B I L E T A – poezi nga Ndoc Selimi

0
1154

Ndoc Selimi

B I L E T A

Nuk mbërriti me zbardhë ky mjes si tjetër herë!
Te kopshti pa vadë derdhi veç do pika shi –
pikllim qiejsh i tretun n’kujtesën e ajrit.
Nëpër muzg
hana e thyeme mbi çati
s’ka me harrue kurrë
numrin e nji bilete lamtumire
t’lanë kastile mbi shtrat,
si sajesë e nji stine me stuhi.
Kur lujshim kukamshehë dikur,
te oborri i rinisë mbulue me harresë,
vend – maskimi im
asnjëherë nuk ishte i sigurtë
e ti gjithmonë strofkën e para ma pate gjetë.
Ulërin naltësive nji avion
si shpend i tretun nëpër botë
e nji patë e egër epikën e maleve kërkon
për çerdhën e shembun mbi tokë.
Te xhami i thyem i qiellit
n’mjegull mbështjell
fluturon horizonteve t’lindjes
trishtueshëm e krejt vetëm nji biletë.