BASHKËMASAKRIM KUSHTETUES !

1
471
Drejtësia jam unë

AV. XHABIR ZEJNUNI

Të shtunën (9 qershor) ndërsa opozita po bënte protestën e zakonshme të radhës, u përhap sihariqi i madh se Presidenti Meta kishte vendosur të anullonte datën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke e shtyrë më vonë këtë datë, por pa e përcaktuar atë. Por, shfuqizimi i Dekretit Nr. 10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore me datë 30 qershor 2019, nuk u bë me një dekret tjetër të Metës, por u premtua vetëm me fjalën e tij prej burri!

Sapo Basha e dha këtë sihariq në shesh, të gjithë pjesëmarrësit brohoritën dhe u përqafuan mes tyre nga mallëngjimi, edhe pa u njohur mes tyre. Më pas, Basha urdhëroi turmën e protestuesve që të shpërndaheshin qetësisht, me sebepin se qëllimi i protestës u arrit më në fund! Ndokush nga turma mërmëriti se përse atëherë protestat nuk u bënë para Presidencës!

Presidenti Meta, deklaroi po ashtu se të hënën ai do jepte argumentimet shteruese (dhe thelluese!) në mbështetje të çdekretimit të datës së zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, PS-ja nuk vonoi të përgjigjej, duke deklaruar se veprimi i Metës është antikushtetues dhe se në të njëjtën mënyrë ai do e merrte përgjigjen(!), duke kërkuar shkarkimin dhe zëvendësimin e tij përkohësisht me Shokun Gramoz Ruçi. Pastaj, Presidenti i ri në detyrë i zgjedhur dhe i emëruar në mënyrë rrufe nga Parlamenti, do miratoje Gjykatën Kushtetuese!

Problemi këtu, është se të dyja palët po lozin dhe po tallen shumë me Kushtetutën.

Në Kushtetutë, nuk parashikohet çdekretimi i një dekreti të mëparshëm. Nëse më parë ka ndodhur që Presidenti të ketë shtyrë zgjedhjet (1991, 2007, 2017), kjo gjë është bërë për arsye objektive dhe me kërkesën e pëlqimin e forcave politike. Kurse kësaj here Presidenti ka marrë parasysh kërkesën që atij i është bërë vetëm nga partitë opozitare jashtë parlamentare dhe nuk është marrë fare mendimi dhe miratimi i pozitës dhe opozitës parlamentare.

Pyetja që shtrohet, është si vijon: “A mund të shkarkohet në këto kushte Presidenti Meta”? Përgjigja është JO.
Kushtetuta, tek Neni 90, par. 1, disponon se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.

Në këtë rast, gjëja e parë që duhet të diskutohet, është nëse në rastin në fjalë Presidenti Meta ka përgjegjësi kushtetuese për çdekretimin e datës së zgjedhjeve me datën 30 qershor. Këtë (mos)përgjegjësi, nuk mund ta vendosë Parlamenti, por Gjykata Kushtetuese nëse ajo do investohet. Por, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për momentin.

Atëherë për interesa të larta të atdheut, Parlamenti duke arsyetuar se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, mund të kërkojë shkarkimin e Presidentit në respekt të par. 2, i cili disponon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.

Folja ndihmëse “mund”, tregon se shkarkimi i Presidentit bëhet vetëm në praninë e një apo disa shkeljeve ose krimeve dhe jo sipas tekave të ndokujtë. Në lidhje me kuorumin prej ¼ të propozuesve, nuk krijohet ndonjë problem i madh. Problemi më i madh, shtrohet që të përcaktohet se cilët janë “jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.

Dikush mund të thotë se ata janë 92 deputetë duke marrë parasysh numrin maksimal prej 140 deputetësh që ka Parlamenti. Por, dikush tjetër mund të thotë se duke qenë se aktualisht në Parlament kemi 122 deputetë, sjell që 2/3 të jenë 81 deputetë. Në këtë rast, shkarkimi i Presidentit kërkon më pak vota. Që do thotë se në rast “nevoje” mund të “blihen” apo të “merren hua” më pak deputetë opozitarë(….)! Por, edhe në këtë rast duhet të jetë Gjykata Kushtetuese e investuar nga palët e interesuara, që të përcaktojë se sa deputetë duhet t’i korrespondojnë kuorumit prej 2/3. Por, ne nuk kemi akoma Gjykatë Kushtetuese për të zgjidhur këtë ngërç!

Pavarësisht nëse kuorumi më lart i deputetëve që mund të votojnë shkarkimin e Presidentit, do jetë 92 apo 81 deputetë, edhe po u arrit ky votim, duhet që të respektohet par. 3, i cili sqaron se “Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.

Dikush mund të thotë se për hir të emergjencës së krijuar dhe për shpëtimin e demokracisë, do bëhet i mundur menjëherë krijimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ajo të vendosë mbi fatin e Presidentit. Dhe të atdheut!

Por, këtu lind përsëri një problem tjetër, pasi Ligji Nr. 76/2016, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, tek neni 4, i cili ndryshon nenin 125, tek par. 1, disponon se “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit”.

Nëse Presidenti nuk emëron tre kandidatët e tij dhe Gjykata e Lartë nuk ekziston akoma, mos vallë Gjykata Kushtetuese mund të funksionojë me tre anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti? Pavarësisht nëse në këtë rast ata do merrnin apo jo emërimin e Presidentit!

Edhe nëse do ekzistonte Gjykata e Lartë, e cila të zgjidhte tre gjykatës dhe Parlamenti do zgjidhte po ashtu tre gjykatës, mund të ndodhë që Presidenti të emërojë tre gjykatësit e tij (të cilët dihet se kujt do i jenë mirënjohës!), por nga ana tjetër ai mund të mos i emërojë gjashtë gjykatësit e tjerë!

Dhe rebuset kushtetuese “Made in Albania”, nuk mbarojnë kurrë.

Në këto kushte, do kishte qenë më mirë nëse shkelja e “rëndë” e Kushtetutës nga Presidenti, t’i faturohet moralisht atij (pasi kështu ka kohë që jemi mësuar) dhe në këmbim PS-ja të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit pa marrë parasysh çdekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti.

Të pretendosh që të krijosh një President në detyrë për të zgjidhur tërë këto probleme, nuk është njëlloj si rasti i krijimit të një ministri në detyrë!

Sidoqoftë, nga sa u shtjellua modestisht më lart, nuk duket që të jetë aq i dobët pozicioni kushtetues i Presidentit!
Meta në rastin në fjalë!

1 KOMENT

  1. “Opozita” lexo huliganët ia aritën më në fundë ta bllokojnë Shqipërinë, dhe jo për “Shqipërinë si Europa” por si duket për Shqipërinë si Afganistani, me ndihmën e krye injorantit shqiptar Ilir Metës, pasi që ky i fundit bën çka i thotë bashkëshortja Monika Kryeboshi. Vetë fakti që prezidenti është buri i Monika Kryeboshit, është konflikt interesi dhe askund në Europë nuk do të lejonin kët paradoks.

Komentet janë mbyllur.