BASHKË KUR ISHIM

0
530
Zymer Mehani - bibliotekë

Zymer Mehani

Dhe dielli pas kreshtash
Fshehur si kusar
Kur isha me ty
Donte për t’na parë
Hëna Pesëmbëdhjetë
Në netët verore
Shpeshherë na kish parë
T’kapur dorëpërdore
Ylberi shumëngjyrësh
Na kishte zili
N’përqafim kur ishim
S’bashku unë e ti
Vezullimë e Yjeve
E pyjeve shush’rimë
Të dyve na thanë:
– Paçi dashurinë!
Të dëlirat gurra
E fusha e gjerë
Mua e ty na thanë:
– Qofshi bashkë përherë!
Dhe lulet shumëngjyrëshe
Pëllumbat krahëbardhë
T’qiellit dallëndyshe
Bashkë na kishin parë!
Të lumit shelgjishte
Kodra, brigje, ferra,
Ta dish, do t’na th’rrasin
Kur të vijë pranvera!
Kaltërsi e qiellit
Dhe deti na th’rret:
– Jetofshi së bashku
Pesëmijë e pesëqind vjet!


NËSE…

Nëse diku vdes një njeri i ri
Një zakon është ndërruar në botë gjithsesi
Nëse diku fyhet një femër
Mes nesh është e krisur dhe e prishtë një zemër
Nëse diku mbi fëmijët ushtrohet dhunë
S’mund të jem’ të pafajshëm as ti dhe as unë
Nëse diku një urë shkatërrohet
Ndalet një rrugëtim, një miqësi rrënohet
Nëse diku një faltore përdhoset
Do hecim drejt humbjes, emri na njolloset
Nëse diku e vërteta mohohet
Mua, por dhe ty e drejta na cënohet
Nëse diku shkelet butësia
Aty s’ka qetësi, është e zbehtë liria

Reparti i KA

Kati i tretë
Dhoma numër 3
Unë e Shqipdoni
Rrimë krejt të qetë
Ky më thotë
-jam mirë
Unë i them
-jo jo s jam lodhur me ty
Edhe pse njëri-tjetrin
Nga pak po e gënjejmë
Jemi vëllezër
U rritëm e u burrëruam bashkë
Gjer tani mes nesh s ‘pat kurrë gënjeshtra
E tani që 15 ditë
Burrëri’ s mund të mbaj
Përditë e çdo orë
Po e gënjej vëllanë…..