AV. XHABIR ZEJNUNI
Rastësisht lexova para disa ditësh një shkrim të Visar Zhitit, ku autori tregonte emocionet e mëdha që ai kishte provuar nga takimi që kishte pasur me Papën Emeritus (të nderit) Benedetto XVI në Vatikan. Në një kartolinë drejtuar Visar Zhitit nga Benedetto XVI, ai kishte firmosur në fund: “Me bekimin tim. Benedetto XVI”. PROBLEM.
Kemi një Papë apo dy Papë?
Me 11 shkurt 2013, Papa Benedetto XVI zyrtarizoi një vendim të paimagjinuar, duke ushtruar për herë të parë një opcion të parashikuar nga e drejta kanonike vetëm në vitin 1983.
Ky akt, njihet si “dorëheqja” nga Papati, që më saktë do quhej “Refuzim nga zyra e Pontifikatit Roman”. Ndër arsyet kryesore (dhe zyrtare) që përmendi Benedetto XVI, ishin “mosha e thyer” dhe “mos kapaciteti i duhur” për të ushtruar efektivisht detyrën e tij. Por, ka edhe arsye JO zyrtare, të cilat nuk u përmendën në këtë dorëheqje!
Me 12 shtator 2006, Benedetto XVI mbajti në Universitetin e Ratisbonës në Gjermani (ku vite më parë kishte qenë edhe ai pedagog) një leksion (lectio magistralis) me titull “Besimi, arsyeja dhe Universiteti”. Në fillim të leksionit, ai solli një dialog që kishte pasur perandori bizantin Manuele II Paleologo me një dijetar persian.
Benedetto XVI tregon se perandori bizantin e dinte se Sura 2, 256 e Kur’Anit shkruante se “Nuk duhet të ketë asnjë detyrim në problemet e besimit”. Në një moment, krejt të papritur, të papritur deri në atë pikë aq sa të jetë për ne i papranueshëm, ai i drejtohet bashkëbiseduesit të tij me një pyetje në lidhje me raportin mes besimit fetar dhe dhunës: “Më dëshmo se çfarë ka sjellë të re Muhameti, dhe do gjesh vetëm gjëra të këqia dhe antinjerëzore, siç është udhëzimi për të përhapur me anë të shpatës besimin fetar që ai predikonte”.
Fraza e inkriminuar, edhe pse nuk ishte e Benedetto XVI, dhe u trajtua nga ai gjatë leksionit, u keqinterpretua dhe pati pasoja dramatike më vonë. Duhet theksuar se me datën 17 shtator në Castel Gandolfo, Benedetto XVI saktësoi: “Jam i hidhëruar për reagimet ndaj një fragmenti që unë solla gjatë leksionit tim, i cili rezultoi ofendues për muslimanët. Në fakt, bëhej fjalë për një frazë të një teksti mesjetar, i cili nuk përfaqëson në asnjë mënyrë mendimet e mia personale”.
Edhe pse ai ishte në rolin e Papës, leksionin e dha si ish pedagog i Universitetit të Ratisbonës, duke analizuar si studiues DY pyetje kyçe.
1. Lirina e besimit fetar: “Muslimanët mund të gjejnë brenda bagazhit të tyre kulturor dhe shpirtëror, argumente islamike në favor të tolerancës fetare”? Ky problem që Benedetto XVI shtroi, mund të kërkojë shumë kohë për t’u zgjidhur (…..).
2. Strukturimi i shoqërisë islamike: “Muslimanët mund të gjejnë brenda bagazhit të tyre kulturor dhe shpirtëror argumente islamike për të stabilizuar një dallim mes autoriteteve fetare dhe politike të një Shteti të drejtë”? Ky fakt, mund të bëjë shoqërinë muslimane më elastike brenda saj dhe më pak të rrezikshme për fqinjët e saj. Benedetto XVI sqaron se “Kisha Katolike, bëri luftërat e saja të brendshme ndërsa zhvillonte një kauzë të saj për lirinë fetare në një kontekst politik kushtetues, duke luajtur një rol kyç në shoqërinë civile, por duke MOS e qeverisur DIREKT atë”.
Benedetto XVI shtroi pyetjen: “Një proçes i tillë zbulimi/zhvillimi, është i mundur edhe në Islam”? Përgjigjen, deri më sot nuk e ka dhënë askush (…)! Benedetto XVI, u sulmua menjëherë për deklaratat e tija.
Në fillim, gazeta New York Times i konsideroi thëniet e Benedetto XVI si “tragjike dhe të rrezikshme” dhe shtooi se “Ka shumë urrejtje fetare në botë. Benedetto XVI ka ofenduar muslimanët”. Të njëjtin ritëm sulmi, mbajti edhe themeluesi i gazetës Republika, Eugjenio Skalfari, duke shkruar se “Edhe Papa është i gabueshëm. Ka gabuar nga pikëvështrimi i Kishës së tij. Ka bërë një hap të pavullnetshëm përpara në rrugën e përplasjes fetare”.
Edhe nga fronti katolik, nuk munguan sulmet! Në fakt, do ishte çudi nëse do ndodhte e kundërta! Përgjegjësi i “Shoqatës së Jezusit”, Atë Tom Michel deklaroi: “Papa ka përhapur mungesë respekti përballë muslimanëve. Ne kristianët, duhet t’ju kërkojmë ndjesë muslimanëve”. Dhe Benedetto XVI kërkoi menjëherë ndjesë. Më vonë, u dorëhoq dhe sot në vend të tij, është (rastësisht!) një jezuit. Duhet sqaruar se “Urdhëri i Jezuitëve” (ose “Shoqata e Jezusit”) është krahu më i MAJTË politik i Kishës Katolike!
Shumë pak në Europë dhe në Amerikë e mbrojtën lirinë e fjalës së Benedetto XVI. Salman Ruzhdie duke mbrojtur Benedetto XVI, deklaroi se “Kisha Katolike ka bërë 400 vite për t’i kërkuar ndjesë Galileos, ndërsa bota sot po pretendon ndjesat ndaj islamit për 8 minuta”.
Ky është motivi kryesor që Benedetto XVI ka qenë detyruar të heqë dorë nga Papati. Dhe në krye të Kishës Katolike u zgjodh një person me “ide të ndryshme”. Dhe jo pa arsye u zgjodh Papë një jezuit (hera e parë që zgjidhet Papë një jezuit!), kaq i hapur sa të konsiderojë muslimanët “vëllezër në besim”.
Në këta momente, Kisha Katolike ndodhet në një situate të sikletshme dhe paradoksale, duke pasur DY Papë të gjallë.
Është e vërtetë se Benedetto XVI është dorëhequr nga Froni Papnor, por jo nga Papati, pasi e ka theksuar edhe vetë se “Sidoqoftë ai mbetet trashëgimtar i Pjetrit”. TRE, janë provat që Benedetto XVI është akoma Papë.
1. Vendimi (i paparë dhe i padëgjuar deri më tani!) që të jetë “Papë Emeritus”, brenda mureve të Shën Pjetrit, me veshjen, simbolin dhe titullin pontifik; 2. Fjalët e qarta, me anë të të cilave ai ka shpjeguar se “Vendimi im për t’u dorëhequr nga ushtrimi aktiv i Papatit, nuk e revokon atë. Nuk kthehem në jetën private”.
3. Konferenca “bombastike” e shtypit e bërë nga sekretari i tij personal, Mons, Georg Gaenswein (22 maj 2016), ku ai shpjegoi se “Pontifikati i Benedetto XVI duhet lexuar edhe nga beteja e tij kundër “diktaturës së relativizmit””. Më pas, ai ka deklaruar tekstualisht: “Nga zgjedhja e pasardhësit të tij, Papa Francesco (13 mars 2013) nuk janë DY papë, por kemi faktikisht një ministri të zgjeruar me një anëtar AKTIV dhe një PLOTËSUES. Për këtë arsye, që Benedetto XVI nuk ka hequr dorë as nga emri i tij dhe as nga veshja e bardhë. Prandaj, që emri korrekt me të cilin i duhet drejtuar atij, është “Shenjtëri”.
Po ashtu, ai nuk eshtë tërhequr në një manastir të izoluar, por jeton brenda Vatikanit, sikur të kishte bërë një hap ANASH për t’i dhënë hapësirë pasardhësit të tij (….)”. Të bësh një hap anash, do thotë që të lejosh dikë të ecë në krahun tënd dhe me të njëjtin ritëm, pavarësisht hapësirës që ka bashkëudhëtari yt. Ndryshe është rasti kur bëhet një hap prapa (…)! Duhet kujtuar fakti se Papa Felice V (më saktë Antipapa!), i cili kur u dorëhoq, refuzoi veshjen dhe emrin papal dhe u kthye të jetë Kardinali Amedeo VIII i Savojës.
Deklarata e sekretarit të Benedetto XVI, shkaktoi edhe reagimin e Papës Francesco, i cili në omelinë e Shën Martës deklaroi: “Të lutemi për barinjtë tanë, ipeshkvit dhe Papën, që ata të mos besojnë se janë në qendër të historisë dhe të mësojnë kështu që të tërhiqen”. Referimi edhe pse ka rrënjë historike që lidhen me Pjetrin, aludon për Benedetto XVI, pavarësisht se nuk e përmend atë direkt. Nuk jam dakord kur Vizar Zhiti thotë për Benedetto XVI: “Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë (…)”. Ish presidenti i Senatit Italian
Marcello Pera, i cili është një mik shumë i afërt me Benedetto XVI, pyetjes së një gazetareje “Ju jeni në kontakt me Papa Emeritus. Është i preokupuar”?, ju përgjigj kështu: “E takoj shpesh, por nuk mund t’ju rrëfej ato që ai më thotë. Ai është shumë i kthjellët dhe ndjek çdo gjë” (2 prill 2016).
Kushdo kujton Papa Gjon Pavlin II, i cili vendosi të rrijë në Fronin Papnor deri në fundin e jetës së tij, pasi ai pohonte se “Nga kryqi nuk duhet zbritur kurrë” (…).