BESIMI NË HYJIN – VLERË E JETËS SË NJERIUT

0
300
Atë Ndue Kajtazi - Biseda si mundësi njohjeje

Me rastin e botimit të tri librave të Atë Ndue Kajtazit

Shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës dhe Kuvendi françeskan i Gjakovës nxorën në dritë tri libra të Atë Ndue Kajtazit, “Ai vetë është Drita” (Përsiatje të përshpirtshme) I, “Çështje të identitetit të krishterë “II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi III”.

Në fillim të librit të tretë “BISEDA SI MUNDËSI NJOHJE DHE KOMUNIKIMI”, autori ka vënë këtë mendim të Mark Krasniqit:

“Njeriu në jetë duhet të ketë një ideal të lartë për të cilin punon dhe jeton. S’ka ideal më të lartë dhe më të shenjtë se ç’është interesi, e mira e popullit, lufta e vazhdueshme intelektuale për përparimin e tij të gjithanshëm. Intelektuali këtë ideal duhet ta ketë jo vetëm detyrë të përhershme, por edhe kënaqësi shpirtërore[1]”.

Shkruan: Anton Nikë Berisha

– Fjalë paraprake –

Në librin – Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi atë Ndue Kajtazi i zgjeron dhe i pasuron vëzhgimet e dy librave të tij Ai vetë është Drita (Përsiatje të përshpirtshme) dhe Çështje të identitetit të krishterë, po këtu ato shprehen përmes mendimeve të të tjerëve, pra përligjen përmes bisedës, përmes shembujve dhe të dhënave konkrete, jo vetëm të barinjve shpirtërorë, po dhe të personaliteteve të shquara të botës shqiptare dhe më gjerë. Personat me të cilët ka biseduar atë Ndue Kajtazi, shfaqin pikëpamjet për dukuri që lidhen me besimin në Zotin dhe me rëndësinë e afrimit të besimeve të ndryshme, po shfaqin dhe mendime rreth dukurive kulturore, shoqërore e politike (biseda me kancelarin e dikurshëm gjerman, Helmul Kohl, me kryetarin e dikurshëm të Kosovës, Fatmir Sejdiun etj.).

Numri më i madh i bisedave të përfshira në këtë libër është bërë me barinj shpirtërorë, të cilët shfaqin mendimet e tyre për një varg çështjesh, që janë bërë objekt vështrimi edhe në vëllimet Ai vetë është Drita (Përsiatje të përshpirtshme) dhe Çështje të identitetit të krishterë, por këtu ato konkretizohen përmes shembujve e veprimit konkret në jetën e përditshme, ku dëshmohet në mënyrë të ndryshme rëndësia e besimit në Hyjin dhe në hirin e tij, që në qenësi nënkupton fisnikërimin, mirësjelljen dhe mirëkuptimin midis njerëzve.

Përmes mendimeve dhe të dhënave të tyre fitohet një pasqyrë e mirëfilltë e punës së tyre konkrete për të përhapur fjalën e Hyjit dhe për t’u flijuar për njeriun në mjedise të ndryshme të botës shqiptare e të diasporës ku disa prej tyre veprojnë (në Gjermani, në Zvicër etj.).

Pra, përmes bisedave del në dritë puna e madhe e barinjve shpirtërorë me besimtarët, po edhe me të tjerët, dëshmohet rëndësia e përvujtërisë, qoftë e bariut shpirtëror, qoftë e besimtarit ose e secilit individ; synimi i tyre për krijimin e një njeriu me virtyte të larta që do të jetë i dobishëm për shoqërinë ku jeton dhe vepron.

Nga disa biseda pasqyrohen aspekte të rrjedhës së jetës së krishterë në mjedise të ndryshme jo vetëm të Kosovës, por dhe të botës shqiptare në përgjithësi, duke përfshirë edhe diasporën, jepen të dhëna për ndërtimin e kishave (mbështetja nga besimtarët), format e ndryshme për ta ndihmuar tjetrin e të ngjashme.

Të dhënat e këtilla si dhe dëshmimi i rëndësisë së besimit në Hyjin dhe në dashurinë e tij në veprimin e përditshëm dhe në rrethana përkatëse i bën këto biseda të rëndësishme – pasqyrë e denjë e jetës në rrethana përkatëse.

Në mënyrë të veçantë janë të rëndësishme përvojat dhe shembujt konkretë të afrimit të njerëzve me besime të ndryshme, pra të tolerancës fetare, e cila në botën shqiptare ishte tradite shumëvjeçare e vazhdon të jetojë dhe më tej.

Në tekstet e bisedave lexuesi do të gjejë dhe mendime me vlerë të personaliteteve të shquara shoqërore, kulturore e politike për rrjedhat politike të botës sonë shqiptare, për dukuritë e veçanta, shpesh për “vetëdije të fjetur” të shqiptarit në çaste të rëndësishme të gjallimit.

Me pak fjalë, libri Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi është një mozaik i pasur i pikëpamjeve të personave të fushave e të profesioneve të ndryshme dhe i të dhënave të shumta rreth besimit në Hyjin, po dhe të veprimit të kishës e të barinjve shpirtërorë në hapësirën gjithë shqiptare si dhe të dukurive të përgjithshme të jetës.

[1]Mark Krasniqi, Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare, IV, Prishtinë 1995, f. 241.