BALLKANI DHE KUNDËRTHËNIET E FUQIVE TË MËDHA

0
330
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Gadishulli i Ballkanit – Në literaturën kroate thuhet se fjala turke ballkan ka  kuptimin e vargmaleve pyjore. Në lashtësi, një kodër në Evropën jugore është quajtur Haemus e që lexohet Hemus. Bullgarët e kanë quajtur Stara planina (Mali i Vjetër). Më vonë, me këtë emër është quajtur i tërë gadishulli. Nga fjala Ballkan kanë lindur edhe fjalë ofenduese, si p.sh. ballkanezer në vend të fjalës ballkanas. Ka raste kur fjalën Ballkan, evropianët e përdorin në kuptimin e sjelljes barbare dhe të pakulturuar, duke pretenduar se ballkanasit janë të tillë. Në këtë kuptim, sllavët e përdorin termin balkanstvo dhe balkanshtina. Ka raste kur përdoret edhe termi  ballkanizëm në kuptimin: prej një tërësie të caktuar, të krijosh pjesë të shumta.

Gadishulli i Ballkanit ndodhet në Evropën juglindore. Shtrihet në jug të lumenjve Danub dhe Drava, ndërmjet detit Adriatik e Jon në perëndim, Detit Egje e Detit të Zi në lindje dhe Mesdheut në jug.

Në pikëpamje gjeografike dhe kulturore, Gadishullit të Ballkanit i takojnë këta popuj: shqiptarët, grekët, serbët, bullgarët (dhe sllavo-maqedonasit), malazezët dhe boshnjakët. Në gadishull jetojnë edhe: vllahë (aromunë, cincarë), hebregrupi etnik sllavo-folës me fe islame (në vende të ndryshme quhen me emra të ndryshëm), romë, turq  etj.

Në pikëpamje gjeografike, Turqia dhe Rumania nuk janë pjesë e Gadishullit të Ballkanit. Turqia është shtet i Azisë, por Stambolli ndodhet në pjesën evropiane, në ngushticën e Bosforit. Që të dyja pretendojnë se janë pjesë e gadishullit.  Kroacia ndërkaq, nuk është pjesë e Ballkanit, as gjeografikisht, as në pikëpamje të kulturës. Për dallim nga turqit dhe nga rumunët, të cilët pretendojnë se, të paktën në pikëpamje historike, i takojnë Gadishullit, kroatët ndërkaq, kategorikisht e mohojnë se janë popull ballkanik.

Ata thonë se nuk i takojnë Ballkanit, as gjeografikisht, as historikisht dhe as në pikëpamje kulturore. Ballkanas për kroatët, ka kuptimin i prapambetur, parak dhe i paqytetëruar. Kroatët thonë se janë pjesë e Evropës Qendrore dhe se kanë kulturë perëndimore. Duke qenë popull katolik, sikur edhe sllovenët, ndodhen në veri të Limes Theodosiana (Vijës së Theodosit). Kroatët parapëlqejnë të theksojnë se kanë qenë nën sundimin, jo të Perandorisë Osmane, por të një perandorie perëndimore – asaj Austro-Hungareze.

Në lashtësi, në gadishull jetonin pesë popuj kryesorë: ilirëtgrekët e vjetërmaqedonasit e lashtë dhe trakasit – një popull indoevropian antik që banonte në një hapësirë të gjerë, prej Karpateve deri në Egje dhe prej Morave deri në Detin e ZiTrakia është rajon historiko-gjeografik i gadishullit që laget nga Deti i Zi, nga Marmaraja dhe nga Egjeu. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Ndërkaq, në veri të Danubit shtrihej Dakia (sot Rumania) e banuar nga dakët.

Në mesjetë, në gadishull jetonin katër popuj me kapacitet përafërsisht të barabartë: shqiptarët, grekët, bullgarët dhe serbët. Bullgarët formuan mbretëri qysh në shekullin IX. Mbretëria serbe u formua në fillim të shekullit XIII (1217). Shqiptarët në mesjetë, për dallim nga bullgarët dhe serbët, nuk arrijnë të krijojnë një mbretëri të veten. Me fjalë të tjera, në mesjetë shqiptarët kishin ngelur pas fqinjëve të vet.

Edhe kah mesi i shekullit XIX, shqiptarët, në krahasim me fqinjët ballkanikë – ngecin. Greqia, Serbia dhe Bullgaria e fitojnë pavarësinë nga Turqia. (Bullgaria formalisht e shpall pavarësinë më 1908). Pavarësia e shqiptarëve arrihet, jo më parë se më 1912. Njëfarë baraspeshe që ka ekzistuar në mesjetë midis këtyre katër popujve, në shekullin XIX dhe gjatë tërë shekullit XX – çrregullohet. Serbët dhe Grekët forcohen. Bullgarët ngecin. Shqiptarët ndërkaq, për shumë arsye, ndahen në gjashtë shtete, hyjnë në diktaturë dhe defaktorizohen.

Me përjashtim të malazezëve, të sllavo-maqedonasve dhe të myslimanëve (boshnjakë), sot shqiptarët janë pika më e dobët e rajonit. Kishte që thoshin se shekulli XXI është shekull i shqiptarëve. Po del se nuk paskësh qenë ashtu. Shqiptarët nuk tregohen në shkallën e duhur të përgjegjësisë historike.

Sulmet e osmanëve në Gadishullin Ballkanik nisën në vitin 1356. Më 1478 një pjesë e madhe e gadishullit ra në duart e turqve. Popujt e pushtuar të gadishullit, ndonëse i ruajtën gjerësisht gjuhët dhe fetë e tyre, nuk e fituan pavarësinë para shekullit XIX.

Me gadishullin ndërlidhet edhe çështja lindore që nënkuptonte problemet e pushtetit turk në Evropën juglindore dhe në pjesën lindore të detit Mesdhe. Çështja lindore ka të bëjë edhe me historinë politike të vendeve të Ballkanit dhe atyre të Lindjes së Afërt lidhur me ngritjen dhe tërheqjen e  pushtetit otoman. “Kriza lindore” e madhe në vitet 1875-78 filloi me kryengritjet antiosmane në BH dhe në Bullgari dhe me pretendimet e Rusisë që me luftë të ketë pozitë dominuese në Ballkan. Problemet e Ballkanit u shtruan edhe në tryezat e kancelarive të fuqive historike të kontinentit, përfshi edhe marrëveshjet dypalëshe, si: Traktati i Shën-Stefanit (1878)Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) me Traktatin e paqes në Londër (maj 1913) me të cilin përfundoi Lufta I Ballkanike; Paqja e Bukureshtit (l913) që i dha fund Luftës II Ballkanike; Konferenca e Paqes në Paris (1919) dhe Traktati i paqes i Versajës, i nënshkruar më 1919 në Sallën e pasqyrave në Versajë afër Parisit.

Shënim: Kriza lindore (vitet ’50 të shekullit XIX) u shkaktua si rrjedhim i shthurjes së mëtejme të Perandorisë Osmane, i kontradiktave midis Fuqive të Mëdha, sidomos Rusisë, Anglisë dhe Francës, për t’u shtrirë në zotërimet turke, si dhe nga forcimi i lëvizjeve çlirimtare të popujve të Ballkanit. Kriza lindore çoi në Luftën e Krimesë (1853-1856) midis Rusisë Cariste, nga njëra anë dhe Turqisë, Anglisë e Francës me të cilat u bashkua edhe Mbretëria e Sardenjës, nga ana tjetër. Në këtë luftë francezët dhe anglezët mbështetën Turqinë kundër Rusisë Cariste. Në vitin 1877 pason kriza e dytë lindore dhe përplasja luftarake midis Turqisë dhe Rusisë, nga e cila Turqia del humbëse.

*   *   *

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, fuqitë e mëdha krijuan termin çështja e Ballkanit. Ishte një emërtim i rëndomtë për një sërë problemesh dhe kundërthëniesh që u shfaqën në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, si rezultat i dobësisë dhe i rënies së sundimit otoman në gadishull. Procesi i shpejtuar i shkatërrimit të të “sëmurës së Bosforit” – Turqisë, i tërhiqte në rajon fuqitë e mëdha të kohës. Austro-Hungaria dhe Rusia, pastaj Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, në vendet e sapoçliruara të Ballkanit krijonin foletë e veta. Depërtimin në gadishull, fuqitë e mëdha e mbulonin me parulla të ndryshme: “Mbrojmë lirinë e popujve të krishterë”; “Ruajmë paqen dhe status-quo-në.

Konflikti i interesave të fuqive të mëdha historike, të cilat në fillim të shekullit XX  tanimë ishin ndarë në dy blloqe, u reflektua sidomos në Ballkan. Nëpër gadishull kalonte rruga e depërtimit gjerman në Lindje – Drang nach Osten (Depërtim drejt Lindjes, d.m.th. drejt vendeve të Evropës Lindore dhe Lindjes së Afërt e të Mesme. Kjo politikë kishte për qëllim të kompensojë vonimin e Gjermanisë në ndarjen e territoreve në botë midis fuqive të mëdha. Pakënaqësia gjermane dhe depërtimi i saj drejt lindjes shkaktoi Luftën e Parë BotëroreDrang nach Osten ishte synim edhe i Rajhut të Tretë).

Interesi kombëtar i popullit shqiptar në Ballkan, ka qenë dhe është në përputhje të plotë me politikën gjermane, përkatësisht me interesin e faktorit gjerman.

Më 1912-13, popujt e Ballkanit, të lidhur në aleancë e sulmuan dhe e thyen Turqinë. Më pas, pjesëtarët e deriatëhershëm të aleancës, për tokat e fituara – nisën luftën mes tyre. Filloi Bellum omnium in omnes (Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve). Në këtë kohë, Ballkani u quajt fuçi baruti. Çështjet e rajonit do të shtrohen në Londër.

Përfaqësuesit rusë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër mbrojtën qëndrimin se shqiptarët, gjatë sundimit osman, kanë qenë në shërbim të Stambollit. Si të tillë, ata nuk meritojnë të kenë shtet. Me këtë qëndrim të Moskës u pajtuan edhe Parisi me Londrën. Vendet mike të shqiptarëve – Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia mezi ia dolën të nxjerrin një gjysmë shteti shqiptar. 

Nga kjo rezulton se fajin për copëtimin e Shqipërisë në Londër (1912-13), më parë se te fuqitë e mëdha, shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete. Kështu sepse pesë shekuj kanë qenë kundër vetvetes dhe në shërbim të sunduesve.

Pas këtij dekompozimi dhe fragmentarizimi të trungut dhe të tërësisë shqiptare, pasoi viti i mbrapshtë i Ismail Kadaresë (1936), kur në Shqipërinë e përgjysmuar kishin hyrë ushtritë e vendeve të rajonit dhe të kontinentit. Gjithsej shtatë sosh.

Me Paqen e Bukureshtit (1913) përfundoi në gadishull Lufta II Ballkanike. Me traktatin e paqes krahina antike e Maqedonisë u nda në tri pjesë: më tepër se gjysma, me Selanikun dhe Trakinë perëndimore, i takoi Greqisë (Maqedonia e Egjeut); rreth 35% të këtij territori i ra Serbisë (Maqedonia e Vardarit); ndërkaq diç më tepër se 10% i mbeti Bullgarisë (Maqedonia e Pirinit). Rumania e mori Dobruzhën jugore.

Pjesën e fituar në Bukuresht, Serbia e humbi në Jajce të BH-së, kur Josip Broz Tito (Kumrovec, Kroaci, 1892 –Lubjanë, 1980) e mbajti më 29.11.1943 Mbledhjen II të AVNOJ-it (KAÇKJ) dhe nga ajo copë e krijoi Maqedoninë e sotme.

Lidhur me vendimet politike të “kroatit Tito” akademiku serb Dobrica Qosiq (1921-2014) tha: “Atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe”.

*   *   *

Pas Luftës I Botërore, gadishulli u nda ndërmjet Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Serbisë (Jugosllavisë). Turqia mbajti vetëm Stambollin dhe tokat rreth tij. Serbia në këtë kohë shquhej për “ekskluzivitetin ortodoks”.

Në Ballkan mbetën të pazgjidhura edhe çështje të ndryshme territoriale greko-bullgare dhe bullgaro-rumune. Pjesë e problemeve të gadishullit po bëhet edhe kontesti rreth emrit ndërmjet Athinës dhe Shkupit. Mbase VMRO-istët synojnë rishqyrtimin e vendimeve të Konferencës së Paqes në Bukuresht (1913) kur krahina me emrin antik Maqedoni u nda në tri pjesë. Duhet shtuar se lidhur me këtë kontest, Turqia është e vetmja që haptazi anon nga sllavo-maqedonasit.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë së AVNOJ-it më 1991, çështje territoriale të pazgjidhura u paraqitën edhe ndërmjet ish-republikave të federatës. Me fjalë të tjera, Ballkani pati trazira edhe në fund të shekullit XX, që nga viti 1991 deri në vitin 1995. Në Bosnjë dhe Hercegovinë u ndez një konflikt i egër etnik. Serbia nuk mund të pajtohej me zhbërjen e perandorisë serbosllave, ndaj sulmoi Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën. (Agresioni serb në Slloveni zgjati dhjetë ditë. Komandohej nga gjenerali serb Petar Graçanin, 1923-2004).

Çështjet territoriale në rajon krijojnë nga vendet e gadishullit armiq të papajtueshëm.

*     *     *

Në Ballkan, qysh në fillim të shekullit XIX e deri pas Luftës së Dytë Botërore, u paraqitën ide për krijimin e një federate të shteteve ballkanike. Pa i përmendur synimet serbo-greke të fillimit të shekullit XIX, koncepti i parë për krijimin e një federate të tillë paraqitet në vitet ’60 të shekullit XIX. Koncepti për krijimin e një shteti të madh ballkanik i cili do të përfshinte vendet e ish-Jugosllavisë, Bullgarinë dhe Shqipërinë u quajt Ballkania. Knjazi serb Mihajlo Obrenoviq (1823-1868) i cili sundoi në vitet 1860-1868 kur edhe u vra prej kundërshtarëve politikë, ishte ideatori i krijimit të shtetit të madh të serbëve dhe të bullgarëve në pjesën qendrore të Ballkanit.

Kjo ide bazohej “në traditat shtetformuese dhe shtetndërtuese të popullit serb dhe atij bullgar në mesjetë”. Kjo ide i përfshinte edhe hapësirat e Shqipërisë. Në të vërtetë, Ballkania serbo-bullgare nënkuptonte pushtimin e trojeve etnike shqiptare nga serbët dhe nga bullgarët. Në këtë periudhë (vitet ’60 të shek. XIX), shqiptarët ende nuk konsideroheshin subjekt politik. Ky koncept ekspansionist i kryeministrit serb Ilija Garashanin (1812-1874), autorit të Naçertanies (1844), për shumë arsye – dështoi.

Në momentet kur rreth çështjeve në Ballkan implikoheshin fuqitë e mëdha të kohës, e sidomos kur ndërhyrjet e tyre nuk ishin në favor të Serbisë, atëherë serbët lansonin parullën: “Ballkani ballkanasve”. Me këtë nënkuptohej që fuqitë e mëdha (antiserbe) të mos ndërhynin në punët e rajonit.

Idetë për krijimin e (kon)federatës ballkanike janë shfaqur edhe gjatë shekullit XX. Nga fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, projektin politik të bashkimit të shteteve të Ballkanit, e mbështetnin kryesisht socialistët dhe majtistët e tjerë të vendeve të gadishullit. Nga fundi i shekullit XIX, kjo ide u përhap brenda lëvizjeve socialdemokrate të vendeve të Ballkanit, si alternativë ndaj synimeve ekspansioniste të elitave nacionaliste të shteteve të sapoformuara.

Kominterna, idetë e socialdemokratëve serbë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shek. XX, i mori si bazë të politikës së vet ndaj Ballkanit. Komunistët e Kominternës konsideronin se një federatë socialiste e vendeve të Ballkanit: “…do të paraqiste të vetmen rrugëdalje nga rrethi djallëzor i urrejtjes nacionaliste; do të parandalonte copëtimin e gadishullit në shtete të vogla; do të bënte të mundur daljen nga mjerimi dhe do t’i jepte fund shfrytëzimit imperialist”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Josip Broz Tito-ja dhe disa udhëheqës të tjerë të Evropës Lindore, shqyrtuan mundësinë e bashkimit të shteteve të gadishullit dhe formimin e një republike federative të Ballkanit. Nën premisën që në luftën civile greke të fitojnë partizanët, atëbotë në këtë federatë ballkanike do të përfshihej edhe Greqia. Për krijimin e kësaj republike federative ballkanike ishte i njoftuar edhe udhëheqësi i komunistëve bullgarë Georgi Dimitrov (1882-1949). Rreth kësaj çështjeje ka marrë pjesë vepruese edhe BRSS-ja.

Pas rezolutës së Informbirosë më 1948, marrëdhëniet e Jugosllavisë me vendet e Evropës Lindore – ndërpriten. Rrjedhimisht, ndërpriten edhe bisedimet për një aleancë të mundshme të vendeve të Ballkanit.

Duke mbajtur parasysh faktin se në gadishull mbizotërojnë kryesisht popujt sllavë, të cilët historikisht i janë mbështetur Rusisë bizantine, krijimi i një federate apo konfederate ballkanike assesi s’ka qenë dhe nuk është në dobi të popullit shqiptar.

*     *     *

Gjatë luftës së ftohtë fuqitë e mëdha i kishin të përkufizuara sferat e interesit, përkatësisht zonat e ndikimit. Pasojat e saj reflektoheshin edhe në Gadishullin Ballkanik. Kjo luftë ndërmjet vendeve perëndimore dhe bllokut sovjetik filloi qysh në vitin 1945. Ajo u intensifikua sidomos pas vitit 1947 dhe zgjati deri më 1990.

Në vitin 1989 presidenti i ShBA-së Xhorxh Bush (George Walker Bush, 1946) dhe udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik (1985-1991) Mihail Gorbaçov (1931-), në një takim të nivelit të lartë në Maltë, e shpallën luftën e ftohtë zyrtarisht të përfunduar. Regjimet komuniste të Traktatit të Varshavës në Evropën Lindore – ranë. NATO-ja e ndryshoi rolin e vet. Më 1994 NATO-ja përuroi partneritetin për paqe, si hap i parë për t’u bërë anëtar i saj me të drejta të plota.

Pas përfundimit të luftës së ftohtë, kontinenti i vjetër u shndërrua përkohësisht në një hapësirë pa zona ndikimi dhe pa sfera interesi.

SHBA-ja, Rusia dhe BE-ja janë fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake historike. Paraqitja në skenë e fuqive të reja globale dhe rajonale, siç janë:
Kina, India, Brazili dhe Turqia shpie në mënyrë të pashmangshme në krijimin dhe në ripërkufizimin e zonave të ndikimit, përkatësisht të sferave të interesit. Gara për shtrirjen e ndikimit nga ana e fuqive të mëdha globale dhe rajonale, paralajmëron ringjalljen e luftës së ftohtë. Fuqitë e mëdha sot synojnë të zbatojnë politikën e forcimit të pozicioneve të veta dhe të dobësimit të pozicioneve të kundërshtarit, duke përdorur me këtë rast të gjitha mjetet e mundshme, me përjashtim të luftës.

*     *     *

Sot në Ballkan jetojnë:

– Popuj me përkatësi etnike të ndryshme;

– Popuj me histori, me kulturë dhe me përkatësi fetare të ndryshme. Po të përjashtohen sllovenët dhe kroatët, të cilët edhe ashtu nuk i takojnë gadishullit, do të shihet se popujt e Ballkanit, në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, ndodhen pak a shumë në një shkallë  të barabartë;

– Popuj, kryesisht të tre konfesioneve: të konfesionit ortodoks, të konfesionit katolik dhe të konfesionit islam ku bëjnë pjesë edhe bektashinjtë. Pjesa më e madhe e popujve të gadishullit janë të besimit ortodoks. Në Ballkan ka edhe grupe etnike të konfesioneve të tjera, siç janë hebrenjtë etj.

Në rajon, si në shumë vende të rruzullit, ka edhe ateistë, të cilët parapëlqejnë të mos i takojnë asnjë religjioni. Mbase ka edhe të tillë që besojnë në Zot, por jo edhe religjioneve. Kështu sepse ato i konsiderojnë sajime të njeriut.

*     *     *

Gadishulli Ballkanik ka pozitë gjeografike strategjike. Është kryeurë që lidh Evropën, Azinë dhe Afrikën. Nëpërmjet ujërave detare të tij, arrihet në Suez dhe dilet në Lindjen e Mesme e në Gjirin Persik, pikërisht te vendburimet e naftës. Ujërat e rajonit shpijnë në Bosfor, që lidh Detin e Zi dhe Marmaranë.  Ngushtica e Gjibraltarit ndërkaq, çon në oqeanin Atlantik.

Fuqia e madhe që do të ishte e pranishme në gadishull, do ta kishte afër edhe Evropën Perëndimore edhe Rusinë – në lindje.

Për shkak të pozitës gjeografike strategjike, për Ballkanin mund të jenë të interesuara, si fuqitë globale, ashtu edhe ato rajonale, si për shembull: SHBA-ja, BE-ja, Rusia, Turqia. Në të ardhmen edhe Kina. Uashingtoni është i preokupuar në rajone të tjera të botës, ndaj Ballkanin mund t’ia lërë BE-së. Në një pjesë të rajonit, SHBA-ja mund ta angazhojë edhe Turqinë, sidomos kur BE-ja tregohet politikisht impotente.

Duke qenë se Pekini është larg dhe për t’u bërë fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake globale i duhen edhe nja tri dekada, atëherë del se gara për Ballkanin mund të zhvillohet ndërmjet Rusisë, Gjermanisë (si forca kryesore e BE-së dhe një nga shtatë shtetet më të zhvilluara dhe më të industrializuara në botë) dhe Turqisë, e cila, pas nja 10-15 vjetësh, pretendon të bëhet ekonomia e dhjetë e botës. Rusia kryesisht është ortodokse; Gjermania – katolike, luterane dhe protestante; ndërkaq Turqia – kryesisht islame.

Fuqitë e mëdha, në rajone të caktuara të botës hyjnë mbi disa baza:

– Mbi bazën e komponentit etnik. Për shembull Rusia hyn në Ballkan me arsyetimin se popuj të caktuar të gadishullit i takojnë familjes sllave.

– Mbi bazën e komponentit fetar. Rusët gjatë shekujve XVIII dhe XIX synonin të gjenin ithtarë të e vet në Ballkan me arsyetimin “jemi vëllezër për nga feja”;

– Mbi bazën e lidhjeve historike;

– Mbi bazën e përkatësisë – qytetërimit të caktuar.

Ka edhe arsyetime të tjera me të cilat fuqitë e mëdha e justifikojnë politikën e tyre hegjemoniste, ekspansioniste, imperialiste, kolonialiste dhe dominuese. Për shembull Kina një ditë mund të thotë: Territori im është i ngushtë për gjithë këtë popullsi timen, ndaj medoemos  të shtrihem përtej kufijve të mi. Ky ekspansion është arsyetuar në histori me teorinë e hapësirës jetësore.

Duke qenë se shqiptarët u përkasin tre konfesioneve, krijimi i sferave të interesit në rajon nga Fuqitë e Mëdha mbi bazën e konceptit “vëllezër për nga feja” do të ishte fatale për ta. Kjo do të shkaktonte boshnjakëzimin e kombit shqiptar në Ballkan.

Asnjë fuqi e madhe nuk mund ta vërë nën kontroll tërë Ballaknin. Çdo fuqi e madhe do të depërtonte aty ku beson se do të ishte e mirëpritur dhe do të bazohej në njërin nga komponentët e sipërthënë – etnik, fetar, historik, kulturor etj.

Për t’iu shmangur ndeshjes eventuale të interesave të fuqive të mëdha rreth rajonit – Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina – për një duhet ta kërkojnë perspektivën e tyre në organizmat euro-atlantikë.

*   *   *

Më 1 nëntor 1995, në portin apo në bazën ajrore ushtarake Rajt-Paterson (Right-Paterson) afër Dejton (Dayton) të Ohajos në ShBA u nënshkrua Marrëveshja e Paqes e Dejtonit. Formalisht u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995. Nënshkrues ishin kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman (1922-1999), ai i Bosnjës dhe Hercegovinës Alija Izetbegoviq (1925-2003) dhe i Serbisë S. Millosheviq (1941 – Hagë, 2006).

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve:

Federata Myslimano-Kroate, me kryeqytet Sarajevën, e cila njëherazi është edhe kryeqytet i shtetit, dhe

Republika Serbe (Republika Srpska), me kryeqytet Banja-Llukën.

Sikundër shihet, kroatët e BH-së, nuk kanë një entitet të veçantë. Ata kanë një entitet të përbashkët me boshnjakët (myslimanët).

Federata Myslimano-Kroate zë 51 për qind të territorit të BH-së, ndërsa Republika Serbe – 49 për qind.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë tre popuj shtetformues apo konstitutivë: boshnjakët (d.m.th. myslimanët), serbët dhe kroatët. Boshnjakët, d.m.th. myslimanët, gjuhën që e flasin e quajnë boshnjakishte (bosanski). Për shkencën serbe dhe kroate, gjuhë boshnjake nuk ekziston. Sipas tyre, ajo është serbishte apo kroatishte, në të folmen popullore të së cilës ka fjalë turke, arabe apo persiane, sikundër ka edhe te gjuhët e popujve të tjerë të Ballkanit. Në këtë mënyrë, serbët dhe kroatët e mohojnë ekzistimin e kombit boshnjak dhe thonë se boshnjakët s’janë veçse serbë apo kroatë të islamizuar.

Sot Bosnja dhe Hercegovina është një shtet kryekëput jofunksional. Republika Serbe në asnjë pikëpamje nuk i bindet qendrës, d.m.th. Sarajevës. Ajo funksionon si shtet më vete. Ajo bashkëpunon me Serbinë, sikur s’ka kufij ndërshtetërorë dhe vazhdimisht kanoset me shkëputje nga BH-ja dhe bashkëngjitje Serbisë. Për çështje të ashtuquajtura strategjike, Republika Serbe harmonizohet dhe bashkërendohet me Beogradin. Në të vërtetë, Republika Serbe nuk është veçse satelite e Serbisë. Ajo e çon mirë Rusinë, ndërsa Moska e konsideron atë si kolonë të pestë të saj në Ballkan.

Në anën tjetër, kroatët, të pakënaqur se nuk e kanë entitetin e vet të veçantë, vazhdimisht shfaqin pakënaqësi, duke u kanosur se nënën Kroaci e kanë në kufi.

Sipas boshnjakëve, Republika Serbe është krijim fantomik që doli si rezultat i një lufte të përgjakshme dhe i gjenocidit ndaj popullsisë myslimane të BH-së

Fuqitë perëndimore – Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra nuk ndërmarrin asgjë konkrete për t’i ndalur tendencat qendërikëse në Bosnjë e Hercegovinë, të nxitura nga Beogradi dhe Moska. Përkundrazi, vitet e fundit, Serbia e udhëhequr prej radikalëve të Vojisllav Sheshelit dhe prej nacional-socialistëve të Sllobodan Millosheviqit, është shndërruar në të ledhatuarën e qendrave politike perëndimore.