësaj, si shembull përmendet mënyra se si organizohej puna, ku dy ditë e ruante e punonte në mulli një familje, pastaj dy ditë tjera tjetra familje e kështu me radhë, që do të thotë se sicila familje kishte ndonjë ditë pune dhe përfitimi në mullinjë. Kjo ndihmonte që të ketë diç për të gjithë. Përveç kësaj veprimtaria, këta banorë të vyeshëm e të urtë, në këtë kohë në Binçë kishin edhe një punëtori (lloj mulliri), të cilin e quanin “Valëvica” që tregonte lëvizjen, apo rrahjen e lëndës së parë të leshit delmeve me çekan të mëdhenj nga druri, të cilët shtypnin -rrahin, ndërkohë që në anën tjetër valët e ujit pastronin materialin, që përdorej pastaj për përpunimin e tekstilit, përkatësisht tepihëve, veshjeve kombëtare etj. për tërë rajonin…
Përpos këtyre veprimtarive, në fshat kishte dhe një furrë për shkrirjen e gurëve, apo “Furra të gëlqerës” shenjat e së cilës i shihnim deri vonë aty afër urës së kuqe, mu në rrënjët e bregut (nën varresat e serbëve tani) në hyrje të Binçës nga ana e Shushtëve. Në të vërtetë, kjo zonë njihet me këtë lloj materie nga të cilët fitonin gëlqeren, prej së cilës furnizoheshin banorët e këtyre anëve…Është interesant se në mesin e shekullit XX mbi Binçë diku 3 km larg fshatit, në vendin e quajtur “Lumi i Madh”, më vonë e sot “Te centrala” kishim të ndërtuar një hidrocentralë të vogël, prej nga fitohej rryma elektrike për furnizim të fshatit dhe disa fshatra për rreth, kuptohet me kapacitet të vogël.
Shtëpia, apo Hidrocentrali si godinë me paisje të lëra pasdore të vjetëruara e shkatërruara gjatë kohës ekzistonte deri vitin 1998. Këtë godinë e bombardoi NATO-ja, shkaku i caqeve e tankeve serbe, të cilët ishin strehuar dhe stacionuar përreth. Kurse, sot valanica dhe shumë mullinj të cilët duhet të jenë nën mbrojtje si trashëgimi kulturore (me ligj janë, por nuk përkujdeset askush për to), janë lënë në harresë dhe shkatërrim, ndërkohë që vetëm një vazhdon të jetë ende aktiv, në mesin e fshatit (pjesën e anës së quajtur Razorë, pra Mulliri i Gapit (Mixhës Gap = Gaspër Simanit – SOPI), kurse mullinjtë tjerë i hangër apo po i hanë harresa e kohës si mullirin e Mëhillit (Sopi), pastaj i rrënuar qëllimisht nga vet anëtari i familjes Franë Gegiq mulliri i Gegës (Sopi), shumë vite më parë rrënimi i mullinjve të familjes Gjergji (Sarë dhe Neki Gjergjit) mbi Shushtë etj etj).
Dhe e tërë kjo ekonomi e fshatit u shkatërrua me ardhjen e komunizmit, gjatë dekadave të shekulli XX. Si rezultat i kësaj dhe shkak i vështirësive për mbijetesë filloi mërgimi, shpërngulja e ngadalshme dhe e vazhdueshme e popullsisë.
Mirësinë, zemërgjerësinë dhe dashurinë ndaj vëllait njeri, Binça e tregoi gjatë gjithë kohës dhe historisë së saj, kështu viteve të 70 me të madhe pranoi banorë nga fshatrat për rreth si Stubëll, Vërnakollë, Terziaj… që shpërnguleshin me të madhe e vendoseshin në Binçë, për shkak të kushteve më të mira jetësore, e shkaqe tjera. Tashmë ka shumë familje të ardhura aty, të cilat u janë adaptuar kushteve dhe rrethanave të reja.
Që nga edukimi i të parëve, banorët e këtij fshati ishin dhe janë të përshpirtshëm e kombëtar, por gjithsesi edhe gjithnjë në sy të pushtuesëve të ndryshëm siç ishin P. Osmane, Bullgarët, e së fundi Serbët.
I kujtojmë dhe falënderojmë…
Një rol të madh në këtë drejtim, pra në ruajtje të harmonisë dhe qetësisë, natyrisht se luajtën meshtarët dhe motrat e nderit gjatë historisë, kështu që këtë rrugë dashurie që nga kohërat më të lashta, ndjekën bijtë dhe bijat e familjes Sopi, të cilat dhanë shumë meshtar e motra nderi që shërbejnë anë a mbarë Kosovës dhe në diasporë.
Meshtar i parë nga ky fshat ishte biri i kësaj famullie, i përsekutuar në Anadolli me prindër, atëherë ishte ende fëmijë, Don Mark Sopi (1838-1888) si dhe disa motra nderi nga familja Sopi, të cilat shërbyen dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit dhe vëllait e motrës njeri pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare o fetare, anë e mbarë botës së atëhershme, këto bija tona i takonin rendit rregulltar të motrave të Shën Vinçencit, ato ishin;
1. m. Julianë Sopi, lindur me 15. 06. 1866, në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind. Rexhepit. Kushtet i dha me 25. 12. 1885. Vdiq me 17. 08. 1891. në Turqi?.
2. m. Suzanë Sopi, lindur me 19. IV. 1868. në Binçë nga i ati Zef Sopi dhe nëna Stojë e lindur Dekes. Kushtet i pati me; 25. 12. 1885. Për në Francë udhëtoi vitin 1939.
3. m. Dominikë Sopi, lindur me; 25. III. 1864. në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind. Rexhepit. Kushtet i pati me; 3. 10. 1887. Vdiç në Konstantinopojë dmth. Stambolin e sotshëm, në Turqi me 15 .07. 1890.
4. m. Agatë Sopi, lindur me; 8. 04. 1875 në Binçë nga i ati Zef dhe Stojë Sopi, l. Dekes. Kushtet për rregullatri i pati me; 15. 01. 1898. Vdiq në Kokush me 4. 11. 1924.
5. m. Elizabetë Sopi, lindur vitin 1878 në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë Sopi, lind.Rexhepi. Kushtet i pati me; 25. V. 1898. Vdiq me 3. IV. 1967 në Turqi?.
6. m. Elizabetë Sopi, lindur me; 24. IV. 1878. në Binçë nga i ati Zef dhe Stojë, l. Dekes.Kushtet i pati me 29. IV.1901. Vdiç me; 23. IV 1940. në Izmir.
7. m. Martë/Magdalenë/Sopi, lindur me; 8. II. 1888. në Binçë nga i ati Ndue dhe Katarinë, l.Rexhepit. Është pagëzuar me; 11.II po këtë vit të lindjës. Kungimin e parë e mori vitin 1898. Kushtet i pati me; 13. IV. 1909. Veproi vitin 1910 në Konstatinopojë (Stambol), me 1915 në Bebek, me 1920 në Syri, me 1928 në Smirnë, prapë vitin 1941 në Bebek kurse vitin 1941 u pensionua. Vdiq në shkurt të vitit 1969 në Turqi?
Fatkeqësisht, deri më tani, fati i këtyre motrave të nderit, pra jeta dhe veprimtaria e tyre është shumë pak e ndriçuar.4
– BINÇA – me plagë të hapur
Migrimi!
Kjo bashkësi, gjegjësisht fshati Binçë, ka dhënë shumë meshtar dhe rregulltare. Rrugën e dashurisë dhe flijimit për të mirë të vëllait dhe motrës njeri, për një të ardhme të ndritur të Kombit tonë e ndjekën edhe shumë të tjerë, si i ndjeri ipeshkvi Imzot Mark Sopi, ipeshkëv (1938-2006), i ndjeri Don Damjan Kurti (1937-2014), Don Franë Sopi (Pejë), Don Viktor Sopi (Ferizaj dhe drejtor i Karitasit të Kosovës), Don Lenc Sopi (Klinë), don Lush Sopi (Novosellë), Dr.don Mikel Sopi (Velezhë), Don Marjan Marku (Zvicër), +Don Tomë Pjetri, Don Igzidor Llukiqi (Selezian, Prishtinë), don Shtjefen Dodes (Prishtinë-Peshter). Po ashtu, nga kjo famulli kanë fituar thirrjen shenjte edhe më se 25 murgesha, prej të cilave 10 janë “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, tre françeskane, tre motra të Shën Filip Nerit, dy të Shën Vinçencit dhe 2 baziliane, të cilat shërbejnë nëpër të gjitha viset shqiptare dhe në shumë shtete tjera evropiane. Madje edhe jashtë kontinentit, si në Amerikë e gjetiu.
Në Binçë, famullitar aktual është Don Meriton Dedaj nga Novosella e Gjakovës, kurse në kuvendin e motrave BDH “Shën Pali” në Binçë shërbejnë 6 motra nderi.
Pse cekim këtu meshtarët e motrat e nderit nga fshati ynë i dashur Binça e lashtë? Sepse, ndikuan shumë në emancipimin e popullatës ku shërbyen, ndikuan shumë në ngritjen intelektuale dhe emancipimin e rinisë, në arsimim etj…, këta në momente më të vështira të popullit ishin me te, barinjë të vërtetë të grigjës e cila iu qe besuar, prindër shpirtërorë të popullit, kudo me ta, edhe atë sipas binomit të Imzot Pjetër Bogdanit; “Fati i popullit tim është fati im!” Kudo shërbyen lanë përshtypje e mbresa të mrekullueshme, si shembull veçojmë shembullin e Ipeshkvit të ndjerë Imzot Mark Sopi, e veçmas dëshmia e tij para kongresit Amerikan, më pas aktivitetin e don Lush Sopit i cili në Zllakuqan të Klinës gjatë luftës së fundit strehoi me qindra e qindra të përndjekur nga ana e Mitrovicës, ku pas luftës edhe shpallët qytetar nderi nga ky qytet, pra Mitrovica. Pastaj, të njëjtën gjë e bënë edhe dr. Don Mikel Sopi në Bistrazhin, don Lenc Sopi në Pejë etj. Në këtë nuk munguan kurrë as motrat e nderit si me rastin e motrës Viktoria Gegaj në Ferizaj, e cila nuk u nda asnjë minutë nga të strehuarit tek Kisha, njëjtën gjë e bënë edhe motrat e Binçës të cilat strehuan me dhjetëra njerëz gjatë luftës, por këta ndihmuan popullin në çdo kohë e rrethanë. Që të gjithë bënë shumë për popullin shqiptarë. Prandaj, edhe populli dhe gjithë ne iu jemi përjetësisht mirënjohës për punën dhe veprimtarinë e tyre, për kontributin e dhënë gjatë veprimtarisë së tyre baritore apo atërore.
Mirëpo, ajo që brengosë fshatin Binçë, është plaga të cilën e kemi përmendur disa herë më lartë, pra shpërngulja, migrimi i madh i popullsisë në shtetet tjera perëndimore, gjatë decenieve e sidomos viteve të fundit. E gjithë kjo ndodh për shkak të kushteve dhe rrethanave politike dhe socialo – ekonomike. Fshati Binçë ka një mërgatë anë e mbarë Europës si Gjermani, Zvicër, Itali, Kroaci, Francë, Austri, Slloveni pastaj në shtetet skandinave, në Suedi, Danimarkë, Norvegji e Finlandë, …Madje ka edhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, Kanada e gjetiu…Është kjo plagë (poashtu e gjithë shqiptarëve), të cilën mundohem disi ta përballojmë e shërojmë, duke mbajtur lidhje e kontakte sado të mundimshme por të mundëshme mes diasporës dhe vendlindjes, përkatësisht fshatit tonë, Binçë.
Për aq sa të mira materiale na solli gyrbeti, mund lirisht të themi se na solli edhe aq dëme shpirtërore (tashmë gati edhe kombëtare), sepse fëmijët rriteshin pa përkujdesjen fizike dhe prezencën e babës (thuajse të gjithë këta veçse ishin të martuar). Mirëpo largimi nuk kishte të ndalur, ndërsa ai do të intesifikohet me fillimin e luftërave në ish republikat e jugosllavisë 1991-96., Slloveni, Kroaci e Bosnjë dhe Hercegovinë. Të njëjtin rrezik e hetonin dhe ndjenin, madje edhe përjetonin ditë e më shumë vetë shqiptarët e Kosovës, të cilëve tashmë iu kishte marrë edhe ajo pak autonomi e vitit 1974, e njohur si Kushtetuta e 74-ës. Ndërkaq, kulminacioni i migrimit më të madh drejtë perëndimit ndodh nga vitet e 90 dhe tërë këtë decenie. Kjo ndodhi me ndihmën e atyre që atëbotë ishin strehuar dhe kur fillojnë me të madhe ti marrin, tërheqin, të gjithë familjarët nga Kosova.
Mirëpo, lufta në Kosovë, sidomos vitet 1997-1999, detyruan mijëra njerëz të ja mësyjnë Perëndimit. Kur analizohen gjitha këto rrjedha, mund të thuhet se politika e spastrimit të Kosovës me decenie arriti qëllimin, sepse sot mund të flitet për një migrim masivë të popullatës së Binçës si dhe në përgjithësi të popullit shqiptarë. Nga Kosova, Dardania antike, edhe pse mungojnë statistikat zyrtare e të sakta, mendohet se kanë emigruar mbi 600.000 mijë shqiptarë. Në fillim siç potencuam, migronin vetëm prindërit, zakonisht baba, apo kryefamiljari, vëllau i madh (meqë ende jetohej në mënyrë patriarkale) si shembull, por me keqësimin e gjendjes, dita e ditës, filloi edhe tërheqja graduale e anëtarëve tjerë, secili dike të vetin, familjar e të afërmë e që të gjithë këta më vonë edhe gratë dhe fëmijtë e tyre, e që solli pasoja edhe më të mëdha, të cilat po i përjetojmë dhe ndiejmë edhe më shumë sot kur shohim fshatin e fshatra të boshatisura thuajse tërësisht.
Fshati Binçë viti 2007
Kështu që, nga ato vite d.m.th vitet e shtatëdhjeta e këndej, domethënë pas 50 viteve e më tepër, kur shumica shkuan për të fituar pak, ndodhi e kundërta. Shkuan por edhe ngelën me të gjithë familjet e tyre, sepse situata dhe rrethanat historike e bërën të vetën, ngase realiteti në Kosovë ishte tepër i rënd, i hidhur, kurse sot gjendja ekonomiko – sociale, po edhe vet integrimi i gjeneratave të reja në vendet ku gjindën e bëri dhe po e bënë të vetën.5
– BINÇA – “Fati i popullit tim, është fati im!”6
Historia e popullit shqiptar tashmë i është e njohur gjithë opinionit botërorë. Është histori e shkruar me gjak, gjatë shekujve.
Populli shqiptarë përjetoi shumçka, u përsekutua, vuajti shumë, u vra, u dëbua, u masakrua gjatë gjithë historisë, kurse, në prag të 2000- vjetorit, e në kalim të shekullit XXI, përjeton edhe një tmerr të madh dhe rrallëherë të parë në histori, edhe atë nga ardhacakët e stepave të Karpateve (nuk di njeriu me çfarë emri t´i quaj) egërsirat serbe, të cilët, gjithmonë dëshiruan dhe kurrë nuk u ngopën me gjak të njeriut, shqiptarit.
Ky popull (serb) luftënxitës (artificialisht i formuar dhe atë sipas hulumtimeve të shumta nga shumë popuj e në veçanti nga populli i asimiluar shqiptarë i besimit ortodokës, pasi Serbia nuk egzistoi kurrë si shtet përveq se nga viti 1878, këtë e konfirmojmë pasi nuk ka në trojet tona e ballkanike asnjë dokument o monument arkeologjik se eksistonin më parë) që nga viti 1990, filloi të luftoj në Slloveni, për të vazhduar në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë (luftë e cila zgjati katër vjet) dhe ja, siç ishte folur e diskutuar ca kohë, Kosovën martire e lanë për në fund, gjetësisht d.m.th për vitin 1998/99.
Duke filluar nga historia jo edhe e largët, pra që nga viti 1912, pas mbarimit të sundimit pesë shekullor të Perandorisë Osmane mbi këtë popull, mbi popullin shqiptarë, vuajtjet e mundimet popullit shqiptarë, pësimet, keqtrajtimet, vrasjet nuk iu shmangën deri ditëve tona.
Historia e popullit shqiptarë është një histori tejet tragjike. Kështu, nga shekulli XI – XII, shqiptarëve iu qe imponuar dhuna nga ardhacakët sllav të karpateve, për të vazhduar pastaj, që nga shek. XIV me robërinë osmane e gjerë në fillim shekullin e XIX dhe fund shekullin e XX me robërinë serbo – malazeze, ku gjatë tërë kohës e pushtimeve synim i armiqëve ishte asgjësimi i popullit shqiptarë, dhe për të arritur këtë pushtuesit nuk zgjodhën mjete e mënyra nga më të ndryshmet duke përdorur ato nga më të rëndat si trysni, malltretime, turtura, djegje e asgjësim të mirave material, plaçkitje, tatime, dënime, burgosje, rrahje nga më brutalet, përdhunime e dhunime, vrasje makabre, zhdukje të familjeve të tëra, shpërngulje të dhunëshme, masakrime të ndryshme nëpër fshatra e qytete, gjenocid ndaj një popullit të tërë. Arsyet sipas gjasave dihen; Populli shqiptarë shtrihet në një pozitë të jashtëzakonshme gjeostrategjike, ushtarake, politike, ekonomike…
Shtrihet në një vend të pasur, me pasuri të mëdha nëntokësore, me pasuri të rralla natyrore, pozitë me favore të shumëta ekonomike. Ka male e bukuri të rralla, ka natyrë të mrekullueshme me ujëra e burime natyrore, vend i cili ka dalje në ujëra të nxehta pra ka detin e pasur e të pastër, ka lumenjë e liqene, ka florën e faunën. Populli shqiptarë përveq të mirave e pasurive natyrore ka një të ardhme të ndritur një pasuri që rrallë kush nga popujt e ka, ta ket e ta gëzoj, kurse populli ynë dhe gëzon këtë pasuri, pra ka një rini të shëndosh, pasuri ndër pasuritë më të mëdha, pastaj ka një histori të lashtë pa të cilën kjo botë apo ky civilizim shtrohet pyetje sa a do të ishte, a do egzistonte sot po mos të ishin paraardhësit tanë, pellazgët, ilirët, dardanët, shqiptarët të cilët civilizimit i dhanë të gjithat që gëzon sot si nga ana materiale po ashtu edhe ajo shpirtërore.
Kurse pasuria natyrore veçmas ajo nëntokësore siç cekëm është e pakrahasueshme, ligniti, ari, argjendi…, prandaj të tjerët si lakmiqar edhe ia mësynë me luftëra e tentim shfarosje dhe përvetësim të historisë tonë, të mirave tona, pra të gjithë asaj që cekëm. Urrejtja serbo – malazeze ndaj këtij populli liridashës u mboll në zemrat e ngurrta të tyre mos të them zemra kanibale që nga ardhja e tyre në Gadishullin Ballkanik, gjegjësisht Gadishullin Ilirik. Erdhën kanibalë dhe siç duket me tiprare të tilla mbetën edhe sot e asaj dite së paku për ne dhe ndaj nesh, shqiptarve. Është kjo një urrejtje e mbjellë me shekuj në zemrat e tyre dhe, siç u pa, e dëshmitarë ishte e tërë bota, (nga ajo që doli në shesh sot dhe si doli në shesh shpeshherë gjatë historisë) veçmas që nga viti 1981.
Vitin 1998, urrejtja serbo-malazeze, arriti kulminacionin, dhe zbërthimin e helmit të saj! Në shkurt të vitit 1998, shkjau, Serbia vazhdoi të demaskohet, të heqë maskën njerëzore dhe t’i shihet fytyra e saj e vërtetë, mund të them lirishtë djallëzore.
Që nga viti 1981 (demostratat studentore e kërkesat gjithpopullore – për barazi) shumë prindër shqiptarë mbetën pa djemtë e vajzat e tyre, pa fëmijtë e tyre, shumë fëmijë mbetën pa prindër, shumë njerëz mbetën pa më të dashurit e tyre, shumë u zhdukën në mënyrë “misterioze”, shumë shkuan në arë (fusha) e mbetën atje, shumë të rinjë shqiptarë u detyruan të shkonin e të shërbenin në ushtrinë serbo – malazeze, por u kthyen në arkivole; shumë student/e, filluan studimet, por kurrë nuk i mbaruan ato, as nuk u kthyen në shtëpitë e veta, pasi mbaruan në burgje – kasaphanet serbo – malazeze ku u kalbën e u tretën në to. Shumë të rinjë e të reja mbetën pa shokët e shoqet e tyre. Shumë mësimdhënës mbetën pa nxënësit e dashur…,shumë mbetën pa shumçka.
Ekzodi, kalvari i shqiptarëve s´ka të mbaruar. Nga Kosova, që nga vitet e gjashtëdhjeta, u larguan me dhunë mbi gjashtëqind mijë (600 mijë) shqiptarë. Ekzodi me i ri filloi viteve të tetëdhjeta, kurse kulminacionin e arriti në viteve ´90, por kjo e zezë nuk përfundoi me kaq, por vazhdoi.
Më 1998, populli shqiptarë filloi masovikisht, të dëbohet, të torturohet, të vritët e të masakrohet nga kriminelet, hordhitë e banditët serbo – malazezë. Masakrimet, turturat, vrasjet e rrënimet me të madhe filluan pikërisht në shkurt të vitit 1998. Serbët filluan të zbatojnë planet e tyre djallëzore (Elaboratet e Mbretërisë SKS 1920, të akademikut Vasa Çubriloviq – it, Grashaninit, Ivo Andriqit, të vitit 1937, 1944, 1945 etj), të planifikuara, të paralajmëruara e të paramenduara me shekuj, për të zhbërë një popull, i cili i pranoi miqësisht në vatrat e veta.
Në vitin 1998 filluan masakrimet masive në Drenicë, në Likoshan, në Qerez, në Skënderaj, Prekaz, Reçak…
U zhdukën familje të tëra. Qëllimi i serbisë, dihej: Spastrimi i popullatës shqiptare nga Kosova dhe kolonizimi i saj me popullatë serbe, tendencë dhe dëshirë shumëshekullore e tyre, siç cekëm më lartë!7
– BINÇA – me plagë të pashëruara deri më sot!
Si shumë vendbanime tjera në Kosovë, as vendbanimi im, fshati Binçë, nuk mbeti pa u prekur nga të gjitha elementet e lartëcekura, pra shkatërrimtare të sunduesve të ndryshëm gjatë historisë e që bartë një histori të gjatë sa të mundimshme por sot aq edhe kranare mbi supet e saj.
Binça si vendbanimi më i lashtë (i dokumentuar) në Anamoravë e gjetiu, barti fatin e popullit gjatë gjithë historisë. Edhe pse ka popullat të përzier fetarisht e kombëtarisht, meqë në fshat nga kohëra të hershme jetojnë shqiptarë e serb, pastaj shqiptarë të dy konfesioneve fetare, ajo gjithmonë mbolli farën e tolerances dhe dashurisë, farën e mirësisë dhe humanizmit. Dëshiroi gjithnjë paqën e prosperitetin për vete e të tjerët, mirëpo e gjithë kjo mirësi asaj nuk iu kthya, apo nuk iu shpërblya me të njëjtën masë por përkundrazi, kështu që gjatë historisë të parët tanë qenë të maltretuar, të torturuar, të persekutuar, të vrarë e masakruar për ideale të tyre të larta që ishin prioritet, pra: për kombë e fe.
Me shekuj pati tendenca nga më të ndryshmet nga pushtues e sundues të ndryshëm që të braktisët ky vendbanim.
Në kohëra të vështira të konflikteve të ndryshme, lufëtrave, krizave ekonomike etj. popullata e Binçës ndihmoi gjithnjë bashkëfshatarët e saj pamvarësisht përkatësisë së tyre nacionale apo fetare.
Në kohë paqje, lirishtë e them, se banorët e fshatit Binçë nuk e paten aspak lehtë sa i përket mbijetesës, sepse vështirë siguronin ndonjë punë në ndonjë institucion shtetërorë, por falë Zotit dhe kushteve në fshat e rreth tij ata mbijetuan, por me këtë nuk dua të them se nuk pësuan. Pësuam e pësuam edhe atë shumë e një nga pasojat më të rënda të pësimit, më të vështira dhe plagë e hapur shumëshekullore është pikërisht shpërngulja graduale e fshatit më të lashtë në Moravë të Epërme, shpërngulja që mori karakter pandemie viteve të para luftës e veçmas asaj gjatë e pas lufte. Kështu që Binça dikur sipas statistikave zyrtare të vitit 1981, atëherë me 1.200 banorë, dalngadal filloi të boshatisët, kështu që gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, gjatë vitit 1998/99 mbeti me diku rreth 200 banorë (të shpërndarë), kurse sot numëron jo më tepër se rreth 150 banorë resident.
Të gjitha shtëpitë e bukura, fshati piktoreskt i cili do to duhej të ishte destinacion turistik sot është i prangosur, i mbyllur, fatkeqësisht i boshatisur dhe i papërspektivë. Banorët e saj sot i takon anë e mbarë Evropës, madje edhe në Amerikën e largët kurse në vendlindje ende së paku gjatë kohës së pushimeve verore.
BINÇA GJATË VITIT
1 9 9 8 – 1 9 9 9
Kohë e vështirë, e sakrificës dhe flijimit ngadhënjyes…
– Edhe fshati Binçë gjatë luftës së fundit në Kosovë vitin 1998/99 nuk i shpëtoi më të keqës, mirëpo siç kemi cekur që në fillim vendbanimi ynë me kohë e gjatë gjithë periudhës së gjendjës së rënduar gjegjësisht nga viti 1981., gradualisht boshatisej nga banorët, gjegjësisht e në veçanti nga pjesa më vitale e saj që ishte e është rinia. Punë nuk kishte e nuk pati thuajse asnjë here në vendlindje për banorët e fshatit. Nga vitet e gjashtëdhjeta filloi migrimi apo sot mund të thuhet shpërngulja ku më vonë me keqësimin e situates kjo dukuri intesifikohet, dhe tani kur filloi keqësimi i gjendjes në Kosovë, kur lufta ishte në prag, shumë antarë tani më ishin në mërgim, dhe kështu dalngadal ata edhe merrnin e tërheqnin antarët e tyre, kështu që fshati gjatë luftës së fundit mbeti me fare pak banorë.
Fshati në vend se të rritej për kah numëri i popullësisë aji gjithnjë zvoglohej, jo shkaku i mortalitetit apo natalitetit natyrorë, por pikërisht shkaku i migrimit. Mirëpo, kuptohet se ata pak banorë që ishin në çdo periudhë ndanë fatin e popullit si për të mirë, ashtu edhe në kohëra të vështira, në kohëra paqeje e lufte të cilat fatkeqësisht na përcollën ne si popull.
– Vështirësitë, keqtrajtimet, tryznitë, rrahjet e plagosjet8 gjatë kohës së pushtimit serb të Kosovës nuk iu ndanë dhe nuk i munguan as fshatit Binçë.
– Me keqësimin e gjendjes politike në ish shtetin që u quajtë Jugosllavi, Serbia ndërmori menjëherë masa të nevojshme për ekupimin e teritorit të Kosovës – Dardanisë. Çdo ditë e më shumë staciononte makineri ushtarake (të kthyer nga luftërat nëpër ish republikat Jugosllave si Slloveni, Kroaci, Bosnjë etj), meqë ishte forcë e vetme “legjitime” dhe nuk kishte kush çka t’i thot e çka të bëjë. Thuajse nga viti 1989 hapësira teritoriale në Moravë të Epërme e që është zone kufitare në mes Kosovës e Maqedonisë u mbush me ushtar (paramilitar e policë të mobilizuar edhe serb vendas) kudo nëpër fshatrat tanë. Kështu në Binçë e rreth saj u krijuan disa punkte apo siç i quanin ata “karaulla” ushtarake. Shetitnin natë e ditë, silleshin e provokonin pandërprarë popullatën vendase, vetëm e vetëm për të mbjellur frikë në popull. Këtë edhe ia arritën sepse popullata e në veçanti rinia duke pare gjithë atë arsenal armësh, gjithë ata ushtar e ushtarak nuk pritëte gjë të mirë, por nga frika e të keqës me të madhe largohej kush ka dinte e mundëte.
– Dhe ishte pikërisht 23. Marsi i vitit 1999, kur Binça thuajse u shndrrua në një kazamatë serbe. Kudo ushtarë e mjete ushtarake, automjete të lehta e të rënda ushtarake që shetitnin e silleshin sikur të humbur, por shumica të drejtuarë kah zona kufitare me Maqedonin, pra maleve mbi fshatin Binçë.
Zona kufitare, malet tona qenë mbushur përplotë mjete ushtarake dhe siç shiheshin shumë automjete mbanin tabela të regjistrimit VR që tregonin qartë se të gjithë ata ishin të ardhur nga ndonjë garnizon ushtarak i Vranjës e vendeve tjera nga Serbia. Serbët vendor kënaqeshin kah i shihnin, unë nuk kuptoj se si nuk kishin mëshirë pak jo për ne, jo se jo, por së paku t’i shpenzonin gratë e fëmijtë e tyre nga gjithë ajo zhurmë, nga ato pamje tmerruese që më parë i kishim shiquar vetëm në skenarë të mirëmontuar të filmave partizan. Vërtetë gjendja e situata ishin të frikshme saqë banorët e pakët të mbetur në fshatin Binçë, edhe atë shumica të moshuar thonin; këtë gjë nuk e kemi përjetuar askurrë, dhe kështu nuk ka qenë as në Luftën e Dytë Botërore dhe askurrë e askund sa mbajmë mend e sa kemi dëgjuar. Tregonin se edhe lufta e gjendja para lufte ka disa rregulla e këta dhe tani asfarë rregulli, asfarë discipline çka edhe shtinin frikën në banorët e mbetur shqiptar.
– Të mobilizuar ishin serb i madh e i vogël, çdo serb ishte nën armë. Të armatosur ishin edhe disa serb që dihet se ishin të retarduar psiqikisht, por ja armë kishin fituar dhe ishin të veshur si ushtarak.
– Që nga fillimi i muajit mars, fshatrat për rreth Binçës që janë zonë kufitare me Maqedonin si fshati Mjak, Korboliç, Tanushë, Debellde, Buzevik, Lagjja Shushtë…, qenë shpërngulur dita ditës të tërat. Shumë persona u keqtrajtuan fizikisht (siç tregonin ata vet), u rrahën shumë, u malltretuan dhe deri më 23/23 mars nuk ngeli asnjë banorë në vendbanimet e cekura, gjithë banorët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Popullata e këtyre fshatrave shiheshin duke kaluar për çdo ditë (afër një muaj rreshtë) nëpër Binçë që është rruga e vetme (kryesorja) për në Viti e fshatra tjerë të banuar me shqiptarë, kalonin me qerre, traktorë e auto me pak gjësende që kishin mundur e i kishte lejuar e ashtuquajtura ushtri jugosllave të bartin apo merrnin me vete. Këta banorë fillimisht strehoheshin (nëpër të afërmë të tyre, miqasi etj) afër fshatërave të tyre dmth si në Kabash, Drobesh, Smirë, Viti etj…
Mirëpo, me kalimin e kohës ata dëbohen edhe nga Kabashi, Drobeshi, Smira, Vitia…dhe marrin rrugë e strehohen në fshatra si Lubishtë, Beguncë, Pozheran etj, por edhe nga këtu dëbohen e atëherë e vetmja rrugë iu mbeti, por edhe u detyruan nga ushtria e paramilitarët, t’ia msyjnë kufirit këmbë e nëpër male, në shi e të ftohtë për kah Maqedonia shumë nga ta me gjithë familje, pleqë, gra, fëmijë.9
Kurse, shtëpitë e tyre, të boshatisura dhe të mirat tjera material qyshmë kishte filluar t’i plaqëkiste e ashtuquajtura ushtri jugosllave kuptohet të ndihmuar nga banorët serb vendas të fshatit më të afërt të tyre dmth nga Binça, Kabashi, Vitia, fshati Vërbovc, Gërçar, Mogillë, Kllokot e fshatra tjerë, në plaqkitje e djegje të shtëpive të shqiptarve në fshatrat e lartë cekur iu ndihmonin serbve edhe romët nga Vitia e fshatra tjerë ku ata banonin si nga Kllokoti, Mogilla etj. Flitej se shumë shtëpi, e pleme (vend ku ruhen të mirat për ushqimin e kafshëve dhe vet kafshët) digjeshin, kurse shumë kafshë therreshin nga ushtarët dhe përdoreshin për ushqim ngrënje të tyre dhe antarëve të familjeve të tyre, pra serbëve si nga Binça e gjetiu. Vërtetë gjithçka shihej e flitej ishte tmerruese…Mesiguri se dëmet materiale i dinë vet banorët e këtyre fshatrave, që vetkuptohej se nuk kishte shtëpi pa u plaqkitur e demoluar, shumë nga to edhe u djegën.
– Sa i përket fshatit Binçë shumica e popullatës duke pare stacionimin e madh të forcave ushtarake e paraushtarake e policore serbe të ardhur nga Vranja e vendet tjera nga Serbia, dhe dhe mobilizimin e sërbve lokal, morën rrugën për strehim. Shumica u strehuan tek të afërmit e tyre o miqasi, fillimisht nëpër qytete sin ë Ferizaj, Prishtinë etj duke menduar se qytetet nuk do pësojnë. Mirëpo, shumë shpejtë nëpër qytete u bë jetë e pamundur dhe me fillimet e para të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe e që kazermat kryesore ishin pikërisht nëpër qytete, ata morën rrugën dhe filluan strehimin nëpër fshatra si në Stubëll të Epërme, Stubëll të Ultë, Peshter (të Lipjanit), Janjevë (vendbanim me popullësi kroate) etj…
Në fshatin Binçë e Kabash mbetën krejt pak banorë edhe atë shumica pleqë, burra, gra e fëmijë e të sëmuar pikërisht ata që nuk dinin kah t’ia mbanin. Zonat kufitare siç është edhe vet fshati Binçë ishin të atakuar me koncentrim të madh të forcave serbe, dhe kjo bënte të shtinte frikë të tmerrshme në banorët e fshatit. Në bisedë me banorët e mbetur në Binçë, gjithë frikësoheshin mirëpo shumica siç deklaroheshin kishin drojë nga vet sjelljet e serbëve nga fshati, të cilët njiheshin si pijanecë dhe rrugaqë, gjithmonë të papunë dhe mjaftë të deformuar njerëzisht, por edhe që kohëve të fundit silleshin shumë keq me banorët e fshatit pra me fqinjët e tyre, me ne shqiptarët. Kështu që fshati datën e njëzet e tre marsit (23. Mars. 1999) numëron shumë pak banorë.10
Menjëherë me fillimin e bombardimeve nga ana e NATO-s ndaj caqeve të soldateskës serbe, këta të fundit fillojnë nga mlefi dhe urrejtja kundrejtë aleancës së forces ushtarake Veri-Atlantike, të shfrehin e të gjithë shfaqin dhe zbatojnë gjithë atë mllef me egërsirë dhe brutalitet ndaj popullatës së pambrojtur dhe të pafajë shqiptare. Menjëherë intesifikohen rrahjet, vrasjet, përndjekjet, maltretimet dhe dëbimi i popullatës kudo ajo takohej e ndodhej. Binça ishte nën kontrollën e Mbrojtjës Territoriale të Vitisë dhe që pikën qëndrore apo “shtabin” e tyre këta e kishin pikërisht në fshat, kuptohet nëpër shtëpi tona ku ndërronin qëndrimin, ishin në lëvizje (taktike) thuajse çdo tre katër ditë.
Mirëpo, këtu do i qasemi një problemi që ka të bëjë pikërisht me rrahjet, vrasjet, maltretimet e dëbimet e popullatës shqiptare, me vet sjelljet e njerëzve në luftë e pas luftës. Shpeshherë njerëzit dijnë të paragjykojnë, të gjykojnë apo edhe akuzojnë të tjerët, apo edhe bashkësi të ndryshme e fshatëra të tërë, të ndajnë njerëz apo grupe o vendbanime në patriot e më pak patriot, në ata që kanë dhënë ushtar të UÇK-së e në ato vende që nuk kanë patur apo edhe në ato vende që dhanë dëshmorë e në ata që nuk dhanë, duke mos menduar fare se ku do ishte fati dhe ajo e mirë të mos kishte vdekur askush. Ky problem është shumë kompleks në popullatën tonë të paslufte. Kemi parë dhe shpesh kemi dëgjuar njerëz kur akuzohen mes veti si shembull, unë kam luftuar e ti jo, apo ne kemi dhënë e kontribouar e ti më pak apo hiq, por edhe vet fshatërat mirrën nëpër gojë si shembull ky fshat apo pjesë ka kontribouar shumë, ka dhënë shumë dëshmorë, ka pas shumë të vdekur – viktima, apo ka dhënë shumë heronjë etj etj…në një mënyrë duke anatemu njerëz e vendbanime.
Problemi i këtyre temave është shumë kompleks dhe që kërkon maturi, pjekuri dhe urti kur është fjala bie si e trimërisë, patriotizmës, atdhedashurisë etj. Këto janë gjëra të cilat nuk mund të matën me asgjë pos me ndjenjën shpirtërore individuale. Askend dhe askush nuk ka të drejtë të gjykoj apo paragjykoj dike se është më tepër apo më pak patriot, që ka dhënë më shumë apo më pak për Kosovën, se e do apo nuk e do apo më pak e do vendlindjen. Pse e potencoi këtë? Sepse, para lufte e gjatë lufte secili shqiptarë (së paku mund të flas për shumicën dërmuese) ka dhënë atë që ka dijtë dhe ka pasur mundësi të jap për të mirën e vendit të tij, për të mirën e Kosovës, për të mirën e popullit shqiptarë. Kuptohet çdokush me mundësitë që iu kanë ofruar, me aftësitë që ka pas dhe ka, meqë edhe gjithçka është mëvarur nga krijimi i rrethanave të cilat na i ka imponuar koha e me këtë rast edhe armiku shumë më i fuqishëm në çdo lëmi (përveq moralit) e veçmas në sferën ushtarake. Gjithë e dimë se ne shqiptarët nuk kemi dashur asnjëherë luftë, dhe mendoi se një popull i zhvilluar, një popull i civilizuar, i ngritur dhe i arsimuar, një popull e shoqëri e qytetruar vështirë se e dëshiron luftën përpos nëse ajo domosdoshmërisht i imponohet, me këtë rast siç na u imponua edhe ne shqiptarëve.
Këtë e dëshiroi armiku ynë për qëllime të caktuara (siç kemi potencuar më lartë) dhe kësaj neve nuk kemi mundur ti shmangemi, jo se kemi dëshiruar luftë, por ja që na është imponuar padashje. Kur diçka të imponohet domosdoshmërisht atëherë asaj as nuk mund t’i ikësh. Dhe imponimi i luftës në Kosovës u bë nga Serbia kështu që, ata ku kanë dashur edhe kanë hapur luftë e fronte të luftës dmth pa pyetur neve shqiptarët që po e them nuk e deshëm luftën. Ku do ishte ai fat të mos kishim patur fare luftë, të mos kishim patur fare të rrahur, të plagosur, të vrarë…, të përndjekur e të zdukur! Por, gjitha këto na u imponuan dhe na ndodhën në kohë dhe hapësirë dhe aty ku deshi “i forti”, me këtë rast ushtarakisht më i forti që ishte armik i ynë, pra Serbia. Mos të harrojmë se neve nuk kemi mundur të hapim vija të luftës, të bartim lufimet aty ku do ishim më të përgaditur e më të forte, nuk kemi mundur ne t’ia imponojmë luftën serbisë, pasi duhet pranuar se nuk kemi qenë të përgaditur në asnjë mënyrë apo formë për luftë.
Popullata nuk ka qenë e organizuar, e këtë Serbia e ka bërë vite të tëra me plane duke përndjekur popullatën e rininë, duke çarmatosur atë me kohë, dhe duke zënë gjitha pozicionet e mundshme strategjike luftarake me kohë. Atëherë, pse neve të gjykojmë tjetër kënd, pra njëri – tjetrin, si shembull pse nuk e kape armën?! Po ku mund të kapët arma kur atë nuk e ke, nuk e posedonë, kur atë nuk ta ka ofruar e afruar askush?! Apo, pse ti apo ju shpëtuat e neve jo?! Pyetje e çështje që nuk mund të zënë vend askund, pse? Sepse, askush me zor nuk mund të bëhet flije, të flijoj jetën meqë atëherë ajo as nuk do ishte flijim e sakrificë. Secili njeri i arsyeshëm e dinë se sa është trimëri në rrethana të caktuara të dhashë jetën për liri, aq urti e mençuri është që në rrethana të krijuara e të caktuara atë edhe ta shpëtosh, edhe ky apo kjo mund të quhet dhe do duhej të ishte heroizëm e atdhedashuri, pasi që askush nuk e don atdheun pa banorë të saj, pa njerëz në te.
Kështu që së fundi mendimi im është se, çdo shqiptarë i vërtetë, çdo njeri i ndershëm dhe dashamirës i lirisë së atdheut ka dhënë dëshmi në kohë e rrethana të caktuara, dhe ka kontribouar për vendin e vet, fshatin e vet, vendlinjen e tij, për Kosovën me aq sa ka patur mundësi dhe me atë që iu ka ofruar atij të jap, dikush kontriboutin e tij e ka dhënë me pushkë në dorë, dikush me mjete financiare (meqë as lufta nuk bëhet pa patur armë, medikamente, veshmbathje, ushqim etj…), dikush me gjak e dikush me këshille e diplomaci, dikush me laps e shkrime…pra secili ka dhënë kontribut. Andaj, mos të gjykoj apo paragjykoj kurrë askush askend. Patriotizma e atdhedashuria nuk mund të matët me asgjë.
Dhe ku do ishte e mira që të mos kishte Kosova asnjë dëshmorë, asnjë të plagosur, asnjë të përndjekur e asnjë të vrarë e të zhdukur?! Por të ishte ndarë me vullnetin e popullit në mënyrë demokratike duke mos cenuar lirinë e askujt për zgjedhje e përcaktim. Por, kuptohet se kur ndarja bëhet përmes tytës së pushkës, dmth luftës, atëherë lufta merr me veti edhe viktima apo siç thot një fjalë e urtë popullore shqiptare; „Nuk ka dasmë pa mish!“…e pra neve ishim mish në gojë të ujkut gjatë ditëve të luftës së fundit në Kosovë, siç ishim edhe shumë herë më parë. Lufta nuk zgjedh të mirë apo të dobtë, të fortë apo të ligshtë, të ditur apo të paditur, të bukur apo shëmtuar, ajo përbinë sikur lumi i turbulltë e i qartur duke bartë para veti të gjithë e aq më rrezik është kur ajo luftë bëhet e të imponohet nda ndonjë popull me udhëheqës të shlyer nga morali, etika…
Në Kabash e veçanti në Binçë thonin serbët e stacionuar nëpër shtpi tona; si mos tiu përndjekim, e vrasim, kur në çdo shtëpi tuajën (këtë e thonin veçmas pasi u stacionuan në shtëpi të Frok e Ndue Gjergji, dajë të mi) gjithandej po gjejmë dëftesa për pagesat e rregullta që i keni dhënë shtetit tuaj për Kosovën Republikë, tre përqind, pastaj gjithkund e në çdo shtëpi tuaja po gjejmë dëftesa e vërtetime që keni dhënë rregullish para për UÇK ( Fondi „Vendlindja thrret“) tuajën etj…dhe ky ishte kinse sipas tyre preteks dhe thonin; Juve gjithë duhet vrarë, le tiu mbrojë tani UÇK të cilën e keni paguar e sot po na vret etj.
Edhe Binça si fshat ( dhe si famulli me Kabash e Viti sa i përket banorëve shqiptarë të besimit katolik) që nga dita e parë e sulmeve të Nato-s u gjindë tanimë në kushte e rrethana edhe më të rrezikshme, nën kërcnime të mëdha ndaj atyre pak banorëve të mbetur në te, me shumicën e tyre pleq, plaka, fëmijë, të sëmuar e të cilët thuajse një pjesë e mirë që me fillimin e bombardimet e para u gjind e strehuar në objektet e Kishës. Si gjithandej edhe ne në Binçë tanimë pritnim reagimin e serbëve lokal në veçanti dhe kuptohet edhe më të kqijat që mund të na ndodhnin, dhe këto nuk na kursyen.
Menjëherë popullata, një pjesë më e madhe e mbetur në Kabash, filloi të maltretohet, të dëbohet me dhunë (ata pak sa kishin mbetur shtëpive të veta), të rrahen ata që ziheshin apo me rastin e pastisjeve të shtëpive që takoheshin e gjindeshin në to, të plaqkiten kjo më tanimë e disa ditë edhe para bombardimeve të Natos ishte dukuri.
– Brutalisht rrahen në Kabash disa të rinjë, vetëm pse kanë hedhë shiqimin kah ushtarët e paramilitarët serb, e këta të rrahur, ishin:
1. Isaku i Rexhës (mbiem. Mustafa?)
2. Lulëzim Sinani (djali i Baftisë)
3. (një djalë i Talit) familja Zejnullahu,
Pastaj maltretohen, rrahen e plaçkitën11:
4. Dedë Dokaj,
5. Myrtë Zejnullahu,
6. Qeshk Llukës, (kurse mbahet peng në shtëpi (ku serbët kishin shtabin e tyre) nga fillimi i bombardimeve i vëllau i tij Marjani plak dhe i dëtyruar tiu përgadisë edhe ushqim oficierve aty)
7. Marjan Llukës,
8. Gjergj Llukës
9. Gjergj Stepani
10. Deda i Dautit
11. Gjon Dodës,
Më pas rrahën e dëbohen nga shtëpia e tyre edhe:
12. Qeshk Gashi, (dhe disa të tjerë emërat e të cilëve nuk i kam shënuar)
Në muajin Prill, brutalisht rrahën;
13. Albert – Beli (Palë) Berisha (tanimë i ndjerë, vdiç i ri, aksidentalisht vitin 2018)
14. Luigj Ballabani,
15. Bernard Dodaj12
16. Palë Berisha (i moshuar, tanimë i ndjerë)
Mirëpo, lajmi më i rënd dhe i zi ishte me 05. të muajin Prill të vitit 1999, kur dëgjuam se serbët i kishin vrarë gjegjësisht pushkatuar vëllezërit Isuf (Aziz) Hyseni (1936) dhe Jakup (Aziz) Hyseni (1943) te Shushtë (atëherë lagje e fshatit Binçë), ky i fundit Jakup Hyseni ishte i hendikepuar. Vdekja e tyre ende nuk është zbardh të dihet sakt se kush i egzekutoi. Por, gjithmonë është përfolur se këto vrasje i kanë bërë serbët lokal.
Serbët lokal, me serbët e fshatrave serb për rreth Binçës, si nga fshatrat Vërbovc, Gërçar, Mogillë, Kllokot, Gërmovë, Viti së bashku me antarë të përkatësisë rome, të mësuar e të udhëzuar nga kush nuk e dimë, kishin për dëtyrë plaqkitjen dhe dëmtimin e sa më shumë të të mirave materiale të shqiptarëve. Në Binçë ishin jashtzakonisht të gjithë serbët në plaqkitje e demolime të shtëpive. Por, janë gjetur edhe dokumente pas lufte që flasin e tregojnë se disa serb nga fshati Binçë (e komuna e Vitisë) ishin mjaftë aktiv në zona të luftës jashtë teritorit të Komunës së Vitisë, dhe thuhet se ishin edhe pjesëmarrës në disa masakra që ndodhën në Kosovë, si ajo e Reqakut etj.
– Ndër ata që njihen si plaqëkitës dhe demolues e shkatërrues të pronave tona në fshat ishin siç kam cekur edhe në librin tim (shënime nda ditët e luftës së fundit) „Flijimi Ngadhënjyes“ këta përsona që shihesh natë e ditë nga pak banorë tanë të mbetur në fshat. Kurse „veorimtarinë“ e tyre ata e kryenin haptazi dhe pa far turpi, bile duke kënduar këngë qetnike e provokuese. Numëri i tyre në këto ndërmarrje ishte i madh, por kam shënuar këta emra ato ditë, të vështira:
Dy djemë të njëfar Momi (Sokolit) Simiq, djamtë me emëra njëri Jupi (i thonin, tanimë i ndjerë, kurse të madhin nuk e di si e thrasin por që ende jeton në Binçë), pastaj të bijtë e një farë Petki i Zajës i thonë (dy djemtë e tij), më pas njëfar Sreçki i Kevës i thonin (policë rezervist, tanimë i ndjerë), dy djemtë e Dakës së Konstatinit (mbiemëri më duket Milkiq), njërin e quanin Neshko e tjetrit (polic rezervist emërin e të cilit nuk e di), më pas djali i axhës së këtyre njëfar Sreçki (polic rezervist) djali i Radës së Konstatinit (Milkiç) ku së bashku me njëfar Sërxhani (ashtu e quanin) nga Vitia? të angazhuar në marrjen e automjeteve të shqiptarëve për shërbim të tyre e ushtarve dhe paramilitarëve serb, së paku ashtu ishin deklaruar vet. Pastaj djemtë e axhës të njëfar Qakës e quajnë (sot i paralizuar më parë punënjës i rrjetit elektrik të Kosovës, elektricistë). Nga më aktivët ishin djemtë e Dragoljubit njëfar Aca me dy vëllezërit e tij.
Më pas i angazhuar në rrethinën e Kaçanikut si polic ishte njëfar Toma i Fuçkit Sërbes e quanin (nuk jeton në Binçë), Bozha Markoviq (tanim i ndjerë, i angazhuar për marrje të automjeteve të shqiptarëve së paku i akuzuar nga Zef Gjergji), pastaj i angazhuar dhe shumë armiqësisht i disponuar ishte tërë kohën edhe njëfarë Zhika i Stevës, polic rezervist shumë kohë, e që njihej për dëme të mëdha të shkaktuar në njerëz e në fshatra të Komunës së Vitisë para e gjatë luftës (sot jeton diku në Serbi), një serb i deklaruar dhe treguar shumë nacionalist dhe urrejtës i shqiptarëve, e shumë të tjerë emërat e të cilëve nuk më kujtohen (por që dihet ku i kanë shtëpit) dhe organizator i gjitha plaçkitjeve dhe si lider i tyre apo koordinator ishte njëfar Dobri i Verës e quanin e që mbahej për „Odbor“ (këshilltar) i fshatit. Ky ditën e 13. 06. 1999., në ditën e tërheqjës së forcave serbe nga rrethimi i Binçës haptazisht kishte thirr në djegje e vrasje të banorëve të Binçës e rrethinës (mesiguri i dëshpruar në kapitulim), dhe me këtë rast duket se bërja ftesë për linçim, vrasje e djegje i kishte shkuar për dore, sepse po këtë mbrëmje dëshmitarët e shumtë tregojnë për „natën e bartolomeit“ në Binçë.
Ai i frustruar dhe dëshpruar me bashkëpuntorët e tij mesiguri hajnat e lartëcekur kishte vu flakën për djegëjen e fshatit Binçë por që falë gjeturisë së banorëve të fshatit dhe motrave të nderit të Binçës cilat kanë organizuar shuarjen e shtëpive të vëra në flakë, fshati ka shpëtuar pa e marrë flakën si i tërë. Mirëpo, me këtë rast digjën disa shtëpi e të mira materiale. Nga shtëpitë e djegura tërësisht ishin ajo e Tomë Zefit (fqinjë i Kishës), pastaj shtëpia e David (Tadej) Sopi (në hyrje të fshatit nga Vitia), më pas shtëpia e Gjon Gegës e disa shtëpi tjera pjesërisht të djegura, kurse siç kemi cekur më lartë, të gjitha shtëpitë e fshatit Binçë ishin të plaqkitura tërësisht, të demoluara tërësisht apo pjesërishtë. Dhe nga lufta si e gjithë Kosova edhe Binça doli me shumë dëme siç pamë më pak në njerëz por më tepër dëme materiale, dhe dëme psiqike me të cilat ishin të ngarkuar shumë persona e që pasojat e luftës në këtë drejtim hetohën dhe janë prezent ende. Poashtu edhe lagjja Shushtë nga lufta doli e djegur me shumë shtëpi, i plaqkitur dhe demoluar i tërë fshati, gjegësisht shtëpitë e banorëve.
Pas lufte me ndihmën e miqëve të shqiptarëve dhe mirësisë e miqësisë të dr. don Lush Gjergjit (që atëbotë ishte famullitar në Binçë) i cili fton miqë të tij nga Italia (me shoqata të tyre) ku më pas bëhet ndërtimi i shtëpive të djegura si në Binçë, Shushtë, Gjylekare e disa shtëpi tjera nëpër fshatrat për rreth Binçës (diku rreth 40 shtëpi ndërtohen nga themelet) ndërtohen e rregullohen për jetë në to. Me këtë rast vlenë të cekët se vite me radhë pas luftës fshati Binçë me Karitasin pranë Kishës ndihmoi me mjete të ndryshme materiale, ushqimore etj shumë familje, bëhet fjalë për 40 fshatra për rreth që ishin përfitues të mirave që nuk u ndalën për këta banorë për radhazi tre apo katër vite mos më shumë të dhënies së ndihmave pa dallime. Dhe e gjitha shkoi në mënyrë të organizuar nga vet banorët e fshatrave, kordinatorët e tyre e kështu me radhë
.
Për opinion më korekt këtu do ua sjellim listën e gjetur në fshatrat e lartëcekur me banorë serb, ku figurojnë emërat e kryekriminelëve e kriminelëve serb.
Me listën e bëkqinjëve që u gjindën menjëherë pas lufte në disa fshatëra si Kllokot, Binçë etj… përputhën edhe të dhënat e librit monografik, apo ditar nga ditët e luftës në kosovë „Flijimi ngadhënjyes“ e për të gjitha veprat e lartë cekura duket se ishin të orkestruara nga qarqe të larta me emëra të njerëzve që duhej të zbatonin planin e ashtuquajtur „Toga e Tmerrit“ emërat e të cilëve figuronin në ato lista janë: Rasti ”Toga e tmerrit”
Më 2 dhjetor 1999, janë gjetur disa dokumente në Samakovë, Viti, Goshicë, Kabash, Binçë, Kllokot, Zhiti etj., në të cilat dëshmohet se paramilitarët serbë, në këtë rajon kanë vepruar me emrin ”TOGA E TMERRIT”.
Kjo togë ishte formuar më 19 maj 1999 dhe për një kohë të shkurtër ka vrarë e masakruar 22 civilë pleq, plaka, fëmijë, gra dhe burra që i zunë nëpër shtëpitë e tyre.
Emrat e kriminelëve janë:
1. Miodrag Stanishiq
2. Sasha Jeriniq
3. Stanisllav Vukiq
4. Sasha Vujiq
5. Mirosllav Mihajlloviq – Mikica
6. Millovan Ivkoviq
7. Vidosllav Kojiq
8. Moma Vasoviq
9. Nenad Perzhiq
10. Branko Arizonoviq
11. Nebojsha Stanojoviq
12. Zoran Cvetkoviq
13. Sllavisha Maksimoviq
14. Dragisha Dinqiq
15. Novica Jakovleviq
16. Lubisha Arsiq
17. Sinisha Jovanoviq
18. Aleksander Jovanoviq
19. Srgjan Ristiq
20. Goran Arsiq
21. Nebojsha Stanishiq
22. Dragan Nojkiq
23. Canko Spasiq
24. Bogoso Krqmareviq
25. Millosh Mitroviq (komandant i togës)13
E gjithë ky tmerr që kaloi fshati Binçë dhe Kosova është kurorëzuar tani me shtetësinë e vendit, me Republikë Parlamentare.
Pikturë murale në Kishën “Shën Antoni i Padovës” në Binçë
– Binça sot është një vendbanim i rindërtuar, i riorganizuar mirë, me infrastrukturë të ngritur , rrugë të asfaltuara e të ndriçuara mirë, e rregulluar me tretuare nga Vitia deri në fshatë, me shtratin e lumit të rregulluar me gur etj…por edhe me potencial të madh të zhvillimit të turizmit si ai verorë ashtu edhe ai dimëror (dimëror në fshatin fqinjë Debelde po edhe bjeshkët e Binçës) kurse vera me ujërat e lummit Morava dhe pamjet mahnitse të Bjeshkëve për rreth, pejsazhe të mrekullueshme, dhe si e gjithë Kosova dhe populli shqiptarë gëzon lirinë, mirëpo shumica e banorëve të saj, diku rreth 80% e tyre jetojnë e veprojnë në botën perendimore por pa harruar asnjë moment vendlindjen e tyre të dashur, vendlindjen e cila U FLIJUA POR EDHE QË NË FUND NGADHËNJEU, prandaj edhe me plotë të drejtë mund ta quaj këtë gjeneratë të luftës; BIJTË E FLIJIMIT NGADHËNJYES!14
Marjan Sebaj SOPI
Rostock, 2019
REFERENCA:
1. Shih libri; “Migrimi plagë shumëshekullore”, Marjan Sebaj SOPI, Prishtinë 2010, fq. 33
2. Atanasije Uroseviç „Gornja Morava i Izmornik“, Beograd 1931, fq. 21
3. Atanasije Uroseviç „Gornja Morava i Izmornik“, Beograd 1931, fq.30
4. Shih libri; “Migrimi plagë shumëshekullore”, Marjan S. SOPI, Prishtinë 2010, fq.53-54
5. Shih libri; “Migrimi plagë shumëshekullore”, Marjan S. SOPI, Prishtinë 2010, fq. 83, 87
6. Shih libri; „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 7 – 24.
7. Shih libri; „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 15.
8. Shih libri; „Jehona e Folesë“ – Marjan S. SOPI, „ERA“ Ferizaj – 2015, fq. 219 – 233
9. Shih libri: „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 15 – 35
10. Shih. Libri: „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 36 – 43
11. Shih libri: „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 59 – 64
12. Shih libri: „Flijimi Ngadhënjyes“ – Marjan S. SOPI, “ERA” Ferizaj – 2006, fq. 94 – 98
13. Lista me emëra të kriminelëve serb është nxjerrë nga interneti si dhe shkrimi që ka plasur në gazeta, gazetari Aziz Zuka
14. Për më tepër rreth gjithë ngjarjeve më të hollësishme lexo libri; FLIJIMI NGADHËNJYES“ i autorit Marjan S. SOPI, botuar nga Shoqata HEKAS “Nikë Prela” Ferizaj 2006, fq 216