Mendim
Nga Abdurahim Ashiku, gazetar
NJË THIRRJE 28 VJET MË PARË…
DHE NJË LETËR KRYETARIT TË BASHKISË DIBËR…
Njëzet e tetë vjet më parë, në nëntor 1992, mësova se lapidari modest kushtuar fitores së madhe në betejën epike të Lanë-Lurës, ( 26, 27 e 28 tetorit 1921), betejë ku Dibranët, (të vetëm, pa ndihmën e askujt, siç ndodhi në Vlorë më 1920 ku mori pjesë e gjithë Shqipëria) fituan betejën më të madhe (pas 18 betejave fitimtare të Skënderbeut kundër perandorisë osmane në Dibër në shekullin XV), betejën kundër pushtuesit serbo-jugosllav duke e mbyt atë në Drinin e Zi, lapidari simbol i asaj fitoreje u shkatërrua, u shkul nga vendi.
Duke kërkuar në arkivin tim hasa në një shkrim me titullin “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë-Lurës”, shkruar më 21 nëntor 1992 dhe botuar në gazetën “Zëri i popullit” ku protestoja për shkatërrimin e simbolit të fitores së madhe të Dibranëve, lapidarin me themele në një kodër të bukur që dominon pamjen e fushës së Lanë-Lurës.
Mbaja mend mirë se i kisha bërë një fotografi nga larg dhe nga afër lapidarit, foto që nuk e gjeta mes dhjetëmijë negativëve të zbardhur. Me sa duket kishte humbur bashkë me të shumë të tjerë…
U bëra thirrje disa lurasve, miq të mi, që të gjejnë vendin dhe ti bëjnë një fotografi në atë gjendje që e ka lënë koha tash afro tre dekada.
Më erdhën disa përgjigje, por asnjë fotografi. Lapidari, siç më shkruante një mik, është shkulur nga vendi, i janë marrë hekurat dhe është shpërndarë betoni, është zhdukur pllaka…
Më erdhi keq për Dibrën, simbol i madh historik i saj…
Më erdhi keq për Shqipërinë, simbol i madh kombëtar i saj…
Më erdhi keq për vendasit që këtë margaritar në qafën e bukur të Lurës, e humbën dhe nuk u kujtuan (dhe nuk po kujtohen) ta gjejnë dhe ta ngrenë në një monument që të duket nga sateliti për ti treguar serbit se nuk kalon dot më në Dibër.
NJË 100 VJETOR QË DUHET PËRKUJTUAR E FESTUAR NË MASËN E LUFTËS SË VLORËS
– Vlora, me pushkën gjithë shqiptare, i hodhi italianët në det…
– Dibra me pushkën vetëm të “Nëntë maleve të saj”, i hodhi serbo-jugosllavët në Drin…
Vitin e ardhshëm është 100 vjetori i Betejës së Lanë-Lurës, (28 tetor 1921) betejë që mbyti serbo-jugosllavët në Drin, betejë që bëri jehonë të madhe në të gjithë botën dhe solli pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë.
Ky përvjetor duhet të përkujtohet në masën e “Luftës së Vlorës”.
Me madhështi, me përkushtim qytetar dhe në vijim të shndërrohet në një festë të madhe shqiptare të përvitshme.
Në Lanë-Lurë, në krye të saj, atje ku ka qenë vendosur lapidari, çuditërisht i shkatërruar në hapat e parë të demokracisë (Shiko shkrimin “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë-Lurës, Z.P dhjetor 1992) mendoj se duhet të ngrihet një memorial madhështor që të dominojë pamjen, madje edhe nga sateliti…
Lura, shumë vite më parë, kremtonte “Festën e Liqeneve”. Mendimi im është që ajo duhet të zgjerohet dhe festohet me qendër fushën e bukur të Lanë-Lurës e me degëzime deri në Fushën e Pelave dhe fushën e Krej-Lurës, me veprimtari atdhetare, konkurse, gara hipizmi (Fusha e Pelave ose e Lanë Lurës), me panair tregtar me prodhimet e vendit, me tërheqje masive turistësh vendas e të huaj.
Lura në tetor të vitit të ardhshëm duket të shndërrohet në KRYEQYTET të Shqipërisë…
* * *
Në vijim po përcjell shkrimin: “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë-Lurës.” (21.11.1992)
Një letër në adresë të kryetarit të Bashkisë së Dibrës z. Dionis Imeraj me titull “Lanë – Lura beteja e madhe fitimtare kundër synimeve serbo-jugosllave.” (23 shtator 2020)
KUJT I INTERESON SHUARJA E FITORES SË LANË-LURËS
Shkatërrohet lapidari kushtuar fitores kundër serbit
Harku kohor 1912 – 28 tetor 1921, hark i cili fillon me betejën dhe fitoren madhështore të Kolosianit dhe mbaron me “Termopilet” e luftës kundër serbëve, betejën e Lanë- Lurës përmbledh një dallgëzim të paparë betejash kundër Serbisë e synimeve shoviniste serbo-jugosllave, një furi të pashembullt popullore në mbrojtje të tërësisë kombëtare, të trojeve të lashta të këtij vendi, që nuk njohu kurrë një ditë të vetme paqeje.
Nuk kam ndërmend të ndalem në këtë hark me beteja “palë-palë”, me një popull kurdoherë në këmbë, me prijës legjendarë midis të cilëve Elez Isufi qëndron në krye. Është detyrë e historianëve që këtë periudhë me të vërtetë të lavdishme në historinë e Shqipërisë së re do ta studiojnë me kokë të ftohtë dhe do ta ngrenë në piedestalin që i takon. Jo “Shoqe të pandarë të Luftës së Vlorës” siç e cilëson në një kumtim historiani i njohur Kristo Frashëri por më gjerë, më thellë, më lart. Këtë gjerësi, këtë thellësi e lartësi historianët e Dibrës (tani të të dy Dibrave bashkë) duhet ta japin me penë. Në historinë e një kombi apo treve pena është “shati” që tërheq nga vetja, vegla që “mbath” e bën që historia të lëshojë rizoma e marrë dhenë, të lëshojë degë e të marrë qiellin.
“Penda” dhe “shpata”, – shkruan Ismail Strazimiri luftëtari i shquar, pjesëmarrës në tre luftëra të mëdha të këtij shekulli, luftën kundër turkut për Pavarësinë Kombëtare, luftën kundër serbit për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe luftën kundër fashizmit (derisa ra si trimat në moshën 75 vjeçare më 19 nëntor 1943 në Sllovë) në luftë kundër gjermanëve) në librin “Kujtime historike mbi lëvizjet kombëtare në qarkun e Dibrës” janë dy binjake, që të dyja prej çeliku për një qëllim, për një mision. Për me sigurue ekzistencën e një shteti shumë probleme që s’mund ti zbërtheje “penda” i zbërthen tefi i “shpatës”.
Dibranët e “shpatës” e kanë shkruar bukur më mirë se kushdo historinë e vet. Kurse ato të “pendës” janë larg, tepër larg. Duhet të vrapojnë shumë për tu futur në rrugën e gjerë të autohistoriografisë duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në historinë e vërtetë të Shqipërisë.
Në një moment që lidhet me 80 vjetorin e Pavarësisë, me çastin teje delikat për kombin tonë, veçanërisht me “murin tragjik që e ka ndarë përgjysmë popullin tonë…” me “rrënimin e këtij muri të mallkuar”, rrënimi i të cilit “është kusht që populli shqiptar të bëhet popull i lirë, i pasur dhe i lumtur” siç thotë Rexhep Qosja, e ndjej të nevojshme të them dy fjalë për betejën e Lanë-Lurës dhe fitoren historike të dibranëve në këtë betejë. Me të u dogj karta e fundit e qeverisë së Beogradit. Ushtritë jugosllave (lexo serbe) nuk i përsëritën më operacionet e tyre. Fitorja ushtarake solli edhe fitoren politike. Më 9 nëntor 1921 Konferenca e Ambasadorëve e quajti Jugosllavinë agresore dhe hodhi poshtë pretendimet e saj për “vijën strategjike”. Megjithatë ajo vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira, provokime që dështuan me turp.
“Vija strategjike” jugosllave (lexo serbe) synonte “tre qafat”: Qafën e Buallit”, Qafën e Murrës dhe Qafën e Merkurthit, si hap të parë (për të penetruar pastaj në Durrës e për ta këputur Shqipërinë për mesi). Kufijtë e 13-tës për ta, kufij që e ndanë Shqipërinë nëpër “palcën kurrizore të saj” ( u luten gjeografëve e hartografëve të bëjnë matje “precize” dhe të përcaktojnë boshtin e kombit shqiptar, të përcaktojnë qendrën gjeografike shqiptare. Syri i lirë dhe matjet në harta shkollore, mund të gabojnë por mua më duket se boshti po ashtu edhe qendra gjeografike shqiptare qëndrojnë jashtë kufijve arbitrar shtetëror. Po gabova ju lutem më korrigjoni), nuk mund të pranoheshin, nuk kishte si të kalonin në heshtje.
Lanë – Lura përbën shtabin, karakollin rreth të cilit u formua kështjella e qëndresë dibrane në verën dhe vjeshtën 1921. Përmasat e kësaj kështjelle ishin tejet të mëdha, nga Muhurri në Reç, gjatë tërë gjatësisë së Drinit të Zi (në lindje), nga Qafë-Murra në Qafë-Mërkurth e në Qafë-Drajë (në perëndim e në veri.
Qenë muajt më të nxehtë, që koha e trimërive të pashoqe popullore, qe çasti kur emra të rinj iu shtuan historisë së luftërave popullore të dibranëve për mbrojtjen e vendit. Është për të ardhur keq që historia nuk ka shkruar për ta, që librat historikë heshtin për trimërinë e tyre deri në legjendë. Unë nuk kam ndërmend të bëj listën e tyre, as të përshkruaj trimërinë e pashoqe në betejat “palë-palë” të qershorit, korrikut, gushtit, shtatorit, në betejën historike të 26-27 e 28 tetorit 1921. Veçanërisht këto tri ditë përbëjnë një kulm lufte vetëmohuese. E para dhe e dyta me luftërat e dyta me luftërat e paepura, me qëndresën historike por edhe me tërheqjen dhe tradhtinë. E treta, 28 tetori, Beteja e Lanë-Lurës, në atë fushë në “kupë të qiellit”, me male e burra male që nuk u tutën, e me fitoren madhështore.
Sa herë fitojshin malësorët tanë në Lanë të Lurës, shkruan Ismail Strazimiri në “Libër kujtimesh” (në dorëshkrim), ngrihesh e fluturonte mbi ta një shqiponjë e cila rrotullohej e gërhiste egërsohem me zanin e saj të ashpër dhe sulej drejt frontit të serbëve. Tue e pamë malësorët këtë shqipe që fluturonte përmbi krenat e tyne, pa u drashtë as nga plumbat e anmikut, as edhe nga zhurma e luftës, përtëriheshin me fuqi morale e qujeshin si dhënie ngadhënjimi fluturimin e saj dhe tue brohoritë “Besa- besë , asht dita jonë” sulmojshin me tërbim mbi anmikun të cilin e thyejshin dhe e dërmojshin (faqe 90).
Këtu, në Lanë të Lurës, bëri varg e më tej u shtri mbi telat e çiftelisë ajo që u quajt “Marshi i Djelmënisë Dibrane”, marsh i cili do të orkestrohej e do të bëhej himn i shoqërisë “Djelminia Dibrane” dhe “Bashkimi Dibran”.
Në atë marrsh ndër të tjera thuhet:
Drin, e Lum i gjanë, Plaku i malësisë,
A ke me ja lanë Dibrën Serbisë?
Kurrë nuk durohet kjo robëni,
Dibra e Mosiut asht Shqipëni…
* * *
Çohu burra, çohu,
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhe shpresë
* * *
Lurë, o vend i nalt, vend i trimënisë
Aty u banë fjalët, besa e lirisë…
Lanë- Lura, beteja dhe fitorja madhështore e saj, meriton të shkruash gjatë. Meriton një sesion jubilar më vete.
Më detyroi të shkruaj këto radhë (jashtë përvjetorit të saj) një fakt që megjithëse është i vërtetë, nuk dua ta besoj: Lapidari i ngritur në krye të fushës së bukur të Lanë Lurës, një lapidar i thjeshtë prej betoni (kur duhet të ishte një obelisk i lartë) është shkulur, është thyer e shkatërrua”.
Nuk e di se kujt i intereson prishja e atij lapidari, shkatërrimi i tij. Nuk e di se kush donë ta kalojë në heshtje, ta shuaj nga kujtesa e popullit betejën dhe fitoren e Lanë Lurës…
Nuk e di…
Por një gjë e di: shqiptari që ka gjak shqiptari nuk e bën…
Nuk mund ta bëjë…
Veçse në qoftë se nëna e tij e ka zënë me një serb…
Peshkopi, 21.11.1992.
LANË – LURA BETEJA E MADHE FITIMTARE KUNDËR SYNIMEVE SERBO-JUGOSLLAVE.
Letër drejtuar kryetarit të Bashkisë së Dibrës Dionis Ymeraj
I nderuar kryetar!
Vitin e ardhshëm është 100 vjetori i Betejës së Lanë-Lurës, ( 28 tetor 1921) betejë që mbyti serbo-jugosllavët në Drin, betejë që bëri jehonë të madhe në të gjithë botën dhe solli pavarësinë përfundimtare të Shqipërisë.
Ky përvjetor duhet të përkujtohet në masën e “Luftës së Vlorës”.
Me madhështi, me përkushtim qytetar dhe në vijim të shndërrohet në një festë të madhe shqiptare të përvitshme.
Në Lanë-Lurë, në krye të saj, atje ku ka qenë vendos lapidari, çuditërisht i shkatërruar në hapat e parë të demokracisë (Shiko shkrimin “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë-Lurës, Z.P dhjetor 1992) mendoj se duhet të ngrihet një memorial madhështor që të dominojë pamjen, madje edhe nga sateliti.
Bashkangjitur po ju dërgoj një shkrim timin të një çerek shekulli më parë kur lapidari i ngritur në krye të fushës së Lanë-Lurës u shkatërrua.
Sugjeroj një vendim që tani nga ana e Këshillit – Bashkiak dhe bërjen e një programi me hollësi për përkujtimin e saj.
Lura, shumë vite më parë, kremtonte “Festën e Liqeneve”. Mendimi im është që ajo duhet të zgjerohet dhe festohet me qendër fushën e bukur të Lanë-Lurës e me degëzime deri në Fushën e Pelave dhe fushën e Krej-Lurës, me veprimtari atdhetare, konkurse, gara hipizmi (Fusha e Pelave ose e Lanë Lurës), me panair tregtar me prodhimet e vendit, me tërheqje masive turistësh vendas e të huaj.
Për hollësi organizimi, më në detaje, mund të komunikojmë pas vendosjes së festimit të 100 vjetorit.
Me respekt
Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 shtator 2020