13.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

BAZA AJRORE E NATO-s NË KUÇOVË NJË LAJM SHUMË I MIRË PËR SHQIPËRINË

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, John Mathis dhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olka Xhaçka gjatë takimit të fundit në Pentagon prillin e kaluar

Nga Frank Shkreli

Muaji i gushtit është zakonisht një periudhë, kur njerzit në përgjithsi –përfshirë edhe ata të politikës — shkojnë në pushime dhe si rrjedhim asgjë nuk ndodhë në politikë as në diplomaci. Mezi presim të na pushojnë edhe veshët nga grindjet dhe debatet skandaloze politike – është pra një periudhë letargjike, pasive dhe dembelizmi të theksuar për të gjithë. Pikërisht në këtë stinë të këtyre ditëve të vapës afrikane — që këtu në Amerikë i referohemi si “dog days of summer”, (ditët verore të qenit) megjithse nuk kanë të bëjnë aspak me qenët, por me pozicionimin e hyllit të quajtur Sirius karshi diellit, nga 24 korriku deri më 24 gusht – u përhap një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.

Fillimisht, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama qe ai i cili njoftoi, fund javën që kaloi, se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ka shkruar në faqen e tij elektronike Z. Rama, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës. Ai ka njoftuar gjithashtu se me këtë projekt, i cili pritet të nisë punimet brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës. Kuçova do të shërbejë, njëkohësisht, edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjell një standart të ri për Forcat Shqiptare të Armatosura, ka theksuar Kryeministri Rama, duke dhënë lajmin e mirë për të gjithë.

Disa ditë më vonë këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për agjencinë shqiptare të lajmeve, Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Cazalet, duke shtuar më tej se, “Financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s”.

Shqiptarët kudo dhe pa marrë parasyshë prirjet e tyre politike, duhet ta përshëndesin këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo. Lajm më të mirë për ne nuk ka pasur ç’prej antarësimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2009. Janë disa gjëra që të gjithë shqiptarët duhet t’i përshendesin si ngjarje me rëndësi të interesit afatgjatë të kombit dhe të sigurisë së vendit. Vendimi i Aleancës Perëndimore të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, është një prej këtyre objektivave me rëndësi kombëtare, për të mos thënë historike.

Nuk ka rëndësi se në mandatin e cilit person ose cilës parti politike u realizua ky projekt. Rëndësi ka fakti se NATO ka zgjedhur Shqipërinë për një prani të tillë të saj në trojet shqiptare, për të ndërtuar një bazë të Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjë herë bota. Kjo ka shumë rëndësi! Për më tepër, i rëndësishëm është gjithashtu fakti që sipas Kryeministrit Rama, zyrtarët shqiptarë po diskutojnë me SHBA-në për të “Modernizuar edhe më tej kapacitetet ajrore të Shqipërisë”. Themi baza ajrore në Kuçovë të Shqipërisë është e NATO-s, por e vërteta është se pa miratimin e Shteteve të Bashkuara nuk do të merrej një vendim i tillë. Duhet të jetë e qartë tanimë se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi nuk kanë aleat më të mirë strategjik se Shtetet e Bashkuara. Do të ishte mëkat që faktet dhe provat historike të miqësisë midis dy popujve tanë të mjegullohen, nga hera në herë, me sjellje e deklarata të pa përgjegjëshme flirtimesh të udhëheqësve shqiptarë me udhëheqës autokratë vendesh të cilat, historikisht, nuk ia duan të mirën kombit shqiptar.

Mos luani me miqësinë amerikane të sprovuar, historikisht, por kultivoni këto marrëdhënie, sepse megjithse larg gjeografikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithëmonë afër shqiptarëve. Më pëlqen fakti se njoftimi për këtë lajm të mirë nuk u bë bujë nga Tirana zyrtare duke rrahur gjoksin siç është zakon në diskursin politik shqiptar për të marrë kredi se këtë e bëra unë ose ai tjetri. Kjo tregon pjekuri politike dhe një gjë e tillë është mirë për politikën rajonale dhe të jashtme por edhe për politikën e mbrendshme, që zakonisht suksese të tilla degjenerojnë në debate të ashpëra dhe retorika negative midis palëve, se kush e bëri i pari dhe kush kontriboi më shumë në realizimin e këtij apo atij suksesi të politikës së jashtme ose të mbrojtjes.

E vërteta është se të gjitha palët mund të marrin kredinë për këtë vendim të NATO-s me shumë rëndësi kombëtare për shqiptarët. Ishte Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila gjatë takimit të fundit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis në Pentagon prillin e kaluar, e cila bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara ose NATO-s në Shqipëri. Ajo u shpreh me atë rast se Shqipëria kishte paraqitur disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s. Mirëpo, sa për një përspektivë sado pak të vogël historike, duhet thënë se ideja e një baze amerikane në tokën shqiptare nuk është një ide e re. Në të vërtetë, zanafillën e ka në fillim të viteve 1990 menjëherë pas shembjes së komunizmit.

Ka qenë ish-Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Safet Xhulali, i cili në një takim në Pentagon në fillim të viteve 1990-ta, (ku kam qenë prezent) hodhi idenë e një baze amerikane në Shqipëri. Jo, NATO-s, pasi Shqipëria atëherë nuk ishte në NATO, por për një bazë ushtarake amerikane. Duke marrë parasyshë gjëndjen e atëhershme në Shqipëri, në atë kohë, mu duk se propozimi të ndjerit Xhulali ishte një propozim pak si i nxituar, por gjithsesi ishte largpamës. Fatkeqsisht, punët shkuan si shkuan në Shqipëri duke kulmuar më në fund në ngjarjet tragjike të vitit të zi 1997, e pastaj lufta në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Por më mirë vonë se kurrë. Duhet durim për gjëra të mira ka thënë i moçmi. “Durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik para të cilave vështirsitë dhe pengesat zhduken me kohë”, ka thënë dikur Presidienti i 6-të i Shteteve të Bashkuara, John Quincy Adams.

Prandaj, të dy palët politike në Shqipëri meritojnë kredinë për durimin dhe këmbënguljen e tyre gjatë këtyre tre dekadave në lidhje me praninë ushtarake amerikane ose të NATO-s, në trojet shqiptare. Kjo duket se, së bashku me antarësimin e Shqipërisë në NATO, të ketë qenë një prej çështjeve që të dy palët politike shqiptare, shpesh antagoniste në marrdhëniet e tyre për shumë çështje, sidomos përsa i përket politikës së mbrendshme, të kenë qenë dakort që Shtetet e Bashkuara ose NATO-ja duhej të vendosnin një prani përmanente ushtarake në Shqipëri. Ja, më në fund duket dhe shpresojmë sinqerisht se kjo edhe po ndodhë me njoftimin e vendimit të fundit të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Si përfundim i këtij njoftimi, sot jam me më shumë shpresë se Shqipëria do të bëhet. Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake në Kuçovë është pa dyshim një njohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe kontributin e Tiranës në NATO dhe si një vend aleat i besueshëm. Shqipëria e ka treguar këtë besueshmëri dhe besnikëri në tre dekadat e kaluara dhe gjatë mandateve të qeverive demokrate dhe socialiste, pa përjashtim. Kjo është një njohje e merituar nga NATO-ja, falë edhe profesionalizmit të forcave ushtarake shqiptare, pjesëmarrëse në misione të ndryshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Për suksese të mëtejshme në politikën e jashtme dhe të mbrendshme, tani pritet prej klasës politike shqiptare që të përmirësohet atmosfera politike mbrenda vendit: të përmirësohet diskursi politik dhe të vendoset një dialog i mirëfilltë për objektivat madhore të interesit kombëtar midis palëve, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s. Luftoni deri në fund korrupcionin, vendosni drejtësinë, pastroni politikën. Shqipëria mund të bëhet!

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit