“Ave Maris Stella” ˗ Të falem, o Yll i Detit!

0
2085

Historiku i himnit marian “Ave Maris Stella”

Jemi në muajin maj. Është muaji i luleve, muaji më i bukur i vitit ku natyra shpërthen plot gjallëri me lulet ngjyra˗ngjyra. Është muaji që tradicionalisht i kushtohet Zojës së Bekuar, më e bukura dhe më e shenjta ndër të gjitha gratë.

Prandaj, në këtë muaj, duam ta kujtojmë e ta nderojmë në një mënyrë krejt të veçantë Nënën e Jezusit dhe Nënën tonë qiellore. Mendova të propozoj tekstin e famshëm “Ave Maris Stella” që është një lutje mjaft e vjetër drejtuar Zojës së Bekuar dhe që ka hyrë në përdorim në traditën e Kishës. Zanafilla e kësaj lutjeje nuk është e sigurtë. Disa ia atribuojnë Venanzio Fortunato˗s (që ka jetuar në vitet 530˗609) ose Palit Diakon. I përket të paktën shekullit IX, meqenëse gjendet në Codex Sangallensis e që ruhet në Abacinë e Shën Galiut. Shpesh kjo lutje i atribuohet gabimisht Robertit II, i quajtur edhe Pio ose Shën Bernardit, që jetuan në shekujt XI dhe XII.

Një kuriozitet

“Ave Maris Stella” është himni kombëtar i Akadisë, krahinë në zonën e Amerikës veriore mbi bregun e Oqeanit Atlantik.

Premtimet për ata që këndojnë “Ave Maris Stella”

Gjatë një kryengritjeje në Romë, një turmë erdhi në shtëpinë ku jetonte Shenjtja Brixhida dhe një udhëheqës urdhëroi që Brixhidën ta digjnin të gjallë. Ajo iu lut Zotit tone nëse duhej të ikte që të shpëtonte. Jezusi e këshilloi që të qëndronte: “Nuk ka rëndësi nëse ata e komplotojnë jetën tënde. Fuqia ime do ta shkatërrojë të keqen e armiqve të tu: nëse të mitë më kryqëzuan mua, është sepse unë ua lejova”. Zoja e bekuar shtoi: “Këndoni si grup «Ave Maris Stella» dhe do t’ju ruaj nga çdo rrezik!”.

Teksti i himnit “Të falem, o Yll i Detit!”

Të falem, o Yll i Detit
E Shkëlqyeshmja nënë e Hyjit
dhe gjithmonë e Virgjër
Derë e lumtur e Qiellit!

Duke pranuar atë “Të Falem”
nga goja e Gabrielit,
na jep paqen,
duke shndërruar famën e Evës!

Zgjidhi vargonjtë e fajtorëve,
jepu dritë të verbërve,
dëboji të këqijat tona,
na jep çdo të mirë!

Tregohu Nënë për të gjithë,
kushto lutjen tonë!
Krishti me mirësi e pranoftë,
Ai që është bërë Biri yt!

Virgjër e shenjtë mbi të gjitha grate,
Mbretëreshë e ëmbël e Qiellit,
bëji të pafajshëm bijtë e tu,
të përvuajtur dhe të pastër në zemër!

Na jep ditë paqeje,
vigjëlo mbi ecjen tonë,
bëj që të shohim Birin tënd,
plot me gëzim në Qiell!

Lavdi i qoftë Hyjit Atë,
lavdi Krishtit Zot
dhe Shpirtit Shenjt
i qoftë një nder i vetëm Trinisë Shenjte!
Amen!

Përgatiti:
Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri