BASHKITË DHE QEVERISJA VENDORE

0
243
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 17 tetorit, përkatësisht të 31 tetorit të vitit në vazhdim, u njohën nga të gjitha palët. Ka rreth dhjetë vjet që Maqedonia e Veriut ia del të organizojë zgjedhje të pranueshme. Shteti që nuk organizon zgjedhje të pranueshme, rrugën për në BE do ta ketë të gjatë. Në periudhën e viteve 1991-2010, zgjedhjet në hapësirat shqiptare në Maqedoni, ishin jodemokratike.

Ka pasur vjedhje votash, mbushje kutish, thyerje kutish, blerje votash, shitje votash, shantazhe, fyerje dhe ofendime të oponentëve politikë, sulme të shtabeve të oponentëve politikë, grisje të bilbordeve, shqyerje të simboleve partiake të oponentëve politikë, zënka, rrahje, plagosje, saqë edhe vrasje. Për vota, shpërndanin miell apo vaj ushqimor. Dikujt i jepeshin para për ta paguar rrymën që s’e kishte paguar muaj të tërë. Për të marrë vota, zonës së caktuar i thuhej: “Duke qenë se keni pasur mungesë uji të pijshëm, atëherë liroheni nga pagesa”. Para shkollave ku realizohej procesi i votimit, rinin grumbull dhjetëra militantë partiakë.

Në oborret e shkollave në të cilat kryhej votimi, rrinin grumbull dhjetëra militantë partiakë. Në korridoret e shkollave ku votohej, po ashtu dhjetëra militantë partiakë. Gjatë ditës së votimit, militantët partiakë e kanë përdorur edhe “trenin bullgar”. Është ushtruar trysni edhe ndaj anëtarëve të komisioneve të partisë oponentë. Me mënyra të caktuara, të paligjshme, kanë mësuar se kush për cilën parti ka votuar. Ka pasur parregullsi edhe gjatë numërimit të votave. Militantët partiakë kanë sjellë për të votuar, edhe persona me aftësi gjykuese të kufizuar. Shumëçka bëhej në emër të ideologjisë kombëtare, në emër të atdhetarizmit apo të shqiptarizmit. “Kush s’është me ne, është kundër nesh, e kush është kundër nesh, është tradhtar”.

Ka rreth dhjetë vjet që kjo marrëzi dhe çmenduri ka marrë fund. Zhvillimi dhe përhapja e teknikës dhe e teknologjisë informatike bën të mundur që fushatat parazgjedhore të realizohen në mënyrë elektronike. Gjatë fushatës, militantët e partive të caktuara manifestuan një agresivitet të theksuar. Ka pasur fyerje, ofendime, sharje, insinuata, goditje të ulëta, fjalë triviale, shprehje të pamatura, publikime denigruese fotografish, montime përbuzëse fotografish etj. U përdorën fjalë, shprehje, sintagma, si: tradhtarë, udbashë, spiunë, bijë spiunësh. Kishte raste kur prekej edhe gjendja shëndetësore e oponentëve politikë.

Kishte edhe të tillë që kërkonin dorëheqjen e liderit të partisë oponente, edhe pse ai kishte fituar mijëra vota më shumë se të gjitha partitë e tjera bashkë.

Diskursi, fjalori, vokabulari dhe retorika e përdorur nga veprimtarët, nga simpatizuesit dhe nga militantët partiakë është çështje për analiza sociologjike, psikologjike dhe psikanalitike. Nga gjuha e përdorur nëpër rrjete sociale mëson edhe për nivelin edukativ, kulturor dhe arsimor të individëve të përfshirë në këtë dance macabre.

Sidoqoftë, marrë në tërësi, zgjedhjet në hapësirat shqiptare ishin të pranueshme, të lira dhe demokratike.

Karakteristike për zgjedhjet e 17 e 31 tetorit është:
– pakënaqësia e theksuar e qytetarëve në zona apo në qytete të caktuara;
– rikandidimi i personave të caktuar për kryetarë bashkish;
– kandidimi për kryetar bashkie i personave të papërgatitur për një detyrë të tillë;
– kandidimi për kryetar bashkie i personave me potencial politik dhe intelektual të kufizuar apo të reduktuar.

Partitë politike duhet ta dinë se:
– kandidati për kryetar bashkie duhet të përgatitet vite me radhë;
– kandidimi i individit për kryetar bashkie për së dyti apo për së treti herë është vendim i diskutueshëm;
– për t’u kandiduar për kryetar bashkie nuk mjafton të kesh vetëm para.

Partitë politike duhet të dinë se me para mund të blejsh edhe doktoratë, por jo edhe dituri.  

Një parti politike e fortë për çdo bashki – rurale apo urbane – duhet të ketë të përgatitur nga dy a tre kandidatë. Për rrethanat e hapësirave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI-ja konsiderohet parti e madhe. Në zona apo në qytete të caktuara kjo parti del me kandidatë të njëjtë. Në këtë parti:

– ose nuk ka kandidat alternativ;
– ose një grup i caktuar posedon monopol partiak;
– ose s’ka hapësirë demokratike.

Për t’u kandiduar për së dyti apo për së treti për kryetar bashkie, duhet të kesh bërë punë të caktuara në bashkinë që e ke qeverisur apo që e ke administruar në mandatin paraprak apo në mandatet paraprake. Kush sa ka punuar për bashkinë, këtë më së miri e dinë qytetarët e asaj bashkie. Opinionet e qytetarëve për gjendjen në bashkinë e caktuar mund t’i mësoni në rrugë, në treg, në çarshi, në çajtore, në restorante, në dasma, në zyra shkollash, kudo dhe kahmos. S’ka nevojë IRI të vijë dhe ta matë mendimin publik për gjendjen në mjedisin tënd. Këtë mund ta bëjnë edhe strukturat partiake.

Bashkimi Demokratik për Integrim humbi në rajonin e Pollogut – në Tetovë dhe në Gostivar. Kjo tregon se kjo parti në këto dy qytete nuk posedon potencial politik të mjaftueshëm. BDI-ja duhet ta ketë parasysh thelbin e fjalës reformim. Ajo nuk duhet të harrojë  se ka qëndruar në pushtet apo vazhdon të jetë në pushtet, kryesisht në saje të një opozite të fragmentarizuar dhe të pakonsoliduar. Është gabim të mendohet se numri i votave për këshilla bashkiakë mund të shndërrohen në mandate deputetësh.  

Një parti i fiton zgjedhjet:
– ose kur punon për interes të përgjithshëm;
– ose kur nuk ka opozitë të fortë.

Një parti politike është e fortë kur i fiton zgjedhjet përballë një opozite të fortë. Partia politike që ka përballë vetes një opozitë të fragmentarizuar apo të pakonsoliduar, në rrafshin politik përballë palës sllavo-maqedonase korr rezultate paliative. Është në interes të partisë në pushtet të ketë opozitë të fortë.

Nuk është e rastit që edhe pas tridhjetë vjet të pluralizmit, bashkitë merren me mungesën e ujit të pijshëm, me problemin e depozitimit të hedhurinave, me rrugët plot gropa, me qarkullimin rrugor të ngarkuar, me mungesën e hapësirave të gjelbra, me mungesën e parkingjeve, me administratën publike të ngarkuar dhe joefektive, me institucionet publike të politizuara dhe të partizuara, me promovimin e diletantizmit në dëm të profesionalizmit, me injorimin e vlerave të mirëfillta në dobi të mediokërve, me cilësinë e ulët në lëmin e arsimit, me mungesën e arterieve rrugore, me ndotjen e ajrit në stinën e dimrit, me kosha të thyer hedhurinash, me mungesë të sallës së sporteve, me trajtimin johuman të qenve të cilësuar si endacakë, me mungesën e bibliotekave, të sallave të leximit, me veprimtari kulturore të improvizuar, me veprimtari bashkiake jotransparente, me mosshlyerje të detyrimeve komunale, me nepotizëm, me mungesë disipline në punë.

Bashkia, trotuaret e së cilës uzurpohen prej ushqimoreve (pilarëve), byrektoreve, bozaxhinjve, pemëshitësve, restoranteve, tregtarëve, djathëshitësve, duhanshitësve, basmaxhinjve, çajtoreve – të përkujton kasabatë e salepçinjve dhe të simitçinjve të shekullit XIX.

Bashkia nuk është pronë private e kryetarit të bashkisë. Ajo është institucion apo organ që ka për detyrë t’i çojë përpara punët bashkiake, në funksion, në dobi dhe në të mirë të qytetarëve.             

Një politikë e cila tridhjetë vjet merret me gropat e rrugëve, nuk mund të bëjë punë të mëdha. Një politikë e tillë – e mjerë, ndodhet larg ndërtimeve infrastrukturore kapitale dhe strategjike. Një politikë e tillë – shkretë, nuk mund të ndërtojë autostradë në vijën e qarkullimit Tetovë – Glloboçicë, në vijën e qarkullimit Tetovë – Qafë Thanë. Një politikë e tillë – e ngratë nuk mund të çelë tunel në Sharr për ta lidhur Tetovën me Prizrenin.

Duke u marrë tridhjetë vjet me hedhurinat, partive politike nuk u mbeti kohë të merren me zhvillimin ekonomik të hapësirave shqiptare.

Kryetarët e bashkive dhe partitë e tyre duhej të kishin ditur se zgjedhjet nuk fitohen me punësime fiktive, me punësime të sajuara dhe të trilluara. Kur s’ke kundërshtarë politik të denjë, lehtë i fiton zgjedhjet, por kur ballafaqohesh me një kundërshtar apo me një oponent të organizuar, energjik dhe të vendosur, sharra të hasë në gozhdë. Kur ke një opozitë anemike, pandeh se bashkinë e ke mall babe me të cilën mund të bësh ç’të duash.

Bashkitë nuk mund të shndërrohen në ente punësimi. Zyrat e bashkive nuk duhet të ngarkohen me nëpunës të panevojshëm, të tepërt, të pasistematizuar. Kush i paguan ata, nëse jo taksapaguesit. Kush mbërrin i punëson militantët dhe veprimtarët partiakë të vet. A mund të paramendohet një punësim i vetëm në një firmë private, po qe se ajo nuk ka nevojë për punëtor?! Punoj në zyrë, në punë ndërkaq shkoj kur të më kujtohet. Kështu, vite me radhë.

Buxheti bashkiak duhet të shfrytëzohet për punët e bashkisë dhe jo për pagat e të punësuarve fiktivë dhe të pasistematizuar.

Ky farë shteti, me të ashtuquajturat aktivitete të lira i ka shndërruar në ente punësimi edhe shkollat. Nuk është e rastit që në testimin pissa, prej 80 vendeve të testuara, Maqedonia e Veriut zë vendin e katërt në botë – nga fundi, d.m.th. vendin e shtatëdhjetë e gjashtë. Me fjalë të tjera, 77 për qind e nxënësve të moshës 15-vjeçare nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Në anën tjetër, për të rrahur gjoks, jemi të parët.

Për tridhjetë vjet të pluralizmit, politika shqiptare bëri pak, për të mos thënë fare, për t’i zhvilluar ekonomikisht viset shqiptare. Vend i konsoliduar është ai që e ka të zhvilluar sektorin privat. Punësimet bëhen nëpër fabrika, uzina, ndërmarrje prodhuese. Në viset shqiptare s’ka investime gjermane apo amerikane ose ka fare pak. Si rrjedhojë, të gjithë rendin pas zyrave, pas institucioneve publike. Zyrat dhe administrata publike janë ngirë, janë ngopur. Në BE nuk hyhet me një administratë përmasash mamuti.

Bashkitë nuk janë ente punësimi, por s’janë as ente sociale. Nëpër do lista bashkiake figurojnë emra personash apo individësh që rinë në shtëpi dhe marrin do farë pagash. Nuk dihet saktë në janë paga apo ndihma sociale. Mund të ndodhë që të jetë në listë edhe personi i cili punon diku tjetër, i cili merr rrogë edhe në ndonjë ndërmarrje tjetër. Mund të ndodhë që në listë të ndodhet edhe personi i cili punon apo jeton në Gjermani. Mund të ndodhë të jetë në listën e ndihmës sociale edhe një ndonjë grua e cila burrin e ka me të ardhura solide.

Kryetar, unë kam vrapuar për Ju, kam agjituar për Ju, kam votuar për Ju. Unë dhe gjithë familja ime! Kam qenë edhe në shtab, në shtabin zgjedhor. Ku keni vajtur Ju, unë ju kam ndjekur pas. Kam qenë edhe nëpër tubime. Tani, të më punësoni!

Pikëpamja, të punësoj sa më shumë vetë që ta fitoj edhe një mandat, është e gabuar. Është politikë apo strategji miope. E gabuar, ngase janë punësime joreale, fiktive, të kota, të panevojshme, jofitimprurëse dhe sterile. Tekefundit i punësoni – në mënyrë fiktive – njëqind vetë, njëmijë të tjerë i leni pa punë. I punësoni njëmijë vetë, dhjetëmijë të tjerë i leni të papunësuar. Kjo nuk është zgjidhje. Kjo shpie në bankrotim.

Votat fitohen duke transformuar kasabanë, qytezën, varoshin apo pallankën në qytet bashkëkohor. Nuk rregullohen rrugët e bashkisë tre muaj para zgjedhjeve, për të mos thënë tri ditë para votimit. Është gabim ta nisi meremetimin e një rruge prej dyqind apo treqind metrave për ta përfunduar pas disa muajve. A e kujton bashkia se në atë rrugë ka dhjetëra tregtiza apo zyra shërbimi të cilat gjatë asaj kohe të pritjes pambarim, nuk mund ta ushtrojnë veprimtarinë?!

Kjo tregon se i ashtuquajturi këshill bashkiak nuk funksionuaka fare. Kjo dëshmon se këta farë këshilla bashkiakë qenkëshin instrumente të verbëta të kryebashkiakëve. Kjo flet se nëpër këto bashki s’paskësh as pluralizëm politik apo demokratik. Ku janë të reagojnë të ashtuquajturit këshilltarë të partive oponentë?! Mos vallë kanë qenë në gjumë organet partiake të këtyre kryebashkiakëve?! Kur ministrat dhe të ashtuquajturit deputetë shkojnë në qeveri apo në kuvend, a kalojnë nëpër rrugët dhe rrugicat e qytezës apo shkojnë fluturimthi?! Për dyert e mbyllura të BE-së fajet i paskan Franca dhe Holanda!

Faktori politik i ka shndërruar shqiptarët në popull social. Një popull social nuk mendon politikisht. Populli i tillë preokupim e ka ekzistencën lakuriqe, mbijetesën. Një të papuni, po t’i gjesh një vend pune, atij tanimë fare pak do t’i interesojnë plehrat e koshave të degraduara. Me të drejtë ai mendon për ekzistencën e vet dhe jo për infrastrukturën e qytetit.

Po qe se partia ma punëson djalin, atëherë është e mirë, ndryshe jo. Me fjalë të tjera, në vendet ekonomikisht të prapambetura, partia është e mirë, jo kur punon për interesin e përgjithshëm, por kur e punëson tim bir apo timen bijë. Pasi e punëson djalin, kërkon ta punësojë vajzën, renë. Që të gjithë nëpër zyra. Po qe se s’ia punëson nusen e djalit, ai kalon në taborin tjetër, në partinë tjetër.

S’ka dyshim se ka njerëz dhe familje me probleme ekonomike e sociale. Mirëpo, problemet e tilla nuk zgjidhen me mbushje zyrash të organeve apo të institucioneve bashkiake. Nuk zgjidhen me mbushje shkollash, me gjysmë orari pune. Zhvillimi ekonomik i viseve shqiptare është çështje politike. Kjo është në duart e faktorit politik, i cili në tridhjetë vjetët e kaluar është treguar politikisht impotent. Po të mos jenë mërgimtarët të cilët me remitencat apo me dërgesat monetare të tyre ndihmojnë për ta mbajtur gjallë ekonominë me kaçavida të qytezave shqiptare, gjendja ekonomik-sociale do të ishte akoma më e rëndë.