Ramiz LUSHAJ
BINAK ALIA, RRI TEK PUSHKA E URTNIA
1.
E ka thanë Binak Alia…!
Pikë i vnonte Historia.
Ishte Akademi e Pleqnive.
Fletë në ABC-në e fëmijëve
Libër i hapur i Urtnive.
Kanun i ri i Malësive…
Sofrat ia pritnin e përcillnin Fjalën
Pleqnia i lidhej si guri me malet.
2.
E thonë se Binak Alia ishte trupvogël…!
Margaritar i rrallë
Pushka e mbante lart.
Poshtë nuk i binte asnji Fjalë.
Ai rinohej duke u thinjur.
Ai vjen drejt nesh duke u rritur.
Ai s’ka lapidarë, as libra, as përmendore.
Ai është një nga kryefjalët në biseda e oda malësore.
3.
E thonë se Binak Alia ishte luftëtar i madh…!
E thirrnin kuvendet në ballë,
E prisnin luftërat në rradhë.
Ai dhe pa Bajrak mbetej Flamurtar.
Nga dy luftëra i qëlluan në nji vit
Binak Alinë nuk e lanë luftërat për me u rritë…!
Kuvende e pleqni i rrinin varg e u rrinte lart.
Binak Alinë nuk e lanë kuvendet për me u mplakë.
Andej luftë me Anadoll, këndej luftë me Çetinë.
Luftëra deri në Moraçë, mbi Qafë Diell e mbi Qafë Morinë
Në kala i ktheu kullën e vet, kala e mbajti Malësinë.
Luftë me Shtatë Krajli për të mbrojtë Plavë-Gucinë…
Ende luftëtar i madh në beteja të reja për Shqipërinë…!
Binak Alia theu ushtri me plane strategjike në katedra
Ai nuk ishte gjeneral i auditoreve e me spaleta
Ai djep e varr me lavdi, kullë e bajrak me histori,
I ka në Fang të Mulosmanëve, në trojet e veta…
4.
E thonë se Binak Alia ishte prijës i madh…!
Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbi 70 vjeçar.
Antar i Shtabit të lartë të saj, me Pushkë e Fjalë,
Ai ishte tek thepi e kambëza e Luftës.
Fjala e plumbi i rrinte në folenë e pushkës.
.Ai shkonte në luftëra me kullën e tij me gurë e lisa,
Ai u printe luftëtarëve malësorëve me plisa.
Ai shkoi në luftëra me tre breza luftëtarë të kullës së vet.
Binak Alia jetoi nji shekull dhe jeton në mijëra vjet
Atij genet e breznive i yllsojnë tek Liria, tek Demokracia…
Ai rri zgjuar tek Kulla e tij, ai trokon tek Historia.
Fjala e pushka e Binak Alisë kullë në lëvizje.
Binak Alia ishte e mbetet kullë e lartësive.
Tiranë, 18 prill 2016
Komentet janë mbyllur.